Historia e njerëzimit është e mbushur me plotë ide, ngjarje, probleme, sfida, zhvillime, luftëra, ngritje dhe rënie, të cilat e kanë përcjellë njerëzimin gjatë tërë këtij cikli historik deri më sot. Padyshim se me zbulimin e rrotës, njerëzimi në aspektin progresiv është zhvilluar dhe ka filluar të krijon një stad tjetër të zhvillimit, i cili ka qenë bartësi ose motori kryesor për zhvillimet e tjera. Zhvillimi i dytë i rëndësishëm merret zbulimi i makës me avull nga James Watt në vitin 1650 në Angli, i cili dha një hov të madh në zhvillimin e industrializimit, zhvillimin ekonomik dhe zhvillimeve të përgjithshme deri në shekullin XX. Pas kësaj, kemi periudhën e fordizmit dhe post-fordizmit, si periudha të cilat patën ndikim jashtëzakonisht të lartë në ‘boomin’ ekonomik deri në vitet 80-ta, ku atëherë fillojnë zhvillimet e reja sidomos përdorimi i teknologjive të reja të cilat dikur as që ishin menduar. Zhvillimet nga vitet 90-ta e deri më tani si duket janë shndërruar në një ‘revolucion tekniko-teknologjik dhe informatik’, të cilat përveç që kanë sjellë risi anembanë botës, padyshim se me vete mbartin edhe një mori paqartësish, sfida, e probleme të theksuara, për të cilat ndoshta njerëzimi nuk është ende gati, por megjithatë ato po ndodhin! Së pari, shpërfaqja e Covid-19 në një ose tjetrën mënyrë ishte edhe një test për botën bashkëkohore që të përgatitën për dekadat e ardhshme për adoptimin e një forme të re të komunikimit, teknologjisë, zhvillimit dhe sfidave. Së dyti, ky test pothuajse u bë faktik me rastin e lansimit të IA-së ose Inteligjencës Artificiale, e cila tashmë ka shtrirë rrënjët e saj në mbarë botën. Por çka në të vërtetë është Inteligjenca Artificiale? Cilat janë efektet e saj? Si do të ndikon në krizat globale? Cilat janë përparësitë apo dobësitë? Po dilemat? Apo kjo nuk është e gjitha? Janë disa pyetje të cilat aktualisht janë ngritur si formë e hipotezave në diskursin sociologjik global. Qysh herët, Johan Gunther, kishte theksuar se “si rezultat i zhvillimeve të fundit në epokën e digjitalizimi, njerëzit mund të ndahen në dy kategori: a) Vendasit digjital dhe b) Imigrantët digjital. Në grupin e parë hyjnë personat të cilët janë rritur me teknologjinë informative, sidomos me atë virtuale, ndërsa në të dytin ata me moshë më të vjetër, të cilët e kanë problem përshtatjen me zhvillimet rapide të kësaj teknologjie”.(1)
Ndaj, këto zhvillime të cilat po ndodhin sot janë vazhdimësi e zhvillimeve dhe të cilat me siguri se do të sjellin ndryshime të mëdha, si në aspektin individual po ashtu edhe atë kolektiv. Inteligjenca Artificiale nuk është edhe e re, pasi ajo është pasuese e një sërë programeve apo sistemeve të krijuara më parë, si: TURING TEST në vitin 1950, A. I. BORN në vitin 1955, UNIMATE në vitin 1961, ELIZA në vitin 1964, SHAKEY në vitin 1966, DEEP BLUE 1997, KISMET në vitin 1998, AIBO në vitin 1999, ROOMBA në vitin 2002, SIRI në vitin 2011, WATSON në vitin 2011, EUGENE në vitin 2014, ALEXA në vitin 2014, TAY në vitin 2016 dhe ALPHAGO në vitin 2017”.(2)
Inteligjenca Artificiale – AI, është simulimi i proceseve të inteligjencës njerëzore nga makinat apo sistemet kompjuterike. Në fakt, IA i “referohet sistemeve që shfaqin sjellje inteligjente duke analizuar mjedisin e tyre dhe duke ndërmarrë veprime – me një farë mase autonomie – për të arritur qëllime specifike”.(3)
IA e njohur ndryshe edhe si ‘ChatGPT’ tashmë është një realitet i cili është duke ndodhur anembanë botës. Janë me dhjetëra sajte të cilat kanë një sistem të tillë, por edhe një mori e aplikacioneve si në sistemin e IOS-it po ashtu edhe në sistemin e Android-it. Disa prej tyre mund t’i nënvizojmë, si: YesIA, IAChat, Bing, Jarvis, AskIA, ChatIA, AIChat, ChatGPT, etj., të cilat kanë lehtësuar punën e njerëzimit në përgjithësi. Ky sistem është i lehtë e i qasshëm dhe në të mund të kenë qasje të gjithë qytetarët. Sistemi është një mundësi e mirë për të ndihmuar njerëzit dhe shoqërinë në përgjithësi për zgjidhjen e problemeve komplekse, detyrave, gabimeve gjuhësore dhe teknike, marrjen e informatave të ndryshme, parashtrimin e pyetjeve të shumta, e kështu me radhë. Për përdorimin e sistemit nevojitet interneti dhe një nga sajtet apo aplikacionet, disa nga to kanë një pagesë minimale, kurse tjerat janë edhe falas.
Efektet, shkathtësitë dhe tipat e ia-së
Një ndër qëllimet kryesore të AI-së padyshim se është lehtësimi i punës së njeriut, ku mjafton që të hymë në këto rrjete dhe të pyesim rreth temave të ndryshme që nga feja e deri tek inteligjenca artificiale dhe do t’i marrim ato informata dhe atë edhe në gjuhën shqipe. Studimet tregojnë se pesë shkathtësitë kryesore të IA-së janë:
1. Interaktivi;
2. Shërbimet;
3. Analiza;
4. Njohuritë/dijet; dhe 5.Monitorimi.(4)
E para, ky sistem mundëson që të komunikoni me inteligjencën artificiale, t’i bëni pyetje dhe të merrni përgjigje. Së dyti, ofron shërbime, mjafton që të shkruajmë një paragraf apo më shumë qoftë në gjuhën shqipe apo për korrektim në gjuhën angleze dhe do të befasohemi për shërbimin e ofruar nga IA. Së treti, analizimi i të dhënave, ku sistemi mundëson të dhëna të reja dhe trende aktuale në nivel global. Ky fakt ndihmon shumë shkencëtarët, studiuesit, studentët, individët e ndryshëm, por edhe qytetarë të thjeshtë të kenë qasje në shumë informata, për të cilat dikur as që kanë imagjinuar. IA “i bën sistemet qendrore shumë herë më efikase se sa sistemet e shpërndara, sepse të nxënit automatik funksionon më mirë kur ka një sasi më të madhe të informacionit për të analizuar”.(5)
Një hap tjetër me rëndësi janë edhe njohuritë që ka sistemi, megjithëse në disa raste kur ka informacion të limituar, thekson se ky informacion është i kufizuar dhe nuk ka mundësi për më shumë informacion. Në fund, është edhe procesi i monitorimit përmes së cilës ka qasje në monitorimet e ‘të dhënave’ të bizneseve, programeve, pasqyrave të ndryshme financiare, si dhe të dhënave të tjera relevante për të cilat njeriu sot ka nevojë. Ndërsa, sa u përket tipave ose llojeve të AI-së, studimet theksojnë për katër forma të këtij sistemi, si:
IA reaktive - përdor algoritme për të optimizuar rezultatet bazuar në një grup të dhënash.
IA me memorie të kufizuar - mund të përshtatet me përvojën e kaluar ose të përditësohet në bazë të vëzhgimeve ose të dhënave të reja.
Inteligjenca artificiale e teorisë së mendjes - është plotësisht e adaptueshme dhe ka një aftësi të gjerë për të mësuar dhe mbajtur përvojat e kaluara.
Inteligjenca artificiale e vetëdijshme - siç sugjeron emri, bëhen të ndjeshme dhe të vetëdijshme për ekzistencën e tyre”.(6)
Së fundi, është lansuar edhe modeli ‘GTP4 - https://www. gpt-4insight.com’, një sistem mjaft i avancuar sesa sistemet e mëparshme, e i cili kryen punë të mëdha pothuajse në çdo aspekt. Në rastin e Kosovës, shohim se ky sistem është adaptuar shumë me lehtësi pasi që Kosova edhe shfrytëzon internetin qysh herët dhe në raport me vendet tjera prin për nga shfrytëzimi i internetit. Të dhënat nga platforma ‘DatePortale’ nënvizojnë se “në janar të vitit 2023 në Kosovë kishte 1.60 milionë përdorues të internetit. Shkalla e penetrimit të internetit në Kosovë ishte 96.6% e popullsisë së përgjithshme në fillim të vitit 2023. Analiza e Kepios tregon se përdoruesit e internetit në Kosovë janë rritur për 3,773 (+0.2%) ndërmjet 2022 dhe 2023”.(7)
Duke parë rolin dhe rëndësinë që ka interneti dhe shfrytëzimin e tij nga ana e shoqërisë kosovare, si dhe së fundi fluksin e migrimeve dhe mungesën e fuqisë punëtore, së fundi bizneset kosovare kanë filluar që punëtorët t’i zëvendësojnë me robot të cilët kanë AI. Kësisoj, një kompani që furnizon Kosovën me robot ka theksuar se “për dy vite i kanë funksionalizuar 10 robotë, të cilët më punën e tyre e kanë shtuar fitimin e kompanive e po ashtu e kanë rritur edhe numrin e punëtorëve në këto biznese. Njëri nga prodhuesit vendor tregon se me instalimin e robotit i ka zëvendësuar 4 punëtorë, të cilët po kryejnë punë të tjera në kompani e nuk po detyrohen që për 8 orë në punë të zhvendosin thasë me peshë 25 kilogramësh.(8)
Ndoshta ka të drejtë Friedman kur thekson se “robotikët janë projektuar qartë për zëvendësimin e krahut të punës. Qëllimi i parë do të jetë zëvendësimi i krahut të punës që nuk është më i disponueshëm. Qëllimi i dytë do të jetë për të këmbyer krahun e punës të disponueshme për të mbështetur robotikët. Qëllimi i tretë nga ku fillon problemi do të jetë zëvendësimi i drejtpërdrejtë i punëtorëve”.(9)
Kjo tregon se gradualisht këta robotë, falë teknologjisë së fundit do të zëvendësohen me njerëz dhe do të kryejnë procese të shpejta, të cilat ndoshta njeriut do t’i duhej më shumë kohë dhe energji për të njëjtin proces, por që do të paguhej më pak.
Problemet, sfidat dhe e ardhmja
Deri më tani pamë vetëm njërën anë të medaljes së IA -së, profitet, përparësitë dhe padyshim se më e rëndësishmja është dhënia e informatave dhe shërbimeve të ndryshme për të cilat ka pasur nevojë njeriu. Në anën tjetër, shumë studime nënvizojnë edhe problemet dhe sfidat me të cilat do të ballafaqohet njerëzimi në ardhmen apo siç thotë filozofi frëng, Derrida, duke parë duke pritur ndodhitë të cilat do të ndodhin. Një nga shqetësimet më të mëdha “në lidhje me Inteligjencën Artificiale është frika e humbjes së vendeve të punës. Automatizimi që rrit inteligjencën artificiale po shkakton gjithashtu humbje të mëdha të vendeve të punës në mbarë botën. Sipas një artikulli të Forbes, parashikohet se deri në vitin 2025, automatizimi do të shkaktojë humbjen e 85 milionë vendeve të punës. Automatizimi i armëve është gjithashtu një arsye e madhe që njerëzit shqetësohen për të ardhmen e Inteligjencës Artificiale”.10 Ideja që armët mund të përdoren për të kërkuar dhe shënjestruar dikë me udhëzime të paraprogramuara dhe keqpërdorimi i kësaj nga qeveritë ose mafiozët ose inteligjenca artificiale mashtruese mund të jetë diçka shumë vdekjeprurëse dhe shkatërruese.(11) Megjithëse, shumë informata janë të rreme dhe shpeshherë qëllimi i tyre është jo i mirë, manipulues dhe ato kanë qëllim që të përhapin panik. Por, një gjë është më se e sigurt, se shoqëria e shekullit XXI konsiderohet si shoqëria më e avancuar deri më tani dhe kjo falë teknologjisë informative, respektivisht internetit i cili për sociologët është një ‘shkop magjik’ dhe i cili po krijon ura lidhëse bashkëpunimi në shumë sfera me mikro dhe makro kulturat globale. Prandaj, si përfundim mund të nënvizojmë se Inteligjenca Artificiale është një sistem i nevojshëm i kohës, i cili do t’ju mundëson njerëzve dhe shoqërisë në përgjithësi shumë progrese të avancuara përfshirë: komunikimin, idetë, fjalimet TED, përkthimet, korrektimin, informatat, të dhëna të tjera primare, sekondare dhe terciare, si dhe një mori të shërbimeve, të cilat do të jenë një ndihmesë e madhe për shoqërinë e shekullit XXI. Ndërsa, në anën tjetër, keqpërdorimi i IA-së mund të ndikojë te njerëzit në një pasiguri sociale, t’i shkatërrojë ndërtimet dhe urat sociale në mes të kulturave dhe shoqërive të ndryshme, mund të ndikojë që njerëzit të jetojnë në një kuti të vogël globale, pakënaqësi ndaj qeverive dhe trazira sociale, humbje të vendeve të punës, si dhe probleme të tjera. Në fund, e ardhmja, suksesi apo dështimi do të varen nga ne, nëse ne si qenie sociale – biologjike lejojmë që të manipulohet dhe të dhënat të bien në duar të atyre që mund të manipulojnë me to, atëherë vërtetë do të kemi probleme dhe pasoja të mëdha, nëse jo atëherë njerëzimi do të mund të arrijë në piedestalet më të larta të shkencës, kulturës, shëndetësisë, teknologjisë, ekonomisë dhe zhvillimit të përgjithshëm shoqëror.
____________________________
1. Gunther, Johan, Vendasit digjitalë dhe imigrantët digjitalë, Prishtinë, Konet, 2008, 25.
2. University of Cincinnati: “AN INTRODUCTION TO ARTIFICIAL INTELLIGENCE”, https://www.uc.edu, 2020: https://www.uc.edu/content/ dam/uc/ce/docs. (Për herë të fundit qasur më 30.04.2023).
3. Boucher, Philip, Artificial intelligence: How does it work, why does it matter, and what can we do about it?, (Brussels: European Parliament), 2.
4. University of Cincinnati: “AN INTRODUCTION TO ARTIFICIAL INTELLIGENCE”, https://www.uc.edu. (Për herë të fundit qasur me 30.04.2023).
5. Harari N., Yuval, 21 Leksione për Shekullin 21, Tiranë, Botart, 66.
6. Frankenfield, Jake: “Artificial Intelligence: What It Is and How It Is Used”, https://www.investopedia.com 04 Prill, 2023: https://www.investopedia. com. (Për herë të fundit qasur me 30.04.2023).
7. DatePortal: “Digital 2023: Kosovo”, https://datareportal.com 14 Shkurt, 2023: https://datareportal.com. (Për herë të fundit qasur më 01.05.2023).
8. Llozani, Liridon: “A po i zëvendësojnë robotët punëtorët në Kosovë?”, www. dukagjini.com, 26 Prill, 2023: https://www.dukagjini.com. (Për herë të fundit qasur më 01.05.2023).
9. Friedman, George, 100 vitet e ardhshme – Parashikim për Shekullin XXI, (Tiranë: Plejad), 374.
10. Saha, Dibbyo, A Brief Introduction to Artificial Intelligence, (Toronto: Ryerson University), 6-7.
11. Po aty
Prof. ass. dr. Ferdi Kamberi