Vjehrrat apo nuset, një rivalitet i përjetshëm


Këshillojmë se, nëse nusja dëshiron të ketë jetë të lumtur dhe suksese në jetën bashkëshortore, atëherë ajo duhet ta respektojë vjehrrën, sepse, në qoftë se e respekton atë, ajo në të vërtetë ka respektuar burrin e saj.
Nusja dhe vjehrra janë në rivalitet të përhershëm. Secila kërkon të krijojë sa më shumë pushtet e hapësirë, thënë ndryshe, të futet sa më shumë në hapësirën psikologjike të atij që synon, në këtë rast, të djalit, që synon vjehrra, dhe të burrit, që synon nusja. 
Në këtë kuptim, rivaliteti për një territor të humbur, siç është rasti i vjehrrës, dhe për një territor të fituar, siç është rasti i nuses, nuk merr fund kollaj, madje asnjëherë. 
Në raportet ndërpersonale ne jemi të prirur të marrim sa më shumë nga shoqëria dhe të japim sa më pak. Kjo është teoria e shkëmbimit të marrëdhënieve ndërpersonale. Ashtu si edhe në biznes, në përgjithësi secili përpiqet të fitojë shumë dhe të humbasë pak. Por, sidoqoftë, bëhet fjalë për një dhënie-marrje. Dhe si në çdo dhënie-marrje, ka një tendencë të natyrshme, një instinkt të vetëmbrojtjes, që shoqërohet me instinktin e agresivitetit. Qëllimi? Të mbijetohet me sukses. 
Tek njeriu ekziston një agresivitet territorial. Bëhet fjalë për territorin ku ne kemi pushtetin tonë: mund të jetë, sipas rastit, shtëpia, familja, njeriu i dashur, tokat, pronat, kufiri i atdheut etj.. Në të gjitha nivelet, kemi një territor që shtrihet, zgjatet në hapësirë, ose ngushtohet. Në këtë territor përpiqemi të mos humbasim. Mundësisht, të zgjerohemi. 
Ky është ai që quhet “agresiviteti territorial”. Kuptohet që shoqëria i zbut këto lloj agresivitetesh dhe i riorienton, ose i konfiguron në aspektin shoqëror, i fsheh disi, i bën të kamufluara, më pak të dukshme, i bën të nëndheshme. Megjithëkëtë, këto lloj shprehjesh të instinktit të trashëguara nga historia jonë njerëzore, janë brenda nesh. Kjo vepron edhe në raportin vjehërr-nuse. 
E para nuk do të humbasë territorin që ka pasur, e dyta nuk do të humbasë territorin që ka fituar. Tek nëna funksionon dhe agresiviteti mëmësor (shfaqet tek çdo nënë) kur shikon se fëmija i saj orientohet ose i jepet dikujt tjetër.
Këtë “tjetrin” ajo gjithmonë e shikon si një rrezik të mundshëm. Në konceptin sociobiologjik, djali është veçse gjeni i saj i trashëguar, që duhet të jetojë patjetër shumë gjatë dhe, për këtë arsye, duhet mbrojtur. Natyrisht ky është një lloj rivaliteti dhe agresiviteti i natyrshëm dhe i përjetshëm, por ama nuk do të thotë që shfaqet në çdo çast. 


Humbja e vetëdijes, sjellje joshoqërore 


Shoqëria ka vepruar tashmë në vetëdijen e individit, ka vepruar tek njeriu dhe ka krijuar një sferë tjetër. Kjo sferë është e planifikuar, e kontrolluar dhe orientohet nga nevojat dhe pritshmërisë e të tjerëve, pra të shoqërisë. Kjo është Vetëdija (në shumë raste vetëdija na pengon të tregohemi rivalë e agresivë dhe përpiqemi të arsyetojmë për të dhënë diçka më shumë, që të mos i humbasim të gjitha). Në këtë rast kemi vjehrra tolerante. Ose, japim diçka që ta marrim më vonë më shumë. Dhe kjo është nusja largpamëse. Në të dyja këto raste, vetëdija është ajo që na bën të kemi sukses në shoqëri, por në momentin që humbasim vetëdijen, ne bëhemi agresivë, ne rivalizojmë, ne shfaqemi jonjerëzorë dhe joshoqërorë.
Megjithatë, njeriu shfaqet në të dyja individualitetet (dhe të nuses dhe të vjehrrës, në këtë rast). Mendoj që, pavarësisht se në pamjen e parë në disa raste ato janë miqësore, bashkëpunojnë dhe tregohen tolerante, - në vetvete secila prej tyre dëshiron të investojë sa më shumë tek djali ose tek burri dhe të tërheqë sa më shumë vëmendjen e tij, ta bëjë atë sa më shumë për vete. Pra, ajo dëshiron ta ketë të vetin. 
Ka dhe një aspekt tjetër rivaliteti vjehërr-nuse: ky është aspekti kulturor, që lidhet me faktin se burri ose mashkulli mendohet se është autoriteti i familjes, personaliteti i saj, fytyra e familjes; ai kontrollon gjithë pushtetin e familjes, të sotmen dhe të ardhmen e saj. Prandaj, kush ka në dorë burrin, ka në dorë autoritetin, pushtetin e tij, ka në dorë gjithë familjen. Në këtë aspekt, gruaja dhe vjehrra janë rivale të natyrshme. Në të vërtetë, në aspektin njerëzor “kanë të drejtë” të rivalizojnë njëra-tjetrën. 


Aty ku ka vjehrra, ato kërkojnë të jenë zot shtëpie 


Kjo ndodh gati në të gjitha shtëpitë. Gratë që nuk janë bërë ende vjehrra, nuk ndiejnë ndonjë detyrim që duhet t’i presë në të ardhmen. Ka gra të cilat punojnë në punë jashtë shtëpisë dhe as që u shkon mendja se një ditë do të plaken e do të bëhen vjehrra. Kjo vlen vetëm për ato gra të cilat kanë fëmijë, qofshin djem apo vajza, sepse edhe ato që kanë vajza, një ditë do të kenë dhëndurë, domethënë që ato do të bëhen vjehrra. Mos u çudit nga ky shkrim këtu, sepse vërtetë ajo që më shtyu të shkruaj në këtë temë, është se ka shumë probleme që shkaktojnë çrregullime të mëdha në familje, e shkak i këtyre problemeve janë pikërisht marrëdhëniet e këqija që kanë vjehrra me renë e saj. Këto probleme rrjedhin nga asgjëja ose, thënë më mirë, rrjedhin nga mosrespektimi i resë për vjehrrën apo i vjehrrës për renë. Për shembull, po qe se djali dëshiron t’i vizitojë të afërmit e tij dhe merr udhë me nënën dhe nusen e tij, lind problemi se cila prej tyre duhet të ulet në ulësen e parë të automjetit, vjehrra apo reja? 
Reja mendon se ajo ka përparësi të ulet afër burrit të saj dhe vjehrra (nëna e burrit) duhet të ulet mbrapa. 
Mendoj se nuk është fare e udhës që nusja të mendojë kështu dhe se do të ishte jo e logjikshme që djali ta ulë nënën e tij në ulësen mbrapa, pra atë që e rriti dhe i dha edukimin më të mirë, e nusja të zërë vend në ulësen e parë të veturës. 
Rejat që mendojnë kështu, nuk kanë aspak edukatë, sepse ky lloj të menduari nuk sjell kurrfarë dobie as për renë dhe as për burrin, po përkundrazi, sjell vetëm dëm dhe çrregullim në marrëdhëniet bashkëshortore dhe se dashuria e respekti që ka burri ndaj nuses së tij, vjen duke u zbehur mu për shkak të sjelljeve të këqija të nuses me vjehrrën. 
Prandaj, këshillojmë se, nëse nusja dëshiron të ketë jetë të lumtur dhe suksese në jetën bashkëshortore, atëherë ajo duhet ta respektojë vjehrrën, sepse, në qoftë se e respekton atë, ajo në të vërtetë ka respektuar burrin e saj. 
Përpiqu t’i thuash asaj (vjehrrës) fjalë të mira e të buta dhe ofroj gjithherë mundësinë që në ndenjje e vizita të hyjë e të dalë para teje, të paktën ajo meriton një respekt të tillë, sepse ajo edukoi dhe rriti djalin të cilin ti e do shumë, dhe mendo edhe më larg kohën kur edhe ti do të bëhesh një ditë vjehërr dhe reja jote do të mund të sillet mu ashtu sikur sillesh ti me vjehrrën tënde.


Mr. Avdyl Rrahmani
Dituria Islame 256


Artikulli i kaluar
Umejme Binti Rukajka

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme