"Dituria Islame" qëndroi përkrah përpjekjeve të popullit për çlirimin e vendit
Myftiu Naim ef. Tërnava
Revista "Dituria Islame" që nga koha e themelimit të saj, më 1986 e deri më sot, nuk mundi assesi t’i shmangej në asnjë çast kontekstit dhe rrethanave historike me të cilën lindi. Ajo, përgjatë rrugëtimit të saj gati prej katër dekadash barti me vete gjendjen e rrethanave dhe përthyerjet sociale, historike, fetare, arsimore e ideologjike të shqiptarëve. Ajo ishte dhe mbeti revista më e madhe dhe më e përhapur islame brenda audiencës shqiptare, me reputacion dhe ndikimin më të madh edhe sot. Revista Dituria Islame" zë një pozitë të spikatur brenda shtypit islam, përkundër botimit të revistave të tjera brenda hapësirës shqiptare.
Botimi i revistës "Dituria Islame" dhe 400 numrat e saj që janë botuar deri më sot nga Bashkësia Islame e Kosovës, në vazhdimësi bënë përpjekje të identifikojnë, të vlerësojnë dhe t'u japin vendin e merituar arritjeve, por edhe preokupimeve të besimtarëve tanë. Revista krijoi një tingull të jashtëzakonshëm, një aktivitet të përhapur dhe një ndryshim në opinion e mendim. Ajo brenda një kohe të shkurtër përjetoi një vlerësim të jashtëzakonshëm nga ana e lexuesve të saj. Pas kësaj reviste nuk qëndronin institucionet shtetërore, në botimin, financimin dhe redaktimin e saj, por qëndronte Bashkësia Islame, e cila me gjithë vështirësitë me të cilat ballafaqohej, përmes kësaj reviste paraqiste gjendjen reale të shqiptarëve në Kosovë e në vendet e tjera shqiptare, në rajon dhe në mërgatën shqiptare, si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë kombëtar.
Temat të cilat janë botuar në revistën "Dituria Islame" nuk janë vetëm të një natyre. Ato përfshinë njohuri e tema të shkencave të shumta e të ndryshme, duke filluar nga interpretimi i Kuranit, çështjet të cilat kanë të bëjnë me besimin, artikuj shoqëror e historik, të jurisprudencës islame, hadith, e rubrika për aktivitetet, lajmet, opinionet e traditës e të kulturës sonë kombëtare. Ajo nuk u kufizua vetëm në çështjet apo kërkimet fetare, por botoi artikuj mbi ligjet universale, mjekësinë dhe shëndetin, e një rëndësi i kushtoi edhe letërsisë, poezisë, kërkimeve gjuhësore etj..
Përveç këtyre, temat në këtë revistë përfshinin edhe mendimin e avancuar që kishte të bënte me reformat për mënyrën e shpjegimit të fesë, luftimin e herezive dhe besëtytnive në shoqëri, përhapjen e mendimit të saktë dhe avancimin e ndjenjës së pastër karshi mësimeve të fesë sonë islame. Revista jonë, me materialin që përmbante në veten e saj, kishte për qëllim edukimin dhe vetëdijesimin e drejtë në veçanti të rinisë sonë, ngase ky ishte thelbi i thirrjes së Muhamedit a.s.. "Dituria Islame" qëndroi përkrah përpjekjeve të popullit për çlirimin e vendit. Përmes shkrimeve të shumta, në vazhdimësi botoi tema dhe bëri thirrje për rizgjim të ndjenjës kombëtare te masa e gjerë e popullit për çlirimin dhe pavarësinë e vendit, për ndihmën e popullatës dhe mbështetjen e UÇK-së nga masa e gjerë e popullit.
Nisur nga këto parime dhe qëllime që kishte redaksia dhe përmbajtja e kësaj reviste, ajo, nga shoqëria islame shqiptare u prit jashtëzakonisht mirë, falë përmbajtjes së temave që shtjelloheshin, qëllimit, gatishmërisë, kujdesit, por edhe guximit, duke u marrë kështu me tema që kishin të bënin me gjendjen e përgjithshme të okupimit tonë nga Serbia dhe përpjekjes sonë për liri. Interesimi për revistën tonë rritej dita-ditës. Abonentët e saj u shtuan dhe revista u përhap gjithandej, u shtri nëpër të gjitha vendet shqiptare, duke fituar kështu përkrahës dhe admirues të shumtë. Andaj, me të drejtë mund të themi se "Dituria Islame" u bë shkollë e mendimit nëpër këto vende. Me kalimin e kohës, ajo u bë model për shumë revista të mëvonshme, të cilat do ta ndiqnin rrugën e ndritshme të revistës "Dituria Islame".
Me përgjegjësi të plotë, them se vazhdimi i pandërprerë i botimit të revistës "Dituria Islame" nuk ishte një çështje e lehtë. Ajo u përballë me shumë vështirësi, kriza financiare, sule të vazhdueshme nga kundërshtarët e Islamit, mirëpo, vendosmëria për të qenë të durueshëm, të palëkundur dhe të gatshëm për përballje me kundërshtarët e Islamit, na mundësoi që ta përballojmë çdo krizë dhe çdo sfidë.
Përveç llojllojshmërisë në fusha dhe tema, përmbajtja e revistës shërbeu edhe për të konfirmuar kërkesën publike të lexuesve tanë, atë të rritjes së kërkesës për t'u pajisur me të gjithë numrat e kësaj reviste.
Që nga botimi i numrit të parë, revista jonë është fokusuar në përhapjen e besimit, kulturës dhe shkencës te lexuesit e shtresave - kategorive të ndryshme. Politika redaktuese e editoriale e revistës ka adaptuar gjuhë të kuptueshme dhe kombinim të tekstit tërheqës me përdorimin e imazheve të afërta me realitetin, për të pasqyruar një mendim shumë të qartë dhe të pasur të kulturës shqiptare islame. Ajo prezantoi mendime të ndryshme me qëllim të konsolidimit të vlerave të dialogut e të llojllojshmërisë. Revista jonë gjithashtu adaptoi një qasje shumë të moderuar për trajtimin e çështjeve fetare, intelektuale e kulturore, si dhe u angazhua që përmes shpërndarjes dha avancimit të mësimeve të mirëfillta islame e shkencore, të përballej me të menduarit joshkencor, ekstrem dhe atij radikal fetar, si dhe me intolerancën e mundshme.
Bashkësia Islame e Kosovës dhe redaksitë e revistës "Dituria Islame", në përmbajtjen e materialit që kishin temat e shtjelluara të kësaj reviste, e kishin në vazhdimësi qëllimin e rrugëtimit të drejtë të ambicieve për ta bërë revistën një degë të njohurive apo mësimeve fetare islame, të shkencës dhe të dijes, nga e cila mund të nxjerrin dhe të marrin të gjithë studiuesit dhe ata që janë të interesuar.
Së fundi, dua të falënderoj të gjithë ata që kontribuuan në themelimin e kësaj reviste, ruajtjen dhe përkujdesjen rreth përmbajtjes dhe botimit të këtyre 400 numrave pandërprerë. Me këtë rast, duhet të rikujtojmë të gjithë kryeredaktorët, anëtarët e redaksive për përpjekjet, interesimin dhe kujdesin e tyre për t'u botuar dhe forcuar fetarisht e shkencërisht revista, duke dëshmuar integritetin e saj, duke shtrirë ndikimin dhe përhapjen e saj, si dhe duke tërhequr studiues të shumë të fushave të shumta në universitete e institucione të ndryshme, ashtu që revista të mbetet inkubatori fetar e shkencor për kërkime të vazhdueshme.
Me rastin e numrit jubilar të 400-të të revistës "Dituria Islame", sot i kujtoj me mburrje e krenari vitet kur Bashkësia Islame e Kosovës po luante një rol të rëndësishëm për shqiptarët dhe po korrte suksese të çmueshme.
Edhe pse në kohë shumë të vështira, atëbotë ne arritëm të botojmë dy përkthimet e Kuranit në gjuhën shqipe, arritëm të konkretizojmë ndërtimin e godinës prestigjioze të Medresesë, e në vitin 1986, hodhëm në dritë edhe "Diturinë Islame". Si themelues dhe kryeredaktori i parë i saj, pa hezitim them se ishte një hap i madh i Bashkësisë Islame të atëhershme. Kështu që, kur Serbia mbylli "Rilindjen", "Dituria Islame" do të botohej në dhjetëra mijë ekzemplarë dhe do të shërbente si organi e vetëm informativ i shqiptarëve jo vetëm në Kosovë.
Më vjen mirë që "Dituria Islame" i mbijetoi kohës ku edhe sot e kësaj dite po kryen misionin e saj të shenjtë. I dëshiroj suksese revistës dhe punonjësve të saj! "Dituria Islame" duhet të vazhdojë edhe më tutje si një fanar ndriçues dhe hapësirë për studime, analiza dhe shkrime islame. Shqiptarët kanë nevojë shumë për "Diturinë Islame".
Haxhi Jetish ef. Bajrami
Shumë revista shkencore dhe fetare në trojet shqiptare, në fillimet e tyre, kanë pasur synime ambicioze, që ndoshta të arrijnë të botojnë një numër të caktuar, si f.v. 100 apo 200 numra, por që kjo shifër të arrijë në një numër kaq jubilar, të 400, kjo s'do mend se është jo vetëm jubile historik, por një e arritur e madhe historike e publicistikës islame në të gjitha trojet shqiptare.
I gjithë ky suksese, është arritur falë angazhimit të të gjitha strukturave të BIK-ut që kur e themeluan këtë revistë që tashmë është pjesë e pandashme e identitetit tonë edhe fetar, edhe kombëtar. Por mbi të gjitha, atë e rritën, studiuesit, shkencëtarët e profileve të ndryshme, hoxhallarët dhe entuziastët, të cilët kurrë nuk u ndalën së shkruari, për ta ngritur revistën tonë "Dituria Islame" deri në këto maja kulmore të profesionalizmit, në shumë segmente.
Sot, nga retrospektiva e gjithë këtyre viteve, kur kujtojmë të gjitha vështirësitë me të cilat jemi ballafaquar si ish-kryeredaktorë të saj, ndihem shumë krenar që isha pjesë e kësaj historie dhe e këtij rrugëtimi të lavdishëm të revistës "Dituria Islame", dhe atë në kohërat mbase më të vështira për popullin dhe vendin tonë.
Ndoshta nuk është e tepërt ta ritheksoj edhe njëherë shkurtimisht fjalën time si kryeredaktor me rastin e numrit të 100-të jubilar, ku ndër të tjera pata theksuar: "Sot, kur po festojmë numrin e 100-të jubilar të "Diturisë Islame", e ndiejmë veten krenarë që kemi arritur të afirmojmë një revistë vërtetë serioze, me qasje të mirëfillta ndaj Islamit. Nëse duam një themel të shëndoshë kombëtar, natyrisht se do të na duhet të ngremë edhe edukatën tonë morale e shpirtërore. Dhe, nëse i vëmë një gur këndor fesë, kemi ngritur një kështjellë të fortë mbi muranat e ngrehinës kombëtare. Nëse dëshirojmë që mosha e njomë të rritet edhe me moral të shëndoshë, duhet t'i ofrojmë asaj gjëra të mira të shkruara."
Pikërisht kjo moto, e ka përcjellë revistën tonë më prestigjioze gjatë këtij rrugëtimi tashmë 38-vjeçar, dhe mendoj se ia kemi dalë në përpjekjet tona për ta përcjellë këtë mesazh te pjesa më e madhe e popullatës, sepse ishim dëshmitarë të historisë, e cila shënoi këtë rrugëtim të shenjtë. Revista jonë, ashtu si edhe krejt Bashkësia Islame e Kosovës, ishte në ballë të vlimeve historike, gjithnjë duke gërshetuar ndjenjën fetare me atë kombëtare, dhe mendoj se edhe ne kemi hedhur një gur të fortë themeltar në shtet ndërtimin e atdheut tonë Kosovës.
Uroj që kjo reviste të vazhdojë suksesshëm drejt sukseseve të reja! Dhashë Zoti ta përjetojmë pas ca vitesh edhe numrin e saj të 500, e pastaj edhe më tutje, duke iu përshtatur rrethanave të reja në epokën globale të internetit, ku informacioni i shpejtë është parësori, por mbi të gjitha përcjellja e mesazheve të pastra islame te gjeneratat e reja, duke i mbrojtur ata nga rreziqet e ideologjive që për qëllim kanë degradimin e shoqërisë njerëzore.
Suksese dhe krenar me të gjithë ata që ishin pjesë e kësaj historie!
Sabri Bajgora
Kam nderin, kënaqësinë dhe privilegjin që me pak fjalë të tregoj disa kujtime të mia në cilësinë e ish-kryeredaktorit të revistës sonë dhe tuaj, e cila po hapëron drejt dekadës së katërt të daljes së saj, duke përmbushur misionin të cilin e ka marrë dhe duke arritur numrin jubilar 400. Jubiletë si ky na rikujtojnë rrugëtimin dhe rrethanat në të cilat ka kaluar kjo revistë, angazhimet e bëra, arritjet, vështirësitë dhe sfidat.
Tashmë s'ka dyshim që revista "Dituria Islame" paraqet një vlerë të rëndësishme të shoqërisë sonë në përgjithësi, dhe në veçanti të Bl-së së Kosovës dhe besimtarëve tanë të respektuar.
Revista "Dituria Islame" po shënon këtë jubile duke përmbushur misionin e saj, edhe pse rrugëtimi i saj nuk ishte i lehtë kur kemi parasysh kohën kur filloi dalja e saj, sistemi komunist, pastaj zhvillimet e mëvonshme, lufta çlirimtare nga okupatori serb, pastaj faza e shtetndërtimit e deri në ditët e sotme. Por, pavarësisht këtyre sfidave, ajo edhe sot, vazhdon të luaj rolin e tribunit dhe zërit islam shqiptar dhe jo vetëm.
Vërtet ishte nder, kënaqësi, privilegj, por edhe përgjegjësi që të jem në krye të redaksisë së kësaj reviste për dy mandate (2000-2004), kjo periudhë e pasluftës, kur Kosova doli e shkatërruar nga lufta, kur shumëçka filloi nga zero, por falë vullnetit, gatishmërisë dhe mbështetjes së vazhdueshme të Bashkësisë Islame dhe kolegëve, bashkëpunëtorëve, e në veçanti lexuesit tonë shumë të disiplinueshëm, ia arritëm qëllimit.
Ishte faza kur revista u profilizua në format në të cilat vazhdon edhe sot e tutje me tema dhe rubrika të rregullta nga feja, kultura, historia dhe shkenca të tjera të ndryshme. Vlen të theksohet se gjatë mandatit katër vjeçar sa isha në krye të revistës, falë Zotit, pastaj bashkëpunëtorëve dhe para së gjithash lexuesve, kemi arritur që me sukses dhe në kohë ta nxjerrim revistën. Ka qenë një organizim dhe angazhim i përbashkët duke mos kursyer as kohë e as mund që revista të jetë sa ma cilësore dhe e pranueshme për lexuesin.
Dhe krejt në fund, një përshëndetje e veçantë për lexuesin e respektuar të "Diturisë Islame", me porosinë që të vazhdojnë ta lexojnë, mbështesin dhe ndihmojnë në forma të ndryshme, kurse redaksisë aktuale i dëshiroj suksese dhe punë të mbarë në këtë mision të shenjtë dhe me përgjegjësi duke e lutur Allahun xh.sh. që t'u ndihmojë në realizimin përgjegjësive të marra!
Ahmet Sadriu
"Dituria Islame", revistë e jona, që ekzistenca e saj na ka ushqyer me informata të dobishme rreth fesë islame e më gjerë.
Si një ish-kryeredaktor i saj për dy mandate, gjatë periudhës 2004-2009, nga numri 176 deri në numrin 223, bëmë përpjekjet tona të mëdha që revistën tonë ta bëjmë të lexueshme e të dobishme, duke prekur kështu tema të ndryshme, që nga temat e aktualitetit të atëhershëm fetar e kombëtar, e për të vazhduar reflektimin mbi sfidat bashkëkohore me të cilat përballej në atë kohë komuniteti mysliman.
Revista ka pasur dhe vazhdon të ketë një linjë redaksionale të kualitetit më të lartë, të përqendruar në kualitetin e lartë të shkrimeve dhe analizave, duke sjellë kështu kontributet e shkencëtarëve të njohur myslimanë dhe të shkrimtarëve të talentuar, shkrimet e të cilëve kanë intensifikuar përpjekjet e revistës për të ndërgjegjësuar komunitetin ndaj vlerave islame. Revista gjithashtu ka promovuar dialogun ndërfetar dhe ka shpalosur vlerat e tolerancës dhe mirëkuptimit. Ndërthurja e temave të shumta e të thella në përmbajtjen fetare e kombëtare me çështjet e aktualitetit, ka bërë që “Dituria Islame" të jetë një burim informacioni për Kosovë, Shqipëri e më gjerë.
Duke u ndalur pak më gjatë në periudhën time si kryeredaktor, kemi arritur të bashkëpunojmë me shkrimtarë, studiues e personalitete të ndryshme, duke e bërë revistën më tërheqëse dhe më të vlerësuar në trojet tona e më gjerë. Njëkohësisht ne kemi siguruar që revista jonë të ofrojë artikuj të cilësisë së lartë, gjë që ka ndikuar në rritjen e besueshmërisë ndaj revistës. Gjatë periudhës 2004-2009, u shtypën 47 numra dhe kishim fatin të kishim edhe disa data e numra me shumë vlerë e rëndësi, si për mua, ashtu edhe për revistën, si p.sh. jubileun e 200 të revistës "Dituria Islame" në muajin mars 2007, si dhe njërën ndër datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, pra shpalljen e pavarësisë në shkurt 2008, ku po në të njëjtin muaj u shtyp edhe numri 211 i revistës.
Kjo është një mundësi shumë e mirë që ta shfrytëzoj rastin e t'i falënderoj të gjithë ata bashkëpunëtorë të palodhshëm, që falë tyre ishim dëshmitarë të ngritjes së pandalshme të revistës "Dituria Islame”. Shpresojmë që rritja dhe zhvillimi i revistës "Dituria Islame", do të vazhdojë edhe për shumë vite të tjera me suksese të mëtutjeshme! Në fund, kujtojmë një ajet kuranor, në të cilin Allahu xh.sh. na drejtohet e na siguron se për çdo të mirë që ne e bëjmë na pret e mira. "Kushdo që ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë." (El Zelzele, 7).
Bahri Simnica
Revista "Dituria Islame" mbetet dëshmi e shkruar, që me krenari po shënon historinë në Kosovë dhe jo vetëm. Ajo është memoria kolektive, e cila ruan hapat e zhvillimit, ruajtjes dhe përcjelljes së frymës së pastër islame, ashtu siç na mësojnë tekstet fetare nga dy burimet e pashtershme, Kuranit dhe Sunetit të Muhamedit a.s..
Në qershor të këtij viti, ajo shënon përvjetorin e 38-të të daljes së saj, dhe ja, sot, me gëzim e krenari arritëm ta presim numrin e 400-jubilar. Ishte krenari dhe përgjegjësi që isha kryeredaktor i saj për tri mandate, nga vitet 2009-2016, ku edhe pata fatin që si kryeredaktor, ta shënojmë edhe numrin jubilar të 300-të të daljes së saj, pra në vitin 2015. Në atë përvjetor të rëndësishëm, unë në cilësinë e kryeredaktorit të saj pata shkruar editorialin "Dituria Islame", promotore e vlerave fetare dhe kombëtare", ku pata shkruar se revista tashmë është bërë pjesë e çdo familje kosovare dhe më gjerë, duke u bërë e dashur me lexueshmërinë më të larë nga të gjithë brezat. E udhëhequr nga realiteti, guximi dhe prosperiteti, me këtë kreativitet tejet të rezonuar, revista qëndron krenare, ballëhapur dhe bujare karshi lexuesve të saj të shumtë. Unë gjej rastin t'i falënderoj që të gjithë bashkëpunëtorët që hapëruam në ato vite të pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 2008, që në vendin tonë u krijua një realitet i ri, dhe që edhe për revistën sollën risi të shumta.
Me përkrahjen e Myftiut të nderuar, Naim ef. Tërnava dhe bashkëpunëtorëve tanë, "Dituria Islame" për herë të parë shtypi bardh e zi në atë kolor, pra ishte nr. 228-229 i muajit Ramazan, korrik-gusht i vitit 2009, që vlerësoj se ishte nevojë dhe domosdoshmëri e kohës, që lexuesi i ka edhe mund t'i shfletoj faqet e revistës së atyre viteve.
Revista arriti që të ofrojë rreth vetes shumë intelektualë e personalitete nga jeta politike, fetare etj., të kohërave dhe sferave të ndryshme, duke iu krijuar hapësirë të shprehin idetë, mendimet e tyre për shumë problematika të shumë çështjeve, qofshin fetare, shkencore, edukative, kulturore, identitare, historike etj..
Jo vetëm që i mbijetoi kohës, por revista jonë, arriti të jetë bartëse e proceseve më të rëndësishme në të cilat ka kaluar Kosova dhe çështja kombëtare shqiptare. Deri sot, meritat janë për të gjithë ata punonjës që kanë dhënë kontribut shumë të çmuar duke dhënë mundin dhe talentin e tyre nëpërmjet artikujve shkencor që revista mos të pauzoi apo ruana Zot edhe mos të shohë dritën e botimit të saj dhe thjesht bëri edhe historinë si revista mujore më jetëgjatë në trojet shqiptare. Është krenaria dhe pasuria e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe popullit të Kosovës në fushën e publicistikës islame.
Ajo do të mbetet bartëse e amanetit dhe frymëzuese e artikulimit dhe mendimit dhe edukimin islam, zhvillimit dhe formësimit të gjeneratave të reja në frymën e islamit burimor.
Shpresojmë që kjo frymë intelektuale të mbahet gjallë duke pasuruar dhe begatuar faqet e rubrikat e saj në synim të avancimit të frymës së mendimit islam burimor. Në këtë përvjetor shumë nga ata që kontribuuan në daljen e kësaj reviste, kanë kaluar në botën tjetër, andaj lusim Allahu xh.sh., që t'i shpërblejë me të mirat e Tij. Revistës i dëshirojmë suksese edhe më të mëdha drejt realizimit të synimeve të saj! Do ta përfundoja me një ajet kuranor, që është frymëzim për të gjithë ne, ku i Lartësuari na drejtohet duke na thënë: "Dhe thuaj: "Veproni, Allahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i Dërguari i Tij e besimtarët, e vonë do të ktheheni te njohësi i së fshehës dhe të dukshmes, e do t'ju njoftojë për atë që vepruat." (Et Tevbe, 105).
Dr. Rexhep Suma
Marrja e vendimit për fillimin e botimit të revistës "Dituria Islame" ishte një hap i guximshëm për kuptimin e përgjegjësisë dhe barrës së institucionit të Bashkësisë Islame në ruajtjen dhe promovimin e vlerave islame edhe përmes fjalës së shkruar.
Revista "Dituria Islame" shënon fillimin e një tradite të rëndësishme mediatike të shtypit islam në gjuhën shqipe. Gjatë 400 numrave, "Dituria Islame" ka fituar një reputacion si një nga mediat e shkruara më të rëndësishme islame në gjithë trojet shqiptare.
Misioni i saj është promovimi i vlerave islame universale nëpërmjet shkrimeve autoriale dhe të përkthyera nga autorë të ndryshëm nga shumë vende të botës.
Emërtimi "Dituria Islame" tregon qartë qëllimin sublim të saj që, përmes arsimimit dhe leximit të vazhdueshëm, ta bëjmë individin dhe shoqërinë më të avancuar në përputhje me kërkesat e kohës në frymën e porosive kuranore. Përmirësimi është i mundur vetëm nëse përpiqemi për ta fisnikëruar veten dhe për ta bërë shoqërinë më të mirë.
"Dituria Islame", qysh nga numri i saj i parë i vuri vetës për mision vetëdijesimin dhe emancipimin e besimtarëve dhe kontinuiteti i saj prej disa dekadash në skenën mediatike dëshmon për rëndësinë dhe ndikimin që ka ajo. Duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballen mediat e shkruara në mbarë botën, dhe faktin që sot ato nuk kanë rolin që kishin dikur, megjithatë është për t'u përshëndetur që revista "Dituria Islame" vijon misionin e saj me shkrime cilësore dhe vazhdon të frymëzoj ndryshime pozitive në shoqëri veçmas te lexuesit e saj.
Përkundër sfidave, "Dituria Islame" vazhdon të ketë lexues besnik brenda dhe jashtë vendit dhe duhet të punohet që ajo të jetë edhe në formë digjitale që të jetë e qasshme në të gjitha kontinentet.
Shkrimet në revistën "Dituria Islame" përfaqësojnë një përpjekje për ta parë Islamin si zgjidhje në mënyrë perspektive, përmes autorëve dhe bashkëpunëtorëve, me tema dhe çështje që konsiderohen të rëndësishme për kohën në të cilën jetojmë.
Autorët përpiqen të ofrojnë përgjigje për sfidat bashkëkohore me të cilat përballen myslimanët dhe udhëzime që ata të ndërtojnë një jetë cilësore, bazuar në mësimet islame.
Në revistën "Dituria Islame" është respektuar tradita, dhe në faqet e saj kanë zënë vend trajtesa nga lëmi i tefsirit, të drejtës islame, shkollave juridike e akaidologjike, jurisprudencës islame, hadithit, etikes islame, simpoziumeve dhe konferencave shkencore, si dhe shkrime nga jeta kulturore dhe trashëgimia jonë e pasur.
Begati e veçantë e revistës "Dituria Islame” është se ajo është një lloj enciklopedie e fesë, traditës, trashëgimisë, kulturës dhe historisë që ekziston në këto treva prej shekujsh, dhe është pothuajse e pamundur të bëhet çfarëdo lloj studimi e kërkimi për mendimin islam në nënqiellin tonë, pa iu referuar revistës "Dituria Islame" si burim i rëndësishëm shkencor.
Dalja në dritë e revistës "Dituria Islame" ishte një dëshmi e vendosmërisë dhe përkushtimit tonë që fetarisht, intelektualisht dhe kulturalisht të mbrojmë të drejtën për të qenë njerëz të lirë dhe besimtarë të mirë, në shërbim të Islamit, traditës dhe vendit!
Secila redaksi duhet të jetë mirënjohëse për redaksinë paraardhëse, të vlerësohet puna dhe ajo që është trashëguar prej tyre. Të ruhen autorët e vjetër, t'u jepet hapësirë edhe autorëve të rinj, duke u respektuar kriteret profesionale dhe, natyrisht, duke ruajtur parimet tona dhe misionin e Bashkësisë Islame. Një kontribut modest në këtë drejtim kam pasur fatin të ofrojë në cilësinë e kryeredaktorit të saj për tri mandate.
E urojmë revistën “Dituria Islame” për këtë jubile dhe shpresojmë që ajo të ketë jetëgjatësi duke ofruar edhe më shkrime me përmbajtje cilësore dhe të frymëzojë në vijimësi ndryshime pozitive në shoqërinë tonë brenda dhe jashtë vendit!
Puna dhe mundi i sinqertë shoqërohet edhe me ndihmën e Allahut xh.sh., prandaj, përmirësimi dhe fisnikërimi është një mision për çdo gjeneratë. Allahu na ndihmoftë dhe na pranoftë mundin dhe përpjekjet tona!
Dr. Ajni Sinani
Në këtë numër jubilar, të 400-in, të revistës "Dituria Islame, sipas kërkesës së kryeredaktorit aktual të saj dhe aq sa lejon hapësira në të këtilla raste, për lexuesit e nderuar, dua t'i ndajë disa hollësi, momente e ndjenja, të cilat e kanë karakterizuar krejtfillimin e daljes së kësaj reviste,ndonëse, për këtë, më duhet të kthehem mbrapa në kohë, për gati katër dekada më parë...
Në të vërtetë, viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, sa herë që organizohej ndonjë mbledhje apo tubim i rëndësishëm në kuadër të institucioneve të Bashkësisë Islame të Kosovës, më kujtohet se pashmangshëm bisedohej e flitej edhe për nevojën e domosdoshme për nxjerrjen edhe të një reviste, e cila do të mbulonte një zbrazëti të theksuar në rrafshin e shtypit islam në gjuhën shqipe, zbrazëti kjo e Islame, të organeve dhe institucioneve të saj dhe në cila vërehej edhe në pasqyrimin e aktiviteteve të Bashkësisë shpjegimin e mësimeve islame te xhemati dhe lexuesit. Në të tilla takime, nganjëherë, theksohej edhe një lloj hezitimi dhe një lloj frike e arsyeshme se mos organet e pushtetit të asokohshëm komunist-ateist do të mund të ndërhynin dhe nuk do të na lejonin dhe se me një hap të tillë kishim frikën, siç i thonë fjalës, se "mos ndillej ujku në torishtë"! Kishte edhe zëra që shpreheshin me rezervë se në mos nuk do të mund ta mbanin një revistë të tillë, të re, meqë për të duheshin bashkëpunëtorë të shquar për t'i plotësuar rubrikat e saj me shkrime e lajme të nevojshme, për të cilët edhe nuk ishim të sigurt nëse i kishim! Kishte edhe nga ata që shprehnin rezervat e tyre, po ashtu me të drejtë, për mungesë të mjeteve materiale, sepse nxjerrja e një reviste të re, kushtëzohej edhe nga mundësitë financiare, gjë që Bashkësia Islame, asokohe, në këtë drejtim, nuk ishte në gjendjen e saj më të mirë. Sa kohë që, para se të dilte revista "Dituria Islame", nga Shoqata Ilmije, kishte gjashtëmbëdhjetë vjet që botohej "Takvimi" (1970) dhe pesëmbëdhjetë vjet që botohej "Edukata Islame" (1971), por që të dy këto publikime, nuk ishin informative (siç synohej të nxirrej një revistë e re) dhe përderisa e dyta botohej me mundësi vetëm katër herë në vit, e para botohej vetëm një herë në vit.
Megjithatë, që të gjitha këto pengesa, sfida e rezerva, u tejkaluan, dhe jo vetëm që u tejkaluan, por ato edhe u sfiduan. Sepse falë njerëzve vizionarë, largpamës, të përgjegjshëm përballë detyrave të tyre dhe, sidomos, falë njerëzve dashamirës të shkrimit dhe leximit të fjalës islame në gjuhën shqipe, pas shumë debateve, diskutimeve, e besa, edhe polemikave e reagimeve të zhvilluara në mbledhjet e mbajtura në Kryesinë e BI-së midis viteve 1984-1985 dhe, veçan, në fillim vitin 1986, u mor vendimi që të botohej një revistë - (ndonëse, më kujtohet, që kishte edhe mendime që të botohej një si gazetë dhe jo revistë) me karakter informativ dhe e cila do të quhej revista "“Dituria Islame”.
Në gjithë këto debate e diskutime, kishte një diçka që i përbashkonte që të gjithë, ama bash që të gjithë diskutuesit dhe të pranishmit. Ai ishte fakti se nxjerrja e një reviste të tillë, ishte nevojë e domosdoshme e kohës dhe një kërkesë e patjetërsueshme që lexuesit dhe besimtarët tanë të kishin një revistë më me shumë informacione për aktivitetet e Kryesisë së Bashkësisë Islame, për organet dhe institucionet e saj, për objektet fetare, për mbajtjen e mësim-besimit, për organizimin e programeve të ndryshme dhe në përgjithësi për zhvillimin e jetës fetare islame në vendin tonë dhe më gjerë, prandaj pavarësisht rrethanave dhe kushteve, revista patjetër duhej ta shihte dritën dhe të arrinte te lexuesit.
Kështu edhe ndodhi dhe kështu edhe u bë, ndaj numri i parë i revistës “Dituria Islame”, doli nga shtypi dhe u bë pronë e lexuesit të gjerë shqipfolës, më 1 qershor 1986.
Dalja në dritë e numrit të parë të revistës "Dituria Islame”, ishte padyshim një ngjarje e shënuar për Bashkësisë Islame të Kosovës, për institucionet e saj dhe për xhematin dhe lexuesin shqiptarë në përgjithësi. Kështu u vlerësua, kështu u ndje dhe kështu u mirëprit gjithandej ku arrinte "Dituria Islame". Kushdo që e merrte numrin e parë të revistës, seç shprehte një gëzim të pashpjegueshëm, i cili përtej urimeve e fjalëve miradije e të sinqerta, vërehej shumë lehtë në fytyrën e cilitdo prej tyre. Kurse ne që kishim dhënë kontributin tonë për nxjerrjen e revistës, qoftë me diskutime, qoftë si anëtarë të redaksisë, po qoftë edhe që kishim kontribuar me shkrime e me lajme, ishim shumëfish të lumtur e të gëzuar.
Themelimi dhe botimi i “Diturisë Islame", vlerësuar nga kjo distancë kohore, për mendimin tim, është padyshim një nga vendimet më të mira dhe më të hairit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo u dëshmua sidomos me kalimin e kohës, kur "Dituria Islame", rezultoi si shumë e bereqetshme dhe luajti rol të shënuar në disa aspekte.
Ajo u bë zëdhënëse e aktiviteteve të Bashkësisë Islame, e jetës fetare islame në vendin tonë, u bë fushë ku e sprovuan veten pena të reja nga radhët e ulemasë shqiptare, të nxënësve të medresesë, më pastaj të studentëve të Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës, të cilat, po në “Dituria Islame" e morën zanatin e shkrimit dhe që më vonë e perfeksionuan dhe u bënë premtues në rrafshin e fjalës së shkruar dhe të cilët nuk u ndalen vetëm me aq. “Dituria Islame" u bë kronikë e ngjarjeve dhe e zhvillimeve me karakter vendor e kombëtar, sidomos në rrethanat krijuara përgjatë viteve '90-të, kur Kosova u (ri)okupua nga Serbia, kurse në rajon filluan të frynin erërat e demokracisë dhe njerëzit të hapeshin haptazi ndaj fesë. “Dituria Islame” u bë edhe një si model për daljen e revistave që do të lindnin më pastaj në Kosovë dhe në hapësirat e tjera shqiptare jashtë saj, si në Maqedoni, Mal të Zi e në Shqipëri.
Prandaj, sot, dhe këtë e them me gjithë bindje, të gjithë ata që dëshirojnë që të njohin jetën fetare dhe kulturore islame dhe zhvillimet e tjera në vendin tonë dhe jo vetëm, do ta kenë të pamundur që ta anashkalojnë revistën islame, kulturore dhe informative në gjuhën shqipe - “Dituria Islame".
"Dituria Islame" me angazhimin dhe kontributin e bashkëpunëtorëve të shumtë gjithandej trojeve shqiptare, me daljen e saj dhe me 400 numrat e botuar deri sot, i ka bërë vetit vend në historinë e publicistikës islame në gjuhën shqipe në veçanti dhe në atë kombëtare në përgjithësi.
Revistës "Dituria Islame” në këtë numër jubilar të 400-të, i uroj jetë të gjatë sa edhe vetë fjala e shkruar, shumë suksese dhe hapërim me kohën dhe me kërkesat e lexuesve të saj!
Resul ef. Rexhepi
Pasi që jemi në prag të daljes së numrit jubilar të 400-të të revistës "Dituria Islame", e cila botohet nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, e pash të udhës që me këtë vështrim të evokojë kujtimet rreth botimit të saj nga viti 1986.
Ky jubilar i revistës më rikujtoi ditën, kur para 38 vjetësh, saktësisht në qershor të vitit 1986, doli numri i parë i revistës "Dituria Islame", i cili ishte një moment i veçantë, i rëndësishëm dhe shumë i çmuar për publicistikën islame shqiptare në atë kohë, pasi që krahas botimit të revistës "Edukata Islame" në Kosovë, por edhe gjithandej trevave shqiptare, kjo ishte revista e dytë islame që botohej në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi.
Gjatë kohës së ish-Jugosllavisë socialiste, ne gjer atëherë kryesisht furnizoheshim dhe lexonim gazetat dhe revistat islame që botoheshin në gjuhën boshnjake në Sarajevë nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Bosnjës e Hercegovinës, sikurse që ishin "Preporodi", "Gllasniku", "Islamska Misao", "Takvimi" dhe "Zemzemi".
Kryeredaktor i parë i saj ishte Jetish ef. Bajrami, ish-kryetari i Bashkësisë Islame me seli në Prishtinë, i cili në fjalën e tij hyrëse përveç të tjerash pati theksuar se ky ishte fillim pionierësh dhe pati bërë ftesë të gjithë bashkëpunëtorëve që me shkrimet e tyre të ndihmojnë në ngritjen e cilësisë dhe avancimin e revistës "Dituria Islame" si revistë shkencore, kulturore, fetare.
Duke kaluar me kohë, gjatë viteve, revista gjithnjë e më shumë pasurohej me shkrime të ndryshme dhe nga autorët e ndryshëm, ashtu që me kohë mori edhe fizionominë e duhur të një reviste shkencore, kulturore, fetare të mirëfilltë.
Sa i përket perceptimit tim, mendoj se filozofia e kësaj reviste do të merrte formën e saj edhe më bukur në fazat vijuese të atyre periudhave të trazuara të popullit tonë. Më saktë, pas vitit 1990, kur u zgjodh si kryeredaktor përgjegjës i saj, prof. Qemajl ef. Morina, shpirti i tij rahmet pastë, i cili me sukses të plotë udhëhoqi për gjashtë vjet revistën “Dituria Islame', nga numri 18 gjer në numrin 84.
Gjatë kësaj periudhe, siç ndodhi edhe në periudhat e tjera, revista pati një rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm në ngritjen dhe promovimin e kulturës fetare islame, por edhe asaj kombëtare, pasi që gjatë viteve 90-ta, me ndërprerjen e gazetës së përditshme "Rilindja" si dhe gazetave dhe revistave të tjera nga regjimi okupues serb, ajo sadopak e plotësoi këtë boshllëk informativ kulturor në gjuhën shqipe në Kosovë.
Që nga fillimi, përveç shkrimeve me tematikë fetare, "Dituria Islame" hapi faqet e veta edhe për shumë shkrime me tema të tjera, sikurse ato kombëtare, historike, kulturore, etj., në të cilin veçoheshin shkrimet, përveç kryeredaktorit të saj, edhe të bashkëpunëtorëve të tjerë, sikurse që ishin: Nexhat Ibrahimi, Sabri Bajgora, Muhidin Ahmeti, Muhamet Piraku, Mexhid Yvejsi, Idriz Vuçitërna, etj..
Në epokën aktuale, do të dëshiroja sikur "Dituria Islame" të trajtonte problemet me të cilën ballafaqohen myslimanët e Kosovës gjatë jetës së përditshme, kudo qoftë, në punë, në arsim, në kulturë, në media, në opinion publik, etj..
Në fund të këtij vështrimi të shkruar, enkas me rastin e daljes së numrit jubilar të 400-të të “Diturisë Islame", shpresoj dhe besoj, që Allahu Fuqiplotë të na mundësojë që kjo revistë e jona fetare e kulturore, të arrijë dhe të shoh dritën e botimit të 1000-të të saj, inshallah!
Faik Miftari
Flasin ish-kryeredaktorët
BESNIKE DHE KONSEKUENTE E TRADITËS ISLAME
Besoj se numri jubilar, i 100-ti i "Diturisë Islame" do të jetë rast i mirë që nga aspekte të ndryshme ta shikojmë dhe ta analizojmë rolin dhe kontributin e kësaj reviste, si në jetën tonë, ashtu edhe në zhvillimin e Bashkësisë Islame tek ne. Unë mendoj se ne do të bënim një padrejtësi të madhe ndaj "Diturisë Islame", nëse atë e unifikojmë ekskluzivisht vetëm me këto hapësira. Është e vërtetë se ajo filloi nga këto hapësira, mirëpo ajo shumë shpejt na prezantoi dhe na ofroi në veçanti botën islame, e mund të themi lirisht edhe botën në tërësi.
Të pakta janë ato revista, si tek ne, ashtu edhe në botë, që kanë arritur t'i plasojnë misionet dhe aktivitetet e tyre lokale me një shpejtësi të tillë në hapësirë dhe në opinion, e pastaj të ruajnë me sukses dhe me kontinuitet një trend dhe një pozicion të tillë.
Për t'u realizuar kjo, revista patjetër duhej të mbështetej në një koncept të qëndrueshëm dhe të shëndoshë. Po ashtu, ajo duhet të ketë patjetër një porosi të theksuar humanitare dhe, pa marrë parasysh rrethanat, t'i mbetet besnike dhe konsekuente idesë së saj themelore, përkatësisht konceptit të saj. Mendoj se "Dituria Islame", pikërisht në saje të këtij qëndrimi e përcaktimi, ka arritur t'i përfitojë dhe t'i ruajë lexuesit e saj si tek ne, ashtu edhe në botë, dhe falë një qëndrimi e përcaktimi të këtillë, ajo do të fitojë lexues edhe në të ardhmen.
"Dituria Islame", tashmë dymbëdhjetë vjet, që nga fillimi i daljes së saj, kontribuoi vazhdimisht në krijimin e klimës së besimit dhe të respektimit të ndërsjellë, që është parakusht real për paqe dhe stabilizim në Bashkësi. Bashkësia është amaneti ynë më i madh, me të cilin na obligoi Allahu xh.sh. dhe Pejgamberi i Tij. "Dituria Islame" në mënyrën më të mirë, deri më tashti ka treguar se si duhet të ruhet ai amanet. Besojmë se kështu edhe do të vazhdojë.
Të nderuar lexues
Mendoj se "Dituria Islame" ka arsyetuar emrin dhe misionin e saj. Pa "Diturinë Islame" nuk do të ishte siç është me të.
Sot lexuesit tanë kanë në duar numrin e 100-të jubilar të revistës së tyre. Për dymbëdhjetë vjet, aq sa është jeta e saj, si revistë e përmuajshme. ky numër nuk është rekord. Prej datës së daljes së saj, në qershor 1986, i janë "ngrënë" 44 numra. Është gjë normale, ashtu si edhe në aspektet e tjera të jetës sonë, edhe "Dituria Islame" pati baticat e zbaticat e saj. Por, me rëndësi është se ajo e vazhdoi rrugën e saj dhe dita më ditë sa vjen e bëhet më kualitative, më komplete dhe më me përmbajtje. Me këtë ajo sikur po e dëshmon dhe po bëhet simbol i rritës sonë fetare e kombëtare.
Sot gëzohemi. Për ujë moment. Për arsye se popujt myslimanë, për të cilët shkruajmë, ndonëse nuk janë zgjuar sa duhet, tek ata ka shumë shenja të freskimit.
Ata dëshirojnë që në vend të fjalëve islame, t'i zgjojnë të rënat e historisë! Mos e dhashtë Zoti!
Rrethanat dhe fazat nëpër të cilat kaloi "Dituria Islame”, në të njëjtën kohë shprehin gjendjen në Bashkësinë Islame e në një mënyrë të mirë edhe gjendjen e myslimanëve. Askush, sikur myslimanët, nuk është i thirrur që të mësojë nga e kaluara. Ky është imperativ i drejtpërdrejtë nga Kur'ani i madhërishëm, Libri i Allahut xh.sh. Nëse është ashtu, atëherë ne duhet të kemi respekt ndaj fjalës së shkruar islame. Sepse jemi "civilizimi i fjalëve". Fjala e bukur ia hap derën Islamit, ndërsa fjala e shëmtuar ia mbyll derën atij. Fjala e bukur, në të njëjtën kohë, është e vërtetë dhe e moralshme. "Díturja Islame" bën vazhdimisht përpjekje që të jetë e tillë.
Mirëpo, në rrethanat tona, shtrohet pyetja a mjafton që ne të mbetemi vetëm me një revistë të përmuajshme islame. Unë jam i mendimit, dhe besoj se këtë mendim e përkrahin edhe shumë dashamirë të fjalës së shkruar islame, se ne kemi nevojë dhe janë pjekur kushtet për daljen në dritë të një gazete informative, kulturore islame, e cila sa për fillim mjafton të jetë e përdyjavshme,
Besoj se brezi ynë u ka borxh një gazetë të këtillë besimtarëve tanë në Kosovë, por edhe më gjerë në këto hapësira.
Ne, si në të kaluarën, por besojmë edhe në të ardhmen, me ndihmën e Allahut, do të përpiqemi të shkruajmë për të gjithë myslimanët kudo që jetojnë ata.
Në çdo pjesë të planetit ku jetojnë myslimanët, ata janë në gjendje të vështirë. Gjaku i tyre shkon rrëke, vatrat e tyre po shkatërrohen, vendet e tyre po okupohen, dinjiteti i tyre po nëpërkëmbët e në të njëjtën kohë ata akuzohen për mosdurim dhe agresivitet.
Shqiptarët, për fat të keq, nuk janë kursyer nga këto sprova dhe harbutëri të vrazhda. Duke thirrur për tolerancë fetare e kombëtare, duke qenë e hapur ndaj të gjithëve, duke respektuar të drejtat dhe qenien e të tjerëve, duke kërkuar paqe - "Dituria Islame" nuk do të ndalet së shkruari për vëllezërit tanë kurdo e kudo që ndaj tyre ushtrohet terror dhe u nëpërkëmben të drejtat e tyre.
"Dituria Islame", si në të kaluarën edhe në të ardhmen, në këto kohë të mjegulluara e të vështira do të zgjojë ndërgjegjen islame të popullit tonë.
Sa pati sukses ajo ta bëjë këtë në të kaluarën dhe sa do ta bëjë këtë në të ardhmen, është vështirë të përgjigjemi, Ndoshta për këto as që duhet të kërkojmë përgjigje. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që është brenda mundësive tona, e rezultatet janë në duart e Allahut xh.sh.
(Shkruar nga Qemajl Morina, ish-kryeredaktor i "Diturisë Islame”. nga numri 18-84, tetor 1990 - shtator 1996)
___________________________________
Dituria islame – 100
Në vigjilje të muajit Ramazan
Avni Aliu
RAMAZANI - MUAJI I KUR'ANIT
“Është e vërtetë se ky Kur'an udhëzon për atë rrugë, që është më se e vërteta, e besimtarët (muʼminët), që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh"(1)
Dihet mirëfilli se Allahu xh.sh. njeriut i dhuroi begati të mëdha dhe të panumërta. Së pari, atë e krijoi me një figurë e fizionomi më të bukur të përbërë prej dy komponentesh: trupit dhe shpirtit. Shpirti ka prejardhje hyjnore dhe është i pajisur me besim, me ideale dhe virtyte më të larta. Kurse trupi ka prejardhje prej elementeve tokësore, prandaj edhe ka karakterin material, është tokësor. Së dyti, Mëshirëploti, njeriun e dalloi prej të gjitha qenieve tjera dhe e bëri të shquar e të dalluar, duke i dhënë mend dhe arsye. E bëri kalif në Tokë dhe i vuri në shërbim të tij begatitë e tokës dhe të qiellit, kurse vetë njeriun e bëri me dije se duhet njohur vetëm Allahun dhe vetëm Atij t'i shpreh adhurim të plotë e në kuptimin më të lartë.
Mirëpo, edhe pse njeriu është i krijuar me aftësitë e theksuara më sipër, ai gjatë procesit të zhvillimit të tij në këtë pikëpamje mund të pësojë ndryshime dhe deformime, për të cilat, si shkaktarë më kryesor mund të jenë: prindërit, familja, rrethi, mjedisi ku jeton, pozita, interesi material, drejtimet dhe rrymat e ndryshme filozofike, e të tjera.
Njeriu, në bazë të aftësive të veta mendore dhe fizike është në gjendje të vërtetojë ekzistencën e Allahut, por nuk është në gjendje të kuptojë se si dhe në ç'mënyrë duhet adhuruar, cili është qëllimi dhe caku i jetës së tij, në ç'mënyrë duhet krijuar dhe rregulluar marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe, a ekziston jetë tjetër pas kësaj jete, apo misioni i tij merr fund me vdekjen e tij. Ja pra, mendja e njeriut nuk është në gjendje të hedh dritë deri në fund për të gjitha këto çështje që i shtruam më sipër.
Allahu xh.sh. duke e njohur në esencë natyrën e njeriut, aftësitë dhe dobësitë e tij, nga mëshira e Vet, njerëzimit i dërgoi pejgamber dhe i zbriti udhëzime për t'i drejtuar në rrugën e vërtetë. Me anë të dërguarve njerëzit mësuan se si duhet besuar dhe adhuruar një Zot, Allahun, si duhet t'i zbatojnë dispozitat dhe urdhërat e Tij, në ç'mënyrë t'i ndërtojnë marrëdhëniet ndërmjetveti, etj. Sa i domosdoshëm dhe pjesë përbërëse është besimi, më së miri shihet nga fakti se njeriu i parë ishte njëkohësisht edhe pejgamber i parë - Ademi alejhiselam.
Të gjithë të dërguarit që nga Ademi a.s. e deri te Muhamedi a.s. i kanë predikuar kushtet e njëjta të besimit. Prandaj, Islam është një nga Allahu xh.sh. që filloi me Ademin dhe përfundoi si i përkryer me Muhamedin a.s. Dallimi ndërmjet të dërguarve është se ata të mëparshmit qenë të dërguar për një popull dhe kohë të caktuar, kurse Muhamedia.s me Kur'anin është dërguar për tërë njerëzimin, pa dallim ngjyre, gjuhe, rase ose vendi. Si i dërguar i fundit, misioni i tij do të vazhdojë për të gjitha kohërat derisa të ketë jetë e njerëz. Në Kur'an janë përfshirë të gjitha dispozitat ligjore për të gjithë lëmenjtë e jetës shoqërore, ekonomike, politike, në bazë të të cilave në mënyrë të drejtë dhe adekuate njerëzimit iu kanë plotësuar të gjitha nevojat e arsyeshme shpirtërore e fizike, Muhamedi a.s. si i Dërguari i fundit me anë të Kur'anit i solli njerëzimit bazat e një qytetërimi të ri, që sigurojnë perspektivë dhe mirëqenie shpirtërore e materiale. Qytetërimi Islam nuk bazohet kryekëput mbi parimet materiale siç është rasti me qytetërimin perëndimor, i cili po e tregon veten se është i dobët dhe s'ka fuqi t'u gjejë shërim plagëve, të cilat po e mundojnë shoqërinë njerëzore dhe po e shkatërrojnë mirëqenien e tij, por mbështet parimin shpirtëror, që e thërret njerëzimin ta kuptojë qëndrimin e tij në raport me ekzistencën dhe pozitën e tij në raport me krijesat e tjera të ndryshme.
Muhamedi alejhisselam u tërhiqte vërejtjen shokëve të vet: "Kini kujdes, do të bini në situatë të vështirë! Ndërsa sahabet e pyesnin: Tregona, o i Dërguari i Allahut, - ku është rrugëdalja? - "Dispozitat e Allahut, Kur'ani", -¡ Dërguari tregonte. "Në të janë lajmet për atë që ka ndodhur para jush, për atë që, do të vijë pas jush, dhe ligji për ju. Kur'ani, ky është ligj i fundit, është fjalë vendimtare, dallues i së vërtetës nga e pavërteta, dhe nuk është burleskë. Kush e braktis nga kryelartësia dhe mendjemadhësia, Allahu atë do ta shkatërrojë, e kush e kërkon udhëzimin jashtë Kur'anit, Allahu të tillin do ta lërë të humbur. Kur'ani është litar i fuqishëm i Allahut. Ai është vërejtje e urtë. Ai është muga e drejtë. Nuk shpie në epshe. Ndërsa fjalët për të, nuk mund ta përmbysin, dhe as që kanë fund mrekullitë e tij. Kush flet me Kur'an, e flet të vërtetën. Kush punon sipas tij, do të jetë i shpërblyer. Kush gjykon sipas tij, gjykon drejt. Kush thërret për të besuar, ai është i udhëzuar në rrugën e drejtë".(2)
Po të jetë se drita e Kur'anit dhe qytetërimi që sjell ky, të depërtonte në shpirtin e kësaj bote të ngulfatur nga problemet, dhe në vend të këtij ta udhëhiqte qytetërimi material i perëndimit, me siguri fati dhe ardhmëria e njerëzimit do të ndryshonte kryekëput, sepse parimet që sjell Islami janë në gjendje të caktojnë diagnozën e sëmundjeve dhe të krizave të sotme të botës dhe të gjejnë mjekimin e duhur.
Në shumë vende në Kur'an, Allahu xh.sh. thekson madhërinë, vlerën, rëndësinë dhe peshën e madhe që ka Kur'ani, si Shpallje e fundit dhe e përkryer: "Është e vërtetë se ky Kur'an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta..." Ç'është ajo e vërteta e vërtetë kah e cila na udhëzon Kur'ani. Ajo do të duhej të ishte patjetër diçka më e lartë, më e fuqishme, më e përkryer, diçka që ndodhet në pikën kulmore, qëllimi i fundit i të gjitha mendimeve, i të gjitha dëshirave, synimeve dhe përpjekjeve tona!
Fjalën "Akvem", që thekson ajeti i Kur'anit, komentatori i njohur i Kur'anit, Nesefiu e komenton kështu:
"Ve hije tevhidullahi vel-iman". Rruga më se e vërtetë është, ndërkaq, "imani" dhe "tevhidi", besimi në Allahun, i Cili është Një.
Kur kemi parasysh këtë, atëherë na bëhet e qartë sepse besimi, që e shpall Kur’ani duhet të qëndrojë në krye të sistemit jetësor të muslimanëve.
Nga ky besim pason edhe besimi në meleqtë, kitabet, të dërgaurit e Zotit, të cilëve u është besuar Shpallja hyjnore, në saktësinë e pejgamberisë së tyre dhe besim në Ditën e Gjykimit ku kërkohet përgjegjësia e njeriut për jetesën dhe veprimin e tij në jetë. Besimi në Allahun dhe në të vërtetat hyjnore ka për t’i siguruar njerëzimit mirëqenien e dëshiruar. Kur drita hyjnore përmbush shpirtin e njeriut dhe e bënë këtë themel të jetës së tij, natyrisht ai arsyeton me ligjin hyjnor, i cili zotëron në natyrë për ta bërë këtë edhe ligj e rregull të vetvetes. Një përfundim i tillë mund të arrihet vetëm atëherë kur njeriu të ketë fituar një dije të plotë mbi harmoninë e krijimit nëpërmjet vërejtjeve të vazhdueshme të kreaturave.
Për ta shprehur besimin në një Zot, Kur'ani përcakton mënyrën e jetës dhe të veprimtarisë njerëzore në jetën praktike. Kështu ai thekson namazin (salatin) dhe vlerën e tij. Namazi "pengon të keqen" dhe i ndihmon njeriut t'i përballojë vështirësitë, sidomos kur është së bashku me durimin dhe qëndresën. Kur'ani urdhëron edhe agjërimin e Ramazanit, që nuk është aspak punë e lehtë, heqja dorë të ngrënit dhe të pirit duke filluar që nga agimi e deri në perëndimin e diellit. Ata që janë të sëmurë (apo kanë ndonjë vështirësi, pengesë) në rrugë, mund ta anulojnë për ndonjë kohë më të përshtatshme. Edhe Kur'ani për herë të parë ka filluar të shpallet në muajin Ramazan.
Deri sa bashkësia e vogël islame jetonte në Mekë, dhënia e lëmoshës, edhe pse theksohej preferimi i këtij akti, konsiderohej kontribut në baza vullnetare, në dobi të asaj pjese të varfër të bashkësisë. Ndërkaq, në Medine, zeqati apo tatimi me qëllim bamirësie u përkufizua për bamirësinë e bashkësisë, dhe u caktuan edhe mbledhësit e zeqatit. Kur'ani i jep rëndësi të theksuar zeqatit, prandaj rrallëherë përmendte të falurit e të mos e përmendte edhe këtë detyrim si të domosdoshme ndaj nevojave sociale:
"Zeqati u takon vetëm të varfërve dhe të mjerëve, edhe atyre që e tubojnë, edhe atyre, zemrat e të cilëve duhet përfituar, edhe për lirimin e robërve, dhe të ngarkuarve me borxhe, edhe për hir të rrugës së Allahut, edhe udhëtarëve - mysafirë, si obligim nga Allahu. Kurse, Allahu i di të tëra dhe është i urtë".(3)
Kurse Muhamedi a.s. thoshte: "Atij që i jep Allahu pasuri dhe ai nuk e jep zekatin e saj, në Ditën e gjykimit ai do t'i shndërrohet në një gjarpër të madh helmues me pika të zeza mbi sy, i cili do ta shtrëngojë rreth qafe, pastaj do ta kapë për fulqinj dhe do t'i thotë: Unë jam pasuria jote, unë jam kapitali yt"(4)
"Kush jep zekat që të marrë shpërblim, do të shpërblehet, e kush refuzon që ta japë, Ne do t'ia marrim me dhunë dhe krahas kësaj do t'ia konfiskojmë edhe gjysmën e pasurisë".(5)
Ndalimi i kamatës, gjykimi moral ndaj të cilit ka filluar në Meke, vazhdon në formë të një varg thirrjesh, në njërën prej të cilave ka edhe kërcënim se Zoti dhe i Dërguari i Tij do të shpallin luftë kundër atyre që e hanë kamatën me arsyetim se me këtë në raport me huan themelore, rritet obligimi disa herë, prandaj është në kundërshtim me tregtinë:
"Ata që hanë kamatën do të ngrihen sikurse që do të ngrihet ai të cilin e ka përflakur, me të prekur, djalli, për shkak se ka thënë: "dhe tregtia është njëlloj sikur kamata". Mirëpo, Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën...”(6)
"O besimtarë, mos hani kamatën shumëfishuar dhe frikësohuni Allahut, ndoshta do të shpëtoni"(7)
"Populli që bën afarizëm me kamatë, do të mbarojë urie; ndërsa popullin tek i cili ka futur rrënjë ryshfeti, do ta mbulojë frika". "Do të vijë koha kur në emër të shitblerjes dhe të tregtisë, do të legalizohet kamata".(8)
"Mallkimi i Allahut qoftë mbi ata që marrin, dhe mbi ata që japin ryshfet, dhe mbi ata që ndërmjetësojnë ndërmjet këtyre të dyve".(9)
Haxhi, vizita e Qabesë njëherë gjatë jetës, është proklamuar i domos doshëm për të gjithë myslimanët, me çka është sqaruar se kjo ka të bëjë me secilin mysliman, i cili ka mundësi për këtë, do të thotë që ka mundësi jo vetëm të paguajë për vete rrugën deri në Mekë dhe në të kthyer, por që ta sigurojë edhe familjen e vet gjatë kohës së mungesës së vet.
"Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut"910)
"Haxhi është në muaj të caktuar. Ai që është i detyruar të kryej haxhin në ata (muaj) nuk duhet të ketë kontakt me gra e as fjalë të këqija dhe nuk i ka konteste në ditët e haxhit. Çkado që të bëni mirë Allahu e di. Dhe, furnizohuni me çka ju nevojitet për rrugë. Devotshmëria është; furnizimi më i mirë, dhe frikësohuni prej Meje, o të mençur.”(11)
"Luftëtarët në rrugën e Allahut dhe vizitorët e Qabesë të cilët kryejnë haxhin dhe umren, janë mysafir të Allahut; ata i janë përgjigjur ftesës së tij, prandaj edhe Ai u është përgjigjur lutjeve të tyre."(12) "Kur dikush niset për ta kryer haxhin dhe të gjitha pajisjet i ka fituar në mënyrë të ndershme dhe kafshën e udhëtimit ka blerë e paguar me të holla të fituara në mënyrë të ndershme, dhe ta vërë këmbën e tij në zingji e të thotë: "Lebbejkell-llahume lebbejke", meleku në qiell thërret: "Pajisja jote është fituar në mënyrë të ndershme, ndërsa kafsha është blerë me mjete hallall, prandaj haxhin tënd Allahu i Lartmadhëruar e pranon".(13)
"Nëse dikush niset në haxh me të hollat që i ka fituar në mënyrë të pandershme, kur të vërë këmbën në zingji e të thërrasë: "Lebbejkell-llahume lebbejke", meleku në qiell thotë: "Pajisja jote është fituar në mënyrë të pandershme, ndërsa kafsha e kalërimit është blerë me mjete haram, haxhi yt refuzohet dhe Allahu i Lartmadhëruar nuk e pranon.”
Haxhi është institucion ku më së miri manifestohet solidarizimi praktik i vëllazërimit të të gjithë myslimanëve të botës.
Kur'ani i thërret besimtarët që të jenë të gatshëm për xhihad, që do të thotë të japin "pasurinë dhe jetën e tyre për në rrugën e Allahut". E qëllimi i tij është të vendoset Ligji i Tij në tokë dhe të zbatohen dispozitat kur'anore.
"Dhe luftoni për hir të Allahut kundër atyre, të cilët luftojnë kundër jush, por mos e teproni! Allahu njëmend nuk i do ata që e teprojnë".(14)
"Allahu me siguri i do ata, të cilët luftojnë për hir të Tij në radhë si mure të fortifikuara".(15)
"Dhe mos thuani për ata që janë vrarë në rrugë të Allahut "janë të vdekur"! Përkundrazi, ata janë të gjallë, por ju nuk e dini”.(16)
"Besimtarë të vërtetë janë ata, të cilët besuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij, pastaj nuk u tundën, po luftuan me pasurinë dhe me shpirtin e tyre në rrugën e Allahut, ata si të tillë janë besimtarë të sinqertë". "Udhëhiqni xhihadin me politeistët me anën e pasurisë suaj, të vetvetes suaj dhe të gjuhëve tuaja."(17) "Secili popull e ka udhëtimin që i pëlqen Allahut, ndërsa udhëtimi ymetit tim që i pëlqen Allahut, është lufta në rrugën e Allahut".(18)
"Allahu xh.sh. është obliguar që t'i ndihmojë këta të tre: luftëtarin në rrugën e Allahut, borxhliun që dëshiron ta kthejë borxhin, dhe atë që martohet me dëshirë që të ruajë maturinë seksuale".(19)
"Lufta më e preferuar, xhihadi, është të thuhet e vërteta para sundimtarit të padrejtë"(20)
Ndërkaq, e gjithë kjo veprimtari, kjo dëshmi e tewhidit, domethënë e fesë në Njësimin e Zotit, na bën neve përgjegjës që si mëkëmbës të Zotit në tokë, të realizojmë obligimet, të cilat rrjedhin nga kjo, domethënë që praktikisht t'i zbatojmë. Në qoftë se Zoti është Krijuesi i vetëm, e pa dyshim se është, atëherë edhe njerëzimi është një. Veprimtaria e përmbledhur në tewhid, nuk është qëllim për vete, por përgatitje e njeriut për të sendërtuar misionin e vet veprues si mëkëmbës. Duke vepruar jo për shkak të interesave të veta a të grupit të vet të ngushtë, por në shërbim të të vetmit Zot, e kjo do të thotë: të veprosh ashtu si ka urdhëruar Allahu: në aspektin individual, shoqëror, mbarënjerëzor dhe në aspektin kozmik. Njeriu që në çdo vepër "e kujton Zotin", dhe sillet si drejtues me përgjegjësi, si mëkëmbës i Zotit, i vetëdijshëm se Zoti e ka bërë përgjegjës për fatin e tij dhe për fatin e të tjerëve, dhe se vendosmërisht duhet të përvetësojë shkencën dhe teknikën, duke mos pasur ndonjë tjetër qëllim veçse të vë rendin e Zotit në tokë, kjo jep të nënkuptojë se duhet kontribuuar në përparimin e shkencës dhe të teknikës, por në shërbim të Zotit dhe të njeriut"... Pohimi mbi njësimin Hyjnor nuk është konstatim, po akt. Tewhidi nuk është fakt i thjeshtë: gjykim mbi ekzistencën e Zotit të vetëm. Ky është angazhim, parim veprimi, i cili për shkon tërë jetën tonë. Çdo akt i veçantë, madje ai më i thjeshti dhe i përditshmi, ka për detyrë të realizojë atë qëllim Hyjnor në tokë, që të sendërtohet bashkësia universale, e cila do ta shndërrojë botën në një njësim të gjallë.(21)
Kur'ani, ndërkaq, është fjalë e Allahut, Shpallje e Tij. Në Kur'an është shfaqur vullneti i Zotit, të cilin, për herë të parë e ka realizuar i Dërguari i Tij, Muhamedi a.s.. Kur'ani si Shpallje e Allahut, vlen përherë dhe bartë në vete vitalitetin e përhershëm krijues e kreativ. Kur'ani përherë na zbulon qëllimet që duhet ndjekur. Dhe detyrë e të gjithë njerëzve të të gjitha kohërave është që të gjenden mjete për t'i realizuar ato qëllime:
"(Kur'ani është) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t'i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend".(22)
Sot, myslimanët janë të vetmit njerëz të lumtur në botë, të cilët fjalën e Allahut e kanë të ruajtur plotësisht, ashtu si iu ka shpallur të Dërguarit të Zotit, Muhamedit a.s. Por, po këta myslimanë, janë njerëz më fatkeq, janë shënjestër e sulmeve dhe fatkeqësive nga të gjitha anët. Një popull që ka në duar fjalën e Allahut, heq të zinjtë e ullirit. Vuan nën zgjedhën e të tjerëve...
Kur'ani është burim mëshire, drite dhe fatbardhësie. "Pse sot ai Sheriat, ai Ligj i Zotit, nuk ndriçon botën? "Pse populli mysliman, i çliruar nga kolonializmi, mbesin objekt, e jo subjekt krijues i historisë? Pse nuk japin shembull iniciativat historike? Sepse Kur'ani lexohet me sytë e të vdekurve."(23) Derisa myslimanët e hershëm ishin të aftë t'i zgjidhnin problemet e epokës së vet, ne nuk mund t'i zgjidhim problemet e epokës sonë, "sepse ne ndjejmë se është e mjaftueshme të përsërisim formulat e tyre dhe frymëzohemi me metodat e tyre. Mos, vallë, është punë formalizmi, për të cilin paralajmëron Muhamedia.s. kur i thotë shokut të vet: "Ti po jeton në kohën në të cilën ka shumë njerëz, që i kuptojnë dispozitat kur'anore, po janë pak që e lexojnë. Shumë njerëz jetojnë sipas Kur'anit dhe i nderojnë dispozitat e tij, ndërsa pak janë që kujdesen për fjalët e Kur'anit. Ka pak lypës e shumë të atillë që japin. Njerëzit qëndrojnë shumë në namaz, e pak flasin. E do të vijë koha kur do të ketë pak të atillë që e kuptojnë Kur'anin, e shumë të atillë që e lexojnë. Atëherë do të shkelen dispozitat e Kur'anit, e do të kujdesen për fjalët e tij. Do të ketë shumë lypës, e pak të tillë që japin. Do të shpenzohet shumë kohë në bisedë, ndërsa pak në ibadet. Pak do të punohet e shumë do të përpiqen për të kënaqur epshet e veta".(24)
Shtrohet pyetja: Si mund sot, myslimanët, ata të cilët e përbëjnë Ummetin, të çlirohen nga lustra e formalizmit? Përgjigjja është e thjeshtë. Mund të çlirohen dhe përsëri ta ndriçojnë botën me dritën e Ligjit të Allahut, po qe se e kuptojnë rrugën e vet kah janë duke shkuar, dhe, pasi që ta kuptojnë, t'i kthehen burimeve të mirëfillta: Kur'anit dhe Sunetit. "T"i kthehesh burimeve, nuk domethënë që në ardhmëri të hyjmë së prapthi, me sytë e kthyer kah e kaluara, por që përsëri të gjejmë burimin e gjallë dhe dinamizmin krijues të Islamit të hershëm. Sheriati nuk është moçal akumulues, tek i cili do të kishim mundur të zëmë ujin e ndotur: Ashtu nuk do të kishim mundur të shuajmë etjen tonë të re. Sheriati është një lum që shkëlqen, dhe i bën të plleshme brigjet që i spërkat uji."(25)
Kur'ani është "udhërrëfyes", dritë, prijës për njerëzit që janë të ruajtur, të njerëzishëm, cilësorë. Në qoftë se nuk harrojmë se çdo ajet i Kur'anit ka zbritur "të përgjigjet në problemet konkrete të paraqitura para një populli në një moment të tij historik dhe se vlera e përjetshme e atyre ajeteve konsiston pikërisht në atë, që nuk përfaqësojnë | formulën abstrakte, po përgjigjen e gjallë në pyetjen e gjallë, dhe se për ne pas 14 shekujsh, ruajnë vlerën e përjetshme, me këtë, neve na thërrasin që në to të zbulojmë përgjigjen e gjallë në çështje të gjalla të jetës sonë".(26)
I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. është shembulli më i mirë për të gjithë besimtarët. Në qoftë se na kujtohet shembulli praktik i tij, i cili ka ditur t'i zgjidh problemet e reja të kohës së vet. Dhe "në qoftë se na kujtohet se shokët e të Dërguarit, kalifë të vërtetë besimtarë, juristë të mëdhenj të së kaluarës, si krijues përgjegjës, kanë ditur të gjejnë zgjidhje në problemet e reja të kohës së tyre në shtetin, që ka dalluar Bashkësia e Medinës dhe nga për t'u qëndruar atyre besnik, nuk do të thotë se duhet përsëritur fjalën e tyre, por të ndiqet shembulli i tyre, veprimi i tyre krijues e me përgjegjësi. Ata janë në rrugë të drejtë të Zotit, zgjedhin problemet e kohës së vet: ata nuk na lënë receta kallauze, por metodën se si të ballafaqohemi me probleme të reja.
Vetëm kështu, Islami do të kthehet i gjallëruar, universal, i hapur për të gjithë, sikundër ka qenë në fillim”.(27)
Dhëntë Zoti që ky Ramazan me agjërimin e tij të na sjell fuqinë e kthjelltësinë e përkushtimit më të gjallë në leximin dhe në studimin e Kur'anit.
_____________
1. Kur'an, sura Isra, ajeti 9.
2. Hadith, Tirmidhiu.
3. Kur'an, sura Et-Tevbe, ajeti 60.
4. Hadith, Buhariu.
5. Hadith, Ebu Davudi.
6. Kur'an, sura El-Bekare, ajeti 275.
7. Kur'an, sura Ali Imran, ajeti 130.
8. Hadith, Ahmedi.
9. Hadith, Ahmedi, Taberani.
10. Kur'an, sura El-Bekare, ajeti 196.
11. Kur'an, ajeti 197
12. Hadith, Ibn Maxhe.
13. Hadith, Taberani.
14. Kur'an, sura El-Bekare, ajeti 190.
15. Kur'an, sura Es-Saff, ajeti 4.
16. Kur'an, sura El-Bekare, ajeti 154.
17. Hadith, Darimi.
18. Hadith, Ebu Davudi, Hakimi, Bejhekiu.
19. Hadith, Tirmidhiu, Nesai, Hakimi.
20. Hadith, Ahmedi.
21. R. Garodi, Gjallërimi Islamik, Gjakovë 1991, fq.98,103.
22. Kur'an, sura Es-Sad, ajeti 29.
23. R. Garodi, Gjallërimi Islamik, Gjakovë 1991, fq.40.
24. Hadith, Imami Malik, "Muvetta".
25. R. Garodi, Gjallërimi Islamik, Gjakovë 1991, fq.40.
26. Aty, fq. 122.
27. Aty, fq. 122.
_____________________________________________
Dituria Islame /64