Mençuria – Urtia


Atij që i është dhënë urtia, i janë dhënë të mira të shumta. (El-Bekaretu,269)
Trasnmetohet nga Ibn Abasi, që ka thënë: “Më përqafoi dhe më shtrëngoi Muhamedi a.s. dhe pastaj u lut e tha: ‘O Zot mësoja diturinë dhe Mençurinë’”. (Buhariu). Urtësia është pa dyshim cilësi e njerëzve të kompletuar në rrafshin mendor dhe intelektual, të cilët përmes kësaj cilësie të dhuruar nga Zoti i Madhërishëm, mund të arrijnë të zgjidhin probleme të natyrave të ndryshme. Ndryshe nga të gjitha veçoritë e tjera, nga të cilat mund të dallohet një njeri, Urtia apo Mençuria u jepet njerëzve të veçantë si dhuratë nga Zoti xh.sh..
Lidhur me përkufizimin e Mençurisë, dijetarët kanë thënë:
-Mençuri do të thotë vendosje e një gjëje në vendin e saj.
-E përkufizojnë edhe kësisoj: Ajo është një veprim i qëlluar në kohën e qëlluar.
Kjo cilësi te shumica e filozofëve më të mëdhenj të vjetër konsiderohet si nëna e të gjitha të mirave dhe bazë e të gjitha virtyteve njerëzore. 
Filozofi i njohur antik, Sokrati, e konsideron atë si kulmin e të mirave prej së cilës burojnë të gjitha veprimet dhe sjelljet e njerëzve dhe e cila konsiderohet edhe si bosht kryesor i tyre. 
Urtia te Sokrati përkufizohet edhe kështu: Ajo është plotësim i njohurive dhe i dijes, dhe ai që e arrin atë, tashmë e ka arritur tërë mirësinë. 
Ndërkaq Platoni mendon kështu: Mençuria është veti e lartë e cila formohet si shkak i forcës së hidhërimit dhe asaj të epsheve në mendje dhe trup; i Mençur konsiderohet ai që punon mirë vetëm për shkak se ajo vepër është e mirë, e jo për ndonjë qëllim tjetër. Kështu, pra, këtë cilësi e vërejmë edhe tek të gjitha drejtimet e ndryshme filozofike dhe të shkencës së Etikës-Moralit si dhe të atyre të quajtura si Polemizuesit – Ruvakijjun. Por këta të fundit, edhe pse e kishin ndërtuar tezën e tyre të bazuar në epshin, si bazë të drejtimit të tyre etik, prapëseprapë para masës paraqiteshin me ngjyrë të njeriut të matur e të mençur, duke iu referuar maturisë dhe parimeve të kësaj vetie. 
Ndërkaq, për sa u përket Feve, dihet mirëfilli se të gjitha fetë, me gjithë kundërshtitë apo mospajtimet në mes tyre, pajtohen se kjo cilësi a veçori konsiderohet si dhuratë nga Zoti xh.sh., të cilën Ai ia jep kujt të dojë nga robërit e Tij. Prandaj ai që pajiset prej Allahut Fuqiplotë me njohuri të shumta, me sukses në punë dhe me drejtësi në gjykim, ai pa dyshim arrin të pajiset më Urti dhe me të gjitha të mirat. 
Thotë Zoti xh.sh: Atij që i është dhënë urtësia, i janë dhënë të mira të shumta. (El-Bekare,269 “ ne i kemi dhënë lukmanit urti duke i thënë: Falënderoje Allahun, e kush falënderon , falënderon për veten e tij”. (Lukman, 12) 
E lidhur me Davudin a.s., thuhet: “Ne i dhamë Davudit Urtësinë dhe Oratorinë”. 
Ndërkaq sa i përket që të dyve, Davudit dhe Sylejmanit a.s. Zoti xh.sh thotë:“...Çdonjërit prej tyre i dhamë urti dhe dije”. 
Filozofët islamë, gjithashtu bënin thirrje për të dhe cilësoheshin për këtë veçori, edhe pse kishte nga mesi i tyre që i pasonin filozofët e vjetër grekë, sidomos Sokratin, Platonin dhe Arsitotelin. 
Dijetari i shquar i Etikës Islame, Ibn Miskevije, në librin e tij -Disiplina e Moralit –Etikës, lidhur me urtinë thotë:“urtia është virtyt i shpirtit të dalluar që flet, e kjo do të thotë që t’i njohë të gjitha gjërat për nga ekzistenca. Apo t’i njohë mendjet ose mentalitetet se cili prej tyre duhet të jetë aktiv e cili pasiv”.
Elementet bazë të Urtisë apo Mençurisë janë tri: 
1. Inteligjenca 
2. Njohuria 
3. Dëshira 
Inteligjenca konsiderohet si dhuratë nga Zoti i Madhërishëm, Njohuritë e gjera vijnë si rezultat i punës dhe angazhimit të njeriut dhe Dëshira apo vullneti i fortë vijnë si dhuratë nga shoqëria e suksesshme dhe e ngritur, e cila i motivon pjesëtarët e saj të ecin tutje në botën e suksesit. Kjo shoqëri u vë bijve bazat themelore të jetës, që konsiderohen si të domosdoshme për të jetuar një jetë me nder dhe me krenari. 
Prandaj, duke i parë këto elemente, mund të themi se dallimi në mes Diturisë dhe Mençurisë konsiston në faktin që: 
Dituria na mëson të prodhojmë ilaçe ose armë, kurse Urtia a Mençuria na mëson apo na bën ne që të mendojmë se kur duhet t’i përdorim ato. 
Prandaj moto e asaj kohe ndër masën e gjerë ishte bindja se Urtia është fryt i suksesit të dijes dhe punës, gjë që mbështetet edhe sot e kësaj dite. 
Nocioni Hakim – i Mençur- i Urtë është përdorur qysh në kohët e lashta, për të shprehur nder dhe respekt për personin për shkak të respektit dhe shenjtërisë që kishin njerëzit për këtë cilësi. Çdo ymet a popull kishte njerëz të urtë dhe të mençur, me të cilët krenoheshin për njohuritë e tyre, saqë disa edhe i lartësonin në shkallën e shenjtërisë. Këtë e vërejmë bazuar në hulumtimet etike që janë bërë kohë më parë, e vazhdojnë të bëhen edhe sot e kësaj dite.. Kjo për arsye se këta popuj shkonin aq larg, saqë konsideronin se këta dijetarë të urtë dhe të mençur posedonin njohuri të jashtëzakonshme dhe veçoheshin për njohuri të fshehta, tek të cilat nuk mund të arrijë askush tjetër përveç tyre. Por, duhet theksuar në këtë aspekt, Urtia si cilësi ishte fare pak e njohur në kohën e njohur para ardhjes së Shpalljes së fundit të Islamit. Ndër popuj të ndryshëm, e posaçërisht tek arabët, më shumë ishin të shfaqura armiqësi ndër njerëz dhe rrëmbimet sesa kjo gjë (Urtia).Urtia luan një rol të jashtëzakonshëm në sjelljen e personave dhe të shoqërive; përmes saj largohen rreziqet në jetën private të njerëzve dhe në atë të përgjithshme. 
Përderisa urtia të jetë cilësi e njeriut, nuk do të mungojë suksesi dhe shpëtimi. Ndërkaq, popujt që u pajisën me të, shtrinë sundimin e tyre në botë dhe ndriçuan sikur Dielli. E si të mos jetë kështu, kur Urtia para çdo veprimi, kërkon vigjilencë në çdo aspekt për proceset që mund të ndodhin. Po përmendim këtu disa fjalë të urta, sa për të parë intelektin e madh të autorëve të tyre:
- Kokat janë më të mençura atëherë kur janë të qeta, ndërsa zemrat janë më të forta dhe më stabile, atëherë kur ato rrahin në përkrahje të çështjeve të pastra dhe të drejta . 
-Të jesh i drejtë para se të jesh bujar. 
-Njeriu më i mençur është ai që mendon se ka pak mençuri. 
Njëri nga të mençurit ka thënë: 
Të të mos mashtrojnë katër gjëra: 
1. Mikpritja e udhëheqësve 
2. Buzëqeshja e armikut 
3. Lajkat e grave 
4. Dhe të nxehtët e dimrit 


 


Mr. Adnan Berbatovci 
Dituria Islame 254


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme