Ramazani, muaj i devotshmërisë dhe pastrimit shpirtëror

 


Allahu xh.sh. e krijoi njeriun për ta adhuruar Allahun dhe për t’i bërë ibadet. Ky mision hyjnor është shpallur në suren Dharijjat 51:56: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër përveç që të më adhurojnë”.(1)
Që nga krijimi i njeriut të parë, Allahu nuk e la në humnerë, po i dërgoi udhërrëfyes të rregullt kohë pas kohe, i ndihmoi në realizimin e këtij qëllimi madhështor në mënyra të ndryshme dhe të frytshme, nga të cilat njeriu përfiton në jetën e tij të përditshme dhe në botën e ardhshme. Një nga këto mënyra ishte edhe agjërimi: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (Jeni të obliguar për. Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi., atëherë ai (le të agjërojë. më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë., janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor., i një të varfri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju”.(2)


Kulmi i këtij ibadeti është devotshmëria ndaj Allahut xh.sh.


Një Ibadet që e praktikuan popuj të mëparshëm për pastrimin e tyre shpirtëror dhe për ngritjen e shpirtit për ta arritur kënaqësinë e Krijuesit fuqiplotë, ka qenë agjërimi. Duke u përqendruar në ajetin e mësipërm, vërejmë se kulmi i këtij ibadeti është devotshmëria ndaj Allahut xh.sh. .
Duke iu referuar jetës sonë të përditshme, vijmë në përfundim se është privilegj mundësimi i agjërimit të këtij muaji të bekuar. Vërejmë se sa kemi shokë, miq, dashamirë, të cilëve Allahu nuk u mundësoi agjërimin e këtij muaji të bekuar, ndërsa neve na dha edhe një mundësi tjetër, prandaj ta shfrytëzojmë atë më së miri.
Nga studimet e ajeteve të shumta dhe haditheve që flasin për agjërimin, mund të vërejmë se këtë muaj të bekuar Allahu e bëri muaj me karakteristika të veçanta.


Karakteristikat e muajit të bekuar Ramazan


1 - Është muaji i zbritjes së Kur’anit: “Muaji i ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani , që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues “i së mirës nga e keqja”.(3) 
Kur’ani , libri i shenjtë, kushtetuta e njeriut në tokë, udhërrëfyesi për jetë të lumtur në të gjitha sferat e jetës, për çdo kohë dhe çdo rast. Është Libri që i zbriti Muhamedit a.s. dhe për 14 shekuj më radhë qëndron me origjinalitetin e tij, ashtu siç kishte zbritur, libër dritë për ata që veprojnë sipas tij. Në të kemi sqarimet e nevojshme për misionin tonë në tokë.
2.    Hapen dyert e Xhennetit dhe mbyllen dyert e zjarrit. Transmeton Ebu Hurejra se Profeti a.s. ka thënë: “Gjatë këtij muaji hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e ferrit dhe shejtanët lidhen me zinxhirë. Në të është një natë më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga ajo, do të jetë privuar nga diçka e madhe”(4). Në komentimin e këtij hadithi, dijetari i famshëm Ajjadh thotë: “Mbyllja e dyerve të ferrit dhe lidhja e shejtanëve tregon për mbrojtjen e besimtarëve në këtë muaj të bekuar nga veset dhe nxitjet e shejtanit, dhe hapja e dyerve të Xhennetit tregon për shpërblimet e shumta dhe mëshirën e Allahut në këtë muaj të bekuar.
3.    Është muaji i lutjeve, i pendimit, dhe i mëshirës. Pejgamberi a.s. na tregon se muaji i Ramazanit është muaj i duasë- lutjes. Në hadithin vijues a.s. ka thënë: “Tre personave nuk u refuzohet lutja , agjëruesit derisa të hyjë koha e iftarit, imamit të drejtë, dhe atij që i është bërë padrejtësi”.(5) Ndërsa në hadithin tjetër që e transmeton Abdullahu Ibn Mes’udi, Muhamedi a.s. ka thënë: “Për çdo natë deri në agim thërret një zë: A ka ndonjë që kërkon falje? Do t’ia falim, a ka ndonjë që pendohet ? Do t’i pranohet pendimi. A ka ndonjë që lutet? Do t’i pranohet lutja. A ka ndonjë që kërkon diçka? Do t’ia japim atë që kërkon”.(6) Pra, shtrohet pyetja: A ka gjë më të ndershme për agjëruesin sesa këto fjalë.
4.    Shpërblimi i shtrimit të sofrës së iftarit është i madh. I Dërguari
a.s. thotë: (Ai që i jep iftar një agjëruesi, e ka shpërblimin (sevape. aq sa ka vetë agjëruesi, duke mos iu pakësuar aspak shpërblimi i agjëruesit..(7)
5.    Në muajin Ramazan është Nata e Kadrit: Për vlerën e kësaj nate dhe për lutjet në këtë natë, Pejgamberi a.s. në një hadith thotë: “Kush falet Natën e Kadrit, duke qenë i bindur dhe i përkushtuar dhe ka qëllim
të sinqertë, do t’i falen gabimet e mëparshme”.(8)
6.    Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në një hadith, ku thuhet: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë, i falen mëkatet që ka bërë më herët”. Ibn Battali thotë: “Domethënë duke qenë i bindur se është obligim nga Zoti dhe se do të fitojë shpërblimin prej Tij për agjërimin dhe namazin e teravisë, kurse fjala “me shpresë” domethënë se duhet të shpresojë shpërblimin nga Allahu dhe me agjërimin e tij të ketë për qëllim Allahun”.(9) Tajbiu thotë: “Besimi se agjërimi i këtij muaji është me të vërtetë obligim, e jo ta bëjë agjërimin nga frika ose turpi prej njerëzve, duke mos besuar se duhet madhëruar ky muaj.
Shpresim domethënë kërkimi i shpërblimit nga Allahu, i cili është Bujar”.(10) Munaviu thotë: “Në këtë hadith kemi të bëjmë me vlerën e Ramazanit dhe agjërimit të tij, dhe se me të fitohet falja, se besimi është vërtetim dhe bindje, kurse shpresa është kusht për të fituar shpërblimin dhe faljen gjatë agjërimit të Ramazanit”.(11)
7.    Umreja në Ramazan vlen sa Haxhi. Ibn Abbasi r.a. tregon se Pejgamberi a.s. një gruaje nga të ensarëve i kishte thënë: “Çka të pengon të kryesh Haxhin me ne? Tha: Kishim një deve me të cilën bartnim ujë, mirëpo atë e mori filani dhe djali i tij, e na la vetëm një deve me të cilën bartim ujë”. Pejgamberi a.s. i tha: “Kur të vijë muaji i Ramazanit, kryeje umren gjatë këtij muaji, sepse umreja gjatë këtij muajit është sikurse Haxhi”. Në një transmetimin tjetër qëndron: “Umreja gjatë Ramazanit vlen sa Haxhi ose sa Haxhi me mua”.(12) Ibn Battali thotë: “Domethënë ka shpërblim sikur Haxhi, kurse vlerat nuk mund të kuptohen me shqisa, e Allahu ia jep begatitë e veta kujt të dëshirojë”.(13) Këtë vlerë e ka në këtë muaj të bekuar, mirëpo obligimi i kryerjes së Haxhit mbetet.
8.    Në muajin Ramazan janë zhvilluar beteja të shumta në historinë e Islamit, që dot thotë se agjërimi është fuqi shpirtërore e cila ndihmon trupin dhe nuk është pengesë që mund të na ndalojë nga aktivitetet tona. Lufta e Bedrit, e cila ishte vendimtare për zhvillimin e mëtutjeshëm të Islamit, ndodhi më 17 të muajit Ramazan. Në këtë muaj u çlirua Meka, kjo kthesë e cila bëri që Islami të përhapej më pastaj anekënd botës. Me këtë çlirim njerëzit pranuan Islamin me shumicë duke shpëtuar nga humnera.
9.    Agjërimi është shkak për falje të mëkateve. I Dërguari a.s. thotë: “Koha ndërmjet 5 namazeve të ditës, koha midis dy namazeve
të xhumasë dhe ajo në mes dy Ramazaneve, - janë falje për gjithçka që ka ndodhur gjatë kësaj kohe, nëse largohemi nga gabimet e mëdha”.(14)
10 - Njerëzit në Ramazan janë më bamirës. Transmeton Ibn Abbas r.a. duke thënë: “Njeriu më bamirës ishte Pejgamberi a.s. dhe bamirësia më e madhe e tij ishte në Ramazan. Ky muaj i nxit besimtarët që të garojnë në vepra të mira”.(15)
Këto ishin disa nga karakteristikat e muajit të bekuar Ramazan të cilat patjetër na nxisin për shfrytëzimin e tyre në mënyrë të duhur, për të arritur qëllimin e lartpërmendur të devotshmërisë.


Përmes agjërimit sprovohet sinqeriteti i besimit tonë


Mirëpo, si mund ta arrijmë këtë qëllim hyjnor? Besoj se këto do të ishin këshilla që na ndihmojnë në këtë aspekt:
1.    Sinqeriteti në agjërimin tonë ka rolin kryesor. Allahu xh.sh. deshi që, përmes këtij obligimi, të na sprovojë sinqeritetin e besimit tonë, dhe sidomos në këta muaj të verës, kur agjërimi është pak më i mundimshëm, prandaj edhe shpërblimi është i madh. I Dërguari i Allahut, në një hadith, thotë: “Allahu thotë: Çdo vepër është e njeriut me përjashtim të agjërimit; ai është Imi dhe unë shpërblej për të”.(16) Kjo për shkak se agjërimi është adhurim i fshehtë; e realizojnë me sukses besimtarët e sinqertë.
2.    Të agjërojmë me nijet të pastër dhe të sinqertë, duke mos pasur për qëllim ndonjë përfitim tjetër.
3.    Të mos e humbim kohën në gjumë të gjatë dhe në ndenjje të kota për ta vrarë kohën.
4.    Të shpeshtojmë leximin e Kur’anit.
5.    Të ripërtërijmë pendimin për veprat tona.
6.    Të kërkojmë falje në çdo kohë.
7.    Të falim namazin me rregull dhe në kohë të duhur, mundësisht në xhami.
Nga ky përshkrim që i bëmë muajit të Ramazanit, mund të vërehet se Ramazani së pari është muaj i largimit nga të këqijat dhe veprat e liga, e pastaj muaj i agjërimit, muaj i leximit të Kur’ani t, muaj i diturisë dhe i qytetërimit, është muaj i namazit, është muaj i lutjeve dhe muaj i sakrificës dhe solidaritetit, si dhe muaj i fitoreve të mëdha për myslimanët.



_____________
1. Dharijjat 51:56. 
2. Bekare 183-185. 
3. Bekare 185. 
4.Nesaiu 2106, Ahmedi 2/230.
5. Ibn Maxheh 1752. 
6. Ebu Davud 1315, 
7. Ibn Maxheh 1746. 
8. Sunen El-Kubra 4478.
9. Komenti i Buhariut 4/ 21. 
10. Komenti i Mushakutl-Mesabih, 4/ 137. 
11. Fejdul- Kadir”, 6/ 160. 
12. Al-Mustedrek 1817. 
13. Sherhul-Buhari, 4/ 438. 
14. Sahih Muslim 233. 
15. Sahih Muslim 2308. 
16. Sahih Muslim 1151


 


 


Mr. Besim Mehmeti
Dituria Islame  228/229


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi