Thotë Allahu i madhëruar: "Elif, Lam, Mim. Ky është libri që nuk ka dyshim në të (sepse është prej Allahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm. Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zeqat, sadaka etj.). Dhe ata, të cilët besojnë në atë që t'u shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në) botën tjetër (Ahiretin). Të tillët janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit." (el-bekareh 1-5)


Dijeni – Allahu ju mëshiroftë – se për vlerën e sures Bekareh janë transmetuar shumë hadithe profetike, dhe ajo është surja më e gjatë e Kur'anit, dhe që përmban në vete shumë ligje hyjnore...


Deshi Allahu që si në fillim ashtu edhe në mbarim të saj të përmendet ajo çka i freskon zemrat e besimtarëve dhe i gëzon shpirtrat e tyre, në fillim janë përmendur cilësitë e të devotshmëve, kurse fundi i saj është ajo që Allahu e nderoi zotërinë tonë Muhamedin – paqja e Allahut qoftë mbi të – natën e Miraxhit, duke ja dhuruar ajetet e fundit të kësaj kaptine...


Tema të cilën po e shtjellojmë meriton t'i kushtohet vëmendje dhe rëndësi të veçantë, sepse në të janë përshkruar cilësitë të cilat duhet besimtari t'i kërkoj që të zbukurohet me to, e posaçërisht pasi është ajeti i parë në librin e Allahut ku sqarohet gjendja e të devotshmëve. Radhitja e tij në fillim të Kur'anit është argument për rëndësinë e tij dhe rrezikun e madh (nëse nuk jemi prej tyre). Rëndësia tjetër e tij është përshkrimi i atyre të cilët përfituan nga Kur'ani fisnik dhe u udhëzuan me të, sepse ishin ata që e lexuan dhe e medituan atë.


Para se të flasim për këto pesë cilësi, duhet të flasim për devotshmërinë, sepse këto cilësi janë për të devotshmit, e të devotshmit janë ata të cilët Allahu i madhëruar i stolisi me dekorin e devotshmërisë, dhe devotshmëria është furnizimi më i mirë ashtu si është përmend në librin e Allahut: "Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria"( el-bekareh 197)



Etapat e Devotshmërisë:


Ai i cili mediton në librin e Allahut gjen se devotshmëria është prej çështjeve që më së shumti i ka kushtuar rëndësi Kur'ani, dhe i ka nxit besimtarët që ti kushtojnë rëndësi të veçantë.



Esenca e fjalës Takwa (devotshmëri) është shmangie.


Etapa e parë e devotshmërisë është: Shmangia nga shirku (të bërit shok Allahut).
Etapa e dytë: largimi nga mëkatet e mëdha.
Etapa e tretë: me të cilën plotësohet devotshmëria është largimi nga mëkatet e vogla, ashtu siç na tregon i dërguari i Allahut – paqja e Allahut qoftë mbi të -: "Nuk do të arrij robi që të bëhet prej të devotshmëve përderisa nuk le atë që nuk ka ndonjë të keqe nga frika e të keqes" (transmeton Trimidhiu)



Definicionet e devotshmërisë:


Devotshmëria është shkalla më e lart që duhet besimtari të ngritët tek ajo, sa do që të përjetoj mundime dhe vuajtje për hir të saj. Kanë dhënë shumë definicione për devotshmërinë dhe janë shtuar fjalët rreth saj, do ti përmend disa prej tyre që të jenë si një pishtar që na udhëzon me dritën e tij.


Është thënë: "Devotshmëri është ti nënshtrohesh Allahut e të mos mëkatosh, ta përkujtosh e mos ta harrosh, dhe ta falënderosh e mos ta mohosh ( për mirësitë qe t'i ka dhuruar)"


Dhe është thënë: "Devotshmëria është: Mos këmbëngulja në mëkat dhe mos mashtrimi në adhurim ( ibadet )" i devotshëm është ai i cili nuk këmbëngul në mëkat edhe nëse është ai i vogël, dhe nuk mashtrohet në adhurim (ibadet) edhe nëse ai është i madh.


Dhe është thënë: "Devotshmëri është që mos ta zgjedhësh ndaj Allahut pos Allahun, dhe ta dish se çdo gjë është në dorë të Tij"


Gjithashtu: "Devotshmëri është që mos të gjejnë njerëzit në gjuhen tënde dhe veprën tënde ndonjë gabim, dhe mos te gjejnë Melaqet ne fshehësin tënde ndonjë gabim."


"I devotshëm është ai i cili e zbukuron fshehtësinë e tij për Krijuesin e tij ashtu si e zbukuron pamjen e jashtme për shokët e tij "


"Devotshmëri është që mos të të shoh Krijuesi yt aty ku ta ndaloi ty"


Dhe është thënë: "I devotshëm është ai i cili ecën rrugës së të dërguarit të tij – paqja e Allahut qoftë mbi të – dhe e hedh dynjanë prapa shpinës së tij dhe ia obligon vetes sinqeritetin dhe mbajtjen e premtimit dhe e largon veten nga haramet dhe mashtrimet"



Këto definicione tri gjëra i kanë të përbashkëta:


1. Të largohesh nga mëkatet e vogla dhe të mëdha, sepse këmbëngulja në mëkate të vogla të dërgon te mëkatet e mëdha.


2. Të kesh kujdes në fjalët dhe veprat tua, sikur ai që ecën në një rrugë të mbushur me gjemba është i kujdesshëm në çdo hap që bën, dhe kjo i ka bërë disa shok të Pejgamberit të bëhen shembuj të devotshmërisë. Omeri r.a. e pyeti Ubeje b. Ka'b për devotshmërinë, e ai iu përgjigj: A nuk ke ec ndonjëherë në ndonjë rrugë me gjemba? Tha: gjithsesi. I tha Ubeje: si veprove? Tha: kam ec me kujdes, i tha: kjo është devotshmëria.


3. Mos ta nënçmosh gjësendin më të vogël, sepse është transmetuar se i dërguari i Allahut kaloi pran një hurme në tok tha: " Po të mos ishte lëmosh do e kisha ngrënë" (transmeton Buhariu)



Për këto tri pika disa kanë shkruar poezi:


Lej gjynahet të vogla qofshin apo të mëdha
Nëse do prej të devotshmëve ti me u ba
dhe bën sikur ai që ecën në vendin me gjemba plot
vëmendjen prej tyre nuk e largon dot
Asnjë gjë të vogël mos e nënçmo
Sepse kodra prej guralecëve është bo



Dhe është transmetuar nga të parët: "Kush donë të bëhet më fisniku i njerëzve le të jetë i devotshëm ndaj Allahut, kush dëshiron të jetë më i forti i njerëzve le të mbështetet tek Allahu, kush dëshiron të jetë më i pasuri i njerëzve atëherë le të jetë ajo çka është në dorë të Allahut më e sigurt se sa ajo që gjendet në dorën e tij"



Dallimi mes adhurimit dhe devotshmërisë


E kuptuam më herët rëndësinë e devotshmërisë dhe rrezikun e saj(nëse nuk stolisemi me të), dhe vlerën e saj të lart, siç e kuptojmë se fryti i devotshmërisë nuk realizohet përderisa nuk i plotëson pesë gjëra, e ato janë: Besimi, Nënshtrimi, Lërja e mëkateve, Pendimi dhe Sinqeriteti.
E nëse mungon një prej këtyre pesë pikave atëherë mungon devotshmëria.


Prej këtu e mësojmë se devotshmëria nuk është adhurimi – siç mendojnë shumë njerëz – sepse gjejmë besimtar i cili adhurimin e ka të shumtë, mirëpo adhurimi i tij nuk e ka ngrit në nivelin e devotshmërisë.


Në librin e Allahut dhe në fjalët profetike kemi argumente të shumta dhe prova të qarta për atë që e sqarova, ka thënë Allahu i madhëruar: "Edhe Ibrahimin (e dërguam) kur ai popullit të vet i tha: "Adhurojeni All-llahun dhe keni frikë prej Atij(bëhuni të devotshëm ndaj Tij)" ( el-Ankebut16)


Dhe thotë i Lartësuari: "Ne e dërguam Nuhun te populli i vet (dhe i thamë): "Tërhiqja vërejtjen popullit tënd para se ata t'i godasë dënimi i rëndë!"Ai tha: "O populli im, unë jam i dërguar te ju, jam i qartë. Adhurojeni All-llahun, kini frikë prej Tij(bëhuni të devotshëm ndaj Tij) dhe mua më dëgjoni."(Nuh 1-3)


Kurse në ajetin tjetër i Lavdëruari thotë:" O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar)." (el-Bekareh 21)


Shikojeni – Allahu ju mëshiroftë – si u bë dallimi në ajetet e lartpërmendura në mes adhurimit dhe devotshmërisë, Nuhu dhe Ibrahimi – paqja qoftë mbi ta – e urdhëruan popullin e tyre me adhurim dhe devotshmëri.


Në ajetin e tretë Allahu i urdhëroi njerëzit që ta adhurojnë Atë i cili i krijoi ata, dhe i krijoi ata që ishin para tyre, me shpresë që adhurimi i tyre ti ngrit në shkallën e devotshmërisë.


Kurse në udhëzimin e pastër profetik thotë i dërguari i Allahut – paqja qoftë mbi të- " Keni kujdes nga dyshimi, sepse dyshimi është prej bisedave më gënjeshtare, mos gjurmoni (sekretet e besimtarëve), mos spiunoni (njëri tjetrin), mos mbani zili, mos e urreni (njëri tjetrin), mos ia ktheni (shpinën njeri tjetrit), por bëhuni robër të Allahut vëllezër, muslimani është vëlla i muslimanit nuk e poshtëron atë, nuk i bënë padrejtësi (zullum) dhe nuk e braktis atë, i mjafton njeriut për sherr që ta poshtëroj vëllanë e tij musliman, çdo musliman e ka të ndaluar (ta shpërfill) pasurin e muslimanit, gjakun e tij dhe nderin e tij, Allahu nuk shikon në fizionomitë dhe trupat tuaj por shikon në zemrat dhe punët tuaja. Devotshmëria është këtu, Devotshmëria është këtu, Devotshmëria është këtu, bëri me shenj drejt gjoksit të tij." (Transmeton Muslimi)


Nga këto fjalë profetike së pari kuptojmë se për ta arrit devotshmërinë duhet t'iu shmangemi të gjitha këtyre punëve të cilat u cekën në hadith, dhe së dyti kuptojmë se devotshmëria është sekreti në mes robit dhe Zotit të tij, dhe për këtë bëri me shenj i dërguari i Allahut drejt gjoksit të tij.


Dhe e mbështet këtë libri i Allahut: "Pra mos lavdëroni veten, se Ai (Allahu) e di kush është më i ruajtur(më i devotshmi)" (en-Nexhm 32)


Prej ajeteve më gjithpërmbledhëse i cili na tregon realitetin e devotshmërisë dhe na e sqaron se me këtë devotshmëri nuk begatohet njeriu me ngrohtësinë e saj,freskinë e saj dhe dritën e saj përderisa nuk i përvetëson bazat e moralit, dhe i kryen bazat e adhurimit, them prej ajeteve më gjithpërmbledhëse është ky ajet i nderuar: "Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t'i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit."(el-Bekareh 177)


Shikoni- Allahu ju mëshiroftë – në vetit fisnike dhe cilësitë e lavdëruara për të cilat na foli ky ajet dhe se si janë përmendur në të tri bazat e Sheriatit: Besimi, Adhurimi dhe Morali, dhe i ka përmbledh në vete pesëmbëdhjetë veti, dhe e ka bërë devotshmërinë fryt i tërë këtyre vetive, siç erdhi në fund të ajetit: " Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit."(el-Bekareh 177)


Pas kësaj që u përmend e kuptojmë sekretin dhe urtësinë e përmendjes së devotshmërisë në fillim të librit të Allahut.


O Zot na bënë prej të devotshmëve, për të cilët ke thënë: "Ato janë xhennetet që do t'ua trashëgojmë robve Tanë që ishin të ruajtur (të devotshëm)." (merrem 63)


 


Shkëputur nga libri :
"Khumasijat mukhtareh fi tehdhib en-nefs el-emareh"
Prof. Dr. Fadl Hasen Abas
Përktheu: Dr. Rijad Imeri


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi