Këshilla mjekësore për agjëruesit


Agjërimi është shtylla e katërt e besimit islam dhe një nga adhurimet më të rëndësishme në jetën e besimtarit. Përveçse një adhurim, agjërimi është edhe një mënyrë shumë efikase për ripërtëritjen e shëndetit shpirtëror dhe atij fizik.
Forma islame e agjërimit pastron organizmin e njeriut nga helmet e ndryshme, forcon imunitetin dhe madje shëron shumë sëmundje. Në mënyrë që agjërimi të ndikojë pozitivisht në gjendjen shëndetësore ju sugjeroj të ndiqni këshillat e mëposhtme:

1. Ngrënia e syfyrit. Preferohet një vakt i lehtë i pasur me fruta, ujë dhe lëngje natyrale, prodhime të drithërave si bukë e zezë, oriz etj. Syfyri nuk duhet të jetë i rënduar me shumë yndyrna dhe ëmbëlsira. Pirja e tepruar e çajit dhe kafesë në syfyr nuk janë të këshilluara.

2. Konsumoni vetëm lëngje natyrale: ujë, qumësht, lëngje frutash. Pijet e gazuara dhe ato energjike janë të dëmshme për shëndetin!

3. Aktiviteti fizik dhe shëtitja në ajër të pastër mbajnë në formë organizmin tonë.

4. Gjumi i tepruar gjatë ditës së agjërimit e rëndon shëndetin dhe prish ekuilibrin metabolik. I pëlqyer dhe i dobishëm është një fjetje e shkurtër rreth një orë në kohën e mesditës.

5. Konsumimi i iftarit të bëhet në dy etapa. Fillimisht një iftar i lehtë më hurma ose ujë, më vonë pas një pauze të shkurtër ngrënia e darkës.

6. Ushqimet të cilat konsumohen në darkë duhet të jenë sa më të larmishme: perime, supë, mish/pulë/peshk, ujë dhe lëngje natyrale, ëmbëlsira dhe fruta.

7. Gjumi i mjaftueshëm gjatë natës. Qëndrimi zgjuar deri në orët e vona të natës e lodh maksimalisht trupin e njeriut dhe mjegullon mendjen. Gjumi më i dobishëm për organizmin është ai i pjesës së parë të natës.

8. Shfrytëzoni këtë muaj të begatë për të hequr dorë nga veset e ndryshme si pirja e duhanit dhe varësia nga pijet energjike e ato të gazuara.

Iman dhe shëndet ju uroj!



Dr. Asllan Tahiraj


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Akademia solemne për "Diturinë Islame", vlerësime për misionin e saj