Hyrje
Trashëgimia e letërsisë shkencore islame në gjuhën arabe është njëra ndër më të pasurat në botë. Me fjalën letërsi këtu nuk synohet proza e drama, por tërësia e veprave shkencore islame, që janë shkruar në gjuhën arabe deri më sot. Ajo zë fill që në shekullin e parë hixhri, prej ku për disa shekuj me radhë pati një përparim të dukshëm. Momenti kur ajo arriti pikën kulmore dhe filloi e mori tatëpjetën nuk është shumë i qartë. Rënia e Bagdadit në vitin 656 hixhri (1258 gregorian) nën kthetrat mongole ndoshta mund të merret si njëra prej këtyre pikave më të mundshme edhe pse pastaj veprimtaria shkencor islame në gjuhën arabe përsëri deri diku e mori veten në periudhën e memlukëve dhe pastaj atë të osmanëve. Mirëpo një gjë është e sigurt, sot veprimtaria autoriale shkencore islame në gjuhën arabe në krahasim me të kaluarën edhe për sasi edhe për cilësi duket në një gjendje të përgjumur.
Gjatë tërë kësaj periudhe 14 shekullore, nga duart e dijetarëve islam lindën dhe u zhvilluan shkenca të mëdha, kryesisht islame si: gjuha arabe, tefsiri, hadithi, kelami, fikhu dhe tesavufi. Këto shkenca pastaj u degëzuan në degë të mëdha shkencore dhe për secilën prej tyre u shkruan vepra të ndryshme. Një numër i madh i këtyre veprave janë dorëshkrime që ruhen nëpër biblioteka dhe që akoma se kanë parë dritën e botimit modern. Për ta vërtetuar këtë mjafton t›u hidhet një shikim indekseve të dorëshkrimeve arabe nëpër biblioteka, qofshin ato në trojet tona ose evropiane. E çka të themi për fondin e këtyre dorëshkrimeve që ndodhen në Turqi, Lindje të Mesme, Lindje të Largët e Indi. Sa për shembull vlen të theksohet se Fondacioni për Trashëgimi Islamike “El-Furkan” në Londër në botimin e tyre të veprës bibliografike “Keshfu’dh-Dhunun” të Katip Çelebiut (Haxhi Halifesë) kanë bërë edhe numërimin e librave të regjistruara nga Çelebiu në këtë enciklopedi. Libri i fundit që është regjistruar mban numrin 20696.(1) Në disa burime të tjera theksohet se Katip Çelebiu (Haxhi Halifeja) në “Keshfu’dh-Dhunun” ka regjistruar të dhëna bibliografike për librat e rreth 10 mijë autorëve myslimanë, që kanë shkruar në më shumë se 300 degë të shkencës.(2) Nga ana tjetër, bibliografi tjetër i madh Ismail pashë Bagdadi, në librin e tij bibliografik “Hedijetu’l-arifin” ka regjistruar të dhëna bibliografike për rreth 50 mijë vepra.(3) Shumica absolute e këtyre veprave janë në arabisht, aty-këtu ka edhe persisht dhe turqisht (osmanisht), mirëpo mjerisht shumë prej këtyre llogariten të humbura. Ky numër i madh veprash shkencore islame është marramendës edhe pse nuk është gjithëpërfshirës. Ai bëhet akoma më marramendës, atëherë kur kihet parasysh se prej tyre ka tituj që janë shumëvëllimësh. Për shembull, kryevepra e hanefive të vonshëm me titull “Raddu’l-Muhtar ale’d-Durri’l-Muhtar” e njohur më shumë si Hashija e Ibën Abidinit, në botimin e fundit të daru’s-selamit ka 24 vëllime. Shembull tjetër, Tarihu Dimeshk në botim ka 74 vëllime, etj.. Si këta shembuj ka me mijëra e mijëra tituj të veprave voluminoze të shkencave islame.
Definimi dhe përkufizimi i termeve të nevojshëm
Numri i literaturës së dijetarëve hanefi është shumë i madh. Studiuesi prof. dr. Jusuf Mer’ashliu, në punimin e tij 4 vëllimesh mbi literaturën hanefite (fikh, usul, akide, histori, hadith, tefsir, etj.) ka regjistruar rreth 6225 tituj të veprash të rreth 1788 dijetarëve hanefi.(4) Kuptohet edhe ky numërim nuk është gjithëpërfshirës.
Kush lexon a hulumton disa faqe për një mesele të vetme fikhore në një libër të zgjeruar të fikhut hanefi, ai vë re një shumëllojshmëri zhanresh të veprave fikhore të hanefive si p.sh. dhahiru’r-rivajeh, el-nevadir, el-mutun (el-muhtesarat), el-shuruh, el-havashi, el-fetava, etj.. Secili lloj i këtyre veprave ka stil dhe metodologji të veçantë. Në këtë hulumtim krejtësisht do të flitet për një numër të caktuar të veprave të llojit el-mutun të fikhut të medhhebit hanefi, të cilin lloj veprash në shqip e kemi përkthyer si doracakë. Ndërsa, kalimthi me automatizëm do të theksohen edhe ca libra të llojit el-shuruh, e që janë komente dhe analiza shkencore të doracakëve në fjalë.
Termi “el-mutun” është fjalë arabe në trajtën e shumësit, njëjësi i së cilës është “el-metën”. Në origjinal fjala metën në arabisht ka kuptimet: shpinë e fortë, kurriz, pjesa kryesore, pjesa e ngritur dhe e fortë e tokës, etj..(5) Në shqip, leksikografët i japin këta kuptime: i fortë, i durueshëm, solid, ndërtoi mirë, ngriti mirë tendën, përforcoi, shpinë, tekst, shtrat, vijë, bord, sipërfaqe e tokës, etj..(6) Këtu nuk flitet për termin el-metn të shkencës së hadithit, por për atë që më vonë do të njihet si lloj librash shkencor. Gjuhëtari i famshëm, El-Muhibij, për llojin e librave el-metn thotë: “El-Metën është libri bazë në të cilin shkruhen çështjet thelbësore. Karshi tij qëndron libri El-Sherh. Si term është fjalë e porsaformuar që nuk është transmetuar nga arabët, por është fjalë që ka ardhur nga tradita si përngjasim me anën e sipërme të shpinës...”(7) Pra, pak më vonë fjala el-metën filloi të përdoret edhe për librat që ishin tekst bazë mbi të cilët shkruheshin komente dhe shpjegime. Me fjalë të tjera, libri që komentohet i ngjanë diçkasë së fortë e të ngritur mirë me përforcime, ose asaj shpinës së fuqishme ku komentuesi gjen mbështetjen e tij për të bërë komente. Sinonimet e tjera të këtij lloji librash janë: “el-Muhtesar” (shqip: konspekt, përmbledhje, vepër e shkurtër, etj.), “el-Muuxhiz” (shqip: konspekt, i shkurtë, i përmbledhur, i shprehur shkurtimisht, etj.), “el-mukaddimeh” (shqip: parathënie, fillim, libërth i vogël), etj..(8) Gjersa jemi këtu vlen të theksohet edhe një detaj. Në arabisht libri i llojit el-metën jo çdo herë është edhe el-muhtesar (vepër e shkurtër), ngase çdo libër i komentuar llogaritet metën, madje edhe kur libri i komentuar është i madh. Prandaj themi se Sahihu i Buhariut është metën (edhe pse si libër është shumë i madh) dhe Fet’hu’l-Barij është sherh. Madje, nganjëherë metni në realitet është sherh i një metni më të hershëm.(9) P.sh. vepra El-Hidajeh e Merginanit është metën kur shikohen komentet që janë shkruar për të, ndërsa libri si libër në realitet është sherh i një metni tjetër të po vetë Merginanit me titull El-Bidajeh.
Manual apo doracak?
Në qarqet shkencore islame të trojeve tona dhe atyre evropiane, këtij lloji të librave më shumë u thuhet si manuale. Në shqip, fjala manual definohet kështu: “Libër doracak që përmban në mënyrë të përmbledhur njohuritë themelore të një fushe të caktuar të shkencës, të teknikës ose të artit; tekst mësimor. Manual mësimor (shkencor, teknik). Manuali i filozofisë (i fizikës, i kimisë, i mjekësisë, i vizatimit).”(10) Termi manual është fjalë e huaj, ndërsa në shqip si fjalë më e përafërt me termet e librave el-metn dhe el-muhtesar është fjala doracak. Termi doracak definohet kështu: “Tekst shkollor ose libër tjetër që përdoret gjerësisht si udhëzues mësimor e praktik.”(11)
Çka synohet me doracakët më të njohur të Fikhut Hanefi?
Në bazë të definimeve dhe nga të dhënat e mësipërme, numri i veprave të komentuara (el-mutun) të fikhut hanefi del është shumë i madh dhe është gati se e pamundur të përfshihen nga një përpjekje individuale. Për këtë shkak, është e domosdoshme vënia e ca kritereve reduktuese, falë të cilëve kritere numri i librave zvogëlohet skajshëm dhe kështu arrihet qëllimi maksimal i titullit të hulumtimit. Kriteret në fjalë janë:
1. Doracaku të jetë fikh hanefi në gjuhën arabe,
2. Doracaku të jetë i shkruar pas periudhës së nxënësve të Ebu Hanifes. Ky kriter është vënë me qëllim që të mos përfshihen librat e dijetarëve të parë të medhhebit, pra ata të nxënësve të Ebu Hanifes dhe ata të brezit që njihen si nxënësit e nxënësve të Ebu Hanifes. Kjo, ngase veprat e tyre kanë tjetër klasifikim dhe pozitë, e ndërsa hulumtimi ynë nuk synon këtë, porse mutunët dhe muhtesaratët që u shkruan prej pas Tahaviut e deri më sot.
3. Doracaku të jetë i njohur në mesin e studiuesve të fikhut hanefi, madje qoftë edhe fare pak.
4. Doracaku të paktën të jetë komentuar qoftë edhe vetëm një herë nga një dijetar i fikhut hanefi. Në dy kriteret e fundit ka ca përjashtime shumë të vogla, por shumë të nevojshme për 2-3 libra.
Ndarja e doracakëve më të njohur të Fikhut Hanefi
Doracakët më të njohur të fikhut hanefi fillimisht mund të ndahen në dy grupe kryesore, kjo shikuar nga aspekti i gjithëpërfshirshmërisë:
a) Doracakë të plotë. Fjala është për ata doracakë që ngërthejnë shumicën absolute të kapitujve të fikhut hanefi. Në këtë grup bëjnë pjesë doracakët si: Muhtesari i Tahaviut, Muhtesari i Kerhit, Muhtesari i Kuduriut, El-Vafi i Nesefiut, Multeka’l-Ebhuri i Halebiut, Tenviru’l-Ebsari i Tumurtashit, etj.
b). Doracakë të pjesshëm. Fjala është për ata doracakë që u shkruan për disa tema të caktuara të përditshmërisë së myslimanëve praktikantë. Këta doracakë ndryshe njihen edhe si El-Mukadimeh, ndërsa në trojet tona si Ilmihal. Në këtë grup bëjnë pjesë doracakët si: Mukadimeja e Ebu Lejthit, Mukadimeja e Gazneviut, Mukadimeja e Fenarit (Kejdanit), Mukadimeja e Mulla Husejnit, Muaddilu’s-Salati i Birgiviut, Munjetu’l-Musali e Kashgariut, Nuru’l-Idah, etj.
Shikuar nga aspekti se sa të komentuar janë këta doracakë, ata mund t’i ndajmë në:
a). Doracakë të komentuar shumë, si p.sh. Muhtesari i Kuduriut, Kenzu’d-Dekaik i Nesefiut, El-Hidaja e Merginanit, Durru’l-Muhtari i Haskefiut, Multeka’l-Ebhuri i Halebiut, etj.
b). Doracakë të komentuar mesatarisht, si p.sh. Muhtesari i Kerhit, Munjetu’l-Musali, Nuru’l-Idah, etj.
c). Doracakë të komentuar rrallë herë, si p.sh. El-Vafi i Nesefiut, Tuhfetu’l-Fukaha e Semerkandit, etj.
Shikuar nga aspekti i burimit të materialit të doracakut mund të ndahen në:
a). Doracakë të bazuar kryesisht në një libër paraprak, si p.sh. vepra El-Nukajeh është version i shkurtuar i veprës El-Vikajeh.
b). Doracakë të bazuar në disa vepra paraprake, si p.sh. Multeka’l-Ebhuri bazohet në 6 vepra paraprake.
Doracakët e Fikhut Hanefi në gjuhën shqipe
Tani për tani, në gjuhën shqipe nuk ka të përkthyer në mënyrë të plotë thuajse asnjë doracak të njohur të fikhut hanefi. Edhe pse një numër bukur i madh i këtyre doracakëve ishin libra më se të njohur në mesin e hoxhallarëve të vjetër shqiptarë dhe këtë e dëshmojnë kopjet dorëshkrimore të këtyre doracakëve që ndodhen nëpër bibliotekat e tyre private si dhe dorëshkrimet e ndodhura në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë dhe atë në Shkup.
Doracakët el-mutun (el-muhtesarët) realisht në të shumtën e rasteve janë libra të vegjël për nga vëllimi dhe shumë të ngjeshur për nga domethëniet si dhe parimisht u shkruan për njerëzit e fushës së fikhut si një lloj lehtësimi edhe nga aspekti material por edhe nga aspekti shkencor. Prandaj studimi i tyre për fetvadhënie dhe vendime fetare detyrimisht duhet bërë në mënyrën klasike para fukahave kompetent me ixhazetname të mirëfilltë për fikh hanefi dhe për këtë nuk mjaftojnë leximet e tjera, qofshin ato lexime universitare e më lartë.
Për fund, një gjë duhet pasur parasysh se, doracakët që do të përfshihen në këtë hulumtim, e që parashihen rreth 30, nuk janë që gjithë të një kategorie për sa i përket fuqisë së asaj që ofrojnë si dhe përparësisë së tyre. Disa janë të kategorisë më të lartë dhe të tjerët jo. Qëllimi i hulumtimit aspak nuk është shkallëzimi i tyre sipas vlerës ose sipas rëndësisë, por është një njoftim i thjesht me këta doracakë që janë ndër më të njohurit e fikhut hanefi, pastaj njoftimi me autorët e tyre si dhe punimet dhe veprat që janë shkruar rreth tyre. Ndërsa, vlerësimi i tekstit të këtyre doracakëve është e drejtë ekskluzive e ekspertëve më të mëdhenj të fikhut hanefi, siç ka bërë Ibën Abidini në Hashijen e tij dhe shumë të tjerë para tij.
-vijon-
_________________________
1. Katip Çelebi, Keshfu’dh-Dhunun an esamij el-kutubi ve’l-funun. (Londër: Al-Furqan Fondation, 2021), vol. 6, fq. 654.
2. TDV Islam Ansiklopedisi, (Stamboll: Türkiye Diyanet Vakfi, 2022), vol. 25, fq. 322.
3. TDV Islam Ansiklopedisi, (Stamboll: Türkiye Diyanet Vakfi, 1994), vol. 4, fq. 448.
4. Jusuf Abdurrahman el-Mer’ashli, Mesadiru’d-Dirasati’l-islamijeh el fikhu’l-hanefiju furuan ve usulen. (Bejrut: DKI, 2020), vol. 3, fq. 261.
5. Muhamed Ibën Mendhur, Lisanu’l-Arab. (Bejrut: Daru’s-Sadir, 1993, botimi i tretë), vol. 13, fq. 398;
6. Sulejman Tomçini, Fjalor arabisht-shqip. (Tiranë: AIITC, 2009), fq. 891.
7. Muhamed el-Emin el-Muhibij, Kasdu’s-Sebil fi ma fi’l-lugati’l-arabijeti mine’d-dehil. (Rijad: Mektebetu’t-Teubeh, 1994), vol. 2, fq. 442.
8. Përkthimet janë marrë shkurtimisht nga fjalët përkatëse nga fjalori online i dr. Isa Memishit (https://arabisht-shqip.com), parë për herë të fundit më: 01/09/2023. Ndërsa sinonimet nga: Abdullah Shemrani, el-Med’hal ila diraseti’l-muhtesarat. (Rijad: Daru’t-Tajbeh, 2008), fq. 25.
9. Po aty, fq. 35.
10. Grup autorësh, Fjalor i gjuhës së sotme shqipe. (Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS, 1980), fq. 1057.
11. Po aty, fq. 358
Hazir D. Selmani