Çdo njeri në tokë dëshiron të bëhet i lumtur. Megjithatë, disa mund të bëjnë pyetjen: Çfarë është lumturia-kënaqësia? A është pasuria pas varfërisë? Shëndeti pas sëmundjes apo fuqia pas dobësisë?
Ose, a është posedimi i diturisë dhe mendjemprehtësisë? Për t’i plotësuar kënaqësitë trupore? Për të jetuar një jetë të paqes absolute, dhe as të kufizuar nga imponimi i moralshmërisë dhe besimit?
Pyetjet sikur këto, na vijnë lehtë ndërmend, prejse kënaqësia është diçka reale dhe nuk është një iluzion. Personi i diturisë gjen kënaqësinë në dituri. Personi bujar gjen kënaqësinë kur dhuron diçka. Njeriu punëtor gjen kënaqësinë në punën produktive. Kënaqësia që ata ndiejnë, është shumë më e madhe sesa kënaqësitë e rëndomta të ngrënies, pirjes dhe fitimit të pasurisë.
Akoma, qëndron pyetja: A është kjo shkalla më e lartë e aspiratave njerëzore? Apo kënaqësia është më shumë se kaq?
Nga natyra, qenia njerëzore nuk është kurrë e kënaqur. Gjithmonë ka një rrugë për të kërkuar më pastaj diçka më shumë, diçka më të mirë. Personi i pasur kërkon fitime të mëtutjeshme. Shkencëtari që bën një zbulim, kalon tek tjetri. Në një temë më ambicioze të zbulimit.
Kjo pakënaqësi shqetësuese vazhdon kështu përderisa njeriu aspiron Zotin dhe gjen paqen në adhurimin e Tij dhe duke e ditur se Ai është duke na mbrojtur dhe duke na udhëzuar në secilin hap të rrugës. Kur Omer ibn Abdul Azizi u bë halif, deshi të aspironte drejt një triumfi edhe më të madh. Ai tha: “Asgjë nuk mbetet për t’u arritur përveç Xhennetit”.
Pa marrë parasysh se sa përpiqemi dhe sa arrijmë në këtë botë, do të ketë gjithmonë dhimbje dhe telashe. Gjithnjë do të ketë brenga të cilave ne të vetëm, nuk do të jemi në gjendje t’u bëjmë ballë. Megjithatë, nëse i hedhim shikimet tona në botën e ardhshme dhe punojmë drejt, ne do të gjejmë lehtësi dhe qetësi për brengat tona. Në fakt, nuk ka rrugë tjetër për të arritur një paqe të tillë.
Kjo është kështu për shkak se kënaqësia e vërtetë kërkon nga ne që të aspirojmë drejt një synimi më të lartë, për të pasur një domethënie fisnike - bujare, të cilën e bartim përpara gjatë jetëve tona. Kur i hedhim shikimet tona mbi një synim të tillë dhe kemi konfidencë në Zotin tonë, atëherë ne mund të pajtohemi me çkado që na ndodh. Atëherë ne kemi paqe dhe kënaqësi të vërtetë. Kështu që as nuk do të ndiejmë tepër kënaqësi tek punët e mira, po as tepër hidhërim për humbjet që pësojmë.
Në qoftë se marrim pak kohë dhe shikojmë ata rreth nesh - t’i shikojmë ata vërtet - ne do të shohim mërzinë dhe brengën e shkruar në fytyrat e tyre. Rrobat e tyre të bukura dhe shprehjet e tyre të buzëqeshura mund të mos shfaqin brengat e tyre, mirëpo ato brenga, megjithatë, do të jenë të dukshme. Kjo është kështu, sepse ata janë të zënë me konkurrimin e papajtueshëm për fitime materiale dhe kjo i preokupon zemrat e tyre dhe i parapengon ata që të arrijnë kënaqësi reale. Kurani e shpreh këtë të vërtetë më së miri, ashtu sikur është duke folur rreth ditës dhe kohës sonë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju ju preokupoi përpjekja për shumimin (e pasurisë, të fëmijëve, të pozitës)! Derisa të mos i vizitoni varrezat (të bëheni banues të tyre - të vdisni)”. (Kur’an: Suret-Tekathur 1-2).
Atyre që janë pushtuar nga aktivitetet e kësaj bote, lodhja e tyre, ditët e mbushura me mërzi në tokë, u vijnë befasi, e ata nuk janë të përgatitur.
Nuk do të thotë që kënaqësia mund të gjendet në kohën e lirë dhe në relaksim ashtu sikur supozojnë shumë njerëz. Kënaqësia gjendet edhe në kapërcimin e vështirësive, rregullimin e problemeve dhe në mposhtjen e të metave të dikujt. Njeriu përtac nuk përjeton asnjëherë kënaqësinë e arritjes. Kënaqësia gjindet në dhimbjen që shoqërohet nga triumfi, në pikëllimin e pasuar nga gëzimi. Ajo gjendet në sjelljen e së mirës tek njerëzit nëpërmjet përpjekjeve tona për të zhvilluar botën. Kënaqësia gjendet në shprehjet më fisnike të humanizmit tonë të mirë.
Dr. Muhammed El-Abduh
Përktheu nga anglishtja Vlora Ahmeti
Dituria Islame 222