Meqenëse kjo forcë e rëndesës ose e tërheqjes kozmike drejton gjithmonë njësoj dhe në mënyrë të qëndrueshme të gjitha lëvizjet në sistemin diellor, e bën atë një orë kozmike të vërtetë, të përsosur, vigane. Kjo orë, me gjithë madhësitë e rrotave të saj, me gjithë largesat e njërës prej tjetrës dhe shpejtësitë, me të cilat rrotullohet rreth vetes dhe rreth Diellit, është aq e përsosur, saqë nuk ka vonesë kurrë asnjë orë, asnjë minutë, madje asnjë sekondë. Kjo orë kozmike vigane komandon të gjithë observatorët tanë, të gjitha fabrikat tona të orëve dhe të gjitha orët tona të xhepit, vlejnë vetëm nëse dhe po qe se e dëgjojnë këtë Orë Kozmike, dhe janë vetëm aq të përsosura sa i përgjigjen asaj. Nëse nuk është e mundshme që të rregullohen sipas saj, atëherë dhe nuk vlejnë asgjë!
Nëse shikojmë para, Diellin dhe planetet që rrotullohen rreth tij, në të vërtetë rrotat e kësaj ore kozmike vigane, si dhe se me cilat shpejtësi dhe në të cilat largesa sillen këto rrota rreth qendrës së vet dhe forcën që i drejton dhe i mban në rend që të gjitha këto, e shohim se kjo orë diellore është një kryevepër arkitekturale e përsosur dhe gjeniale, e cila nuk ka ndër ne as shoqe dhe as imazh. Por, ajo megjithatë ka dhe shoqe, dhe imazhe, që janë në ndërtimin e sistemeve të tjera kozmike, sepse sistemi ynë diellor është vetëm njëra ndër kryeveprat e tjera gjigante, përsosurisht të ndërtuara, në gjithësi.
Astronomë dhe natyralistë të tjerë i thurin lavdi Krijuesit të gjithësisë
Themeluesit e astronomisë moderne – Që të mos lëmë pa përmendur fare astronomë të mëparshëm, do të themi për ta diçka vetëm shkurt, dhe kjo vetëm për të mëdhenjtë, për themeluesit, për ata që i kanë hedhur themelet astronomisë moderne.
Ne e kemi sot të ditur mirë sistemin diellor, heliocentrik, të Kopernikut, atë sistem të cilin e përshkruam më parë në vija të përgjithshme, në dallim nga sistemi gjeocentrik ose i Ptolemeut. Njerëzit, edhe të diturit edhe të paditurit, e kishin këtë sistem të Ptolemeut gjithnjë deri te Nikollaj Koperniku (1473-1543). Koperniku nxori dhe shtjelloi pohimin e vet se Toka nuk është qendra, rreth së cilës rrotullohen Dielli dhe planetët, siç mendonin deri atëherë, veçse përkundrazi, Dielli është qendra, rreth së cilës rrotullohen edhe Toka, edhe të tetë planetët e tjerë. Prandaj ky sistem edhe quhet sistemi i Kopernikut ose Diellor, heliocentrik (greqisht: helios – diell). Këtë e kanë pranuar edhe e pranojnë të gjithë astronomët, edhe të mëdhenj edhe të vegjël; këtë shkencë ata vetëm e ndriçojnë më tej dhe punojnë në të.
A i flisnin gjë për Zotin Kopernikut të madh sistemi diellor dhe gjithësia? “Kush do të mund të qëndronte pa u tërhequr drejt Fuqimadhit - këlthet ai - dhe që të mos mahnitet nga Krijuesi i Gjithëfuqishëm, nëse i shkon mendja se si e ka rregulluar gjithësinë Zoti i Gjithëfuqishëm!”(1) Edhe mbishkrimi në varrin e Kopernikut flet qartazi për qëllimin e tij ndaj Zotit: “Nuk lutem për mëshirën, çfarë ia fal Palit” - shkruan kështu në gurin e përmbivarrshëm të Kopernikut“ - as për falje të mëkateve, çfarë ia dhe Pjetrit, veçse Të lutem nga zemra që të ndjesh ashtu siç e ndjeve kusarin në kryq”.(2)
Themeluesi i dytë i astronomisë moderne është Johan Kepler (1575- 1630). Kepler ka zbuluar tri ligjet kozmike bazë, të cilat shpjegojnë se si sillen rreth Diellit Toka dhe planetët e tjerë. Këto ligje dhe quhen sipas Keplerit “Ligjet e Keplerit”.
Po, a i flisnin gjë atij për Zotin këto ligje dhe gjithësia?
“Të falënderoj, Krijuesi dhe zotëria im - shkruan Kepleri - që t’i thurja lavdi krijimit Tënd, që të mahnitesha nga veprat e Tua, nëse mundi të kuptonte arsyeja ime e kufizuar madhështinë Tënde të pamatë. Nëse thashë gjë që do të ishte e padenjë për Ty, ose nëse kërkova ndokund lavdinë time, atëherë ki mëshirë dhe më ndje”.(3)
Themeluesi i tretë i astronomisë moderne është Isak Njuton (Izaak Newton, 1643-1727). Merita kryesore e tij është se ka zbuluar dhe ka shtjelluar ligjin e rëndesës, të tërheqjes ose të gravitacionit kozmik. Ky është njëri nga zbulimet natyroreshkencore më të rëndësishme të të gjithë shekujve.
A i fliste gjë për Zotin Njutonit gjithësia?
“Rregullimi jashtëzakonisht i mrekullueshëm i Diellit, i planetëve dhe i kometave - thotë kështu Njutoni - ka mundur të krijohet vetëm ngaqë vetëm Zoti i Gjithëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm ka dashur dhe e ka dhënë”.(4) Njutonin e përshkonte aq shumë respekti ndaj Zotit, për të cilin i fliste gjithësia e yjëzuar, saqë e kishte zakon të hiqte kapelën dhe të përkulej, kur dëgjonte ta thoshte dikush emrin e Zotit. Për të thuhet edhe kjo, se, kur shikonte gjatë mbrëmjeve të kthjellëta gjithësinë e qëndisur me yje, do të hiqte kapelën edhe atëherë dhe kishte për t’u përkulur, sepse i bëhej sikur dëgjonte se si I këndonte gjithësia Krijuesit të vet: aliluja!
Galileo Galilei (1564-1642) është themeluesi i katërt i astronomisë moderne. Ka shpikur teleskopin e parë dhe me anën e atij teleskopi ka zbuluar hënat e Jupiterit dhe unazën e Saturnit. Për Zotin shkruan kështu: “Unë nuk jam në vete dhe i jam mirënjohës pa masë Zotit që më bëri të zbuloj mrekulli kozmike aq të mëdha!”(5)
Me këtë klasik të astronomisë moderne të përmendim edhe Urban Leverierin, “një gjigant në astronominë moderne”, siç e mbiquan drejtori i Observatorit të Griniçit (Greenwich). Leverier ka zbuluar planetin e Ne ptunit pasi kishte mbushur me llogaritje, lidhur me shmangiet e planetit të Uranit, dhjetë mijë faqe.
Një ditë - që ndodhi pak para vdekjes së tij - kur ia sollën nga shtypshkronja faqen e fundit të veprës së tij mbi Neptunin, kishte thirrur me këto fjalë të Shkrimit të Shenjtë: “Tash e lër të qetë shërbëtorin tënd, Zotëri!” Njëherë Mgr. De Coutances do t’i thoshte: “I dashuri mësues, ja, tash jeni ngjitur tek yjet”. “Po, Coutances, -do t’ia priste Laverrier- por, unë kam caktuar edhe më shumë, unë shpresoj fort se do të ngjitem në qiejt”.(6)
Natyralistët e rinj dhe më të rinj, sidomos astronomë. - As astronomët e rinj dhe më të rinj nuk mbesin mbrapa themeluesve të sipërpërmendur të astronomisë në panegjirikun që I bëjnë Krijuesit të gjithësisë. “Jemi plot me nderimin më të thellë – thërret astronomi K. W. Wagner - kur mendojmë për ngjarjen vigane në gjithësi, për largësitë e padepërtueshme, por prapëseprapë të matura... edhe për të fshehtat edhe më të thella që qëndrojnë prapa këtyre sendeve. Qiejt shpërndajnë lavdinë e Zotit...”.(7)
Duke pasur parasysh marrëdhënien mes shkencave të natyrës dhe fesë, në veçanti marrëdhëniet mes astronomisë dhe fesë, astronomi R. Bourgeois, anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave të Natyrës, shkruan: “Zbulime të reja theksojnë gjithnjë e më shumë për çdo ditë se në tërë gjithësinë gjithçka lëviz sipas ligjeve unike, se gjithkund në përbërjet kimike sundojnë ligje unike dhe se gjithçka vjen nga Një Nismës. A nuk dëshmon kjo se lënda nuk ka mundur t’ia imponojë vetë vetvetes ligjet që përcaktojnë lëvizjen e saj, edhe që vetëm një Mendim, i cili e ka krijuar, drejton dhe sundon zhvillimin e botës?....
Asgjë nuk është kundër që fryma shkencore të përputhet me bindjen e formuar fetare; përkundrazi, shqyrtimi i thellë shkencor e përforcon këtë harmoni, sepse ai nxjerr edhe më fort në dritë atë që ka bërë Krijuesi”.(8)
Kjo njësi e ligjeve astronomike të lëvizjes dhe të tërheqjes, të cilat sundojnë në gjithësi, e pushton edhe H. Androyerin, i cili është gjithashtu astronom dhe një anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave të Natyrës. Andoyer pohon vendosmërisht se fakti që nuk mund ta kapim dot qenësinë e sendeve; që nuk mund ta mposhtim dot paditurinë tonë; fakti që arsyeja jonë aspiron ligjet e përgjithshme dhe unike, do të thonë domosdoshmërisht se është një Zot, i cili është Gjeometër edhe Arkitekt, edhe Mekanik, edhe, thënë më thjesht, një Krijues”.(9)
Në gjuhën e njëjtë flet edhe një anëtar tjetër i Akademisë Franceze, astronomi P. Puiseux. “Se, sa shumë që jepet më me qejf njeriu pas kërkimeve - shkruan ky astronom i njohur - nëse ka bindjen se një Arsyelirë dhe më e larta sundon në gjithësi, dhe se secili send, nga mjegullnaja e deri tek atomi, në të cilin mund të arrijmë, mund të na e zbulojë ndonjë veprim të radhës së amshuar”.(10)
“Në këtë gjithësi, ku gjithçka, në fund të gjithçkaje është i Pafundi! - thërret Ch. Moireux, edhe ky një anëtar i Akademisë në fjalë. -Se ç’njësi kolosale, e lartë! Përfytyroni-nëse ju përshkon ajo që është e pamundshme-një pamje më madhështore të bukurisë së kthjellët dhe më mahnitëse, një burim më të pastër të një ëndjeje më të lartë! Vrojtoni, mahnituni, peshoni, krahasoni, ëndërroni, fantazoni! E kur nuk mund të bëni më tej me anë të arsyes dhe ta shihni se jeni i pafuqishëm, i mposhtur, i dërrmuar, i tronditur, mbrohuni, nëse mundeni, që të mos ju rrëmbejë ndjenja e përulësisë para së fshehtës magjike, madhështia e së cilës ju pushton dhe ju huton. E, nëse nuk mund të mbroheni, atëherë pranojeni se ju duhet të arrini patjetër në konkluzionin... ndaj më thoni se a ju shkon mendja për ndonjë Qenie të gjithëfuqishme e të përsosur, ndonjë Mbiqenie, Krijues dhe Ligjvënës i gjithësisë... ”(11)
Sikur të ketë rënë në ujdi me këta astronomë francezë, flet edhe astronomi rumun Aristid Caradje. “Sa më thellë që ta njohim natyrën-kështu i shpreh përjetimet e veta ky astronom-edhe Zoti na tregon gjithmonë si gjithë ajo Fuqi më e fuqishme... ”(12) Sigurisht se këtu nuk bën assesi të mos përmendim dy astronomët anglezë modernë më të mëdhenj: Stanly Artur Eddington dhe J. Jeans. Eddington shkruan: “Shkenca mund të zbulojë njërën pas tjetrës të fshehta të natyrës, por nuk do të arrijmë kurrë në dukjen e vërtetë të gjithësisë. Shkencat moderne të natyrës dhe astronomia shpien pashmangshmërisht tek Zoti... Gjithësinë e njeh deri në fund vetëm Ai që e ka shestuar dhe Krijuar”.(13) Edhe J. Jeansin e mahnitin lëvizja dhe ndërtimi i rregullt, përsosurisht sa s’thuhet në gjithësi, ndaj kjo e çon në mënyrë të papërmbajtshme tek një Krijues i urtë pa masë. “Makar të jetë kjo që do ta them-shkruan kështu në një përjetim të thellë të vet J. Jeans-e nde shumë e paplotë dhe të mos e shprehë mendimin tim deri në fund, do të bëjmë më së miri, nëse e marrim me mend se gjithësia përbëhet nga vetë mendimet; mund ta përfytyrojmë si mendime të një Qenieje, të cilën duhet ta paramendojmë në vete si një Matematikan të madh pa masë, meqenëse nuk kemi fjalë, e cila do Ta emërtonte më mirë... “ “Ligjet e natyrës - vazhdon J. Jeans-mund t’i mendojmë si ligje të një Shpirti të pafund...” “Edhe shkencës moderne gjithësia i paraqitet ngapak më shumë si një mendim i madh sesa si një makinë”.(14)
Me një fjalë, ky astronom i madh bashkëkohor, ashtu si të gjithë të tjerët radhazi, të cilët të sipërpërmendurit vetëm sa i përfaqësojnë, nuk gjejnë fjalë të mjaftueshme për të shprehur gjithçka që ua ndien shpirti kur shikojnë gjithësinë vigane dhe kur mendojnë për madhësinë e saj, për largësitë e diejve të panumërt kozmikë si dhe për shpejtësitë e rrufeshme, me të cilat sillen, e nuk gjejnë fjalë të mjaftueshme për arsye se e shohin se sa shumë të vegjël që janë para kësaj vepre të Arsyes së paanë të Zotit.
_________________
Fusnotat:
1. Tek: O. Zockler, Gottes Zeugen im Reich der Natur (Gutersloh 1905) 81
2. “Non parem Puli gratim requiro, Veniam Petri neque posco, sed quam In crucis ligno dederas latroni. Sedulus oro. “Tek: O. Zockler, vep. e cit. 83
3. Tek: O. Zockler, vep. e cit. 134.
4. Tek: O. Zockler, vep. e cit. 175.
5. V.: “Rheinischer Merkur”, Pfingsten 1958, fq. 20.
6. Tek: A. Eymieu, La part des croyants dans les progres de la science au XIX siecle (Paris 1920) I, 63-67
7. K. W. Wagner, Bau und Entstehung des Weltalls (Braunschweig 1949) 35.
8. V.: R. de Flers, Le sentiment religieux et la science. Anquete supres des Members de l’Academie des Sciences (Paris 1928) 51- 52.
9. V.: R. de Flers, vep. e cit. 20.
10. V.: R. de Flers, vep. e cit. 134.
11. V.: R. de Flers, vep. e cit. 118.
12. A. Caradja, Meine Weltanschauung, në “Natur und Kultur”, Nov. 1937, 438.
13. V.: J. M. Lenz, Die Himmel ruhmen... Bilder vom Weltall (Innsbruck-Wien 1950) 502.
14. J. Jeans, Der Weltenraum und seine Ratsel (Munchen 1951) 193, 198, 208, 209.
Mr. Hamdi Thaçi
Dituria Islame 208-209