Amër ibn Jasiri dhe familja e tij e përgëzuar me Xhenet

 


Abdullah ibn Omeri r.a. transmeton: “E pashë në ditën e betejës së Jemames, Amër ibn Jasirin si thërriste prej një shkëmbi: “O myslimanë, vallë po ikni prej Xhenetit? Unë jam Amër ibn Jasiri, ejani këtu”! Kur e pashë, vërejta se veshi i tij ishte prerë dhe i rrinte varur, mirëpo ai luftonte ende me ashpërsi.


Nga myslimanët e përgëzuar me Xhenet, është edhe familja e Jasirit, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Mund të themi se është një rast i veçantë dhe unik, që i Dërguari i Allahut paralajmëron një familje të tërë me Xhenet. Kjo familje si duket u përgëzua me Xhenet për shkak se sakrifikoi tej mase, duke u keqtrajtuar mizorisht nga mushrikët kurejshë në shkretëtirën e Mekës. Ata u torturuan vazhdimisht, pa u mëshiruar as natë e as ditë. Për këtë ngjarje dhe përjetimet e tërë familjes, Pejgamberi a.s. këtë familje e përgëzoi me Xhenet, duke thënë: “Duroni, o familja e Jasirit, pasi vendtakimi juaj do të jetë Xheneti”.(1) Jasir ibnu Amir El-Kendij është dëshmori i parë në islam, ndërsa gruaja e tij - Sumeje bintu Hababi, prej grave është dëshmorja e parë në Islam. Djali i tyre Amër ibnu Jasiri, është personi i parë në Islam që ka ndërtuar xhami. Për shkak të torturave dhe keqtrajtimeve çnjerëzore, Amri ishte detyruar të shprehej se e mohonte Islamin. Edhe pse e kishte thënë nga dhimbjet dhe torturat mizore, në vete ai ishte i shqetësuar për shkak se kishte mohuar Islamin, qoftë edhe formalisht. Ai kishte frikë se mos vërtet konsiderohej si jomysliman, edhe pse ato fjalë i kishte thënë nën trysninë e torturave. 
Kur kishte dëgjuar për këtë, Pejgamberi a.s. e qetësoi Amrin duke i thënë se ai vazhdonte të konsiderohej mysliman, sepse ai kishte parë me sytë e tij vrasjen e nënës e të babait dhe mohimin e kishte shprehur jo me mendje e me shpirt, po vetëm për të shpëtuar nga vdekja dhe torturat.(2) Në historinë islame dihet fare mirë se gjaku i dy prindërve të Amrit ishte gjaku i parë i derdhur në rrugën e Allahut xh.sh.. Lidhur me këtë, Zoti i Madhëruar në Kur’an ka thënë: “Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre”. (Ali Imran, 169) Familja e Jasirit u sprovua e tëra për çështjen e fesë islame. Ata duruan torturat më të vrazhda dhe secili i jepte guxim dhe kurajë tjetrit, duke përçuar shpirtin e qëndresës dhe të durimit. Ajo që dha familja e Jasirit në shërbim të Islamit, ishte vetë jeta e tyre. I vetmi që shpëtoi nga kjo familje, ishte djali i tyre Amri. Fjalët e të Dërguarit të Allahut drejtuar kësaj familjeje: “Duroni, o familja e Jasirit…”, në të vërtetë janë një moto që duhet ta mbajmë lart dhe të mësojmë nga shembulli i kësaj familjeje, që të durojmë keqtrajtimet dhe vuajtjet për kauzën islame. Sikur të ekzistonin njerëz që kanë lindur në Xhenet, të edukuar dhe të rritur atje, e pastaj të kthyer në Tokë për ta zbukuruar e ndriçuar atë, atëherë me siguri Amri, nëna e tij - Sumeja dhe babai i tij - Jasiri do të ishin në mesin e tyre. 


Cila është biografia e Amër ibn Jasirit 


Në të vërtetë babai i Amrit - Jasir ibn Amri e kishte lëshuar vendin e tij të lindjes në Jemen në kërkim të vëllait të tij. Mekën e kishte vështruar si një vend tërheqës, prandaj edhe ishte vendosur aty. Jasir ibn Amri ishte shoqëruar me Hudhejfe ibn Mugiren, i cili e kishte martuar me njërën prej robëreshave të tij - Sumeje bintu Hajat. Prej asaj martese, Allahu xh.sh. deshi që të lindte djali i tyre i bekuar - Amri. Siç thamë edhe më parë, këta e kishin pranuar Islamin herët dhe kishin përjetuar si të gjithë myslimanët e tjerë të parë shumë keqtrajtime dhe terrorizime prej kurejshëve.
Kurejshët, siç dihet kishin vënë pusi në çdo anë, me qëllim që t`i sulmonin besimtarët islamë. Nëse ndonjëri prej besimtarëve ishte me prejardhje nga familjet me autoritet e me fuqi, kurejshët i përcillnin dhe i kërcënonin. Sidomos Ebu Xhehli përcillte çdo besimtar dhe i thoshte: “Ti ke lëshuar fenë e stërgjyshëve të tu, e ata kanë qenë më të mirë se ti. Ne do të shkatërrojmë iluzionet tuaja. Do t`ju prishim tregtinë dhe do të humbim e do të tretim pasurinë tuaj”.(3) 
Nëse besimtarët ishin prej familjeve të pafuqishme, të varfra dhe robër të Mekës, kurejshët i digjnin me nxehtësinë e ferrit. Familja e Amrit i takonte kësaj kategorie shoqërore. Urdhrin për mundimin e tyre e kishte marrë fisi Benu Mahzum. Ata shpesh Jasirin, Sumejen dhe Amrin i nxirrnin në shkretëtirën e nxehtë të Mekës dhe i mundonin në mënyra të ndryshme. Sumeja përjetoi tmerret më të mëdha të atyre mundimeve. Mjafton të përmendim, pa u zgjeruar në këtë temë, që ajo vdiq si shehide. Ajo ditën e sakrificës qëndroi e fortë, prandaj për tërë njerëzimin meriton famë të përhershme dhe dinjitet të madh. Qëndrimi i tillë i saj e bëri atë nënë të besimdrejtëve në të gjitha periudhat dhe për të gjithë njerëzit e ndershëm të të gjitha kohëve. 
Jo rrallë gjatë historisë, viktimat e shumta dhe bujare bëhen themeli më i fortë që garantojnë qëndrueshmërinë e përhershme të pavdekshmërisë së fesë dhe të besimit. Këto janë kënaqësitë që zemrën e besimtarit e mbushin me përkushtim, lumturi dhe kënaqësi. Ato janë fanarë që drejtojnë gjeneratat e tjera drejt realitetit të fesë, drejt së vërtetës dhe drejtë madhështisë së saj.
Për këtë shkak, Islami është dashur të kishte sakrifica dhe viktimat e tij. Kuptimi i këtyre është ilustruar dhe u është përsëritur myslimanëve në disa ajete kuranore. Allahu xh.sh. thotë: “A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?”. (Ankebut, 2) Pastaj ajeti tjetër: “A mos menduat ju se do të hyni në Xhenet pa e ditur Allahu (pa e vërtetuar në praktikë) se cilët prej jush kanë luftuar dhe pa e ditur cilët prej jush ishin të durueshëm”.(Ali Imran, 142) Lidhur me sprovat, Allahu xh.sh. në ajetin vijues thotë: “Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, kështu që Allahu do t`i dallojë gjithqysh ata që e thanë të vërtetën e do t`i dallojë edhe gënjeshtarët”. (Ankebut,3) Dhe ajeti tjetër: “A mos menduat se do të mbeteni anash (pa u provuar), e pa u sqaruar tek Allahu ata që luftuan prej jush”.(Et Tevbe, 16)
Kjo është e vërteta. Kështu i mësonte Kur’ani bartësit dhe pasardhësit e tij, se sakrifica është esenca e besimit; se rezistenca ndaj provokimeve të padrejta ofron përhershmëri, durim dhe qëndrueshmëri, të cilat virtytin e besimit e bëjnë më të mirë dhe më të fuqishëm. 
Për këtë shkak, feja e Allahut, kur vuri themelet e saj, pra duke i vënë parimet dhe duke prezantuar modelet e shembujt e saj, është dashur të mbështetet në sakrificë dhe të pastrohet nëpërmjet saj. Për kryerjen e kësaj detyre mjaft me rëndësi, janë zgjedhur disa ithtarë, anëtarë dhe njerëz me qëllime të mira, që të bëheshin shembuj të mëdhenj dhe bujarë për besimtarët e ardhshëm. 


Durimi i Amrit 


Shokët e Amrit në shumë rrëfime të tyre kanë përshkruar torturat që kishte përjetuar ai. Amër ibn Hakemi ka thënë: “Amrin e mundonin aq shumë, saqë s’dinte se çfarë po thoshte”. Amër ibn Mejmuni ka thënë: “Idhujtarët e digjnin Amër ibn Jasirin me zjarr, ndërsa i Dërguari i Allahut kalonte përskaj tij dhe shtrinte dorën e tij drejt kokës së Jasirit, e thoshte: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe i padhembshëm për Amrin, sikurse ke qenë i ftohtë dhe i padhembshëm për Ibrahimin a.s.”. (En- Nahl, 106) Atij ia digjnin me zjarr lëkurën, e shtrinin në rërën e nxehtë të shkretëtirës dhe mbi të vinin gurë të nxehtë. Ia futnin kokën në ujë, në mënyrë që vështirë të mund të merrte frymë dhe plagët e djegiet ia kishin shkatërruar lëkurën plotësisht. Sikur të ishte pushtuar edhe disa çaste nën ndjenja të tilla, ata do ta kishin mbytur. Ai i duronte mundimet vdekjeprurëse nëpër trup, sepse shpirti i tij ishte i fuqishëm. Mirëpo, kur kishte menduar se ia mundën shpirtin, ishte stërngarkuar me brenga dhe me frikën nga vdekja e shkatërrimi. Allahu i Lartësuar deshi që ajo pamje shqetësuese të përfundonte në mënyrë të dinjitetshme. Kështu, Shpallja ia shtriu dorën Amrit, duke i thënë: “Ngrihu, o trim! Ti nuk je as fajtor e as i shkatërruar”. Kur i Dërguari i Allahut shkoi ta shihte, Amri qau. Duke ia fshirë lotët që i rridhnin nëpër faqe, i thoshte: “Idhujtarët të zunë, ta futën kokën në ujë dhe ti ke thënë këtë e këtë?” Amri, duke qarë, i ishte përgjigjur: “Po, o i Dërguar i Allahut!”Atëherë i Dërguari a.s., me buzëqeshje i thoshte: “Nëse ta bëjnë këtë sërish, ti thuaju njësoj”! Pastaj lexoi ajetin kuranor: “…me përjashtim të atij që dhunohet (për të mohuar), e zemra e tij është e bindur plotësisht me besim…”(4) 


Kontributi i Amër bin Jasirit pas hixhretit 


Myslimanët pas hixhretit (shpërnguljes) të të Dërguarit të Allahut,ishin vendosur në Medinë. Atje bashkësia myslimane filloi të formohej e të përsosej shumë shpejt. Në atë grup të besimtarëve, Amrit iu dha pozitë e dinjitetshme. I dërguari i Allahut, e donte shumë dhe shpesh ishte krenuar në mesin e ashabëve për fenë e Amrit dhe rrugën e tij. Ai për të kishte thënë: “Me të vërtetë, Amri është plotësisht i mbushur me fe”. 
Kur ndërmjet Halid ibn Velidit dhe Amrit ndodhi një mosmarrëveshje e vogël, i Dërguari a.s. tha: “Kush zihet me Amrin, ai zihet me Allahun xh.sh.. Kush e urren Amrin, Allahu xh.sh. e urren atë”.(5) Pas kësaj, Halid ibn Velidi, heroi i Islamit, u detyrua ta gjente Amrin me të shpejtë, për t’i kërkuar falje atij, duke shpresuar për faljen e tij të sinqertë. 
I tillë ishte Amri. Allahu xh.sh. e kishte shpërblyer me shumë bekime dhe me udhëzim. Kur flitet për udhëzimin dhe dëshminë e Amrit, ai kishte arritur nivel aq të lartë, saqë i Dërguari a.s. lavdëroi imanin e tij dhe në mesin e ashabëve e ngriti atë si shembull e model, kur tha: “Merrni për shembull dy veta që do të më pasojnë: Ebu Bekrin dhe Omerin. Kurse pasoni udhëzimin e Amrit.”(6) Bibliografët e përshkruajnë: “Ishte i madh, kishte sy të kaltër në të mbyllët, shpatulla të gjera dhe ishte ndër më të heshturit, pra nga personat që flasin më së paku”.Bashkë me mësuesin dhe me të Dërguarin e tij, kishte marrë pjesë në të gjitha betejat: në Bedër, në Uhud, në Hendek, në Tebuk dhe në beteja të tjera. Kur i Dërguari a.s. u shpërngul në Botën tjetër, ky ashab i dalluar vazhdoi rrugëtimin e tij. Kur myslimanët u përleshën me persianët, me bizantinët dhe, para kësaj, me ushtrinë e mynafikëve (dyfytyrëshve), Amri gjithmonë ishte atje në radhët e para, i sinqertë dhe luftëtar trim, që kurrë nuk kishte lëshuar shansin. 
Ishte besimtar që I frikësohej Zotit. Kurrfar lakmie nuk do të mund ta largonte prej Allahut xh.sh.. Kur prijësi i besimdrejtëve, Omer ibn Hatabi, zgjidhte me kujdes mëkëmbësit e tij për myslimanët, zakonisht sytë me plot besim i ndalonte tek Amër ibn Jasiri. Këtë e kishte emëruar mëkëmbës të Kufës, kurse Ibn Mesudin e kishte emëruar të ishte ndihmësi i tij për thesarin (bejtul-mal). Pastaj popullit të Kufës i kishte dërguar letër inauguruese, në të cilën kishte shkruar: “Po ju dërgoj Amër ibn Jasirin për mëkëmbës, kurse Ibn Mesudin për mësues dhe ministër. Që të dy janë ashabë të dalluar të të Dërguarit të Allahut, dhe këta janë njerëzit e Bedrit”.(7) Gjatë udhëheqjes së tij, Amri kishte pasuar drejtimin që ishte i vështirë, me qëllim që të pasohej nga njerëzit e kësaj bote, kështu që mungoi fare pak që të ngriheshin kundër tij. Për sa u përket kënaqësive të kësaj bote, pozita e tij e udhëheqjes e kishte bërë edhe më modest, më të devotshëm dhe më të ashpër ndaj vetvetes. 
Njëri prej bashkëkohanikëve të tij në Kufë, Ibn Ebi Huzejli, për të kishte thënë: “E kam parë Amër ibn Jasirin kur ishte mëkëmbës i Kufës, si blinte disa perime. Ai i kishte lidhur ato me litar dhe i bartte në shpinë për në shtëpi”.(8)
Derisa ishte mëkëmbës në Kufë, një njeri e kishte thirrur: “Hej, ti me veshë të prerë”! Ai ishte tallur me të për shkak të veshit që ia kishin prerë shtizat e dyfytyrëshve në kohën e betejës së Jemames. Mëkëmbësi, i cili në duart e tij e kishte ligjin dhe forcën, atij që e ofendoi, vetëm i tha: “Ti e ke ofenduar pjesën më të vlefshme të veshit tim. Kjo pjesë është këputur në rrugën e Allahut”. 
Kjo është e vërtetë. Veshi i tij ishte këputur në rrugën e Allahut në ditën e betejës së Jemames. Pra, ajo ishte njëra prej ditëve më të famshme të Amrit. Ky njeri trim ishte nisur me vullnetin dhe fuqinë për t’i shkatërruar luftëtarët e ushtrisë së Musejleme Kedhabit. Kur e ndiente mungesën e entuziazmit në mesin e myslimanëve, ngrinte fuqishëm zërin e tij. Ai zë i çonte përpara dhe ishte si shigjetë e gjuajtur. 
Abdullah ibn Omeri r.a. transmeton: “E pashë në ditën e betejës së Jemames, Amër ibn Jasirin si thërriste prej një shkëmbi: “O myslimanë, vallë po ikni prej Xhenetit? Unë jam Amër ibn Jasiri, ejani këtu”! Kur e pashë, e vërejta se veshi i tij ishte prerë dhe rrinte varur, mirëpo ai ende luftonte me ashpërsi”.(9)


Përfundim 


Nëse dikush ka ndonjë dilemë në lidhje me shëmbëlltyrën e Muhamedit a.s., me mësuesin e përsosur për mbarë njerëzimin, le ta korrigjojë vetveten dhe le ta krahasojë me këta shembuj të nxënësve të të Dërguarit e le të shtrojë pyetjen: “A mund të krijojë dikush tjetër përveç Muhamedit a.s., mësuesit bujar dhe të famshëm, mënyrë kaq të drejtë të të jetuarit”? Kur ishin në fushëbetejë në rrugën e Allahut, ata vraponin sikur të kërkonin vdekjen dhe jo vetëm fitoren. Kur zgjidheshin halif apo mëkëmbës, shkonin vetë t`i milnin kafshët për jetimët dhe kështu t`i ushqenin ata, siç kishin vepruar Ebu Bekri dhe Umeri r.a.. Kur bëheshin mëkëmbës, ushqimin e bartnin në shpinë të lidhur me litar, siç kishte vepruar Amri. A nuk duhet të përulemi e të shprehim respekt para fesë islame, e cila kishte ndërtuar personalitete të tilla edhe para të Dërguarit të Allahut, që i mësonte ata. Këta shembuj duhet të jenë model edhe për besimtarët e ditëve të sotme, pra edhe për ne. Allahu i pastë mëshiruar me Xhenetin firdeufs! 



____________
1. Xhasim Mutava, Të përgëzuarit me Xhennet, Shkup, 2010, f. 222. 
2. Po aty, f. 223. 
3. Halid Muhamed Halid, Burrat përreth Pejgamberit, Shkup, 2008. f. 161-162. 
4. Halid Muhamed Halid, Ibid. f. 164. 
5. Halid Muhamed Halid, Ibid. f. 166. 
6. Po aty, f.167. 
7. Po aty. 
8. Po aty, f. 168. 
9. Po aty.


 


Dr. Fahrush Rexhepi