Përgjigjet e Kuduriut për Agjërimin (3)

 


 


Agjërimi vullnetar


 


 


• A ka agjërim tjetër pos Ramazanit, që është paraparë me Sheriat?


 


Vetëm agjërimi i muajit të Ramazanit është farz. Çdo agjërim tjetër jashtë tij, është vullnetar. Nëse agjëron, fiton sevap për të - shpërblehesh tek Allahu xh.sh.


 


• A është i ndaluar agjërimi vullnetar në disa ditë të caktuara?


 


Po, janë 5 ditë në vit, në të cilat është e ndaluar të agjërohet, e ato janë:


1. Agjërimi i ditës së Fitër-bajramit


2. Agjërimi i ditës së Kurban-bajramit


3.4.5. Agjërimi i 3 ditëve që pasojnë pas ditës së Kurban-bajramit e të cilat ndryshe quhen “ejjamu-t-teshrik”.


 


• A ka agjërimi i ndonjë dite vlerë më të madhe sesa agjërimi i ndonjë dite tjetër?


 


Po, në disa hadithe është cekur vlera më e madhe e agjërimit në disa ditë të caktuara. Aishja r.a. transmeton e thotë: “I Dërguari i Allahut gjithmonë agjëronte ditën e hënë dhe të enjte”.


Transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Veprat paraqiten (ngrihen) në ditën e hënë dhe atë enjte, prandaj dëshiroj që, kur të paraqiten veprat e mia, të jem agjërueshëm”.


Po ashtu transmetohet nga Ebu Hurejra, të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut agjëronte gjithmonë ditët e bardha (ditën e 13, 14 dhe të 15 të çdo muaji lunar, - vër. e përkth.), qoftë kur ishte në shtëpi, qoftë kur ishte në udhëtim”.


Gjithashtu transmeton Ebu Katade r.a., se Resulullahu s.a.v.s. ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arefatit llogaritet tek Allahu aq sa të fshihen mëkatet e një viti përpara dhe të një viti pas tij, ndërsa agjërimi i ditës së Ashurës llogaritet tek Allahu, aq sa të fshihen mëkatet e një viti përpara.”


Në një transmetim tjetër nga Ejub el Ensariu, ai thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Ai që e agjëron Ramazanin e pastaj i agjëron pas tij edhe 6 ditë të Shevvalit, është sikurse të ketë agjëruar tërë jetën (sijamu-d-dehr)”.


 


 


I’tikafi


 


 


• Ç’është I’tikafi dhe ç’dispozitë konsiderohet?


 


I’tikaf do të thotë: - të qëndruarit në xhami me nijet. I’tikafi është synneti muekkede kifaje, dhe bëhet në 10 ditët e fundit të Ramazanit. Nëse një njeri nga një fshat, qytezë a qytet, hyn në I’tikaf, ky synet bie nga të tjerët, ndryshe konsiderohet se të gjithë e kanë lënë një synet të fortë.


 


• A ka përveç këtij I’tikafi të përmendur, ndonjë lloj tjetër të I’tikafit që parashihet me Sheriat?


 


Po, përveç këtij I’tikafi ka I’tikaf mustehab dhe vaxhib. I’tikafi mustehab me kohëzgjatje më të vogël është të qëndruarit nga një orë, sa herë që të hyjë në xhami me nijet të I’tikafit, deri sa të dalë nga xhamia.


 


• Kur bëhet I’tikafi vaxhib?


 


Ai që bën nedhër për të hyrë në I’tikaf, i bëhet vaxhib-i detyrueshëm.


 


• Nëse ka bërë nedhër se do të hyjë në I’tikaf vetëm ditën, a është i detyruar të qëndrojë në I’tikaf edhe natën?


 


Po, është i detyruar që në I’tikaf të qëndrojë edhe natën.


 


• A kushtëzohet agjërimi në I’tiakafin nedhër?


 


Po, një gjë e tillë kushtëzohet.


 


• Ç’konsiderohet e ndaluar për atë që hyn në I’tikaf?


 


Për atë që hyn në I’tikaf, ndalohen marrëdhënia intime dhe gjërat që i paraprijnë asaj, si të prekurit dhe puthja. Nëse rastësisht bën marrëdhënie intime, qoftë natën, qoftë ditën, qoftë nga harresa, qoftë me qëllim, ose ejakulon nga puthja, ose nga të prekurit, - atëherë I’tikafi i tij prishet dhe këtë I‘tikaf duhet ta bëjë kaza.


 


• A mund të dalë nga xhamia në ndonjë rast ai që ka hyrë në I’tikaf?


 


Jo, këtë nuk do ta bëjë, veçse nëse del prej saj për nevoja fiziologjike. Nëse del nga xhamia pa ndonjë arsye, një orë të plotë atëherë I’tikafi i tij, sipas Ebu Hanifes, konsiderohet i prishur, kurse të dy imamët e tjerë janë të mendimit se I’tikafi prishet vetëm nëse mu’tekifi del nga xhamia për më shumë se një gjysmë dite.


 


• Nëse hyn në I’tikaf në një mesxhid (xhami) në të cilën nuk tubohen njerëzit për ta falur xhumanë, atëherë si do ta falë namazin e xhumasë?


 


Në këtë rast do të shkojë në një xhami më të madhe, do ta falë xhumanë dhe pastaj menjëherë do të kthehet në vendin e I’tikafit të tij.


 


• Ç’është e lejuar për atë që hyn në I’tikaf?


 


Për atë që hyn në I’tikaf, është e lejuar të hajë, të pijë dhe të flejë në xhami. Gjithashtu i lejohet të shesë ose të blejë në xhami, por pa qenë malli aty.


 


• Shohim nëpër xhami se ata që hyjnë në I’tikaf, pothuajse nuk flasin fare, duke menduar se të folurit ndalohet në I’tikaf. Ç’mendim kanë fukahenjtë në lidhje me këtë?


 


Të folurit nuk është në kundërshtim me dispozitat e I’tikafit (nuk është i ndaluar në I’tikaf), por natyrisht duhet të fliten vetëm fjalë të mira. Fjalët e këqija janë të ndaluara kurdoherë, qoftë në I’tikaf, qoftë jashtë tij, ndërsa të heshturit me pretekst se kjo është pjesë përbërëse e I’tikafit, është mekruh.


 


 


 


Marrë nga libri “Çështje të fikhut sipas Kuduriut (I) (Ibadat)” të autorit Muhamed Ashik Ilahi el Bureni


Përktheu: Sabri Bajgora


Botoi Shtëpia botuese “Dituria Islame” Prishtinë 2002)