Nuk ka dyshim se e tërë jeta e Pejgamberit tonë, alejhi selam, është e mbushur me mësime dhe urtësi. Madje, është një jetë e mbushur me begati, në të cilën gjen çka të marrë prej saj çdo njeri, sikur i pasuri, ashtu edhe i varfëri, sikur pushtetari, ashtu edhe çobani. Është jetë, që me mësimet e saj ngushëllohet jetimi dhe i sprovuari, por edhe këshillohet i famshmi dhe i begatuari. Këtë e gjejmë në Kuran, në ajetin, ku Allahu i tha drejtpërdrejti Pejgamberit, alejhi selam: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (El Enbija, 107).
Edukata dhe morali i këtij njeriu që Allahu e dërgoi mëshirë për të gjitha botët, është shembullore, e shkëlqyer, ngase kështu e kishte edukuar dhe mësuar vetë Allahu i Madhërishëm, në mënyrë që ai të jetë pastaj shëmbëlltyrë për ymetin e tij deri në fundin e kësaj bote. Cilësitë e atij të bekuari ishin aq të bukura, saqë e fitonte admirimin e atij që rrinte me të një çast të vetëm.
Ata që nuk e besuan e cilësuan si poet, ngase retorika e shkëlqyer i mahniti të gjithë, por ajo ishte fjalë e Zotit nuk ishte poezi. Ata thanë: Nuk është tjetër, vetëm se një magjistar, ngase ai që rrinte një çast pranë tij magjepsej me të dhe bëhej ithtar i tij, e kjo nuk ka të bëjë fare me magji, por fuqia e besimit çlironte zemrat e tyre nga robëria e idhujtarisë.(1)
Ndër cilësitë e tij ishte se për familjen e tij, pasuesit dhe shokët e tij ishte frymëzues, inspirues, i ngjallte zemrat e njerëzve, i dhuronte shpresë të pashpresëve dhe i nxiste e i shtynte në punë të mira çdokënd që e kishte afër vetes.
Të shikojmë pak në historinë e Pejgamberit, alejhi selam, t’i kënaqim zemrat tona me diçka prej jetës së tij dhe të frymëzohemi edhe ne nga fjalët e ëmbla të tij!
Të gjithë ne e njohim Ebu Bekrin dhe mahnitemi me veprat e mira të tij, dhe nuk ka dyshim se ai që e inspiroi në kryerjen e atyre punëve të mira dhe që e frymëzoi në ecjen e asaj rruge, saqë pas pejgamberëve ai llogaritet njeriu më i mirë që ka ecur mbi tokë, është vetë Pejgamberi, alejhi selam. Një herë, Pejgamberi, alejhi selam, kishte thënë para shokëve të tij: “Sikur të e merrja dikë për mik pos Allahut, do ta merrja Ebu Bekrin!”(2)
Ta mendojmë pak, si ndihej Ebu Bekri pas këtyre fjalëve! Sigurisht se këto fjalë kanë ndikuar tek Ebu Bekri, që ai të ecte pastaj në rrugën e mikut të tij dhe të punonte me mësimet e tij.
Ai i bekuar nuk e lejonte t’i kalonte asnjë mundësi, vetëm se t’i thoshte fjalë të ëmbla e inspiruese shokëve të tij, me anë të të cilave, ai e shfaqte afërsinë e tij, modestinë e tij dhe respektin që e kishte për të tjerët edhe pse vetë ishte i dashuri dhe i zgjedhuri i Allahut.
Ta shikojmë Omerin, zemrën e të cilit Pejgamberi, alejhi selam, e mbushi me gëzim dhe shpresë dhe e mbjelli tek ai bindjen e plotë. Një prej këtyre rasteve është kur Pejgamberi, alejhi selam, u tregoi shokëve të tij një ëndërr, ku kishte parë vetën duke pirë qumësht dhe ata çka mbeti ia kishte dhënë Omer ibën Hattabit. Omerit, më shumë se ëndrra, i pëlqeu komentimi i saj kur Pejgamberi, alejhi selam, tha: “Qumështin e komentova si dituri.”(3)
Një herë tjetër, Pejgamberi, alejhi selam, ia kishte thënë Omerit një fjalë, që ia kishte ndriçuar jetën e tij. Transmetohet se kur Omeri kishte kërkuar leje nga Pejgamberi, alejhi selam, për ta kryer umren, Pejgamberi, alejhi selam, i kishte thënë: “O vëllai im, mos na harro në lutjet e tua!”(4)
Omeri, kur i dëgjoi këto fjalë, përjetoi një ndjenjë të mahnitshme, të cilat i përsëriste me kënaqësi e mallëngjim dhe për to thoshte: “Fjalë që për to do ta jepja tërë botën!”(5)
Pejgamberi, alejhi selam, e shfrytëzonte oratorinë e tij dhe fjalët inspiruese të tij edhe atëherë kur donte t’u mësonte shokëve të tij diçka të rëndësishme apo me vlerë. Transmetohet se një herë i kishte thënë Muadhit: “O Muadh, pasha Allahun unë të dua ty! Andaj në fund të çdo namazi mos e le pa thënë: “Allahu im më ndihmo të të rikujtojë, të të falënderojë dhe të të adhurojë në formën më të mirë!”(6)
Sa fjalë e ëmbël kur Pejgamberi, alejhi selam, i thotë shokut të tij, madje duke iu betuar se njëmend e do atë! A thua, a ka lënë Muadhi ndonjë namaz pa e bërë atë lutje pas këtyre fjalëve?!
Fjalët e ëmbla të tij, Pejgamberi, alejhi selam, nuk i kurseu edhe në mesin e familjes së tij. Një herë, ai hyri te gruaja e tij Safija dhe e gjeti atë duke qarë. Kur e pyeti përse, ajo i tha se ka debatuar me Aishen dhe Hafsën dhe ato mes të tjerash kanë thënë se ne jemi më me vlerë, ngase jemi nga fisi i Pejgamberit, alejhi selam, e pastaj jemi bërë edhe gra të tij, e nuk jemi nga hebrenjtë.
Pejgamberi, alejhi selam, duke fshirë lotët nga faqet e Safijes, ia mësoi disa fjalë, me anë të të cilave do të mbizotëronte në debat ndaj ortakeve të saj. Pejgamberi, alejhi selam, i tha: “Thuaju, si mund të jeni më të mira se unë, kur babai im është Haruni, xhaxhai im është Musai, ndërsa burri im është Muhamedi?!”(7)
Pejgamberi, alejhi selam, ishte inspirues e frymëzues edhe me fëmijët e me të rinjtë. Njëri prej sahabëve që atëbotë ishte i ri, sa ishte Pejgamberi, alejhi selam gjallë, por me mallëngjim e kujtonte atë kohë thoshte: “Nuk më ka parë Pejgamberi, alejhi selam asnjëherë përveçse ishte duke buzëqeshur!”(8)
Ndërsa kur e merrte Hasanin – nipin e tij, në prehër, i fliste fjalë të mira, e mes të tjerash i thoshte: “Ky biri im është zotëri, dhe shpresoj që me anë të tij Allahu t’i pajtojë dy grupe të mëdha nga mesi i besimtarëve!”(9)
Kjo fjalë i mbeti në kokën e Hasanit, derisa pas sa viteve ai bëhet shkaktar që ta ndalë gjakderdhjen dhe luftën mes ushtrisë së tij dhe asaj të Muaviut.(10)
Ky ishte Pejgamberi ynë të nderuar lexues, i frymëzonte të gjithë ata që i kishte rreth vetes dhe i nxiste në punë të mira, e nga goja e tij nuk dilnin fjalë të tjera përveç fjalëve motivuese e me plot urtësi. Kjo ishte arsyeja se përse shoqëria e sahabëve u bë e suksesshme dhe arriti ta përçojë mesazhin islam nga Lindja deri në Perëndim, ngase u rritën, u edukuan dhe u frymëzuan nga Pejgamberi ynë, alejhi selam.
___________________________
1 Mustafa Mahmud, Njihe Lajmëtarin, (Prishtinë, Sira, 2018), 5.
2 Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
3 Muttefakun alejhi, (Buhariu e Muslimi).
4 Buhariu, 1194.
5 Shiko: Aid el Karni, Mulhim el alem, (Rijad, Daar el hadarah, 2022), 14.
6 Transmetojnë Ahmedi, Ebu Davudi dhe Nesaiu. Hakimi e vlerëson si hadith të saktë – sahih.
7 Transmeton Tirmidhiu (3892).
8 Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
9 Transmeton Buhariu.
10 Aid el Karni, Mulhim el alem, 19.
Mr. Besim Krasniqi