2. Si vërtetohet fillimi i muajit të Ramazanit
• Kur duhet agjëruar dhe si vërtetohet fillimi i muajit të Ramazanit?
Ka thënë Pejgamberi a.s.:
“Agjëroni (filloni agjërimin) me të parë të hënës së re (hilalit) dhe përfundoni agjërimin (hani për Bajram) po ashtu me të parë të hënës së re. E nëse nuk mund ta shihni atë (nga vranësira a diçka tjetër), atëherë plotësoni 30 ditë (net) të muajit Sha’ban”.
Njerëzit janë të detyruar ta kërkojnë hënën e re (hilalin) në ditën e 29 të muajit Sha’ban. Nëse e shohin hilalin, atëherë duhet të fillojnë agjërimin e Ramazanit, e nëse nuk e shohin atë, atëherë do t’i plotësojnë 30 ditë të muajit Sha’ban, e pastaj do të fillojnë të agjërojnë.
• Nëse në qiell ka pengesa atmosferike (vranësi), por një njeri dëshmon se e ka parë hilalin në natën e 29-të të Sha’banit, a i pranohet kjo dëshmi?
Po, dëshmia për të parët e hilalit të Ramazanit i pranohet një muslimani të drejtë, qoftë mashkull ose femër, i lirë ose rob.
• Po nëse në qiell nuk ka pengesa, dhe për të parët e hilalit dëshmon një apo dy njerëz në natën e 29-të të Sha’banit, si konsiderohet dëshmia e tyre?
Dëshmia në këtë rast nuk u pranohet, derisa hilalin të mos e shohin edhe një grup i madh njerëzish, në mënyrë që të vërtetohet saktësisht lajmi i tyre.
• Kjo për sa i përket vërtetimit të fillimit të Ramazanit, po ç’thoni për vërtetimin e hënës së re (hilalit) të Bajramit?
Nëse në qiell ka pengesa (vranësirë) për të parë hënën e re, atëherë imami apo kadiu nuk do ta pranojë dëshminë e askujt përveç nëse ajo dëshmi është prej dy burrave ose prej një burri e dy grave; e nëse në qiell nuk ekzistojnë pengesa që vështirësojnë të parët e hënës së re të bajramit, atëherë nuk pranohet asnjë dëshmi individuale, përderisa hilalin të mos e shohë një grup i madh njerëzish në mënyrë që të vërtetohet saktësisht lajmi i tyre.
• Nëse një njeri e ka parë hënën e re të Ramazanit ose të Bajramit, por imami nuk ia ka pranuar dëshminë e tij, çfarë të bëjë ai?
Nëse e sheh hënën e re të Ramazanit, ai person do të agjërojë vetëm, ndërsa nëse e sheh hënën e re të Bajramit, ai do të agjërojë së bashku me njerëzit e tjerë dhe nuk do të punojë sipas dëshmisë së tij për hilalin.
Kushtëzimi i nijetit
• Kur e shpjeguat përkufizimin e agjërimit, agjërimin e kushtëzuat me nijet, atëherë ç’është domethënia e nijetit dhe sqaroni detajet rreth tij?
Njeti është të vendosësh me zemër se unë do të agjëroj vetëm për Allahun këtë agjërim..., e agjërimi është disa llojesh:
1. Agjërim farz; ky është agjërimi i Ramazanit.
2. Agjërim nedhër (i premtuar), i caktuar.
3. Agjërim nedhër (i premtuar) absolut.
4. Agjërim për kompensimin e ditëve të paagjëruara të Ramazanit.
5. Agjërim për kompensim, i cili është bërë i detyrueshëm për shkak të prishjes së agjërimit nafile.
6. Agjërim për kefarete , dhe
7. Agjërim nafile.
Agjërimi i Ramazanit, agjërimi nedhër i caktuar dhe agjërimi vullnetar, bën të jetë me nijet që nga nata, por nuk kushtëzohet, kështu që edhe nëse nuk e ke bërë nijet derisa të ketë lindur dielli, ai nijet mjafton, deri pak para mesditës.
Ndërsa agjërimi kaza, për ditët e paagjëruara të Ramazanit, agjërimi nedhër absolut, agjërimi për kefarete, si dhe agjërimi kaza për agjërimin e prishur nafile, nuk është i vlefshëm pa u bërë nijeti natën (pas syfyrit).
• Haxhinjve që kanë vendosur ta kryejnë Haxhin “temetu’ë” ose “kiran”, nëse nuk kanë mundësinë të presin kurbana, por këtë e kompensojnë me agjërim, a u kushtëzohet nijeti prej natës?
Në këtë rast, kushtëzohet që nijeti të bëhet natën (pas syfyrit), ashtu siç bëhet nijeti për agjërim për kefaretet e tjera.
• Nga fjalët tuaja kuptuam se, kur të prishet agjërimi nafile, patjetër duhet të kompensohet. Ju lutem, sqaroni më hollësisht këto fjalë?
Kjo do të thotë se ai që agjëron vullnetarisht, është i vetëdijshëm para se të fillojë një punë. Nëse e ka filluar, atëherë është i detyruar ta kryejë atë punë, e nëse e prish, atëherë patjetër duhet ta kompensojë atë që ia ka bërë detyrim vetvetes, qoftë agjërim, qoftë namaz, qoftë Haxh ose Umre.
Disa fjalë rreth asaj që e prish agjërimin dhe që duhet vetëm të kompensohet, ose duhet të kompensohet dhe së bashku me të, të jepet edhe kefareti
• Sqaroni se ç’e prish agjërimin?
Agjërimi prishet nëse gruaja puthet ose preket me epsh dhe ejakulohet, pastaj prishet me përbirjen e gurëve të vegjël, të grimcave të hekurit, të bërthamave të pemëve ose nga marrëdhënia seksuale që shkakton ejakulim, qoftë kontakti intim në vaginë ose jashtë saj. Agjërimi prishet po ashtu nëse merret barkapsulë që futet në zgavrën e rektumit (zorrën e trashë) apo nëse në hundë a në veshë qiten pika për shërim, ose nëse dikush plagën në kokë e shëron me bar të lëngët e ajo lagështi arrin në brendinë e tij ose në kokën e tij, ose nëse ha syfyr duke menduar se ende nuk ka lindur agimi i dytë, ose nëse ha (bën iftar) duke menduar se ka perënduar dielli e pastaj vërtetohet e kundërta. Në të gjitha këto raste, agjërimi prishet dhe duhet të kompensohet me agjërim por pa dhënë kefarete.
• Nëse qet pika në kanalin urinor, a prishet agjërimi?
Sipas Ebu Hanifes dhe Muhamedit, agjërimi në këtë rast nuk prishet, kurse Ebu Jusufi është i mendimit se agjërimi prishet.
• A prishet agjërimi nëse villet ose nëse ngacmohet të vjellët?
Nëse të vjellët vjen pa ngacmim paraprak, agjërimi nuk prishet, ndërsa nëse të vjellët nxitet me qëllim dhe mbushet goja përplot, atëherë agjërimi prishet dhe ajo ditë duhet të kompensohet.
• Në ç‘rast bëhet i detyrueshëm edhe kompensimi, edhe dhënia e kefaretit?
Kush bën marrëdhënie intime me qëllim, në vaginë ose jashtë saj, ose ha dhe pi gjëra ushqyese, ose merr ndonjë bar shërues, atëherë agjërimi i tij prishet dhe për këtë kërkohet edhe kompensimi me agjërim, edhe dhënia e kefaretit.
• Ç’është kefareti?
Kefareti është të liruarit e një robi, e nëse nuk ekziston mundësia, atëherë duhet të agjërohen dy muaj pa ndërprerë jashtë Ramazanit, duke pasur kujdes që të mos agjërohen ato ditë në të cilat është e ndaluar të agjërohet, të cilat do t’i sqarojmë pak më vonë; e nëse edhe këtë gjë nuk mund ta bëjë, atëherë duhet të ushqehen 60 të varfër.
• A ka kefaret për prishjen e agjërimit jashtë Ramazanit?
Jo, për prishjen e agjërimit jashtë Ramazanit, edhe nëse është agjërim për kompensimin e Ramazanit, nuk ka kefaret.
Çfarë nuk e prish agjërimin
• Sqaroni gjërat që nuk e prishin agjërimin dhe që ndodhin?
Agjërimi nuk prishet nëse agjëruesi ha ose pi nga harresa, ose bën marrëdhënie intime duke harruar se është agjërueshëm. Po ashtu agjërimi nuk prishet nëse fle, dhe në gjumë ejakulon, ose nëse vetëm duke shikuar gruan e vet ejakulon, ose nëse lyhet me vaj, nëse nxjerr gjak, nëse i lyen sytë, nëse e puth gruan e tij dhe nuk ejakulon. Të gjitha këto gjëra nuk e prishin agjërimin.
Çfarë nuk është e pëlqyeshme për agjëruesin
• Sqaroni gjërat jo të pëlqyera (mekruh) gjatë agjërimit?
Për agjëruesin është mekruh (e papëlqyeshme) ta puthë gruan e tij nëse nuk është në gjendje të kontrollojë epshet e veta, e nëse është i sigurt se mund të përmbahet, atëherë nuk prish punë. Po ashtu është e papëlqyeshme të shijuarit e ndonjë gjelle me gjuhë, të pastruarit e dhëmbëve pa misvak, si f.v. me ndonjë kashtël të fletëve të palmës etj. Gjithashtu është e papëlqyeshme për gruan, që fëmijës së saj t’ia përtypë ushqimin nëse ka tjetër zgjidhje, po nëse nuk ka, atëherë nuk prish punë.
Si kompensohen ditët e paagjëruara
• A është kusht që agjërimi kaza i Ramazanit të bëhet pa ndërprerë?
Jo, kjo nuk është kusht. Nëse do, e ndan dhe nëse do, i agjëron pa ndërprerë ditët kaza të Ramazanit.
• Po nëse e vonon kompensimin e ditëve të paagjëruara të Ramazanit, kështu që në këtë gjendje e zë Ramazani i ardhshëm, çfarë të bëjë?
Në këtë rast së pari do ta agjërojë Ramazanin e rregullt dhe menjëherë pas tij do ta agjërojë Ramazanin kaza që i ka mbetur. Me këtë rast nuk do të japë fidje (d.m.th. për agjërim kaza të Ramazanit që i ka mbetur, - sqarim i përkth.).
• Nëse një njeri ka vdekur dhe i ka mbetur një Ramazan i paagjëruar, por para se të ketë vdekur e ka lënë porosi (emanet) që për atë Ramazan të jepet fidja nga pasuria e tij, si do të veprojë në këtë rast veliu (kujdestari, trashëgimtari) i tij?
Kjo porosi duhet të zbatohet nga 1/3 e pasurisë së të vdekurit. Nëse i vdekuri ka lënë porosi që të jepet fidja për atë që i ka mbetur kaza nga Ramazani, veliu i tij do të ushqejë në emër të tij një të varfër për çdo ditë, nga gjysmë sa’i grurë, apo 1 sa’ë prej elbi ose prej hurmave.
Marrë nga libri “Çështje të fikhut sipas Kuduriut (I) (Ibadat)” të autorit Muhamed Ashik Ilahi el Bureni.
Përktheu Sabri Bajgora,
Botoi Shtëpia botuese “Dituria Islame” Prishtinë 2002