Reagimet e sundimtarëve ndaj letrave të Pejgamberit Muhamed a.s.

 


Ka pasur qindra mijëra pejgamberë, heronj, udhëheqës, pushtues, luftëtarë dhe bamirës. Ndoshta emrat e shumë prej tyre sot nuk njihen prej nesh, disa prej tyre jetojnë vetëm në faqet e historisë. Qindra libra janë shkruar për disa prej tyre. Megjithatë, është i pakundërshtueshëm fakti se numri i librave të shkruara për jetën e Pejgamberit Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, e tejkalon numrin e librave të shkruara për jetën e çdonjërit, të marra të gjitha së bashku. Nga të gjithë njerëzit spikat një personalitet i vetëm, unik dhe i papërsëritshëm, për të cilin mijëra e mijëra njerëz nga e mbarë bota i drejtohen Allahut për ta bekuar. Kurdoherë që një mysliman dëgjon të përmendet emri i Pejgamberit a.s., ai dërgon salavate (paqja dhe bekimi i Allahut) për të. Kur fjalët: “Rafa’na leke dhikrek” – “Ne e lartësuam vlerën tënde!” (Kuran 94:4), iu shpallën Pejgamberit a.s., kurejshët i kishin bërë myslimanët objekt të poshtërimeve dhe përbuzjeve më të ulëta, tiranisë më të skajshme dhe egërsisë çnjerëzore, me shpresë se myslimanët do të dorëzoheshin nga shtypjet e tyre barbare dhe askush, përveç tyre, nuk do të mund ta besonte se Pejgamberi a.s., do të ishte njeriu i lavdëruar më së shumti, në një të ardhme shumë të afërt. Dhe vetëm pas pak vitesh më vonë, vetë kurejshët filluan ta lavdërojnë atë më së tepërmi prej të gjithëve. 
E tërë jeta e Pejgamberit a.s., i ngjan një libri të hapur përpara botës. S’ka fazë të jetës së tij, që nga lindja deri në vdekje, qoftë ajo private apo publike, që të jetë e fshehur prej kërkimeve të hollësishme të njerëzve. Çdo minutë e jetës së tij ka qenë e ruajtur me imtësi, saktësi, përpikëri, saqë asnjë kritikë nuk mund të zbulojë ndokund ndonjë zbrazëti.
Shënime voluminoze, dokumente dhe gojëdhëna të shumta janë shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen, madje edhe rreth detajeve më të vogla të jetës së tij. Asnjëherë nuk është shkruar kaq shumë me respekt të ndonjë tjetri, sado madhështor apo i rëndësishëm mund të ketë qenë ai. Madje datat dhe orët e shumë ngjarjeve të jetës së tij njihen me saktësi. 
Me qëllim që mesazhi i Islamit të mund të shtrihej në të gjitha vendet, kombet, fiset dhe popujt, Pejgamberi a.s., u drejtoi letra mbretërve, sundimtarëve dhe guvernatorëve të vendeve fqinje, prijësve të një numri fisesh dhe klanesh, liderëve të shtresave të ndryshme të popullit, duke i ftuar ata të përqafonin Islamin. 
Letrat dhe dokumentet e Pejgamberit a.s., përfshijnë traktate, marrëveshje dhe pakte të përfunduara me fise dhe klane të ndryshme, letra drejtuar perandorëve, mbretërve, sundimtarëve dhe guvernatorëve, letra dhe vendime drejtuar udhëheqësve të fiseve, kryetarëve dhe prijësve të klaneve, si edhe urdhra, vendime dhe dokumente drejtuar udhëheqësve të fiseve, grupeve dhe individëve. 
Traktatet dhe paktet janë shprehje e paqes, e lirisë, e barazisë dhe e drejtësisë. Nëpërmjet tyre, Pejgamberi a.s. u dha qytetarëve jomyslimanë të drejtat e tyre themelore. Këto ishin në realitet statusi dhe baza e shumë parimeve politike elementare të shëndosha, prej të cilave u formuluan më vonë ligjet dhe rregullat për jomyslimanët. Kjo është vërtetuar në pllakën përkujtimore të Muzeumit të Linkolnit, në të cilën emri i Pejgamberit a.s., duket në krye. 
Pejgamberi a.s. është pa dyshim ligjdhënësi më i shquar i botës, pasi ai dha kushtetutën e parë të shkruar, në formën e Kartës së Medinës, ku u përfshinë 51 nene. U themelua një sistem i mbështetur plotësisht në drejtësi, barazi dhe devocion dhe jo në bazë të racizmit, ngjyrës apo gjuhës. Pa dyshim ai i dha botës një leksion të shkëlqyer, fisnik, madhështor dhe të frymëzuar. 
Letrat janë shkruar me një gjuhë tepër të thjeshtë, faktike, realiste, efektive dhe janë krejtësisht pa retorikë, fjalë të shumta dhe teprime. Megjithatë, ato janë mbresëlënëse, bindëse dhe një komunikim i ngrohtë zemrash. Marrësi f tohet të heqë dorë nga ajo që është e gabuar dhe që të pranojë atë që është e drejtë – rrugën islame. Letrat tregojnë qartë drejtësinë, ndershmërinë, qëndrueshmërinë dhe bind shmërinë e thellë dhe lënë përshtypje thellësisht në zemër e në shpirt. 
Karakteristikat më dalluese të të shkruarit të letrave janë: Letrat fillojnë në mënyrë konstante me: “Bismi’l-lahi’r Rrahmani’r-Rrahim”, (Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”). Pas kësaj, letrat tregojnë që janë nga: “Muhamedi a.s., i Dërguari i Allahut.” Më pas, vjen emri ose pozita e letërmarrësit dhe më pas vazhdon mbiemri i tyre. Letrat hapen ose me një fjali në të cilën madhërohet Allahu, ose me një lutje për mëshirën e Tij, pastaj vazhdon shkurtimisht përmbajtja e temës, në të cilën vihet në dukje fuqia dhe përpunimi i lartë i fjalive. Në fund duket vula, në të cilën emri i Allahut është në krye, poshtë Tij është emri Resul dhe më poshtë vjen emri i Pejgamberit Muhamed a.s.. 
Letrat që Pejgamberi a.s. ua adresoi mbretit të Etiopisë, sundimtarit të Egjiptit, perandorit të Iranit dhe guvernatorit të Bahrejnit kanë mbërritur deri në ditët e sotme në origjinal. 
Konfirmimi dhe identifikimi i teksteve të letrave i siguruar nga burime të ndryshme, me tekstin e gjetur në “hadithe”, provojnë që letrat na kanë mbërritur neve në përputhje me tekstet origjinale. Në vijim do të japim reagimet e disa sundimtarëve ndaj letrave të Pejgamberit Muhamed a.s..


Reagimi i Negusit, mbretit të Etiopisë 


Në vitin e 6-të para Hixhretit, apo më 614 e.s., Pejgamberi a.s. i lejoi myslimanët të migronin përkohësisht në Etiopi, ku ai shpresonte për një trajtim të mirë nga ana e Negusit, mbretit të Etiopisë. Kur karvani i dytë shkoi në Etiopi, Pejgamberi a.s., i adresoi një letër mbretit të Etiopisë. Mbreti i Etiopisë u prek shpirtërisht së tepërmi prej fjalimit mbresëlënës që Xhaferi r.a. mbajti para tij dhe shpalli hapur se ai nuk do të lejonte që këta njerëz kaq të devotshëm të ktheheshin përsëri nën tiraninë e tyre. 
Myslimanët, pas kësaj, gjithmonë kanë pasur një respekt të thellë për Etiopinë. Ata pushtuan shtete të mëdha, si Irani, por kurrë nuk e prekën shtetin fqinj të Etiopisë. Në letrën e dytë që Pejgamberi i drejtoi Negusit, ndërkohë që vazhdonte të dëgjonte mesazhin e shenjtë, Negusi filloi të ndikohej prej tij. Kur teksti ishte në mbarim e sipër, ai e puthi pergamenën me dashuri të jashtëzakonshme dhe e vendosi atë sipër kokës së tij. Ai zbriti në dysheme dhe dëshmoi besimin e tij në Islam. Negusi i ruajti letrat në një kuti të fildishtë dhe për sa kohë që letrat ishin atje, populli i Etiopisë do të ishte i sigurt dhe i qetë. 


Reagimi i Herakli Çezarit, udhëheqësit të perandorisë romake


Herakli Çezari gjendej në Jeruzalem në kohën kur e mori letrën e Pejgamberit a.s.. Çezari zotëronte një oborr të madh mbretëror. Ai kishte vënë kurorën mbretërore dhe ishte ulur në fronin mbretëror. Duke iu drejtuar arabëve, ai pyeti se kush prej tyre ishte më i afërt me personin, i cili e quante veten Pejgamber. Ebu Sufjani, i cili rastësisht ishte duke qëndruar në Gaza me mallrat e tij, tha se ai kishte lidhje familjare me Pejgamberin a.s.. 
Kur Herakliu dëgjoi letrën e Pejgamberit a.s. dhe e pyeti Ebu Sufjanin për cilësitë dhe mesazhin e Pejgamberit, ai pranoi se Muhamedi a.s., ishte vërtet Pejgamber i Allahut. Ai tha: “Nëse ajo që thua ti (Ebu Sufjan) është e vërtetë, atëherë ai është Pejgamber dhe së shpejti do të zërë vendin poshtë këtyre dy këmbëve të mia. E dija që do të dilte, por nuk e mendoja se do të ishte nga mesi juaj. Nëse do ta dija se mund ta arrija, patjetër, do të kisha bërë të pamundurën për ta takuar dhe po të isha me të, do t’i laja këmbët.” Kur dëgjoi lajmin se Negusi u bë mysliman, tha: “Pasha Allahun, po të mos ishte për hir të mbajtjes së mbretërisë sime, do të kisha bërë atë që ka bërë ai.” 
Dashuria për kurorën dhe fronin mbretëror, si dhe kundërshtimi i oborrtarëve nuk e lejuan Çezarin të pranonte Islamin dhe të shpërngulej te Pejgamberi. Por dialogu i tij me Ebu Sufjanin dhe pyetjet e tij të hollësishme tregojnë qartë se ai u bind për vërtetësinë e Islamit, pasi ai gjykoi saktësisht se nëse një person, i cili s’ka gënjyer kurrë në jetën e tij, e ka të vështirë të thotë diçka të pavërtetë rreth Allahut. Ai gjithashtu ishte i sigurt së pasuria materiale, shkëlqimi dhe pushteti nuk ishin qëllime dhe synime të Pejgamberit a.s., por misioni i tij ishte komunikimi i mesazhit islam mbarë botës. Kur Çezari ishte gati të kthehej në Kostandinopojë, ai përsëri i këshilloi oborrtarët e tij të pasonin Pejgamberin a.s., pasi ishte ai, të cilin ata ishin duke e pritur. Ai përveç kësaj përmendi faktin se në librat e tyre gjendej përshkrimi i Pejgamberit a.s. dhe ato hapur dhe qartë tregonin se ai ishte Pejgamberi i vërtetë i Allahut. Si rrjedhim, ishte në interesin e atyre vetë që të pranonin udhëzimin e Pejgamberit a.s.. Por oborrtarët thanë se duhej të kihej parasysh edhe pëlqimi i tyre për të dërguarin arab, pasi mbretëria e tyre ishte mbretëria më e madhe e botës dhe kombi i tyre ishte kombi më i shquar i botës. Çezari tha se nëse ata nuk ishin të përgatitur të pranonin Islamin, atëherë ata shumë shpejt do të mposhteshin prej arabëve. (Sahihu i Buhariut, vol. 1. f. 5). 
Ibën Xheuziu, një hulumtues i mirënjohur dhe kritik i historisë islame, bëri një zbulim interesant në biografinë e Umerit r.a.. Ai kishte zbuluar se Dahiu r.a., i cili ia kishte dorëzuar Çezarit letrën e Pejgamberit a.s., kishte parë një numër të madh pikturash në të gjitha anët e pallatit të Çezarit. Ky i fundit e njoftoi atë se ato ishin pikturat e pejgamberëve dhe e pyeti atë se cila prej tyre ishte piktura e Pejgamberit a.s.. Pasi i vëzhgoi me kujdes pikturat, Dahiu r.a. tregoi në drejtim të një pikture dhe tha se ajo ishte piktura e Pejgamberit a.s.. Çezarit tha: “Vërtet! Kjo është piktura e Pejgamberit a.s..” Çezari i bëri të ditur se pikturat kishin ardhur në zotërimin e tij nëpërmjet pejgamberit Daniel. Është e qartë se disa piktorë me përvojë duhet të kenë shqyrtuar hollësisht përshkrimin e Pejgamberit a.s. te Tora dhe te Bibla dhe më pas e kanë pikturuar portretin. Ky supozim vërtetohet prej Kuranit të Shenjtë, i cili thotë: “Atyre që u kemi dhënë Librin e njohin atë (Pejgamberin) siç i njohin bijtë e vet. Por një grup prej tyre për shkak të armiqësisë dhe smirës me çdo kusht e fshehin të vërtetën, edhe pse e dinë.” (Kurani 2:146). 


Reagimi i Mukaukisit, mëkëmbësit të Egjiptit


Mukaukisi ishte emëruar si mëkëmbës i Egjiptit prej Perandorisë Romane. Ai ishte një njohës i mirë i fesë së vet. Mukaukisi u prek tepër prej sinqeritetit të letrës, dhe vuri në dukje se ishte koha që Pejgamberi i pritur të shfaqej. Prej Torës dhe Biblës, ai kishte arritur të mësonte se Pejgamberi nuk pranonte lëmoshë, por pranonte dhuratat. Ai urdhëroi që letra të vendosej në një kuti fildishi dhe të ruhej e sigurt në thesarin qeveritar. 
Letra, e cila ishte vendosur në kutinë e f ildishtë prej Mukaukisit, e gjeti rrugën e vet në një manastir kristian të Ahimit në Egjipt. Atje një oshënar e kishte ngjitur atë në Biblën e vet. Letra ishte shkruar në një pergamenë. Prej atje një orientalist francez e mori dhe ia shiti Sulltan Abdul Mexhid Hanit për një shpërblim prej 300 stërlinash. Sulltani e kishte ruajtur atë në thesarin e pallatit mbretëror, së bashku me relikte të tjera të shenjta. Studiuesit myslimanë kanë pohuar se Letra është shkruar prej sahabiut të njohur dhe të shquar, Ebu Bekër es Sidikut r.a.. 


Reagimi i Haris Gassanit, mbretit të Sirisë 


Harisi i përkiste familjes Gasani nga Arabia, që ishte vendosur në Siri në fund të shekullit të 2-të e.s. dhe që gradualisht kishte vendosur sundimin e vet në tërë vendin. Pas leximit të letrës së Pejgamberit, mbreti Haris u egërsua dhe tha: “Kush guxon madje të shohë në drejtim të vendit tim?” Ai urdhëroi ushtrinë e tij të bëjë përgatitjet. Pejgamberi a.s., pasi u njoftua për qëndrimin e tij, tha: “Me arrogancën e tij prej mbreti ai refuzoi të pranojë Islamin, por sundimit të tij do t’i vijë fundi.” Nën udhëheqjen e Çezarit, Harisi filloi të luftojë kundër Islamit, menjëherë pas fitores së Mekës, por, më në fund, sundimi i Gasanitëve u fshi prej Sirisë në vitin e 14-të Hixhri, apo 625 e.s. (Tabekat Ibën Sa’d, vol.3, f. 17). 


Reagimi i Papës së Romës 


Bashkë me letrën drejtuar Çezarit, Pejgamberi a.s. i dërgoi një letër edhe Papës. Ky i fundit e dëshmoi pejgamberinë e tij dhe vërejti: “Pa dyshim, ai është pejgamber i vërtetë.” Pas kësaj, ai drejtoi një kongregacion në katedrale dhe i njoftoi njerëzit se kishte marrë një letër prej pejgamberit arab Ahmed a.s., i cili i ftonte ata të pranonin besimin e vërtetë tek Allahu, i cili është Një. Ai pastaj dëshmoi se s’ka Zot përveç Allahut dhe se Ahmedi a.s. ishte rob dhe i dërguar i Allahut. Njerëzit u zemëruan së tepërmi kur dëgjuan këtë deklaratë të vërtetë dhe e goditën aq shumë, saqë ai vdiq. (Tabekat Ibën Sa’d, vol.3, f. 28). 


Reagimi i Husro Pervezit, perandorit të Persisë 


Letra e Pejgamberit që iu dërgua Husro Pervezit, i cili e konsideronte veten si gjysmëperëndi, e zemëroi së tepërmi këtë të fundit, sepse emri i Pejgamberit i paraprinte emrit të tij në letër. Mbretëria e Husro Pervezit ishte mjaft e madhe, pasuria dhe shkëlqimi i pallateve të tij ishin përrallore. Ai nuk mund ta përfytyronte se si një njeri i zakonshëm, të cilin ai e konsideronte si të nënshtruarin e tij, mund të shkruante emrin e vet, përpara emrit të perandorit dhe të mund të guxonte t’i kërkonte atij të pranonte Islamin. Ai u tërbua kaq shumë saqë e grisi letrën dhe bërtiti: “Si një skllav guxon të na dërgojë neve një letër të tillë?” 
Ai urdhëroi Bazanin, guvernatorin e Jemenit, ta kapte Pejgamberin a.s. dhe ta sillte atë në oborrin e tij mbretëror. Bazani caktoi Bebojën dhe Ker Kasrën në Medine për të përmbushur urdhrat. Të dy u paraqitën te Pejgamberi a.s. dhe me respektin e duhur e njoftuan se perandori Husro i ka dërguar për të. Përveç kësaj ata sqaruan se nëse urdhrat e perandorit nuk do të përmbusheshin më vonë ai do ta shkatërronte atë (Pejgamberin) dhe vendin e tij. Por të dërguarit e Bazanit u sprapsën kur dëgjuan Pejgamberin të thoshte: “Fati i ka rrotulluar tavolinat e mbretërisë suaj. Husro ka për t’u vrarë prej djalit të tij, Sherojas. Ju çojani të rejat zotërisë suaj. Gjithashtu njoftojeni atë se ai shumë shpejt do të bindet se shteti islamik do të shtrihet në kryeqytetin e mbretërisë së Kisrasë.” 
Kështu ndodhi që Çezari e mundi Kusron dhe ushtria bizantine u tërhoq në kryeqytetin e Iranit. Në këtë kohë shpërthyen trazira në familjen Kusro, i cili ishte burgosur prej djalit të tij, Sheroja. Është shkruar në historinë e Taberiut që Sheroja e vrau babanë e tij në natën e 13-të të Xhumade’l-Ula, të vitit të 7-të Hixhri, pra në vitin 628 e.s.. Të dërguarit e guvernatorit të Jemenit ishin shumë të impresionuar prej karakterit dhe sjelljes së lartë të Pejgamberit a.s., si dhe mënyrës jashtëzakonisht të thjeshtë të jetës së tij dhe e shokëve të tij. Me të arritur në Jemen ata treguan përshtypjet e tyre dhe pejgamberinë e Muhamedit a.s.. Bazani u ndikua gjithashtu tepër prej këtyre fjalëve dhe tha: “Sipas fjalëve të tij, ai nuk duhet të jetë mbret i kësaj jete, por sigurisht një i dërguar i Allahut. Do të duhet të presim ende të verifikojmë pejgamberinë.”
Kur Beboja dhe Ker Hasra u kthyen në Jemen, Bazani mori një mesazh prej Sherojas, se Husro ishte vrarë për shkak të veprimeve të tij shumë tiranike. Ai gjithashtu tregonte se Pejgamberi arab a.s. nuk ishte përzier në këtë çështje. Më në fund Bazani u bind në vërtetësinë e Pejgamberit a.s. dhe e përqafoi Islamin, bashkë me një numër të madh të popullit të tij. (Historia e Taberiut, vol. 3, faqe 91). 
Pavarësisht prej faktit se letra dërguar Husro Pervezit ishte grisur prej tij, ishte një mrekulli që ajo i rezistoi zhdukjes për më tepër se trembëdhjetë shekuj. Kur Husro e grisi dhe e hodhi tutje, dikush e ngriti dhe dalëngadalë ajo e gjeti udhën në një koleksion të një familjeje kristiane të Libanit dhe së fundi u zbulua prej ministrit të jashtëm të dikurshëm të Libanit, Henri Paraoh. Studiuesit, të cilët e shqyrtuan letrën hollësisht, vërtetuan se ajo ishte letra e vërtetë e Pejgamberit Muhamed a.s. drejtuar Husro Pervezit. 


Reagimi i Farvahut, guvernatorit të Maanit 


Farvahu ishte emëruar si guvernator i Maanit prej qeverisë bizantine. Maani, që tani është pjesë e Jordanisë, ndodhet në veriperëndim të Arabisë. Kur Çezari mësoi për pranimin e Islamit prej Farvahut, ai i tërhoqi vërejtjen dhe e urdhëroi të heqë dorë prej besimit të tij të ri, përndryshe e paralajmëroi se do ta hiqte prej detyrës së tij. Por Farvahu kundërshtoi me vendosmëri. Si pasojë Çezari e burgosi atë, por duke parë se madje edhe vuajtjet e burgut nuk e shmangën prej vendosmërisë, ai urdhëroi që Farvahu të ekzekutohet me vdekje. Fjalët e tij të fundit ishin: “Njoftojeni Pejgamberin (paqja qoftë mbi të) se edhe eshtrat e mia do të mbeten të përulura ndaj Allahut.” 


Mësime nga letrat e Pejgamberit a.s.


Letrat dhe mesazhet përbëjnë një metodë të rëndësishme daveti për Allahun. Nëse është dikush me të cilin dëshironi të flisni për Islamin, por për një arsye ose një tjetër nuk mund të takoheni me të, dërgojini një mesazh. Pejgamberi a.s. la një shembull për të gjithë udhëheqësit myslimanë që të jenë të pasionuar për përcjelljen e mesazhit të Allahut tek udhëheqësit e kombeve të tjera. Përdorimi i letrave nga Pejgamberi a.s. u tregua shumë i frytshëm; dy mbretër të mëdhenj e përqafuan Islamin. Edhe ata që refuzuan ftesën e Pejgamberit a.s. e njohën të vërtetën dhe e trajtuan mesazhin e Pejgamberit a.s. me respektin dhe mirësjelljen e duhur. 


Literatura 
___________________________ 
Muhammad Hamidullah, The Life and Work of the Prophet of Islam, Publisher: Adam Publishers, India, 2007. 
Imam Bukhari, Sahih Al-Bukhari, Translator: Dr. Muhammad Muhsin Khan, Publisher: Kitab Bhavan, India, 1984. 
Muhammad Ibn Sa’d, Kitab At Tabaqat Al Kabir (English), Translator: Aisha Bewley, Publisher: Ta-Ha Publishers, UK. History of Al-Tabari, Publisher: State University of New York Press, edited by Ehsan Yarshater (Editor), 2007.
Sulltan Ahmed Kureshi, Letrat e Muhamedit a.s., përktheu Mimoza Sinani, (Logos –A, Shkup, 2004).


 


Mimoza Sinani


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?