(E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja)
Allahu i Lartësuar i ka plotësuar begatitë mbi robërit e Tij besimtarë nëpërmjet asaj çka ua ligjësoi në librin e Tij, në praktikën e profetit të Tij, duke u garantuar gëzim dhe fitore në të dy botët nëse ata u përmbahen dispozitave dhe ecin udhëve të udhëzimit të Tij. Prej dyerve dhe fushave të mirësive të mëdha ishin investimet e myslimanëve prej pasurisë së tyre me atë çka Allahu i kishte begatuar në dobi të shoqërisë, si dhe të individit e bashkësisë islame në veçanti. Myslimanët garonin për të zbatuar dispozitat e Allahut të ardhura në Kuran: “Nuk do arrini sinqeritetin derisa të jepni prej asaj që doni më shumë.” (Ali Imran, 92). Si rezultat, vakëfet janë investimi më i madh që kanë kryer myslimanët ndikuar prej ajeteve të shumta të ardhura në Kuran. “Të dhuroni është më mirë për ju nëse jeni që e dini.”
Vakëfet hyjnë te sadakatë e rrjedhshme edhe pas vdekjes së robit në bazë të hadithit: “Kur vdes biri i Ademit, i ndërpriten punët e tij përveç tri rasteve, sadakaja rrjedhëse, dituri e dobishme ose një djalë (pasardhës) i mirë i cili lutet për të.”
Historianët e qytetërimit islam kanë shkruar e dokumentuar për rëndësinë e jashtëzakonshme të vakëfeve islame, duke i konsideruar vakëfet si motori themelor, mbrojtës dhe ushqyes për të gjitha çështjet jetësore të shtetit islam. Madje është elementi kryesor i financimit, furnizimit të bashkësisë dhe shtetit në të gjitha çështjet.
Rëndësia e burimeve të vakëfeve përfshinë pothuajse të gjithë shtetin islam, të gjitha grupet dhe shtresat e shoqërisë. Madje do ta kalojë rolin humanitar, nuk do përqendrohet vetëm te njerëzit, por do e shikojmë që do përfshijë kafshët dhe shpendët: kujdesin, mbrojtjen dhe ushqimin e tyre. Këtu përfshiheshin edhe kafshët e mëdha, të moshuara e të sëmura, të cilat do kishin kujdesin e tyre derisa të ngordhnin. E gjitha kjo prej shpenzimeve të vakëfeve. Të flasësh rreth institucionit të vakëfit në botën islame, është si të flasësh për një institucion social, financiar, ushtarak dhe fetar. Ka luajtur rolin kryesor në rregullimin e bashkësisë islame, formimin e perandorisë, si dhe ndërtimin e qytetërimit të saj. Vakëfet krijuan lidhje të fortë shpirtërore mes shtresave të ndryshme të shoqërisë: ndërmjet dhënësit dhe marrësit, ndërmjet të pasurit dhe të varfrit.
Vakëfet do mbajnë mbi shpatullat e tyre pjesën më të madhe të progresit të qytetërimit islam që nga përhapja e Islamit dhe thirrja në të; kanë hedhur në letër diturinë dhe e kanë përhapur atë; kanë ndërtuar xhami e rrugë; strehë për udhëtarët; kujdesin për jetimët, nevojtarët dhe moshën e thyer; ngritjen e bibliotekave dhe botimin e librave; ndërtimin e shkollave; vendqëndrimet për mësuesit dhe studentët.
Vakëfet i dhanë ymetit gjithçka, madje në disa raste ato ishin “alfa e omega”. Vakëfet përfaqësonin shtyllën kurrizore për të gjitha fushat e pushtetit dhe veprimtaritë e shtetit islam. Madje shteti mbështetej në dhurimet e vakëfeve për veprimtari të ndryshme duke pasur mundësi të angazhohej me çështje të tjera. Vakëfet islame ndikuan në ndjenjat e poetëve duke na lënë vargje poezie dhe kaside në të cilat kanë gdhendur rolin e rëndësishëm të vakëfeve në qytetërimin islam. Janë pikërisht këto poezi e kaside dëshmitare në kohë të shenjave e gjurmëve të qytetërimit islam. Prej fukahave që kanë shkruar poezi për vakëfet janë dijetarët si Sujuti, El Kendi etj..
Vakëfet me rolin që kanë luajtur i kanë paraprirë konventës bazë për të drejtat e njeriut të vitit 1948, ngase kjo konventë u jepte të drejta punëtorëve dhe bujqve, mirëpo vakëfet u kujdesën për një ymet të tërë, e jo vetëm për disa sektorë. U kujdesën për familjet që kishin humbur kryetarin e familjes; u kujdesën për pleqtë dhe të pafuqishmit për të fituar jetesën e tyre; u kujdesën për jomyslimanët të cilët ishin të pafuqishëm të punonin tokat e tyre; luftuan analfabetizmin duke shpërndarë arsimin falas; ndërtuan spitale për të sëmurët.
Ndonëse në shekullin e kaluar feja pati sfida të mëdha dhe vakëfet pësuan tronditje, mirëpo përkundër kësaj, ato arritën të qëndronin në këmbë dhe të mos kishte zëvendësues për to. Xhamia është një prej themeleve të rëndësishme të qytetërimit islam, madje shtylla ruajtëse e qytetërimit islam. Institucioni i vakëfit do të konsiderohet si një ndër burimet më të rëndësishme të financave për të vazhduar jetën e veprimtarive që kryhen në xhami që nga ligjëratat fetare të cilat përfshijnë fusha të ndryshme të jetës.
Sistemi i vakëfeve ishte shtylla kryesore për shkollat dhe institucionet arsimore që përfshinte mesxhidet, zavijet, hankat, mektebet; ashtu siç ishte shtyllë thelbësore për institucionet e përkrahjes sociale dhe për të gjitha institucionet shëndetësore.
Vakëfet përfshinin fshatra të plotë, fusha bujqësore, hamamet, hanet, furra, dyqane, mullinj dhe kuzhina për të varfrit, udhëtarët e studentët. Gjatë kohës së sundimit memalik dhe sidomos gjatë sundimit osman, vakëfet u shtuan shumë. Të gjitha qendrat e diturisë në mbarë botën islame ishin rrjedhim i sponsorizimeve të bëra nëpërmjet vakëfeve. Pa rolin e vakëfeve në atë periudhë, arsimi fetar dhe jofetar, nuk do kishte arritur të luante rolin e tij. Nuk do arrinte të zinte vendin e tij në shkencën botërore.
Vakëfet e institucioneve fetare-arsimore do të shtriheshin në mbarë botën islame. Nuk do njihnin kufij gjeografik. Nuk kishte mbetur qytet apo fshat pa vakëfe në shërbim të komunitetit. Vakëfet përgjatë historisë islame kanë pësuar ulje-ngritjet e tyre të kushtëzuara prej faktorëve të ndryshëm, përveç vakëfeve në fushën humanitare. Ato asnjëherë nuk ndalën përgjatë gjithë historisë islame. Vetë vakëfet në thelb janë veprimtari sociale-humanitare, të shtyrë nga arsye po sociale. U morën me organizimin e shoqërisë duke lehtësuar problematikat e saja.
U ndërtuan shtëpitë e të pastrehëve të cilat njiheshin si “shtëpitë e të varfërve”; u ndërtuan sebilet (çezmat me ujë) si dhe kuzhinat për të varfrit; u ngritën institucione për jetimët ku u mbuloheshin shpenzimet e nevojshme në ushqim, veshje e arsim derisa të rriteshin dhe të ishin të pavarur e të aftë për të fituar jetesën vetë; u ngritën institucione për të verbrit dhe moshën e thyer. Vakëfet u kujdesën për të vdekurit duke ua paguar të gjitha shpenzimet; kujdeseshin të organizonin ceremonitë martesore për të pamundurit financiarisht. Dhuruesi ishte i qartë në mbulimin e shpenzimeve që kryente mbi nevojtarët. Shkruheshin marrëveshje ku fiksoheshin detyrimet e palëve.
Spitalet vakëf kanë qenë të përhapura në mbarë hapësirën e botës islame, duke luajtur rolin e tyre më së miri në shërbim të ymetit. Spitali i parë vakëf i ndërtuar në shtetin islam është në vitin 88h gjatë sundimit të kalifit Velid ibën Abdylmelik, gjatë sundimit emevit në Damask të Sirisë. Të gjitha shpenzimet e spitalit që nga paga e mjekëve e me radhë, mbuloheshin prej vakëfeve. Ndërsa Ahmed ibën Tulun, do ndërtojë spitalin e plotë në vitin 259 hixhri në Egjipt. Njëkohësisht kujdes i është kushtuar edhe të sëmurëve mendorë, për të cilët caktohej kujdestari, i cili e nxirrte shëtitje në natyrë mes gjelbërimit dhe luleve, i lexonte Kuran butësisht për t’ia qetësuar zemrën.
Historia ka regjistruar gjithashtu vakëfin e pasur të cilin la sulltan Kalouni për bimaristanin e tij në Kajro, spital në të cilin kuroheshin të sëmurët fizikisht dhe mendërisht. Pajisi spitalin me ilaçe nga India, të cilat nuk mungonin kurrë, pagesa të kënaqshme për mjekët, tesha e ushqime për të sëmurët. Spitalit i ndërtoi kopsht të gjelbëruar si dhe kishte caktuar lexues të Kuranit për të sëmurët, të cilët gjithashtu paguheshin prej vakëfit të tij. Sponsorizimi në vakëfe përfshiu edhe moshën e thyer duke u ndërtuar Dar elmusinin, ose siç njihet sot “shtëpi pleqsh”.
Vakëfet kanë pasur rol ne uljen e papunësisë, duke ndërtuar institucione arsimore të profilizuara për ata të cilët nuk ishin në gjendje të mësonin ndonjë zanat, si dhe u jepej mundësia të trajnoheshin, të fitonin eksperiencën e duhur. Kjo shmangu fryrjet burokratike të shtetit, e cila përkthehet në më shumë punësime dhe pagesa për punonjësit në aparatin shtetëror.
Vakëfet kanë pasur rol shumë të rëndësishëm në forcimin e moralit dhe edukatës duke ngushtuar në maksimum rrëshqitjen. Vakëfet kanë treguar kujdes ndaj grave vejusha, të divorcuara e të braktisura prej burrave, duke u siguruar strehë, ushqim, kujdes shëndetësor për to dhe fëmijët e tyre, duke shmangur në këtë mënyrë që këto gra të kërkonin burime të ardhurash për të mbajtur veten e tyre dhe fëmijët me punë jo të ndershme.
Vakëfet kanë ndihmuar të burgosur të cilët prej pamundësisë për të paguar borxhet, kishin përfunduar në burg.
Tregon Ibën Batuta në një ndër udhëtimet e tij në Damask, se derisa po ecte qosheve të Damaskut, vuri re një djalë të vogël, shërbëtor në një ndër shtëpitë damaskiene, të cilit i kishte rënë pa dashje nga dora tasi prej porcelani kinez. U mblodhën njerëzit dhe e këshilluan t’i merrte copat e thyera dhe të shkonte te vakëfi i enëve të thyera. Aty kujdestari i vakëfit i jepte vlerën e enës së thyer dhe i thoshte të shkonte të blinte një tjetër si ajo. Ky ka qenë vakëf, i cili ruante dinjitetin e të varfrit përballë pronarit të tij, i cili prej zemërimit mund ta ndëshkonte shërbëtorin e tij ose t’i bërtiste në fytyrë. Këto vakëfe gjetën përhapje në shumë qytete të botës islame, si në Mekë, Bejrut, Egjipt, Tunizi dhe Fes.
Siç e shikojmë, Islami ka përhapur dritën e tij që nga lindja e deri në perëndim me anë të kujdesit që ka treguar për çdo individ të bashkësisë islame nëpërmjet institucionit të vakëfit.
P.D Abdurrahman ibën Ibrahim el-Dahjani,
“El-eukaf el-islamije ue duriha el-hadari el-madi ue el-hadir ue el-mustakbel”, (Medine el Muneuere, 2001, botimi i parë.)
Përktheu: Klodiana Xhaferaj
Dituria Islame 393