Namazi i natës është prej ibadeteve më të dashura tek Allahu i Lartësuar dhe shpërblehen e kanë vlerë që më së shumi. Ai që fal namaz nate, përgatitet për Ahiret dhe Zotin e tij e takon i gëzuar dhe i përgëzuar me Xhenet. 
I dërguari i Allahu na ka këshilluar shumë për të falur namaz nate, dhe kjo për shkak të rëndësisë së madhe të tij dhe shpërblimit të madh për të. I dërguari ka thënë: ”O ju njerëz, përhapeni selamin, ushqeni nevojtarët, mbani lidhjet farefisnore dhe faluni natën kur njerëzit e tjerë flenë, që të qetë të hyni në Xhenet.”(1) Për ata që falen natën, shpërblim është Xheneti. Ata janë rob të dalluar në dynja dhe Ahiret. 
Në rreshtat vijues do të njihemi më hollësisht me namazin e natës dhe vlerën e tij: 


Vlera e namazit të natës 


Namazi i natës është i vlefshëm për shumë arsye. Në vijim po përmendim disa prej tyre: 
1. Pastrimi i zemrës: Namazi i natës e pastron zemrën, saqë adhurimi i Allahut mbetet synimi i vetëm. Ibn Kajimi thotë: “Vërtet dy njerëz mund të falen në një rresht-saf dhe pas një imami, por midis namazeve të tyre të ketë dallim sa në mes qiellit e Tokës”. Kjo domethënë se në zemrën e njërit ka synime të shumta, kurse në zemrën e tjetrit synim i vetëm është adhurimi i Allahut dhe kënaqësia e Tij. 
2. Realizimi i frikës ndaj Allahut xh.sh.: Kam pasur rastin të falem një herë pranë një njeriu, i cili, kur imami mori tekbirin fillestar, filloi të qante. U çudita nga kjo sjellje e tij dhe, me të përfunduar namazin, e pyeta: Pse fillove të qaje ende pa filluar imami të lexonte Kuran? E ai m’u përgjigj: Kur imami tha “Allahu Ekber” (Allahu është më i Madhi), u frikësova se mos po bëhem gënjeshtar duke qenë dikush në zemrën time më i madh se Allahu xh.sh.. 
3. Fitimi i kënaqësisë së Allahut xh.sh.: Kur myslimani fal namaz nate, ai me këtë bëhet i veçantë, dhe kjo për faktin se ata që falin namaz nate, nuk janë të shumtë. Me të falurit natën, myslimani i afrohet Allahut dhe fiton kënaqësinë e Tij. 
4. Falja natën është cilësi e robërve të Mëshiruesit. Allahu i Lartësuar i ka veçuar për të mirë ata që ngrihen natën për adhurim, duke i quajtur rob të Mëshiruesit. Është i Lartësuari Që thotë: ”E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre u drejtohen me fjalë injorantët, ata thonë: ”Paqe!. Dhe që për hir të Zotit të tyre, natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen)“ (El-Furkan: 63,64) 
5. Falja natën është cilësi e besimtarit. Allahu i Lartësuar thotë: ”Argumentet tona, i besojnë, në të vërtetë, ata që kur këshillohen me to, bien në fytyra (bëjnë sexhde), që madhërojnë Zotin e tyre në shenjë falënderimi dhe ata nuk bëjnë kryelartësi. I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa, dhe nga ajo që Ne u kemi dhënë (pasuri) atyre, ata japin.“ (Es-Sexhde:15,16) 
6. Falja natën i jep falësit pozitë të lavdëruar. I Madhërishmi thotë:” Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur’anin-namazin), është e sigurt se Zoti yt do të të ngrejë ty në një vend të lavdishëm” (El-Isra 79). Pra askush nuk mund të jetë i barabartë me atë që fal namaz nate. Zoti xh.sh. thotë: ”(A jobesimtari e ka gjendjen më të mirë) Apo ai që kohën e kalon në adhurim, duke bërë sexhde, duke qëndruar në këmbë, i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet? Thuaj:” A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë? Po, vetëm të zotët e mendjes marr in mësim” (Ez-Zumer 9). Allahu i Lartësuar i dërgon çdo natë të dërguarit e Tij në qiellin e kësaj bote dhe i thërret njerëzit duke u thënë: ”A ka dikush që kërkon diçka tani, e t’ia jap”. S’do mend se ai që nuk falet natën, privohet nga tërë kjo e mirë. 
7. Namazi i natës është nderi i besim tarit: Pati zbritur Xhibrili a.s. tek Muhamedi a.s. dhe i pati thënë: “ Dije se nderi i besimtarit është namazi i tij i natës”. 
8. Zakon i myslimanëve të mirë. Pejgamberi a.s. thotë: ”U këshilloj me namaz nate, sepse është traditë e të mirëve që ishin para jush, është afrim tek Zoti juaj, falës i mëkateve dhe ruajtje nga të këqijat”.(2) Në një transmetim tjetër: ”...dhe largim i sëmundjes nga trupi”.(3) 
9. Përgatitje për Ahiret:” Vërtet udhëtimi në botën tjetër është shumë i gjatë dhe pikërisht namazi i natës është përgatitje për këtë udhëtim. Ebi Dherri pati qëndruar njëherë afër Qabesë dhe u kishte thënë shokëve të tij: ”A nuk është e vërtetë se kur dikush nga ju dëshiron të udhëtojë, përgatitet për rrugë? Po, ashtu është, i patën thënë. Atëherë ai u pati thënë:” Udhëtimi i botës tjetër është shumë më i gjatë sesa udhëtimet që ju bëni në këtë botë”. Atëherë na këshillo si të përgatitemi për të, - i kishin thënë ata. U ishte përgjigjur duke u thënë:
“Kryeni haxhin për gjërat e mëdha që do të ndodhin, falini dy rekate namaz në natë të errët për vetminë e varrit, dhe agjëroni një ditë shumë të nxehtë për shkak të ditës së gjatë të tubimit. 
10. Falja e namazit të natës është pasim i Pejgamberit a.s.. Allahu xh.sh. thotë: ”Ju kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke përmendur shumë shpesh Allahun”. (El Ahzab: 21) I dërguari i Allahut na ka këshilluar shumë për të falur namaz nate duke thë në: ”Përhapeni selamin, ushqeni nevojtarët, mbani lidhjet farefisnore dhe faluni natën, kur njerëzit e tjerë flenë, që të hyni të qetë në Xhenet.”(4)
11. Myslimani i afrohet më së shumi Zotit të tij kur është duke falur namaz nate, duke e adhuruar Atë dhe duke kërkuar mëshirë dhe falje prej Tij. Pejgamberi a.s. thotë: ”Robi më së afërmi Zotit është kur falet në pjesën e fundit të natës, prandaj, nëse mund të jesh prej atyre që përmendin Allahun në këtë kohë, atëherë bëhu.”(5) 
12. Me namaz nate fitohet përgëzimi. Allahu i Lartësuar nga mesi i robërve të Tij ka dalluar disa me përgëzim që në këtë botë. Këta janë pikërisht ata që falin namaz nate. Transmetohet nga Ebi Der dau se Pejgamberi a.s. ka thënë: ”Tre njerëz Allahu xh.sh. i do dhe i përgëzon: atë që, kur e kërkon nevoja, lufton më tërë atë që ka vetëm për hir të Allahut, kështu që ose vritet (bie shehid) ose i mundëson Allahu të fitojë, dhe kjo i mjafton. E Allahu për të thotë: ”Shihni si duroi ky rob për hir Timin”; atë që ka grua të mirë dhe shtrat të butë e të rehatshëm, por megjithëkëtë, ngrihet dhe fal namaz nate. E Allahu xh.sh. për të thotë: ”I braktis dëshirat e tij dhe Më përkujton Mua, e sikur të donte, do të flinte”; dhe atë që është në udhëtim e udhëtarët që janë me të rrinë zgjuar ose edhe flenë, kurse ai rri zgjuar, kur është lehtë po edhe vështirë. 


Namazi i natës i Pejgamberit a.s. 


Sahabët kanë përshkruar si ka qenë namazi i natës së Pejgamberit a.s., në mënyrë që edhe ne ta pasojmë atë kur falemi natën. Nga ky përshkrim i tyre do të veçonim:- Pati ardhur një njeri tek Ajsheja r.a. dhe i pati thënë:” Oj nënë e besimtarëve, më trego gjënë më interesante që ke parë tek Pejgamberi a.s.. “E cila gjë nuk ka qenë interesante tek ai”? - i pati thënë ajo duke iu përgjigjur: ”Njëherë erdhi Pejgamberi a.s. dhe u fut me mua nën jorgan e më tha: ”Më lejo të adhuroj për një çast Zotin tim”, e unë i thashë: E dua praninë tënde afër meje dhe e dëshiroj këtë (por shpreha pohimin tim). U ngrit, filloi të falej dhe të qante. Pashë sesi ia lagnin lotët gjoksin. Duke qarë bëri rukunë, e edhe sexhden dhe kështu vazhdoi deri në mëngjes. Kur erdhi Bilalli për namazin e sabahut dhe e pa duke qarë, e pyeti: ”Pse po qan, o i dërguar i Allahut”? Pejgamberi a.s. iu përgjigj: ”E si të mos qaj, o Bilall, kur sonte më zbriti ky ajet kuranor:’’ Në krijimin e qiejve e të Tokës, në ndryshimin e natës e ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye e intelekt. Për ata që Allahun E përmendin me kujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë, dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të Tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i Lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit.” (Ali Imran, 190, 191)
- Transmetojnë se Pejgamberi a.s. fa lej natën aq shumë, saqë këmbët i ënjteshin, ndërsa Ajsheja r.a. njëherë i pati thënë: “O i dërguar i Allahut, (pse falesh kaq shumë) a nuk t’i ka falur Allahu të gjitha mëkatet”, kurse Pejgamberi a.s. i qe përgjigjur: ”A të mos jem rob falënderues?!”
- Ibni Abbasi r.a. pati bujtur njëherë tek tezja e tij, Mejmuneja r.a., e cila ishte gruaja e Pejgamberit a.s. Thotë: ”Unë u shtriva në gjerësinë e dyshekut, që kishin, kurse Pejgamberi a.s. dhe familja e tij u shtrinë në gjatësinë e tij. Pejgamberi a.s. fjeti deri në gjysmë ose pak para gjysmës së natës. Pastaj u zgjua, u ul dhe me duar fërkonte fytyrën për ta larguar gjumin. Pastaj lexoi dhjetë ajete (nga fundi i kaptinës Ali Imran), dhe u ngrit e falej. Unë bëra njësoj si ai dhe u ngrita pranë tij, e ai vendosi dorën e tij mbi kokën time dhe ma drodhi veshin e djathtë, që të më ikte kotja. Pastaj fali dy rekate, përsëri dy, prapë dy, prapë dy, prapë dy dhe pastaj fali namazin e vitrit (fali një rekat vitri), pastaj u shtri derisa erdhi myezini për namaz, u ngrit, fali dy rekate të shkurtra dhe doli e fali namazin e sabahut.(6)
- Transmeton Safvan Bin El’Muatal Es’Selmij duke thënë: ”Isha njëherë me Pejgamberin a.s. në një udhëtim dhe do ja të shihja se si falej Pejgamberi natën. Fjeti, pasi fali namazin e jacisë, dhe andej nga mesi i natës u ngrit dhe lexoi dhjetë ajetet e fundit të kaptinës Ali Imran. Pastaj pastroi dhëmbët me mis vak, mori abdest dhe fali dy rekate, nuk e di çfarë zgjati më shumë - qëndrimi në këmbë, rukuja apo sexhdeja. Pastaj shkoi dhe fjeti. Pastaj u ngrit përsëri dhe lexoi dhjetë ajetet e fundit të kaptinës Ali Imran. Pastaj pastroi dhëmbët me misvak, mori abdest dhe fali dy rekate, nuk e di çfarë zgjati më shumë - qëndrimi në këmbë, rukuja apo sexhdeja. Pastaj shkoi dhe fjeti. Përsëri u ngrit dhe bëri të njëjtën gjë, dhe kështu vazhdoi të bënte si bëri herën e parë, derisa fali namazin e sabahut. 


Gjëra që preferohen për atë që fal namaz nate 


Adabet e namazit të natës 
1. Para se të bjerë në gjumë, të bëjë nijet për t’u ngritur për namaz nate, kështu që edhe nëse nuk mund të ngrihet, do të shpërblehet sikur të jetë falur. Pejgamberi a.s. thotë: Vërtet veprat shpërblehen sipas qëllimit dhe secilit i takon ajo për se ka vendosur”.
2. Pasi të jetë zgjuar, të marrë abdes dhe t’i pastrojë dhëmbët me misvak. 
3. Të fillojë namazin e natës me dy rekate të shkurtra, pas të cilave mund të falë sa të dojë. 
4. Të falet aq sa ka mundësi, për faktin se Allahu xh.sh. thotë:”Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij.” (El-Bekare:286), dhe, nëse e rëndon gjumi, atëherë duhet të lërë namazin dhe të flejë, në mënyrë që të mos bëjë gabime gjatë leximit të Kuranit në namaz. 
5. Të lutet me lutjen me të cilën lutej Pejgamberi a.s. kur falte namaz nate: ”O Zot, bëj dritë në zemrën time, dhe në të parët tim, në të dëgjuarit tim, në anën time të djathtë, në anën time të majtë, bëj dritë mbi mua dhe përpara meje, dhe më jep mua një dritë të madhe”. 


Koha e namazit të natës 


Lejohet falja e namazit të natës në cilëndo kohë prej pas namazit të jacisë e deri në fillimin e kohës së namazit të sabahut, por preferohet vonimi i tij në treshen e fundit të natës. 
Numri i rekateve të këtij namazi: I Dërguari a.s. falte njëmbëdhjetë rekate namaz nate. Ajsheja r.a. transmeton e thotë: ”Pejgamberi a.s. nuk falte më shumë se njëmbëdhjetë rekate namaz nate as në muajin Ramazanit dhe as jashtë tij”. 
Preferohet falja e këtij namazit përherë (për çdo natë), dhe kjo për faktin se, kur është pyetur Pejgamberi a.s. se cilat janë veprat më të dashura tek Allahu xh.sh., ka thënë: ”Janë ato që kryhen rregullisht (vazhdimisht) edhe nëse janë pak”.(7) 


Adhuruesit e Allahut natën 


1. Abbad ibu Besher: I Dërguari a.s. pati kërkuar prej Abbad Ibn Besherit r.a. t’u bënte rojë myslimanëve në njërën prej betejave. Gjatë kohës sa ai ruante, filloi të falte namaz nate dhe ndërkohë njëri prej armiqve e kishte goditur me shigjetë në krah. Ai kishte nxjerrë shigjetën nga krahu dhe kishte vazhduar namazin. Pastaj e kishte goditur në krahun tjetër dhe ai përsëri kishte nxjerrë shi gjetën dhe kishte vazhduar namazin. Kur qe goditur për të tretën herë, kishte bërë rukunë, sexhden dhe, pasi kishte dhënë selam, e kishte zgjuar njërin prej shokëve, i cili pastaj e kishte pyetur: ”Pse nuk më zgjove më herët?” Abbadi i qe përgjigjur:” Në namazin tim isha duke lexuar një prej sureve të Kuranit, leximi i së cilës është më i dashur për mua sesa vetë jeta (dalja e shpirtit-rënia shehid). 
2. Omer Ibn Hattabi r.a.: Omeri r.a. kishte dy vija të zeza nën sytë e tij (në faqe) nga lotët që i dilnin gjatë namazit të tij të natës. 
3. Ibn Mes’udi: Transmetohet se, kur vinte nata dhe njerëzit flinin, Ibn Mes’ udi r.a. falej dhe nga ai dëgjohej një gumëzhimë (ushtimë) si gumëzhima e bletëve. 
4. Enes Ibn Maliku r.a.: Njihet se Enes Ibn Maliku natën e ndante në tri pjesë: Në pjesën e parë falej vetë, pastaj e zgjonte gruan tij për t’u falur në pjesën e dytë, e cila pastaj e zgjonte të bijën që të falej në pjesën e tretë të natës. Pastaj natën tjetër gruaja zgjohej e para dhe, pasi falej në pjesën e parë të natës, e zgjonte Enesin r.a. që të falej në pjesën e dytë, i cili, pasi përfundonte, e zgjonte të bijën për t’u falur në pjesën e tretë, kështu që gjatë tërë natës në shtëpinë e Enesit r.a. falej namaz. 


Kanë thënë për namazin e natës: 


1. Hasen ibn Aliu r.a.: “Nëse nuk mund të falesh natën dhe të agjërosh ditën, dije se nga të mirat je i privuar dhe se ke shumë mëkate”. 
2. Shërbëtorja e Hasen El-Basriut r.a.: Hasen El-Basriu r.a. kishte një shërbëtore, të cilën e kishte dërguar të shërbente diku tjetër. Pas një kohe i ishte kthyer duke i thënë:” Më kthe tek ti, o zotëria im, më ke dërguar tek njerëz që nuk falkan namaz nate, ata falkan vetëm pesë kohët e obliguara
3. Njëri nga Tabiinët: Kam parë në ëndërr një grua që e pyeta: Kush je ti? Më tha: ”Jam HURI e Xhenetit. I thashë: A pranon të martohemi, e ajo m’u për gjigj: ”Më fejo së pari, o zotëria im”, e unë e pyeta: E cili është kushti juaj? Më tha: ”Namazi i shumtë i natës”. 
4. Omer ibn Hatabi r.a. “Nuk ka mbetur nga kënaqësia e kësaj bote përveç tri gjërave:” Falja e namazit të natës, takimi me vëllezër myslimanë dhe falja e namazit me xhemat”. 
5. Fudajl ibn Ajad: “Gëzohem kur të perëndojë dielli e të vijë nata, që njerëzit të flenë e unë të mbetem vetëm me Allahun e Madhëruar (duke falur namaz nate). 
6. Hasen El-Basriu r.a.: Është pyetur Hasen El’Basriu r.a. se pse ata që falin namaz nate, janë njerëzit me fytyrat më të bukura? Është përgjigjur: ”Sepse ata vetmohen me Allahun në namaz nate e Ai u jep dritë nga drita e Tij”. 
7. Djaloshi besimtar: I është thënë një djaloshi që falej tërë natën: ”Ç’të shtyn ta bësh këtë”? Është përgjigjur: ”Kur të përmendet Xhehenemi, më shtohet frika prej tij, e kur të përmendet Xheneti, më shtohet dëshira për të hyrë në të, kështu që nuk mund të fle.” 
8. Suhejbi, djalosh nga Basra: Trego het se një djalosh nga Basra, që quhej Suhejb, falej tërë natën. Zonja e tij, tek e cila shërbente, i thotë: ”Falja jote tërë natën të pengon në punët e ditës”, e ai i përgjigjet: ”Nuk më merr gjumi (nuk mund të fle), kur të kujtoj zjarrin e Xhehenemit”. 
9. Një nga njerëzit e devotshëm: Është pyetur njëri nga tabi’inët e devotshëm: “Si i ke punët me natën”? Është përgjigjur: “Në momente jam në mes dy gjërave: I gëzohem natës kur vjen, dhe mërzitem kur vjen agimi, kështu që nuk jam plotësisht i gëzuar asnjëherë”. 
10. Një tjetër thotë: ”Sikur Allahu i Madhëruar atyre që falen natën, t’ua kompensonte shpërblimin, me kënaqësinë që ata ndiejnë gjatë faljes, kjo do të ishte më e madhe sesa vetë shpërblimi”.
11. Disa dijetarë thonë: ”Në këtë botë nuk ka momente që u përngjajnë kënaqësive të banorëve të Xhenetit përveç asaj që ndiejnë namazlinjtë në zemrat e tyre gjatë natës, nga biseda e ëmbël që bëjnë”. 


Gjëra që na ndihmojnë për të falur namaz nate 


Si të përgatitemi për namaz nate 
Në vazhdim do të paraqesim disa gjë ra konkrete, të cilat ndihmojnë për të falur namaz nate: 
1. Mosngrënia tepër natën. Një njeri i devotshëm pati thënë: ”O rob të Allahut, mos hani shumë e pastaj të pini shumë e të flini shumë, dhe pas vdekjes të pendoheni shumë”. 
2. Mosmundimi i tepërt gjatë ditës. Nëse gjatë ditës e mundon veten shumë me punë, nuk do të kesh mundësi të zgjohesh natën për t’u falur. 
3. Largimi nga mëkatet: Sufjan Thevriju thotë: ”Nuk kam mundur të fal namaz nate pesë muaj rresht për shkak të një mëkati që kam bërë”. I është thënë: ”E çfarë mëkati ke bërë”? Është përgjigjur: ”Kam parë një njeri duke qarë dhe kam thënë për të se po qante për sy e faqe”. 
4. Falja e namazit të natës në mënyrë graduale: Kur filloni të falni namaz nate, mos u falni menjëherë (me të parën) gjysmë nate ose një të tretën e saj, por këtë bëjeni gradualisht. Pejgamberi a.s. thotë: ”Vërtet kjo fe është e fortë (solide), andaj thellohuni në të ngadalë”. 
5. Një gjumë i shkurtër pas drekës (El-Kajluletu): Transmetohet se, kur hynte në treg dhe dëgjonte bisedat e zhurmat e njerëzve, Haseni r.a. thoshte: “Mendoj se nata e këtyre njerëzve ka qenë jo e begatë, sepse këta nuk flenë pas dreke”. 
6. Ngrënia pak: Disa të devotshëm kanë thënë: ”E sa ushqime pengojnë namazin e natës, e sa shikime pengojnë leximin e një kaptine nga Kurani. Vërtet robi ha një lloj ushqimi ose kryen ndonjë vepër, e këto e pengojnë të falë namaz nate. Dhe ashtu siç ndalon namazi nga të këqijat, po ashtu edhe të këqijat ndalojnë nga namazi dhe punët e tjera të mira”. 



________________
 Fusnotat: 
1. Transmeton Hakimi 
2. Transmeton: Hakimi dhe Bejhekiu 
3. Transmeton: Taberaniu 
4. Transmetojnë: Hakimi, Ibn Maxheja dhe Tirmidhiu 
5. Transmetojnë: Tirmidhiu dhe Nesaiu 
6. Transmetojnë: Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi 
7. Muttefekun alejhi.


 


Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Muharrem Tërnava 
Dituria Islame  220-221