Gruaja gjithmonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në shoqëri, me të drejta të veta për ekzistencë, punë, edukim dhe trashëgim. Të drejtat e saj, në varësi nga periudhat kohore, kalojnë nga një gjendje në një gjendje tjetër. Të drejtat e veta gruaja i fiton në vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. Për shembull, gruaja në Islam në vendet arabe të drejtat e veta i ka fituar në kohën e shpalljes së Islamit.
Gruaja ka një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimet dhe ndryshimet kulturore në një shoqëri; gjithashtu ajo ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe përparimin e gjinisë njerëzore, sepse kjo krijesë e butë ka kontakt shumë më të afërt me gratë dhe me fëmijët.
Një shëmbëlltyrë të tillë, të një gruaje që gëzon autoritet, e kemi edhe tek gruaja e Resulullahut a.s. hz. Aishja, nëna e besimtarëve, vajza e njeriut të parë prej burrave që i besoi Muhamedit a.s., Ebu Bekër Es-Siddikut.
Aisheja r.a. lindi nëntë a dhjetë vjet para Hixhretit në Mekë. Ka qenë e bija e Ebu Bekrit dhe nënës Ummu Ruman, bija e Amir ibni Umejrit. Aisheja r.a. u bë myslimane në moshë shumë të re.(1)
Resulullahu a.s. nuk u martua me as një grua tjetër sa ishte gjallë Hatixheja r.a.. Edhe pas vdekjes së saj, nuk u martua për një kohë. I Dërguari a.s. u mërzit shumë kur vdiq Hatixheja r.a.. Hatixheja r.a. dhe Ebu Talibi vdiqën në të njëjtin vit, dhe kjo ishte një ngjarje e rëndë për Alejhisselamin, prandaj atë vit e quajti 'Senetul Huzni'- 'Viti i dëshpërimit'. Një ditë erdhi tek Muhamedi a.s. Havle binti Hakim, gruaja e Osmani ibn Me'zunit, dhe i propozoi që të martohej me Aishen, të bijën e Ebu Bekër Es-Sid- dikut. Pastaj shkoi tek Ebu Bekri dhe e kërkoi Aishen në emër të Resulullahut.
Kurorëzimi i Pejgamberit a.s. me Aishen u bë dy apo tre vjet para Hixhretit. Burimet theksojnë se, kur u kurorëzua, Aisheja r.a. ishte në moshë të vogël. Dasma u bë dy vjet pas kurorëzimit. Atëbotë, sipas transmetimeve, Aisheja r.a. duhej të ishte në mes moshës nëntë e njëmbëdhjetë vjeç. Disa historianë thonë se Aisheja ishte në moshë më të madhe nga ajo që cekëm, kuptohet duke u bazuar në transmetime të ndryshme.
Pejgamberit a.s., pas vdekjes së gruas së tij, Hatixhes, i mbeti barra dhe kujdesi për shtëpi dhe për fëmijë. Tani ai kishte nevojë për një bashkëshorte që do ta ndihmonte dhe do t'i jepte vullnet në aktivitetet e tij islame. Ai gjithashtu ishte i martuar me Sevden, e cila ishte e shtyrë në moshë dhe e ve, për të cilën gjithashtu po kujdesej. Nga ana tjetër, ai kërkoi Aishen nga Ebu Bekri, që t'i përforconte edhe më tej marrëdhëniet e tij shoqërore dhe të kamotshme, duke u lidhur edhe miqësisht me të,(2) e në anën tjetër t'i falte një margaritar Islamit duke e përgatitur atë qysh prej moshës së vogël.
Martesa e tij me Aishen ishte bërë që të përfitonin gratë myslimane, duke marrë përgjigjet e pyetjeve, për të cilat kishin turp ta pyesnin drejtpërsëdrejti Pejgamberin. Prandaj u martua i Dërguari me Aishen, të cilën e edukoi dhe e mësoi duke e bërë mësuese të të gjithë besimtarëve deri në Ditën e Gjykimit. Ajo ishte gruaja që transmetoi më shumë se dy mijë hadithe nga Pejgamberi ynë, ishte mësuesja e grave dhe burrave myslimanë, madje ajo u ngrit aq, sa të bëhej edhe komandante e ushtrisë myslimane.
Oferta e martesës nga ana e Pejgamberit ishte bërë dhjetë vjet pas Shpalljes, ndërsa hz. Aishja kishte lindur pesë apo gjashtë vjet para Shpalljes.
Nga kjo del se mosha e martesës së Aishes me Pejgamebrin ishte shtatëmbëdhjetë ose tetëmbëdhjetë vjeç. Kjo temë është shtjelluar më hollësisht në librin 'Asr-i Saadet', të Mevlana Shibli- ut.(3)
Për sa i përket moshës së martesës së hazreti Aishes, për se sipas disa transmetimeve thuhet se ajo ishte në moshë më të madhe, kur u martua me Pejgamebrin, ata bazohen në biografinë e motrës së saj më të madhe, Esma.
Librat e vjetër biografikë për Esmanë r.a., thonë: 'Esmaja r.a. vdiq në moshën 100 vjeçe, në vitin 73 të hixhretit. Në kohën e Hixhretit ajo ishte në moshën 27 vjeçe, Aishja r.a. ishte dhjetë vjet më e vogël se ajo, kështu që del që ajo në periudhën e Hixhretit ishte në moshën 17 vjeçare.(4) Gjithashtu hazreti Aishja, para se të fejohej me Pejgamberin a.s., ishte e fejuar me Xhubejrin, por ishte ndarë prej tij për shkaqe fetare, meqë ai nuk kishte hyrë në Islam. Kështu e prishi fejesën me të dhe u fejua me Pejgamberin. Kjo dëshmon se ishte vajzë që e kishte kohën për martesë.(5)
Në një hadith që transmeton Aishja r.a., thuhet se Xhebraili a.s. i kishte sjellë fotografinë e saj, të cilën e kishte mbështjellë në një material të mendafshtë dhe e kishte futur në një këmishë, duke i thënë Muhamedit a.s.: 'Kjo është gruaja jote në këtë botë dhe në Ahiret'. Aishja r.a. ka qenë e vetmja grua beqare, me të cilën u martua Resulullahu. Nënën e besimtarëve, hz. Aishen, Pejgamberi a.s. e donte shumë, asaj nga dashuria, i kishte vënë ofiqin 'bardhoke'. Pejgamberi thoshte: 'Merreni (mësoni) gjysmën e fesë nga kjo bardhoke'. Aishja ishte grua e cila iu bashkua Resulullahut në luftë, së bashku me gratë tjera, të cilat ndjekin plagët e luftëtarëve të plagosur. Në luftën e Uhudit ajo shoqëroi Resulullahun, duke mos u ndarë për asnjë çast prej tij, duke i shërbyer me ujë dhe ushqime pjesëmarrësit e luftës.
Gjatë kësaj lufte ajo ia mjekoi edhe vetë Resulullahut plagët që ia kishin shkaktuar mushrikët, duke ia ndalur gjakun që i rridhte në fytyrën e tij të bekuar. Ajo madje kishte dashur të merrte pjesë në këtë luftë si luftëtare me shpatë, por nuk i kishte dhënë leje Muhamedi a.s..
Qysh kur ishte e vogël, babai i saj, Ebu Bekri, u angazhua rreth mësimit dhe edukimit të saj. Aishja, nëna e të gjithë besimtarëve, lexim-shkrimin e kishte mësuar në moshën e saj fare të vogël. Për zgjuarsinë dhe kapacitetin e saj të lartë, ajo ia kishte tërhequr vëmendjen e shoqërisë. Ato që mësonte, nuk i harronte, i përsëriste vazhdimisht. Ajo kishte një memorie jashtëzakonisht të fortë. Ishte një grua e mençur, e zgjuar, e ndershme, krenare e dijetare dhe edukatore e shkëlqyer. Kishte një elokuencë kur shpjegonte, shpjegonte me një mjeshtëri të rrallë, pra ishte një personalitet i kompletuar. Duke u bazuar në memorien dhe karakterin e saj të pakrahasueshëm, dhe duke u bazuar në faktin se këtë zonjë e kishte lavdëruar Kurani famëlartë, ashabët e pyesnin rreth shumë çështjeve, dhe nga kjo zonjë e nderuar mësonin përgjigjet e drejta.
Nëna jonë Aishe, myslimanëve u mësoi të gjitha ato që kishte dëgjuar nga Pejgamberi a.s., sa ishte gjallë Pejgamberi a.s., pastaj në kohën e halifatit të babait të saj, Ebu Bekrit, në kohën e Omerit r.a. dhe në kohën e Osmanit. Gjithmonë agjëronte dhe falte namaz nate. Aishja r.a. ishte e mprehtë në çështjet e fikhut dhe në ixhtihad, pra në përdorimin e logjikës së shëndoshë. Ajo radhitet nga themeluesit e shkencës së fikhut. Gjithashtu është dijetare ndër më të lartët e kohës së saj, dhe numërohet ndër gjashtë dijetarët e fikhut (Fukahaus- seb'a).
Aishja r.a. ishte një grua me moral të lartë dhe karakter të pastër, me shpirt e zemër të mëshirshme, xhymerte (dorëlirë) dhe e dhënë pas ibadetit, ishte një grua që shquhej për zgjuarsi. Mbi të gjitha, ajo shquhej për cilësinë e saj të shkëlqyer, sepse Islamit dhe dijes u bëri një shërbim të jashtëzakonshëm. Sipas një transmetimi, ajo radhitet ndër dijetarët myslimanë më të ditur; ajo ka transmetuar një të katërtën ose çerekun e fikhut (dispozitave fetare) dhe shkencave fetare.
Kuptohet se Aishja r.a., sipas vargut të transmetuesve, radhitet e treta pas Ebu Hurejres dhe Abdullah ibn Omerit; ajo transmetoi hadithe të sakta nga Pejgamberi. Ajo transmetoi më së shumi hadithe që i përkisnin gruas dhe jetës bashkëshortore, por edhe hadithe të tjera.
Ja se çfarë kishin deklaruar disa nga ashabët dhe dijetarët për Aishen r.a.:
Ebu Musa El- Esh'ari thotë: “Nëse hasnim në ndonjë problem rreth ndonjë çështjeje, shkonim dhe e pyesnim Aishen.”
Djali i Abdurrahman ibn Avfit, Ebu Selem, ka thënë: “Nuk pashë asnjë të dinte Synetin (fjalët, veprat dhe punët) e Resulullahut më mirë se Aishja; nuk pashë asnjë më të thelluar në fe se ajo; nuk dinte askush sikur ajo shkaqet e zbritjes së ajeteve (sebebi nuzul) dhe nuk pashë asnjë i cili të dinte më mirë se ajo kapitullin e trashëgimisë (faraid).”
Imam Zuhriu për të ka thënë: “Sikur t’i mblidhnim të gjithë dijetarët e kohës së saj dhe gratë e tjera të Pejgamberit, të ishte në një anë dituria e tyre, kurse dituria e hz. Aishes në anën tjetër, përsëri dituria e saj do të peshonte më shumë se tërë dituria e tyre.”
Ata bin Ebi Rebah ka thënë: “Hz. Aishja ishte një nga ashabët që e dinin më së shumti fikhun, ishte nga ata persona që e kishin mendimin më të frytshëm.”
Mesruku nga tabiinët, ka thënë: “Betohem në Allahun se shumica nga ashabët shkonin dhe e pyesnin hz. Aishen për çështjet e trashëgimisë, dhe i mësonin nga ajo.”
Aisheja r.a. ka transmetuar dy mijë e dyqind e dhjetë hadithe nga Pejgamberi a.s.. Shumica nga ashabët dhe tabiinët kanë transmetuar hadithe nga ajo. Librat e hadithit sahih janë të stërmbushur me fetvatë e Aishes r.a.. Gjithashtu edhe Ahmed ibn Hanbeli, në librin e tij 'Musned', shpjegon gjatë rreth haditheve që kishte transmetuar Aisheja.
Ja disa nga hadithet të cilat i transmetoi Aishja r.a.:
"Oj Aishe, Allahu vepron butë me robërit e tij dhe e dëshiron sjelljen e butë në secilën punë.”
“Ai që e kujton vdekjen njëzet herë në ditë, arrin gradën e shehidit”.
“Ibadeti që më së shumi e pëlqente Resulullahu a.s., ishte ibadeti që bëhej vazhdimisht, qoftë edhe të bëhej pak.”
“Çdo pije që të deh, është haram”.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Xhebraili nuk prante duke më porositur për respektin ndaj fqinjit, derisa mendova se shpejt fqinjin do ta bënte edhe anëtar në trashëgimi.”
Hz. Aishja fundin e jetës së saj e kaloi kryesisht si muxhtehide, përkatësisht duke dhënë fetva rreth dispozitave të veçanta, që kishin të bënin me gjendjen e gruas. Vdiq në vitin 676 në Medinë. Xhenazen ia fali Ebu Hurejre r.a.. Ajo u varros sipas testamentit që kishte lënë, në varrezat 'El- Baki'.
____________________
Fusnotat:
1. Yunus Emre ÖZULU, Samil Islam ansiklopedisi
2. Sabri Bajgora, Urtësia e martesave të Resulullahut. (ligjërata të autorizuara)
3. Mevlana Sibli, libri, "Asr-i saadet", (Ist. 1928. 2/997)
4. Ky vetëm është supozim i dijetarëve, sepse mendimi i parë është më i drejtë, dmth ishte në moshën nëntë vjeçare.
5. Hatemü'l enbiya Hz. Muhammed ve hayati, Ali Himmet Berki, Osman Keskioglu, s. 210
Hatixhe Ahmeti
Dituria Islame 224