Agresiviteti dhe krimi


Sjelljet agresive kanë ekzistuar si motive primitive irracionale, jo vetëm tek qeniet anomale, por fatkeqësisht edhe tek ato njerëzore. 
Veprimet e tilla janë shpesh të ndërlidhura me krimin. Jo rrallë ato kontrollohen dhe nuk përfundojnë me pasoja. Ka edhe raste kur agresiviteti rritet në shkallë afeksioni dhe përfundon me krim. 
Secili agresivitet nuk mund të jetë krim, ekziston dallimi në mes të agresivitetit dhe krimit, përkatësisht kriminalizimit të viktimës. Sido që të jetë, këto dy të këqija veprojnë në mënyrë unike gjer tek rrjedhimi kriminal. Agresiviteti është një çështje që kërkon sqarime multidimensionale, multishkenciore si p.sh në sferën socio-psikologjike, antropologjike, religjioze, biologjike, kriminalistike, juridike, shëndetësore e të tjera. 
Gjithherë, në çdo kohë është parashtruar pyetja ontologjike: Ku i ka rrënjët agresiviteti? Ka mendime në përgjigjen për këtë kësaj pyetje, sidomos tek sociologu Llombrozov, se një veprim i tillë sociopatologjik tek të rriturit si dhe delikuenca tek të miturit, qëndrojnë në natyrën e lindur të individit si predispozita negative natyrore, instinkte irracionale që të tjerëve t’u shkaktojnë ofendime verbale, dëmtime fizike e deri në privim nga jeta-krim. Në motivin biologjik fillesat e sjelljes agresive kanë bazë hormonale dhe, nga hiperfunksionaliteti i hormonit testisterol shkaktohet tendosja nervore, për arsye se baza organike fiziologjike-hormonale është në funksion të jetës psikike dhe nga ky rrjedhim ndodh sjellja agresive. Agresiviteti rrënjët mund t’i ketë edhe në mjedisin social dhe në interaksionet e marrëdhënieve të individit me mesin shoqëror, për arsye se individi jo vetëm është produkti i marrëdhënieve të mjedisit familjar, po edhe të grupit shoqëror në të cilin jeton dhe bashkëvepron. Ai shpesh, për t’u shquar nga të tjerët me çdo kusht, zgjedh formën e sjelljes agresive, në mënyrë që sjelljet e veta t’u imponojë me forcë të tjerëve; kjo zhvillohet në formë të një presioni agresiv verbal ose fizik. Ata që nuk pranojnë një presion të tillë, natyrisht duke kundërshtuar dhe reaguar me agresivitet, hyjnë në konflikt. Këtij konflikti i paraprin motivi dhe sjellja agresive në njërën anë, si dhe reagimi agresiv, në anën tjetër. Në fillim nis agresiviteti verbal (fyerja, etiketimet, kërcënimet etj.) e më vonë, këtij paragjykimi sistematik i paraprin predispozita për t’u futur në konflikt më të thellë gjer në konfrontim fizik. Pra, agresiviteti është motiv i luftarakësisë që në disa raste përfundon me plagosje serioze dhe me privim nga jeta-krim. 
Ky fenomen është trajtuar edhe në bazë religjioze: Rasti i “vëllavrasjes - Kainit dhe Kabilit!” mëkati më i madh i gjinisë njerëzore nga paraardhësit tanë, është një gjurmë e zezë që fatkeqësisht përsëritet në çdo kohë dhe çdo shoqëri. A thua fuqizohet ndonjëherë thënia e Hobsit në raste të tilla kriminale: “Njeriu për njeriun është ujk” tek individët e tillë kjo gjendje është e prirur nga egoizmi ekstrem; nga një egoizëm irracional rrjedh destruktiviteti si prirje e sëmurë që vepron si një obsesion i vazhdueshëm për të dominuar me çdo kusht, në mënyrë irracionale në raport me të tjerët. Dhe nga gjithë kjo gjendje e akumuluar, rrjedh konflikti - krimi. 
Duke mbajtur parasysh bindjen se njeriu është qenia më e humanizuar në planet, të cilën në çdo periudhë e ka karakterizuar interaksioni i solidarësisë e modestisë. Me gjithë suksesin human dhe integrues, ka edhe raste ku del në shesh irracionalja si formë e sjelljes primitive-agresive. Këtë edhe në periudha të hershme e ka përjetuar njerëzimi, mjafton të ilustrohet shembulli i inkuizicionit banal e brutal edhe në periudhat e mesjetës. Nga gjithë ky vështrim rrjedh mesazhi se njeriu është krijesë e ZOTIT FUQI PLOTË, që u krijua dhe u privilegjua me funksione humane që individualiteti i tij të konkretizohet në përmasën ekzistenciale në raport me veten dhe mjedisin social; këto dimensione do të përcaktonin edhe dimensionin interplanetar transhendental, ku tek njerëzimi do të zotëronin paqja, harmonia, respekti i ndërsjellë, si vlera universale humane dhe shpirtërore. 
Në KURAN (suretu esh-Shems) vërtetohet me ajete kuranore Fjala e ALLAHUT (ajeti 9) “... pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten” dhe (ajeti 10) “E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten”. 


 


Prof.soc. Murat Gashi
Dituria Islame  202


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme