Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe mëshira qofshin për Muhamedin a.s., familjen dhe shokët e tij, dhe për ata që e pasuan dhe e pasojnë atë deri në Ditën e Gjykimit. Adhurimi në Islam ka rëndësi të madhe në formimin e myslimanit, që të bëhet rob i edukuar; ka rëndësi të madhe në përgatitjen dhe ngritjen e tij, që të mund të hyjë në Xhenet dhe të arrijë begatitë e tij. Nga kam ardhur? Cili është misioni im në këtë jetë? Ku do të shkoj? Kur të përdorim mendjen dhe të meditojmë, do të dimë rrugën e sigurt dhe që dhuruesi i jetës sonë është Allahu i Lartësuar. Meqë Ai është udhëheqës i çështjes së Tij, i Dijshëm në veprën e Tij, nuk ka mundësi që ekzistenca jonë të jetë shkel e shko, pa ndonjë qëllim, veçse Ai na krijoi për një qëllim që e sqaroi në Librin e Tij, ku tha: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër përveçqë të më adhurojnë”. (ED-Dharijat:56). “Ai e bëri Diellin shndritës, e Hënën dritë dhe asaj (Hënës) ia caktoi fazat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. Allahu nuk e krijoi këtë për tjetër, pos me qëllim të caktuar. Ai ia sqaron argumentet një populli që kupton. Në ndërrimin e natës e të ditës, dhe në çka krijoi All llahu në qiej e në Tokë, vërtet ka fakte për njerëzit që kanë droje”. (Junus: 5-6). Vështrimi nga ne i pjesëve të kozmosit, Tokën, pemëve, bimëve, shtazëve dhe gjërave të tjera, dëshmojnë precizitetin e krijimit. E ne në mesin e këtyre krijesave jemi krijuar me të njëjtin precizitet, dhe jetojmë në brendësinë e këtij preciziteti, ndërsa ne në mesin e krijesave jemi krijuar në formën më të bukur, jemi pajisur me mendje, e cila na drejton në rrugë të drejtë, dhe i nënshtroi për ne krijesat. Është thënë: Uji është për bimët, bimët janë për shtazët, shtazët janë për njerëzit, dhe, për shka se te njeriu arrin mendja dhe ecim në këtë drejtim, themi: Njeriu është për Allahun, Allahu është Ai Që na krijoi, Ai ekziston, këtë e ndiejmë në momentin kur kemi nevojë për Të, E thërrasim dhe E kërkojmë Atë në shumë raste:
Nënshtrimi Vetëm Për Allahun
“E kur i mbulon ata ndonjë valë si reja, I drejtohen Allahut sinqerisht me besim vetëm ndaj Tij, e kur i shpëton ata e dalin në tokë, ka disa prej tyre që i mbesin besnikë besimit të drejtë, e faktet Tona nuk i refuzon kush përveç të pabesit dhe përbuzësit”. (Lukman: 32); “E kur ju kap ju paniku (frika) në det, i humbni (nga kujtesa) ata që i lutni, u mbetet vetëm Ai (Allahu), mirëpo, pasi Ai t’ju shpëtojë e të arrini në tokë, ia ktheni shpinën. Kështu, njeriu është përbuzës”. (El Isra: 67). Është pyetur Xhafer Sadik r.a. për Allahun, e ai i ka thënë pyetësit: “A nuk ke lundruar në det? Ai tha: Gjithsesi. I tha a ka ndodhur ndonjëherë që valët e detit të ta godasin anijen? Ai tha: Po. I tha: A mendove se nuk do të gjeje shpëtim dhe mjete shpëtimi? Tha: Po. A të erdhi në mendje ndonjëherë se gjendet dikush që, nëse dëshiron të të shpëtojë, do të të shpëtojë? Tha: Po. Tha: Ai është Allahu”. Pasi të bindemi se ai që më ka krijuar është Allahu, dhe më ka dalluar me mendje, ka nënshtruar kozmosin për mua, kuptoj se misioni im në këtë jetë është adhurimi i Allahut dhe falënderimi i Tij për të gjitha ato që më ka dhuruar, dhe se një ditë do të dalim para Tij me të gjitha veprat tona: “Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. (bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë”,(Esh-Shuaraë: 88-89); “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe që peshon sa grimca, atë do ta gjejë”. (Ez-Zelzele: 7-8). Është verbëruar ai që thotë për këtë botë dhe jetën në të, se njeriu jeton sa jeton e do të varroset dhe toka do ta zhdukë, dhe se nuk ka diçka tjetër. Atyre u themi: A barazohet ai që jetën e tij e ka kaluar në shërbim të njerëzve dhe vetes ia ka ndaluar qetësinë në shërbim të të tjerëve, me atë që jetën e tij e ka kaluar në epshe dhe dëshira të tij në llogari të të tjerëve?! Nëse çështja është kështu, çfarë është ajo që e dallon njeriun nga shtazët, a e shihni atë të barabartë me misionin e tyre në ushqim dhe pije, ashtu siç edhe thotë i Lartësuari:”…ata që nuk besuan, përjetojnë kënaqësi (në këtë jetë) dhe hanë ashtu si hanë kafshët, e vendi i tyre është zjarri”. (Muhamed: 12) Në të njëjtën kohë, besimtarët përshkruhen se si janë të nderuar nga Zoti i tyre: “Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu do t’i vërë në Xhenete, nën të cilët rrjedhin lumenj”. (El-Haxhxh: 14)
Xhinët dhe njerëzit janë krijuar vetëm për ibadet
Kështu, ata e dinë se si kanë ardhur, e dinë rolin e tyre dhe janë të bindur se ku do të përfundojnë. Njeriu, të cilin Allahu e nderoi me mendje dhe me formën më të bukur, nuk është krijuar për këtë botë, por bota është krijuar për të, ai është krijuar për botën e përjetshme, kurse kjo botë nuk është tjetër përpos stacion në të cilin mbushet me atë që i dhuron të mira për Botën tjetër, që të përgatitet për t’u takuar me Allahun xh.sh.. Atje do ta shpërblejë për të gjitha ato që ka punuar: “E, secilit sipas veprave që i bën, i takon shkalla, e shpërblimi për veprat e tyre do t’u plotësohet, e nuk u bëhet e padrejtë”. (El-Ahkaf:19) I mençur është ai i cili në këtë botë shton devotshmërinë duke pasuar Urdhrat e Allahut dhe duke u ndaluar nga ndalesat e Tij. Jeta në këtë botë është rasti në mes duarve të tij që të përfitojë begatitë e Botës së përjetshme: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër përpos që të Më adhurojnë”. (Ed Dharijat:56) Shembulli i Xhenetit, i cili u është premtuar atyre që janë ruajtur (të devotshëm), në të cilin ka lumenj me ujë të mirë për pije, lumenj nga qumështi me shije të paprishur, lumenj nga vera e shijshme për njerëz, lumenj nga mjalti i kulluar, - ata kanë aty edhe gjithfarlloj pemësh, kanë edhe falje nga Zoti i tyre”. (Muhamed:15) Nuk u takon t’i shijojnë të mirat e Xhenetit të tjerë përveç atyre që përmirësuan veten e tyre dhe e drejtuan në pëlqim me Ligjin e Allahut të Lartësuar. Prandaj, njeriu në këtë tokë nuk është krijuar kot së koti, veçse misioni i tij është adhurimi, që e ngre në këtë botë dhe në Botën tjetër, i cili në këtë botë i siguron lumturi, ndërsa në Botën tjetër begatitë e Allahut në Xhenetet e Tij, dhe kjo është ajo që njërin nga të devotshmit e shtyn që atyre që e shoqërojnë, t’u thotë: “Ju jeni krijuar që të jetoni përgjithmonë, dhe kështu ju vetëm transferoheni nga një jetë në jetën tjetër”, e tjetri thotë: “Vdekja nuk është tjetër veçse një transferim prej shtëpisë së përkohshme në shtëpinë e përjetshme”. E tjetri thotë: Kjo botë është periudhë e përgatitjes për birin e Ademit, lum për atë që e rregullon jetën e tij me Ligjin e Allahut të Lartësuar”. Pra, cili është ai adhurim që njeriut ia siguron botën e përjetshme? Ibn Tejmije në librin e tij “Adhurimi” thotë: “Adhurimi është nënshtrim ndaj Allahut me dashuri të plotë ndaj Tij”. Dhe thotë: “Nuk meriton nënshtrim dhe dashuri ndaj askujt përveç ndaj Allahut, dhe çdo nënshtrim përpos ndaj Allahut, është humbje, dhe çdo dashuri përpos ndaj Allahut, është e shëmtuar”. Pastaj ka përmendur ajetin fisnik: 24. “Thuaj (o i dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që fituat, tregtia që frikësoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur”. (Et-Tevbe: 24)
Gara për vepra të mira
Nga kjo kuptojmë se Adhurimi është: Nënshtrim ndaj Allahut e zbatim i Ligjit të Tij dhe dashuria është vetëm për Të. Në fund themi se adhurimi kërkon sakrificë, për shkak se shpirtin e ndalon nga dëshirat e tij; namazi në shpirtrat e sëmurë është humbje kohe, agjërimi dobësim i trupit, zeqati pakësim i pasurisë, dhe kështu ata largohen prej adhurimit, kurse njerëzit që kanë qëllim të lartë, i ndalojnë epshet shpirtërore dhe veten e drejtojnë tek nënshtrimi ndaj Allahut të Lartësuar dhe gara për vepra të mira.
Thotë Allahu i Lartësuar: “A mos menduat ju se do të hyni në Xhenet e allahu, pa e ditur (pa u vërtetuar në praktikë) se cilët prej jush kanë luftuar dhe pa e ditur se cilët prej jush ishin të durueshëm”. (Ali Imran: 142). Shiko rreth teje ata që shpirtin e tyre e ngritën në nënshtrimin ndaj Allahut të Lartësuar, dhe gjendja e tyre u lartësua; ata në këtë botë vazhdojnë ta bartin amanetin e kësaj feje: “Ne u ofruam amanetin (obligimet) qiejve, Tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta merrnin përsipër dhe u frikësuan prej tij, kurse njeriu e mori mbi vete”. (El-Ahzab:72). Pra, detyra dhe misioni i njeriut në këtë botë është adhurimi dhe nënshtrimi ndaj Allahut të Lartësuar dhe zbatimi i Ligjit të Tij në këtë tokë.
Fatos Gërvalla
Dituria Islame 247