Fakulteti i Studimeve Islame promovoi programin e ri “Akademia – Studime Islame dhe Lidership”

 


Fakulteti i Studimeve Islame, ka promovuar sot programin e ri, “Akademia – Studime Islame dhe Lidership”. Akademia synon të trajnojë imamë predikues fetarë që kthehen pas studimeve nga vende të ndryshme. Ky program do të jetë në shërbim të të gjithë të diplomuarve jashtë vendit që njohuritë e tyre duan t’i shpërndajnë në Kosovë.


Në hapje të këtij programi mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava.


“Kjo Akademi synon përhapjen e frymës tolerante, frymës së dialogut e paqes, duke luftuar mendjet e mbyllura intelektuale dhe të gjitha manifestimet diskriminuese mes njerëzve. Ajo promovon mendimin e moderuar dhe mesatar që urdhëron feja islame, duke mishëruar kështu përkushtimin e besimtarëve islam “për fe e atdhe”, dhe duke sjellë gjithherë në mendje si burim frymëzimi rrënjosjen e frymës evropiane në mesin e shoqërisë sonë. Ajo sjellë në pah te të gjithë besimtarët se Islami është një besim, i cili pajtohet me zhvillimet e reja të qytetërimit  shqiptar dhe i mbështet ato pa mëdyshje, si rrugë të drejtë për t’u bërë pjesë thelbësore jo vetëm e së djeshmes, por edhe e së sotmes, dhe e së ardhmes së kombit tonë”, tha Myftiu Tërnava.


Dekani i FSI-së, Islam ef. Hasani, tha se qëllimi i programit është t’i ndihmojë të diplomuarit me sistemin arsimor në Kosovë.
“Është një program njëvjeçar për të diplomuarit dhe të tjerë të interesuar. Përmes këtij programi të diplomuarit jashtë vendit do të informohen për sistemin arsimor në Kosovë dhe sistemin e Bashkësisë Islame të Kosovës”, tha ndër të tjera dekani Hasani.


Drejtori i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, z. Naim Gashi, u shpreh i lumtur me bashkëpunimin me FSI-në, teksa tha se po punojnë së bashku edhe në programe të tjera.


“Ne si shoqëri dhe si shtet krenohemi me vlerat tona kombëtare, fetare dhe ato institucionale, prandaj kemi qëllim që këto cilësi t’i ndajmë edhe më të tjerët. Fakulteti i Studimeve Islame e ka pasur përkrahjen e plotë dhe do ta ketë edhe në vijim. Gjithashtu, jemi duke diskutuar për zgjerimin e gamës së programeve të FSI-së”, tha ndër të tjera z. Gashi.



Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?