Allahu xh.sh. e ka zgjedhur agjërimin në fenë islame si një muaj të bereqetshëm dhe fisnik, që në zemrat e myslimanëve zë një pozitë mjaft të çmueshme. Ky është muaji kur filloi vala e zbritjeve të ajeteve kuranore me anë të melekut Xhibril, deri tek Muhamedi a.s.: “Lexo në emër të Zotit tënd….“ (Al-Alak, 1).
Ky muaj është bërë obligim në vitin e dytë të hixhres. Jo rastësisht është zgjedhur ky muaj që të zbriste Kurani, në krijesën më të mirë, kur edhe është bërë obligimi i këtij ibadeti vjetor. Ka thënë Allahu xh.sh. në Kuran: ”O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i tyre që ishin para jush,kështu që të bëheni të devotshëm. (jeni të obliguar) ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherëë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor) i një të varfri, e ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më e mirë për të. Mirëpo,po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju). (ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit në të cilin (filloi të) shpallej Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrrugës së drejtë dhe ndalues (i së vërtetës nga gënjeshta). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (t’i agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për shkak se ju udhëzoi, dhe ta falënderoni. (El-Bekaretu. 183-185).
Është krejt e natyrshme që të bëhej obligim agjërimi ndaj ymetit, pas shumë obligimeve që kishin zbritur nga Zoti, siç thotë komentatori i Kuranit Sejjid Kutb, për të vendosur programin e Tij në tokë, për të drejtuar njerëzit, si dhe dëshmi për vetë njerëzit. “ Agjërimi është fushë e vendosjes së dëshirës dhe mënyrë e komunikimit në mes robit dhe Zotit. Po ashtu është edhe fushë e zotërimit ndaj trupit, me arsyen që t’u bëjë ballë presioneve të ndryshme të trupit, për të arritur kënaqësinë dhe lumturinë tek Ai. Të gjitha këto janë elemente të domosdoshme për përgatitjen e vetvetes për t’u përballur me sfidat e rrugës, e cila është e shtruar me pengesa e me ferra.(1) Për të vazhduar më tej se qëllimi kryesor i agjërimit është arritja e devotshmërisë (takvallëkut), e cila zgjohet në zemrat tona për ta kryer këtë ibadet, me bindje të plotë ndaj Allahut. Takvallëku është mjeti që ruan fuqishëm zemrat tona dhe nuk na lejon të bëjmë mëkate që prishin agjërimin tonë. Historia e agjërimit lidhet edhe me popujt dhe pejgamberët e tjerë. Kështu hasim rastin e Davudit a.s., i cili në çdo të dytë ditë agjëronte. Transmeton Abdullah ibn Amr ibn As r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Namazi më i dashur tek Allahu është namazi i Davudit a.s.; agjërimi më i dashur tek Allahu është agjërimi i Davudit; ai flinte gjysmë nate, një të tretën e kalonte në namaz, pastaj prapë flinte një të gjashtën. Ai një ditë agjëronte e një ditë hante. (Mutefekun alejhi).(2) Kurse gjatë agjërimit, duhet të kihet kujdes që të mos kalohet kufiri në marrëdhëniet shoqërore e sociale, për se, sipas Ebu Hurejres, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush i kalon netët e Ramazanit duke bërë ibadet, duke qenë i bindur në besimin islam, dhe duke pasur qëllim të sinqertë, atij do t’i falen të gjitha gabimet e tij të mëparshme (mutefekun alejhi)”.
Po ashtu në këtë muaj është Nata e Kadrit, në të cilën filloi të shpallej vala e ajeteve kuranore. “Vërtet Ne e shpallëm atë (Kuranin) Natën e Kadrit (El-Kadr: 1). Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (Ed Duhan: 3). Ai mysliman që falet këtë natë duke qenë i bindur në besimin islam dhe ka qëllim të sinqertë, atij do t’i falen gabimet e tij të mëparshme”. Kjo natë duhet kërkuar në dhjetëditëshin e fundit të muajit të Ramazanit. Aishja r.a. tregon se ka thënë: “O i dërguar i Allahut, çka mendon, sikur unë ta dija për një natë se ajo është Nata e Kadrit, ç’duhet të them atë natë?” Pejgamberi a.s. i tha: “Thuaj: “O Zoti im, Ti je Zoti falës, Ti e do të falurin, falmë mua!” Imam Aliu r.a. ka thënë: “Agjërimi është kërkesë e shëndetit; xhihadi i gruas është të jetë e këndshme për burrin e saj”. Por ka edhe nga ata njerëz që nuk shfrytë zojnë të mirat dhe bereqetin e këtij muaji, pra e privojnë vetveten nga kjo mirësi dhe urtësi. Dhe duke mos u habitur ka edhe të atillë që nga Ramazani nuk ruajnë asgjë tjetër përveç kujtimeve më të zeza të mundshme. Si popujt, ashtu edhe individët, gjatë jetës së tyre të gjatë kanë nevojë për ushqim e rehati përmirësuese e ripërtëritëse. Koha e pushimit dhe e qetësimit është pjesë e rasteve definitive në historinë e individëve dhe shoqërive dhe, nëse dinë si ta shfrytëzojnë, gjejnë çelësin e të mirave të ardhshme, fitoreve në luftën dhe përherëshmërinë historike. Shoqëritë dhe individët në Ramazan gjejnë rastin për të reformuar historinë e tyre, ngase ai prezanton periudhën shpirtërore. Ramazani është epiqendër për përforcimin e fuqive shpirtërore psikike e morale në jetën e popullit dhe individëve. Ky na rikujton të vërtetën e qiejve dhe të Tokës, na armatos me fuqi ngadhënjyese dhe na nxit ta duam lirinë, prej së cilës varet nderi i njerëzimit. Pra, Ramazani na dhuron “të vërtetën“, ”fuqinë” dhe “lirinë” gjatë ditëve të urisë dhe etjes. Kushdo që e kupton urtësinë dhe filozofinë e agjërimit, lufton për hir të së vërtetës me bindje të plotë, ngadhënjen dhe arrin qëllimin më fisnik të lirisë, gjegjësisht refuzon nënshtrimin dhe robërinë.(3) ” E përgëzoj atë për të cilin Ramazani bën shefat, po ashtu edhe Kurani,ngase, siç transmetohet prej të Dërguarit të fundit a.s., Agjërimi dhe Kurani bëjnë shefat (ndërmjetësojnë) për njeriun, Ditën e Gjykimit; agjërimi do të dëshmojë duke thënë: vërtet robi për mua e ka lënë ushqimin, epshet; kurse Kurani do të thotë - ai për mua ka lënë gjumin e natës, - dhe atij njeriu do t’i bëhet shefati”(4)

Çdo gjë në këtë muaj duhet bërë me baraspeshë

Si një nga ibadetet më të përfolura në diskutimet filozofike islame, kur është fjala për edukimin dhe ngritjen shpirtërore, mund të përmendet agjërimi. Filozofët myslimanë, që të gjithë, janë munduar t’i bindin njerëzit përreth tyre që ata të mos i përkushtohen tepër kësaj bote, kurse në anën tjetër kanë qenë kritikët më të mëdhenj të hajes dhe pijes së tepërt. Ngase ata kanë qenë të mendimit se haja e tepërt bëhet shkak i shfrenimit të epshit dhe ngurtësisë së mendjes. Urtësia qëndron në mendjen e shëndoshë, dhe gjëja kryesore që mund ta bëjë dhe ta ruajë mendjen të shëndoshë, është shëndeti fizik, për të cilin duhet kujdesur të gjithë, sepse, nëse trupi nuk është i shëndoshë, ateherë as mendja nuk ka për të funksionuar si duhet. Të urtët apo filozofët myslimanë gjatë jetës së tyre kujdeseshin shumë për shëndetin e tyre, përpiqeshin vazhdimisht që të mos e ngarkonin shumë barkun e të mos u punonte truri; madje ata porositnin që mbushja e barkut mbi nevojën e duhur, pengon edhe gjatë namazit dhe ibadetit. Ky shëndet i trupit dhe i shpirtit njeriut ia bën me dije urtësinë apo filozofinë e agjërimit, kështu që, agjërimi nga trupi heq dobësitë që shkaktohen nga haja e tepërt, dhe gjithashtu lehtëson shpirtin e njeriut. Kjo bën që edhe gjumi i personit që agjëron, të llogaritet si ibadet, dhe njeriut mund t’i ndihmojë në zbulimin e të vërtetave, të cilat për t’i zbuluar, nevojitet mendja e shëndoshë e mendja e shëndoshë është në trupin e shëndoshë, kurse trupi i shëndoshë mund të mbahet nëpërmjet hajes me masë dhe agjërimit. Në realitet, shpirti i besimtarit është ai që adhuron dhe e ndien atë gjatë adhurimit; në qoftë se shpirti apo epshi është i ngarkuar me gjëra të tjera, atëherë ibadetet trupore nuk kanë asnjë dobi për besimtarin, le të agjërojë apo le të falë namaz, por, në qoftë se shpirti nuk dëshiron një gjë të tillë, atëherë është e kotë.
Sipas burimeve të literaturës islame, është thënë se personi me këndimin e lutjes së mëngjesit herët në agim, mund të ngrihet shpirtërisht, madje një gjë e tillë mund të realizhohet më mirë duke qenë agjërueshëm. Nga Muadh ibn Xhebeli r.a. transmetohet të ketë thënë: “O Resulull-llah, më trego një punë që do të më shpjerë në Xhennet, e do të më largojë nga zjarri”. Ai tha: “Ke pyetur për një çështje të madhe, kurse ajo është e lehtë për atë të cilit Allahu ia lehtëson: Adhuroje Allahun dhe mos i shoqëro asgjë, kryeje namazin, jepe zekatin, agjëroje ramazanin, vizitoje Ka’- ben”. Pastaj tha: “A dëshiron të të udhëzoj për në dyert e dobisë: agjërimi është mburojë, sadakaja anulon mëkatet sikurse uji që fik zjarrin, dhe namazi i njeriut në thellësi të natës”. Pastaj lexoi: “Ata ngrihen nga shtretërit” dhe lexoi derisa nuk arriti deri tek fjala ‘ja’emune’ (es-sexhde, 16- 17), pastaj tha: “A dëshiron të ta tregoj kreun e çështjes, shtyllën e saj dhe kulmin e saj?” U përgjigja: “Gjithsesi, o Resulull-llah!” Lidhur me këtë ai tha: “Kreu i çështjes është Islami, shtylla e tij është namazi, kurse kulmi i tij është xhihadi. Pastaj tha: ‘A dëshiron të të tregoj mbi thelbin e gjithë kësaj?’ Thashë: ‘Gjithqysh, o Resulull-llah!’, kurse ai tha: ‘Ruaje këtë’, - i thashë: ‘O Pejgamber i Zotit, a thua edhe për këtë do të jemi përgjegjës?’ Ai tha: ‘Të pastë nëna (Zoti të dhëntë jetë), o Muadh! A thua i hedh njerëzit në zjarr diçka tjetër përveç gjuhës (thënieve) të tyre të këqija’.“ (Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është hasen shih.(5) Po ashtu nga Ebu Dherri r.a. transmetohet: “Disa shokë të Resulull-llahut. s.a.v.s, i thanë Pejgamberit (s.a.v.s.): ‘O Resulull-llah, pasanikët na tejkaluan dhe mblodhën të gjitha shpërblimet; falen sikur falemi ne, argjërojnë sikur agjërojmë ne dhe japin sadaka nga pasuria më e vlefshme e tyre.‘ Resulull-llahu tha: ‘A nuk jua ka mundësuar All-llahu xhel-le shanuhu edhe juve që të jepni sadaka? Vërtet në çdo tesbih (subhanall-llah) ka sadaka; në çdo tekbir (All-llahu ekber) ka sadaka; në çdo tahmid (el-hamdu lil-lah) ka sadaka; në çdo tahlil (la ilahe il All-llah) ka sadaka; edhe në urdhërimin për të mirë ka sadaka; edhe në ndalimin e së keqës ka sadaka; edhe në të kënaqurit e epsheve (hallall) ka sadaka.‘ Ata thanë: ‘O i Dërguar i Zotit, a thua edhe kur ndonjëri prej nesh i kënaq epshet e veta, edhe për këtë ka shpërblim? Resulull-llahi tha: ‘Ç’mendoni, sikur (dikush) epshin e vet ta kënaqë në mënyrë të ndaluar, a nuk do të meritonte mëkatin (dënimin)? Gjithashtu, kur ta kënaqë në mënyrë të lejuar, do të ketë shpërblim’. (Muslimi).
Ne ende nuk kemi arritur të zbulojmë të gjitha sekretet e agjërimit të këtij muaji, por koha dhe gjeneratat që do të vijnë pas nesh, kanë për të zbuluar ende për këtë urtësi hyjnore. Por si i tillë, agjërimi i Ramazanit forcon shpirtin, shëron; pastaj agjërimi është edukatë (terbije) e dëshirave tona, në të manifestohet adhurimi i plotë ndaj të Plotfuqishmit etj., por ka edhe nga ata që dijetari Dr. Jusuf Kardavi i cilëson si të ndaluar nga përfitimet e këtij muaji. Myslimani vazhdimisht falënderon Allahun ndaj mirësive të panumërta.
Nuk mund të merret me mend se sa çmenduri është të shpërblesh shërbëtorin për arsye se ka sjellë dhurata nga mbreti, duke mos vlerësuar atë që i ka dërguar dhe në mënyrë të pakujdesshme t’i nënvlerësosh ato, kur dihet që ato dhurata kanë vlerë të jashtëzakonshme. Pra, duhet pranuar se Allahu i Madhëruar, përballë mirësive që ka ekspozuar në faqen e Tokës, kërkon falënderime nga njerëzit. Shkaqet e dërgimit të mirësive, nuk vlejnë për gjë tjetër, veçse më tepër ato janë si një shërbyese. Ne veten e konsiderojmë mirënjohës ndaj tyre, duke i dhënë një vlerë apo çmim, më shumë sesa e kanë merituar, kurse bamirësi i vërtetë, duke u nisur nga arsyeja e mirësive, meriton shumë më tepër falënderime. Pra, duhet ta falënderosh Atë, duke i pranuar mirësitë drejtësisht nga Furnizuesi i Madhëruar, duke e ditur se kush është Pronari i vërtetë dhe të përcaktosh vlerën e tyre. Kjo do të dalë në pah atëherë kur e pranon nevojën ndaj tyre, e kjo vlerësohet vetëm kur agjëron.
Tani e kuptuat se agjërimi në muajin e Ramazanit është një “Çelës” i vërtetë për një falënderim të madh dhe të pastër. Në kohë të tjera, ngaqë nuk kanë qenë të detyruar, shumë njerëz nuk e kanë ndier dhimbjen e urisë dhe nuk kanë mundur të përcaktojnë dot vlerën reale të mirësive. Njeriu nuk mund ta dijë vlerën e copës së bukës të thatë, sidomos pasanikët, të cilët e kanë mundësinë e vlerësimit vetëm gjatë muajit të Ramazanit. Kurse, në pikëpamjen e besimtarit, në kohën e iftarit ajo bukë thatë, në dëshminë e shqisës së shijes, na tregon se është një mirësi e madhe. Duke filluar që nga mbreti dhe deri tek më i varfri i fundit, në muajin e Ramazanit, duke vlerësuar mirësitë e Allahut xh.sh., shpirtërisht e fitojmë sevapin e falën derimit. Besimtari është i ndaluar të hajë ditën, dhe mirësive të Allahut xh.sh. nuk mund t’u afrohet, duke menduar se këto mirësi nuk janë të tijat. Unë nuk jam i lirë t’i konsumoj për qejfin tim. Ato janë malli dhe mirësia e tjetërkujt dhe duhet pritur urdhëri i Tij. Me këtë mendim, duke i vlerësuar mirësitë, shpirtërisht ai falënderon Allahun xh.sh..
Tani e kuptuat se, duke agjëruar, ju bëni detyrën ndaj Allahut xh.sh., që është çelësi i falënderimit. Agjërimi ka disa anë të dobishme, që mbështeten tek edukata hyjnore, tek jeta shoqërore dhe individuale, sidomos në edukimin e veseve të nefsit dhe për të shprehur falenderimin ndaj All-llahut xh.sh., për mirësitë që na ka dhënë. Muaji i Ramazanit është një vërejtje dhe paralajmërim nga pikëpamja e Edukatës Hyjnore, sepse ka shumë dobi. Ja një nga këto: All-llahu xh.sh. i Madhëruar, faqen e tokës e ka krijuar në formën e një sofre, tryeze, me të gjitha llojet e mirësive dhe e ka shtruar përpara të gjithë popujve në një mënyrë të atillë: “nga nuk e kujton fare (nga s’ta merr mendja); dhe në këtë mënyrë, Ai shfaq edukimin e Gjithmëshirshmë risë dhe Plotmëshirshmërisë së Vet. Njerëzit, nën perden e pakujdesisë të të mirave materiale, nuk po munden të vlerësojnë dhe të çmojnë të mirat e All-llahut xh.sh.. All-llahu i Madhëruar me urdhërin e agjërimit të Ramazanit, i shtyn besimtarët të vihen në pozitën e një ushtrie. Sunduesi i Pafillim dhe i Pambarim, duke dalur para Mbretërisë, i fton besimtarët të marrin pjesë në një adhurim dhe festë të amshueshme. Ata dalin dhe presin ftesën Hyjnore të iftarit me fjalën e ezanit të akshamit, duke thënë: “All-llahu- Ekber!”, që shpirtërisht ka këtë kuptim: “Urdhëroni robërit e Mi të nënshtruar”. Përkundrejt kësaj situate të bukur të Mëshirshmërisë së Gjerë të të Gjithmëshirshmit, besimtarët përgjigjen me një rregullsi dhe përsosmëri të shkëlqyer. Prej shumicës së dobive, agjërimi është ndikimi në edukimin e nefsit, duke i përmirësuar ato. Njërin, të cilin po e përmendim më poshtë, i shërben braktisjes së punëve të liga dhe përmirësimit të sjelljeve të këqija. Nefsi i njeriut nga pakujdesia e harron vetveten, sepse mban dobësinë, varfërinë e pafundme dhe paaftësitë e panumërta. Ai nuk do që t’i shohë ato dhe ta kuptojë se është një i varfër që mund të shkojë drejt zhdukjes. Ky është edhe thelbi i fatkeqësisë, sepse ai është një krijesë që është krijuar prej mishi dhe kocke, që do të prishet së shpejti dhe do të ndahet. Ai mendon se ka një trup prej çeliku, që kurrë nuk do të zhduket, prandaj sulet pas interesave të kësaj bote, duke imagjinuar se nuk do të vdesë. Me një ambicje të tmerrshme dhe me një lidhje të fortë pas kësaj bote, bën çdo përpjekje. Tërhiqet pas çdo gjëje që është e shijshme dhe e vlefshme, duke e harruar Krijuesin që e edukon me Mëshirën e Pasosur. Më në fund rrokulliset në moralin e keq, duke mos menduar për përfundimin e jetës, sepse edhe ai do të vdesë një ditë dhe do të ikë në jetën e përjetshme. Agjërimi i Ramazanit u tregon dobësinë mosmirënjohësve, varfërinë dhe pakujdesinë e tyre. Për shkak të urisë ata mendojnë stomakun dhe e pranojnë nevojën e tij. Me anë të urisë së agjërimit, njeriu e kujton se sa mashtrues është trupi i tij dhe e pranon se ka nevojë për Mëshirën e All-llahut xh.sh.. Uria e shtyn të braktisë idhujtarinë e nefsit dhe të pranojë dobësinë dhe varfërinë e tij.

Shpirtrat përgatiten për këtë muaj

Në këtë mënyrë i zgjohet dëshira që të mbështetet tek prania e Allahut xh.sh. dhe atëherë shpirtërisht bëhet gati që me dorën e falënderimit të trokasë në derën e Mëshirës së Tij (me një kusht që të mos ia prishë zemrën pakujdesia). Gjithashtu në muajin e Ramazanit ka zbritur Kurani, që përbën një ngjarje të rëndësishme. Ne do të flasim vetëm për një dobi. Kurani i bekuar, që ka zbritur në tokë pikërisht në këtë muaj, ka zgjedhur për vete muajin e Ramazanit, po këtë periudhë, për të treguar mikpritjen e mesazhit të Allahut xh.sh. dhe për t’u pastruar nga veset e këqija epshore. Për këtë arsye, ne duhet t’i përulemi urdhrit, duke mos ngrënë dhe pirë, veprime këto që të çojnë në përngjasimin e melekëve (engjëjve). Pra, siç veprojmë kur lexojmë Kuran, ashtu edhe e dëgjojmë me respekt Fjalën e Allahut xh.sh., me një vëmendje të madhe, sikur sapo të kishte ardhur nga Ai, nëpërmjet të Dërguarit Fisnik (a.s.), nga Xhebraili (a.s.). Të duket sikur këto fjalë po i shpreh Ai, i Pafillimi, dhe kështu përfiton një kënaqësi shpirtërore, sepse mendon arsyen e zbritjes së Kuranit në tokë. Veç kësaj, për të tjerët ju bëheni edhe si një përkthyes i posaçëm. Në muajin e Ramazanit sipërfaqja e tokës shndërrohet në një xhami të tillë, që një milion hafëzë të Kuranit, ia këndojnë atë popullit që e dëgjon me respekt. Kështu, sa herë që vjen muaji i Ramazanit. Këtë kuptim e nxjerr në dritë ky Ajet i ndritur 3:
“Muaji i Ramazanit në të cilin (filloi të) shpallej Kurani”. Me këtë veprim dëshmohet se muaji i Ramazanit është gjithashtu edhe muaji i Kuranit. Përveç hafëzëve të fesë islame, Atij edhe shumë grupe të tjera i përulen, kur dëgjojnë zërin e bukur të hafëzëve, gjithashtu edhe shumë të tjerë këndojnë për vete. Në këtë mënyrë, të ndahesh nga një xhami, prej një adhurimi të bukur që I bëhet Zotit, dhe të adhurosh nefsin duke ngrënë dhe pirë, pa dyshim kjo është një sjellje e shëmtuar dhe i hidhëron shumë ata që shkojnë në xhaminë e madhe të botës (domethënë të gjithë myslimanët që agjërojnë, konsiderohen si një xhami e madhe). Po kështu, edhe kur i kundërshton ata që agjërojnë muajin e Ramazanit, fiton urrejtjen shpirtërore të të gjithë popujve myslimanë kudo në botë. Të gjithë besimtarët në momentin e iftarit, përpara sofrës presin urdhrin e Krijuesit të Madhëruar.
Ne do të shënojmë vetëm disa nga dobitë e shumta të agjërimit, që kanë si pikësynim jetën shoqërore. Kështu: Njerëzit, Zoti i ka krijuar që të ushqehen në forma dhe mundësi të ndryshme. Sipas këtyre dallimeve pasanikët i fton të ndihmojnë të varfrit. E pasanikët gjendjen e dhimbshme të varfërisë, mund ta kuptojnë vetëm atëherë kur, duke agjëruar, ta ndiejnë vetë atë. Po të mos ishte agjërimi, shumë pasanikë që nuk do të provonin dhimbjen e urisë, do të binin viktimë e nefseve të tyre dhe nuk do të kishin asnjë pikë mëshire për të varfrit, të cilët kanë shumë nevojë për atë mëshirë. Ky mendim që të shtyn të respektosh racën tënde, është themeli i së vërttës së falënderimit. Patjetër që mund të gjesh dikë më të varfër se vetja, sado i varfër që të jesh. Po qe se nuk detyrohet të vuajë urinë, atëherë askush nuk mund të kryejë detyrimin e mëshirës, që është i obliguar të bëjë mirë dhe të ndihmojë të varfrit, siç e meritojnë. Pa ndier dhimbjen e urisë, edhe në qoftë se (akëcili) do të bëjë mirë, e bën mangut, sepse nuk e ka provuar urinë. Agjërimi i Ramazanit mbi edukimin e nefsit ka shumë dobi, ne do të shpjegojmë vetëm(*) një: Kështu nefsi i njeriut do ta shohë veten të lirë. Përderisa veten e imagjinon idhull, nuk pranon që dikush t’i ndërhyjë në fushën e vet. Nuk mund të pranojë se dikush po e edukon me mirësi të panumërta. Në veçanti kush ka pasuri dhe pushtet të pakufizuar, dhe sidomos kur atë e ndihmon edhe pakujdesia. Në këtë rast, mirësitë e Allahut xh.sh. i gëlltit si kafshë dhe përfiton si i shfrenuar. E pe se në muajin e Ramazanit nefsi i secilit, nga më i pasuri deri tek më i varfri, e kupton se askush nuk është zot, sepse Pronar është tjetërkush. Askush nuk është i lirë, po rob dhe e pranon se, po nuk urdhëroi Ai, edhe punët më të thjeshta dhe më të lehta nuk mund të realizohen. As dorën nuk mund ta zgjasë pa lejen e Tij, prandaj imagjinata e tij thyhet dhe idhujt e tij bien. Në këto rrethana i kushtohet adhurimit dhe fillon të bëjë detyrën kryesore të falënderimit.
Prej shumë dobive të agjërimit të muajit Ramazan, është edhe vërtetimi se kjo botë është një vend tregtimi dhe bujqësie për jetën tjetër. Pra në muajin e Ramazanit vetëm me një punë të mirë të jetës së mbrapme, përfiton një mijë sevape. Me Kuran dhe me Hadithe të Pejgamberit (a.s.), theksohet se jashtë Ramazanit, për çdo shkronjë të Kuranit që këndon, fiton së paku dhjetë sevape, mirësi dhe fryte të Xhennetit. Në muajin e Ramazanit, jo dhjetë, po për secilën shkronjë fiton një mijë, kurse për ato të disa ajeteve, siç janë “Ajetul Kursi”-së, fiton me
mijëra sevape. Në të xhumatë e muajit Ramazan dhe në Natën e Kadrit, për një shkronjë fiton tridhjetë mijë sevape. Ja pra, një shkronjë njeriut i jep tridhjetë mijë sevape dhe Kurani për atë bëhet dobiprurës në muajin e Ramazanit, si një pemë e Xhennetit, “Tuba”-së, një dru frutor i shndritshëm dhe i përjetshëm. Tani ec duke kujtuar dhe soditur këtë tregti të amshuar dhe të përjetshme dhe kuptoje se sa humbje e pafundme është për ata që nuk e çmojnë Kuranin. A e kuptove se Ramazani është një model ekspozite dhe shumë fitimprurës për jetën e përjetshme? Për të mbjellë prodhimet e jetës tjetër, Ai është si ai shiu i prillit në pranverë. Pranda, ndaj mirësive dhe Edukatës së Zotit xh.sh., është si një festë dhe parakalim zyrtar. Ky është një shkak i arsyeshëm për t’i urdhëruar myslimanët të agjërojnë Ramazanin dhe të mos i shtojnë pakujdesitë. Të mos jenë të pangopur ndaj ushqimit dhe pijes, të jenë larg nefseve dhe nevojave kafshërore dhe orekseve të papëlqyera. Kështu urdhërohen që, për një kohë të shkurtër, të braktisin veset kafshërore dhe t’u shëmbëllejnë melekëve të pamëkatshëm. Ndoshta njeriu duhet ta mendojë se ka hyrë në tregtinë e jetës tjetër, për të mbledhur prodhimet e saj, prandaj le të bëhet njeri i pamëkate për njëfarë kohe. Shpirtërisht le t’i braktisë nevojat dhe të bëhet Pasqyra e Gjithëdrejtuesit, duke pranuar dobësinë dhe varfërinë e vet. Në muajin e Ramazanit myslimanët në këtë jetë të përkohshme, me një jetë të shkurtër u jepet mundësia të përfitojnë moshën e përjetshme dhe një jetë të përgjithmonshme.

Netët e Ramazanit janë me vlera të rëndësishme fetare

Vetëm në muajin e Ramazanit njeriu mund të përfitojë frytet e një moshe të gjatë prej tetëdhjetë vjetësh. Në Kuran theksohet se Nata e Kadrit vlen më shumë se një mijë muaj. Shpesh një mbret i famshëm, disa ditë të vitit i zgjedh për vetveten si ditë festimi apo kuvendi, dhe shtetasit e posaçëm të vet i njeh me ligje të veçanta, ndoshta dhe u fal dhurata të veçanta, duke qëndruar ballë për ballë njëri tjetrit pa kurrfarë perdeje, ashtu siç u ka hije shtetasve besnikë. Po kështu edhe Sunduesi i Pafillim dhe i Pambarim, Mbretëria e të Cilit arrin në njëzet e tetë mijë botë, ku të gjitha mbretëritë lëvizin me Fermanin e Urdhrave të Tij. Kjo është edhe arsyeja që Ramazani të bëhet si festë e veçantë për Allahun xh.sh., të Gjithëdijshëm, dhe të shndërrohet në një ekspozitë të madhe të Edukatorit të Vërtetë dhe në një kuvend shpirtëror. Pra, kjo festë që thamë, është Ramazani i bekuar. Në të vërtetë për nga angazhimi i largimit të veseve epshore dhe të jetës kafshërore, duhet të na urdhërohet për një agjërim. Përsosmëria e Tij më e madhe është se ashtu siç na largon nga nevojat e stomakut, na pastron edhe nga zilia e shqisave: syri, veshi, zemra apo mendimet e liga të imagjinatës. Domethënë secilës shqisë i ndalohet të ndërhyjë në shijime të ndaluara dhe të padobishme. P.sh., gjuhën ta ndalosh nga gënjeshtra, përgojimi dhe nga fjalët e papëlqyera, sepse për të tilla veprime është duke agjëruar edhe ajo. Atë ta angazhosh në këndimin e Kuranit, të bëjë “tespih”, të përmendë Allahun xh.sh., të pendohet për gabimet dhe t’i dërgojë përshëndetje Pejgamberit (a.s.). Shembull tjetër: Syrin ta ndalosh nga vështrimi i harameve dhe nga lëvizjet në vende të dyshimta, kurse veshin ta drejtosh të mos dëgjojë fjalët e liga, po Kuranin dhe fjalët e drejta. Në këtë mënyrë edhe shqisat e tjera i shtyn të agjërojnë në këtë muaj të ndritur. Në qoftë se gjatë agjërimit e ndalon të punojë këtë fabrikë të madhe të stomakut, tryezat e tjera do t’i përshtaten më shumë atij. Për jetën individuale, nga dobitë e shumta që sjell agjërimi i Ramazanit, do të veçojmë vetëm njërën: Shpirtërisht dhe fizikisht, për njerëzit, agjërimi është një ilaç me shumë efekt. Nga pikëpamja mjekësore është një dietë e mirë, sepse njeriu, kur ha më tepër sesa duhet dhe pa kontroll, e dëmton stomakun, gjë që mund t’i shkatërrojë shëndetin. Duke gjykuar në këtë mënyrë, ai mund të bëhet i pavëmendshëm edhe për ushqimet e palejuara, gjë që do ta shqetësojë shumë shpirtërisht, jo vetëm për këtë jetë po edhe për atë tjetrën. Kjo vepër e papëlqyer bëhet shkak që zemra dhe shpirti të mos u binden urdhrave të fesë islame. Në këtë moment nefsi i pakujdesshëm i merr në dorë frerët e njeriut dhe e sundon atë, duke e çuar nga të dojë vetë. Me agjërimin e Ramazanit, njeriu mësohet të mbajë dietë. Të tillë janë edhe evliatë, që. duke ngrënë pak, e pastrojnë veten nga veset e nefsit. Kështu nefsi mësohet t’u bindet urdhrave dhe stomaku i dobët e fatzi shpëton nga pesha e rëndë e bluarjes, që bëhet shkak që njeriu të sëmuret shpesh. Pikësynim kryesor, agjërimi i Ramazanit drejtpërsëdrejti ka të thyejë imagjinatën prej idhulli të nefsit dhe ta njohë dobësinë, në mënyrë që njeriu të fillojë të bëjë adhurimin ndaj Krijuesit të tij. Këtu do të pasqyrojmë vetëm njërën nga dobitë e shumta. Nefsi i njeriut nuk mund ta pranojë ekzistencën e një Edukatori të Gjithësisë. Ashtu si një faraon, ai kërkon të bëhet idhull. Megjithëse me shumë vështirësi, mundohu sa të duash, damari i tij përsëri kërkon të ringjallet. Ky damar i tij mund të thyhet vetëm me anë të urisë. Përfundimisht agjërimi i Ramazanit e ka qëllimin që të thyejë drejtëpërsëdrejti faraonësinë e nefsit, duke i treguar dobësinë, varfërinë dhe pafuqinë e tij. Ai e njofton se është një rob dhe asgjë më tepër. Hadithi i Pejgamberit e ka theksuar se Allahu i Madhëruar, nefsit i ka thënë: ”Kush je ti, kush jam Unë”. Nefsi i është përgjigjur: “Unë jam unë, Ti je Ti”. E ka torturuar, e ka futur në ferr dhe përsëri e ka pyetur, po ka marrë të njëjtën përgjigje: “Ene ene, ente ente” (Unë jam unë, Ti je Ti) dhe asnjë torturë nuk i ka mjaftuar për t’ia thyer egon. Më pastaj Allahu xh.sh. i ka bërë torturën e urisë, pra e ka lënë pa ngrënë dhe e ka pyetur: “Kush jam Unë, kush je ti?” Atëherë nefsi ka thënë: “Ti je Edukatori im Mëshirëplotë, unë jam robi Yt i dobët”. O Zot derdhi bekimet Tuaja mbi profetin tonë Muhamed (a.s.), aq sa është numri i sevapeve që përfitohen nga shkronjat e Kuranit duke e kënduar në muajin Ramazan. Mundësona të bëjmë vepra të mira për të fituar hirin Tënd. I Pastër, i Lartë është Zoti i Gjithëfuqishëm, nga ajo që ata i shpifin. Çdo e mirë qoftë për të dërguarit dhe falënderimi I qoftë Allahut, Zotit të gjithësisë.
Njeriu gjatë muajit të Ramazanit disiplinohet, të mos i sulet haramit, duke braktisur hallallin. Ai e mëson njeriun ta kuptojë se qëllimi i krijimit të tij është të mos e shkatërrojë jetën shpirtërore. Njeriu në jetën e tij në shumë raste përballet me urinë, pra agjërimi i Ramazanit është një lloj ushtrimi, që ia kalit durimin. Agjërimi i Ramazanit zgjat rreth pesëmbëdhjetë orë në ditë dhe, po të mos hahet syfyr, ai zgjat njëzet e katër orë. Pra, për të kalitur durimin, ky është një ushtrim shumë i mirë dhe një ilaç për atë që nuk duron dot fatkeqësinë dhe nuk ka rezistencën e duhur. “Fabrika” e stomakut (lukthit) ka shumë anë shpirtërore, sepse pajisjet e saj kanë kontakt me vetë njeriun. Po qe se nefsi nuk e duron urinë për një muaj, atëhere sundimin e merr në dorë ai dhe bëhet shkaktari i veseve të tjera, duke u dhënë pas tij dhe duke harruar detyrat e adhurimit.
Shqisat tek të vegjlit, që janë si ata dhëmbëzit interesantë, duke u marrë me ulërimën dhe tymin e “fabrikës” shpirtërore të stomakut, të ngrënët i ngatërron ato dhe ua rrëmben kohën e tyre. Po të mos ishte agjërimi, do t’i shtynte të harronin detyrat. Ky është një shkak që prej vitesh shumë njerëz të shenjtë, për të arritur përsosmërinë, e kanë mësuar veten të jetojnë me pak bukë dhe ujë. Me agjërimin e Ramazanit, pajisjet e kësaj “fabrike” e kuptojnë se nuk janë krijuar vetëm që t’i shërbejnë asaj. Të tjera pajisje, në vend që ta kalojnë kohën në ambiente të papastra të stomakut, ato duke agjëruar, kohën shpirtërisht e kalojnë duke provuar shije si melekët. Agjërimi e detyron njeriun ta kthejë vëmendjen nga ata që e kalojnë jetën pa ngrënë, si engjëjt. Për këtë shkak, në muajin e Ramazanit myslimanët shpirtërisht përparojnë në shkallë të ndryshme dhe sipas meritave fitojnë gëzime, qetësi dhe lehtësira të zemrës. Zemra, shpirti, mendja dhe sekretet e shqisave të besimtarëve në muajin e Ramazanit, për shkak të agjërimit, përsosen dhe fitojnë shumë ngushëllime shpirtërore. Ato qeshin përballë vajtimeve të stomakut.

Urtësia e agjërimit në filozofinë islame

Shkencëtarë dhe filozofë mysliman çështjet e ibadetit (adhurimit) i komentojnë duke u bazuar në urtësinë e kuptimit të adhurimit. Monoteizmi i urtësisë islame është në kontrast me çdo lloj blasfemie, dhe për të arritur në një pozitë të përsosmërisë nga ana e njeriut, duhet të shfrytëzohet burimi i quajtur ibadet/adhurim. Kështu, kushti i parë për të arritur në një pozitë të tillë, është ruajtja nga gjërat e palakmueshme apo ruajtja e devotshmërisë. Sipas konstatimeve të filozofëve myslimanë, pastërtia e brendshme përgatit programin themelor të adhurimit dhe, në realitet, njeriu duhet të kthehet në botën e brendshme. Kur thuhet bota e brendshme, kemi për qëllim të themi për ngritjen shpirtërore, duke iu përmbajtur rregullave dhe kodit të mirësjelljesë dhe moralit. Sipas përshkrimit të sures 37 (Haxh), gjatë therjes së kurbanit, tek Zoti arrin vetëm qëllimi e devotshmëria dhe jo mishi apo lëkura. Prandaj dhe opinioni i parë që vjen nga filozofët myslimanë, gjatë komentimit të ibadetit, është kuptimi thelbësor apo ezoterik i urtësisë së ibadetit, dhe nga ana e tyre kjo llogaritet si kushti i parë për të adhuruar a për t’u lutur. Në qoftë se gjatë adhurimit nuk mbizotërojnë dashuria dhe vullneti, atëherë s’do të kemi rezultate nga adhurimi që kemi bërë. P.sh., Zoti do ta shpërblejë njeriun nëse ai agjëron dhe e fal namazin me bindje të fortë dhe nga brendësia e tij, duke dëshiruar që një gjë të tillë ta bëjë jo vetëm sepse e ka traditë apo për hir të dikujt tjetër. Dashuria e brendshme për të adhuruar Zotin, është shumë më e vlefshme se pamja e jashtme gjatë lutjes, madje kjo njeriun ka për ta ngritur më lart për nga njerëzia dhe morali. Ky lartësim i njeriut nuk do të jetë vetëm përsosmëri e veprave dhe sjelljeve të tij, por ndoshta ai do të ngrihet edhe nga aspekti shpirtëror dhe i brendshëm. Prandaj, nëse mendja dhe logjika e njeriut kërkon rrugën e sigurt, Kurani atë e fton që të adhurojë dhe të lutet, kur thotë: “adhuroje Zotin tënd derisa të vijë e vërteta”. (15/99) Megjithëkëtë, në urtësinë islame dhe tek filozofët myslimanë, ibadeti nuk është vetëm zbatim i veprave dhe rregullave të lutjeve dhe dhi kreve të posaçme, ndoshta këto janë vetëm manifestim i jashtëm i asaj për se flasim ne, d.m.th. dashurisë ndaj adhurimit apo ibadetit, dhe dashuria është një motor shtytës i këtyre ibadeteve. Në këtë rast, besimtari I lutet Zotit për shkak dashurisë dhe respektit që ka ndaj Tij, e jo për të përfituar në këtë botë apo në botën tjetër. Ibadeti i vërtetë bëhet atëherë kur kuptohet esenca dhe urtësia e tij, dhe jo vetëm pse jemi të obliguar të bëjmë një gjë të tillë. Edhe i Dërguari i Allahut vazhdimisht është përpjekur që njerëzve t’ia shpjegojë me argumente të qarta kuptimin e ibadetit, e jo që t’i urdhërojë ata që të bëjnë ibadet, vetëm pse janë të krijuar për këtë gjë. Sepse në këtë rast, sikur t’u kishte thënë Pejgamberi njerëzve se janë të obliguar të bëjnë ibadet apo ta adhurojnë Zotin, ata këtë do ta bënin vetëm për hir të obligueshmërisë e jo për hir të dashurisë dhe respektit ndaj Krijuesit të tyre.


_____________________
Literatura shkencore:
*nefs, egoja, uni, dëshira që janë të karakterizuara vetëm për këtë botë. “Kur’ani-i përkthim me komentin në gjuhën shqipe”, h. Sherif Ahmeti, 1413, Medine.
1. Fi dhilal El-Kur’an, Sejjid Kutb, dar Eshuruk Vl. 1. Fq. 168, 1992-1412, Kajro.
2. Rijadus Salihin, Imam Neveviu, fq. 396, 1997, Logos-A, Prishtinë.
3. Rregullat e agjërimit dhe filozofia e tij, dr. Mustafa Sibai, fq 32, Logos-A, Shkup, 1420h-1999.
4. “Hutab Shaih El-Kradavi”, vl 1 fq 213, mektebetu vehbe, Kajro, 1997-1417h.
5. “Dyzet Hadithe dhe shtojca e ibni Rexhebit”, fq 9. Imam Nevevi,, Logos-A, Shkup 1420/1999.



Dituria Islame / 216-217


Artikulli i kaluar
Ramazani muaj i bekuar
Artikulli radhës
Besimi ndjenjë e parëlindur

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme