Intervistë me Prof. Dr. Violeta Smajlaj - Familja është thelbi i shoqërisë, burimi i harmonisë dhe rrënja e vlerave

 


Intervistë me Prof. Dr. Violeta Smajlaj, udhëheqëse e Departamentit të Gruas pranë Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës


 


- Violeta si fillim ju falënderojmë që jeni bërë pjesë e revistës Familja me një intervistë rreth jush dhe angazhimit tuaj profesional! Është kënaqësi e veçantë t’ju kemi në faqet e revistës tonë! 


- Faleminderit për ftesën, kënaqësia është e imja. 


- Si gjithmonë, do të donim ta fillonim me një prezantim tuajin për lexuesit në aspektin personal dhe akademik!


- Quhem Violetë Smajlaj, e lindur në Gjakovë, në qytetin e dijes dhe kulturës së trashëguar ndër shekuj. Shkollën fillore dhe atë të mesme, "Mjekësi e përgjithshme", e kam mbaruar në vendlindje. Pas kësaj, për dy vite kam studiuar gjuhën arabe në Universitetin e Katarit. Ndërkaq, studimet universitare dhe doktoraturën i kam vijuar në Universitetin Shtetëror të Jordanit, në drejtimin e Jurisprudencës Islame, universitet ky me renome në lindjen e mesme. Në vitin 2015, pas studimeve, u ktheva në Kosovë për të dhënë kontributin në vendin tim. Fillimisht u angazhova me ligjërime dhe prezantime, mbi besimin te Zoti, mësimin e Kuranit famëlartë dhe të vlerave që ai promovon, me fokus të veçantë në tematika që kanë të bëjnë me gruan, familjen dhe shoqërinë. Më 2016 pata përkrahjen e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të Këshillit lokal për të hapur dhe drejtuar Departamentin e Gruas në qytetin e Gjakovës, me të vetmin objektiv: shtimi i njohurive me interes publik tek gratë dhe gjeneratat e reja.
Në vitin 2019 mbrojta dezertacionin e doktoraturës me titull: "Regjimi pasuror martesor në Ligjin për Familjen i Kosovës-studim krahasimor mes ligjit të Kosovës dhe të drejtës islame".
Nga viti 2022/2023 jam e angazhuar në Fakultetin e studimeve islame, në Prishtinë, si ligjëruese e lëndës "Objektivat e të drejtës islame". Jam e martuar me Valon Myrta - Dr. i Jurisprudencës Islame, nënë e pesë fëmijëve: Selma - studente e Mjekësisë së përgjithshme në UP, njëherit memorizuese e Kuranit; Esma-studente e shkencave kompjuterike, po ashtu memorizuese e Kuranit, Belkisa në shkollën e mesme të lartë Alaudin, Shuajbi (në kl.e VI) dhe Arrita. (2 vjeçare)".


- Si ishte jeta ne Jordan për ju, sigurisht përbënë një pjesë të rëndësishme të jetës suaj?


- Në udhëtimin tim të arsimimit kam qenë e shoqëruar me bashkëshortin tim, i cili atë kohë studionte në Katar, dhe unë sapo mbërrita fillova të mësoja gjuhën arabe, për të vazhduar më pastaj studimet e Jurisprudencës në Jordan.
Përveç mësimeve në Universitet, së bashku me bashkëshortin mësonim në mënyrë private shkencat Islame tek dijetari i shquar me prejardhje shkodrane Shuajb Arnauti, rahmet pastë, si dhe ndiqnim trajnime të ndryshme bashkëkohore, sa herë na jepej mundësia.
Kuptohet se të jesh bashkëshorte, ndërkohë edhe nënë dhe të studiosh nuk është e lehtë. Mirëpo, krahas vështirësive, kishim kënaqësinë e shoqërimit me studentë shqiptarë nga të gjitha trojet shqipfolëse, duke formuar ngadalë një lidhje tejet të ngushtë, një bashkësi shembull për çdo mërgatë.
E them këtë pasi nuk ishim thjesht një shoqëri që vetëm takoheshim dhe zhvillonim biseda, ishim më shumë se kaq, si një familje që ndanim gëzimet dhe shqetësimet bashkërisht. Organizonim festat fetare dhe kombëtare. Çdo ceremoni e festonim si në vendlindje dhe kjo i jepte manifestimit një shije të veçantë. Merrnim pjesë në panairet e etniteteve që organizoheshin në Universitet, vetëm që të mos mungonte këndi i kulturës shqiptare, veshjet, e as ushqimet specifike tona. Aty mbanim edhe literaturë informuese mbi vendet shqiptare. Për këtë gëzonim edhe përkrahjen e ministrisë së jashtme të Kosovës dhe të konsullatës së Shqipërisë. Humanizmi mes nesh ishte në maksimum. Si bashkësi studentësh shqiptarë jepnim kontributin për secilin prej nesh kur kishte nevojë. Thënë shkurt, ndjenja e afërsisë me bashkatdhetarët jashtë atdheut ishte më e fortë dhe më shumë përjetohej. Derisa kalonin ditët tona të rinisë, ne ngritnim një familje dhe avanconim nga një nivel në tjetrin në nxënien e diturisë.


- Cilat kanë qenë sfidat nëpërmjet të cilave keni kaluar përgjatë përpjekjes për zotërimin e profesionit që keni sot dhe si i keni përballuar ato?


- Kjo është një pyetje që shpesh ia bëj vetes, si kam arritur të bëhem ajo që jam sot? Duke qenë nënë, bashkëshorte dhe studente, veçanërisht në një vend të huaj me një sistem arsimor amerikan që nuk është aspak i lehtë, kërkon sakrifica dhe përkushtim të vazhdueshëm. Falënderoj pafundësisht Krijuesin, për vullnetin dhe mundësitë që na dha. Nuk do isha mjaft falënderues po të mos kujtoj mbështetjen e plotë të bashkëshortit tim, meqenëse jam martuar në moshë të re, por që të dy kishim vizion përtej martesës, avancimin në dije, qëllim ky që për asnjë moment nuk e kemi vënë në dyshim, jo që s'kemi pasur sfida, por thjesht kemi menduar zgjidhjen.
Pika më sfiduese për mua në këtë udhëtim ishte dezertacioni i doktoraturës "Regjimi pasuror martesor në të drejtën islame dhe ligjin për familjen i Kosovës", në Universitetin shtetëror të Jordanit, për faktin se tema e doktoratës ka kritere jashtëzakonisht të rënda, ndërkohë që tashmë isha bërë katër herë nënë.
Ndër vështirësitë që kishim pasi u kthyem, por i kaluam me punë e mbështetje institucionale, ishte mungesa e koordinimit me OJQ-të e ndryshme që iu intereson çështja e gruas, por me kalimin e kohës kemi arritur mjaft bashkëpunime të frytshme në këtë drejtim, e që shpresojmë të rriten dhe të intensifikohen.
Problematikë tjetër kemi pasur objektin për zhvillimin e aktiviteteve tona. Meqenëse nuk kishim një të duhur, aktivitetet tona i mbanim kudo që përshtatej me temën, audiencën dhe mundësitë tona. Tashmë edhe kjo vështirësi është tejkaluar, pasi është punuar në këtë drejtim, dhe tani e sa kohë kemi në dispozicion një objekt me hapësira të bollshme dhe të përshtatshme.


- Duke qenë se jeni shumë aktive në median sociale, por jo vetëm, do të donim të dinim pse keni vendosur pikërisht të trajtoni tematika që kanë të bëjnë kryesisht, me gruan, familjen dhe pozicionin e tyre në shoqëri?


- Mentaliteti ynë shoqëror në konceptimin e rolit të gruas në shoqëri është një sfidë e përbashkët që duhet tejkaluar me kujdes. Ekziston ende ajo përshtypja e gabuar, edhe pse nuk thuhet, se gratë nuk janë të zonja sa burrat për role publike, e kjo vazhdon të jetë sfidë e kohës, ndonëse është në zbehje e sipër.
Përkundër ndryshimeve të arritura në arsimimin dhe emancipimin e gruas, realiteti ynë shoqëror lë shumë për të dëshiruar. Për shkak të shumë faktorëve social dhe politik, shoqëria bashkëkohore nuk ka arritur të fuqizojë gruan aq sa duhet që të jap kontributin e saj në jetën publike; ndoshta për arsye të moszhvillimit, papunësisë, injorancës, disa traditave që cenojnë të drejtën e gruas dhe e detyrojnë atë të heshtë për të drejtat që ajo ka, si dhe mungesa e kulturës për t’i bërë vend tjetrit sikur vetes, që është vlerë fetare dhe humane. 
Për të ruajtur strukturën shoqërore dhe familjare, unë shoh se roli i gruas në edukimin e brezave të rinj, veçanërisht në frymën fetare, është mënyra më e mirë për të sfiduar dhe për të kaluar realitetin bashkëkohor dhe ndikimin negativ të mediave sociale. Duke kultivuar një rini me vizion, që punon fort drejt sukseseve, njëherit ruan vlerat morale që promovon besimi në Zot, mund të krijojmë një shoqëri më fort të lidhur me Krijuesin e më pak të ndikuar nga dukuritë negative.


- Mund të na elaburoni pak pozicionin e gruas në shoqëri sipas dispozitave islame?


- Gratë, si pjesë aktive e shoqërisë duhet të dëshmojnë vlerat më të përkryera, energjinë dhe kreativitetin ta përdorin për të mirën e tyre dhe të gjithë shoqërisë. Zoti i Madhërishëm thotë:
"Me të vërtetë që për muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të çiltrit) dhe të drejtat (të çiltrat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh" (El- Ahzab: 33-35)
Ajeti i mësipërm shpjegon se Allahu Fuqiplotë do të falë dhe shpërblejë çdo njeri që beson dhe respekton mësimet e Zotit, qoftë mashkull apo femër, pa kurrfarë diskriminimi në bazë gjinie. Ajo që mund të bën dallimin është vetëm prirja e natyrshme e secilit dhe zelli individual për dije e shkathtësia për punë. 
"Dhe kushdo që bën punë të mira, qoftë mashkull apo femër duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në xhennet dhe nuk u bëhet asnjë padrejtësi" (En-Nisa:124).
E gjithë kjo tregon se gratë në asnjë mënyrë nuk duhet të qëndrojnë larg asnjë veprimtarie të rëndësishme sociale. Dhe se përjashtimi i saj nga rrjedhat shoqërore, nga krijimi i thesarit të përvojës dhe dijes, nga vendimmarrja dhe planifikimi shoqëror bie ndesh me mësimet e Kuranit.


- Si është e organizuar një ditë e juaja në përgjithësi? Dhe si ke arritur të gërshetosh angazhimin profesional me angazhimet familjare?


- Menaxhimi i kohës për një nënë të përfshirë në karrierë dhe me një familje të madhe është një sfidë e vërtetë, por përpiqem të ndjekë këto udhëzime për të mbajtur gjithçka në kontroll: Përdor një orar të qartë për të planifikuar kohën për punë, aktivitetet familjare dhe kohën personale. Përfshi fëmijët e rritur në detyrat shtëpiake dhe organizative, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë përgjegjësinë. Prioritizoj detyrat më të rëndësishme dhe ato që duhet të bëhen menjëherë, ndaj detyrave më pak të rëndësishme dhe atyre që mund të vonohen ose që mund të shkallëzohen. Komunikoj hapur me bashkëshortin dhe kolegët për ndihmën e mundshme dhe për shpërndarjen e përgjegjësive në mënyrë të drejtë. Ndjekja e këtyre udhëzimeve më ndihmon të organizoj ditën në mënyrë efektive, duke i balancuar karrierën dhe familjen. Gjithashtu, ruaj fleksibilitetin për të përshtatur planifikimin sipas kushteve të ndryshme. Dhe, si rrjedhojë e këtij organizimi, me përkushtim i dedikohem punës sime për të ndihmuar studentët dhe për të përfituar intelektualisht nga studimi. Ndërkaq, familja për mua është oaza e qetësisë, ku gjej prehje dhe frymëzim për të vazhduar përpara.


- Sa dhe si ka ndikuar feja islame në jetën tuaj?


- Kam gjetur udhën e jetës. Përmes praktikimit fetar, gjithçka merr një kuptim të ri. Në jetë, përjetohen sfida dhe mundësi të suksesit dhe dështimit. Megjithatë, ndjehesh i kënaqur gjithmonë nëse drejtohesh nga udhëzimi hyjnor. Ky është qëllimi më i rëndësishëm që të motivon dhe të mbanë vigjilent dhe përgjegjës në të gjitha punët që bën.
Kurani i madhërishëm e shpreh qartë ndikimin e tij në mirëqenien e besimdrejtëve punëmirë kur ai thotë: "Kush punon vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, e është besimtar, Na do t'i japim atij që të kalojë jetë të bukur. Dhe, me të vërtetë, për veprat që kanë punuar, do t'i shpërblejmë ata me shpërblimin më të mirë se sa që e kanë merituar. (En-Nahl: 97)


- Cili është mesazhi juaj për të gjithë lexuesit e revistës "Familja"?


- Familja është thelbi i shoqërisë, burimi i harmonisë dhe rrënja e vlerave. Në një botë të ndryshme dhe me dinamikë të shpejtë, vlerat dhe lidhjet familjare janë bërë më të rëndësishme se kurrë. Familja jonë është si një kullë e fortë që ndërtohet mbi dashurinë dhe respektin reciprok. Në momentet e vështira, ajo është mbështetja jonë më e madhe, ndriçimi ynë në errësirë. Prandaj ruajtja e këtij institucioni themeltar është rruga drejt një shoqërie më të qëndrueshme dhe të lumtur. Le të vlerësojmë dhe të ndërtojmë mbi themelet e familjes, pasi ajo është thelbi dhe forca jonë më e madhe në jetë.


- Duke ju falënderuar shumë për kohën, përgjigjet dhe angazhimin tuaj në këtë intervistë, ju uroj edhe shumë suksese të tjera në vazhdim!


- Shumë faleminderit! Ishte kënaqësi për mua të jem pjesë e kësaj interviste. Ju uroj suksese në angazhimin tuaj!


 


Revista Familja Prill 2024


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme