Namazi i bajrameve dhe normat juridike islame

 


Hyrje


Pa dyshim së është nderi më i madh dhe lavdia më e lartë për besimtarët që Allahu i Lartësuar t’ua caktoj atyre se kur e kanë festë – Bajram. Kjo ngase besimtari është i sigurt se zgjedhja e Zotit të Madhëruar për njerëzit është më e mirë se zgjedhja e tyre për veten e tyre. Zoti i Madhëruar tha: “Për secilin prej jush kemi bërë ligj dhe mënyrë të jetesës.” (El Maide, 48).
Festat janë nder dhe privilegj për shoqëritë në përgjithësi. Për këtë, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çdo popull ka festën e vet, ndërsa (Bajrami) është festa jonë.” Festat janë veçori që e dallojnë çdo popull dhe shoqëri, e ne myslimanët në këtë aspekt dallohemi me dy bajramet. 
Bajrami në Islam është një manifestim i gëzimit dhe një mundësi e madhe për pastërtinë e shpirtrave, bashkimin e fjalës dhe përtëritjen e jetës. Bajrami nuk nënkupton që besimtari të tregojë neglizhencë ndaj obligimeve fetare, apo të heq dorë nga morali dhe etika gjatë festimit.
Myslimanët festat e tyre i manifestojnë duke e madhëruar dhe lartësuar Allahu e Madhërishëm, duke i bërë ibadet dhe duke i rikujtuar të gjitha të mirat dhe begatitë e Tij. Prandaj, edhe në rastet e bajrameve, myslimanët e fillojnë festën e Bajramit duke e falur namazin e bajramit, e më pastaj duke i ndihmuar dhe përkrahur ata që kanë nevojë, me qëllim që edhe të varfrit të jenë të gëzuar e të lumtur gjatë festave të Bajramit. 
Namazi i bajramit ka vlerë të madhe dhe se kjo vlerë bëhet e qartë nga fakti se Pejgamberi a.s. dhe shokët e tij i kanë kushtuar shumë rëndësi falje së namazit të bajrameve. I gjithë ky përkushtim ndaj namazit të bajrameve është bërë me të vetmin qëllim, që t’i shprehet falënderimi Zotit për begatitë dhe mirësitë e mëdha që sjellin dy bajramet te besimtarët. 
Prej urtësive të kryerjes së namazit të bajrameve mund të përmendim atë se si namazi, po ashtu edhe hytbeja e bajrameve, përfshijnë në vete bashkimin dhe tubimin e besimtarëve për ta përmendur dhe lavdëruar Krijuesin e Madhërishëm. Tjetra urtësi është se me faljen e namazit të bajrameve, besimtarët përveç adhurimit, shprehin gëzimin dhe lumturinë e përbashkët që e kanë në jetën e tyre fetare islame. 
Pa dyshim se dijetarët e jurisprudencës islame kanë ndarë mendimet e tyre rreth normave dhe rregullave qe kanë të bëjnë me namazin e bajrameve dhe rregullat që kanë të bëjnë me vetë dy bajramet.
Ne në këtë temë modeste do të përmendim vetëm shpjegimet dhe sqarimet e medhhebit hanefi duke mos u thelluar në detaje.
Norma e namazit të bajrameve 
Namazi i bajrameve është vaxhib, duke u bazuar në ajetin kuranor: “Falu për Zotin tënd dhe ther kurban.” (El Keuther, 2). Hanefitë, duke u bazuar në këtë, kanë sjell normën se namazi i bajrameve është vaxhib. 
Namazi i bajrameve është vaxhib për atë, për të cilin është farz xhumaja. Pra, namazi i bajrameve është vaxhib për këta persona:
1. Për mashkullin. Femra nuk e ka vaxhib namazin e bajrameve.
2. Ata që janë vendës në atë vend ku ka prijës, kadi apo myfti. Namazi bajrameve nuk është vaxhib për atë që konsiderohet udhëtar dhe që jeton në ato vende ku nuk ka prijës, kadi apo myfti.
3. Që personi të mos jetë i sëmurë. Personi i cili është i sëmurë dhe nuk mund të shkojë në xhami nuk e ka obligim faljen e namazit të bajrameve.
Koha e namazit të bajrameve
Namazi i bajrameve mund të falet afërsisht njëzetë minuta pasi të ketë lindur dielli e deri para se të hyjë koha e namazit të drekës. Rekomandohet që të shtyhet pak koha e namazit të Fitër Bajramit, ndërsa të namazi i Kurban Bajramit rekomandohet që të falet namazi në kohën e parë. 
Mënyra e të falurit të namazit të bajrameve
Për namaze të bajrameve nuk këndohet ezani e as ikameti. Ky namaz përbëhet prej dy rekateve, njëjtë sikur namazi i sabahut, por dallon në atë se në këtë namaz është vaxhib të këndohen tekbiret. Këto tekbire këndohen në këtë mënyrë: tri tekbire këndohen pas leximit të subhanekes në rekatin e parë, pastaj lexohet fatihaja dhe surja, ndërsa kur të ngrihemi në rekatin e dytë, pasi të lexohet fatihaja dhe surja, këndohen tri tekbire. Po që se tekbiret lexohen para leximit ose pas leximit, namazi konsiderohet i vlefshëm. Sa herë që të bëhen tekbiret, duhet të ngrihen duart.
Disa rregulla që kanë të bëjnë me namazin e bajrameve
1. Namazi i bajrameve ka shartet dhe ruknet, sikur edhe namazet e tjera të zakonshme, mirëpo, nëse namazi i bajramit është duke u falur, musaliu nuk ka abdest dhe nuk i mjafton koha për të marrë abdes, atëherë, i tilli, duhet të marrë tejemum për shkak se i është ngushtuar koha e faljes së bajramit.
2. Kur ndodhë që musaliu të arrijë imamin pasi t›i ketë kryer tekbiret, në këtë rast musaliu do ta bëj tekbirin fillestar e pastaj do t’i bëjë tekbiret e namazit të bajramit pa lexuar fare subhaneken. Nëse e arrin imamin në ruku, nëse ka mundësi i kryen tekbiret dhe shkon në ruku, e nëse nuk mundet, i bën në ruku.
3. Po që se musaliu e arrin imamin në rekatin e dytë, ai duhet ta plotësojë rekatin duke i kënduar edhe tekbiret.
4. Kur ndodhë që imami të këndojë më tepër se tri tekbire, muktediu duhet ta ndjekë doemos imamin.
5. Atij që i kalon namazi i bajramit pa e falur me imam, nuk duhet ta falë kaza.
6. Konsiderohet mekruh i lehtë të falurit e namazeve nafile qoftë në shtëpi apo në xhami para se të falet bajrami, po ashtu, mekruh është të falet nafile pasi të jetë falur bajrami në xhami, ndërsa, në shtëpi, nuk është mekruh të falësh namaz nafile pasi të jetë falur bajrami.
7. Është sunet që pasi të falet bajrami të mbahet hytbeja.
Kendimi i tekbirit të teshrikut 
Me shprehjen tekbiri teshrik, nënkuptohen ato tekbire të cilat fillojnë të këndohen pas namazit të sabahut të ditës së Arafatit d.t.th., natës së Kurban Bajramit dhe këto tekbire vazhdojnë të këndohen pas çdo namazi farz deri në farzin e ikindisë të ditës së katërt.
Forma e tekbirit teshrik është kjo:
اَللهُ أَكْبَرُ اللهُ أَكْبَرُ لاَ اِلَهَ إِلاَّ اللهُ وَاللهُ
أَكْبَرُ اللهُ أَكْبَرُ وَ لِلَّهِ الْحَمْدِ
“Allahu është më i Madhi. Allahu është më i Madhi. Nuk ka zot tjetër pos Allahut. Allahu është më i Madhi. Allahu është më i Madhi. Të gjitha falënderimet i takojnë Allahut!”.
Të kënduarit e tekbiri teshrikut është vaxhib vetëm një herë, e po që se këndohet më tepër është mustehab. Gruaja kur të këndojë tekbiri teshrikun duhet të këndojë me zë të ulët. 
Hytbeja e bajrameve
Të mbajturit e hytbesë është sunet. Hytbeja e bajramit përbëhet prej dy hytbeve, sikurse hytbeja e xhumasë. Hatibi, hytben e bajramit e fillon me tekbire. 
Disa rregulla të përgjithshme që kanë të bëjnë me ditën e Bajramit:
Preferohet pastrimi i dhëmbëve, trupi, parfumoja dhe veshja e rrobave më të mira për ditën e Bajramit. Larja e trupit rekomandohet të bëhet para faljes së namazit të bajramit, por lejohet të pastrohemi edhe para se të falemi namazin e sabahut dhe pastaj të shkohet në xhami i pastruar. 
Rekomandohet që të këndojmë tekbiret pa zë gjatë rrugës për në xhami.
Rekomandohet që të ndërrohet rruga kur të kthehemi për në shtëpi pas faljes së namazit të bajramit.
Femra nuk e fal namazin e bajramit vetmas në shtëpi, ngase ajo nuk e ka obligim.
Kur ndodh që të jetë dita e Bajramit në ditën e xhuma, namazi i xhumasë duhet falur edhe pse bajrami është falur më herët. Arsyetimi pse duhet falur namazi i xhumasë është ky: se namazi i xhumasë është farz, e farzi nuk lihet për shkak se është kryer një vaxhib (e që në këtë rast namazi i bajramit është vaxhib). 
Gjatë leximit të tekbireve nuk rekomandohet të bëhet asnjë lloj dhikri apo lutje. 
Namazi i bajrameve nëse i kalon dikujt pa e falur nuk duhet të bëhet kaza.
Rekomandohet që të hahet diçka para se të dilet për të shkuar në xhami për ta falur Fitër Bajramin, ndërsa në Kurban Bajram, rekomandohet të mos hahet asgjë derisa të falet namazi i bajramit.
Rekomandohet që në xhami të shkohet në këmbë, kuptohet nëse nuk është distancë e madhe dhe kushtet klimatike janë të përshtatshme për të ecur. 
Rekomandohet që namazi i bajramit të falet në vende të hapura kur janë mundësitë dhe rrethanat.
Agjërimi në ditët e Bajramit konsiderohet mekruh i rendë.
Rekomandohen urimet dhe vizitat gjatë ditëve të bajrameve.
Rekomandohet që në perëndimin e diellit të natës së bajramit e deri sa të falet namazi i Fitër Bajramit të këndohen tekbiret. 
Nuk është e mirë që të bëhen shpenzime të panevojshme dhe harxhime të tepërta, por sa ma shumë me u treguar solidarë ndaj atyre që janë të nevojshëm. 


 


Dituria Islame, nr. 401, prill 2024


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?