Muhamedi a.s. dhe trajtimi i dhunës

 


Allahu xh.sh e dërgoi Muhamedin a.s. te njerëzit udhëzues, udhërrëfyes, i nxori nga errësirat e injorancës në dritën e islamit, ishte më i miri udhëheqës, prijës dhe edukues, i cili diti shumë mirë të sillet me problemet e shoqërisë rreth tij, me një dinjitet të lartë dhe mendjemprehtësi të thellë, duke filluar nga mbjellja e mbikëqyrjes njerëzore, e duke vazhduar në mbylljen e çdo mundësie që shkaktonte probleme, për të përfunduar me mjekimin e shkallëzuar nëpërmjet ligjeve dhe rregullave të prera, të cilat parandalojnë çdo person i cili synon të lakojë shoqërinë nga e mbara dhe e drejta. Ajo shoqëri në të cilën jetoi Muhamedi a.s. jetoi për shekuj me radhë në siguri dhe paqe.


Në këta pak rreshta do të përmendim disa shembuj që aludojnë në programin e pejgamberit tonë Muhamedit a.s. në përmirësimin e problemeve të cilat i jetoi ai në shoqërinë e tij, program ky i cili është edhe argument i pejgamberisë së tij, por edhe argument i mendjemprehtësisë dhe gjenisë së tij.
Islami i kushton kujdes të veçantë shpërndarjes së paqes dhe sigurisë në shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Po ashtu kujdes i kushton edhe luftimit të çdo forme të dhunës dhe ekstremizmit, ngase këto bien ndesh seriozisht me mësimet e fesë islame dhe me moralet e larta të saj në bashkëveprimtari ndër njerëzore, mysliman dhe jomysliman. Allahu xh. sh. thotë në Kuran: "Andaj (të keqen) ktheje me mirësi, se atëherë ai, mes teje dhe të cilit ka armiqësi, do të bëhet (si) mik i afërt." (Fussilet, 34)
Ndërsa, jeta dhe vepra e Muhamedit a.s. ishte praktika më e mirë e këtyre kuptimeve dhe vlerave.


Zgjidhja pejgamberike e problemeve të dhunës dhe ekstremizmit


Në kohën kur bota po përballet me problemin e dhunës dhe ekstremizmit, vjen zgjidhja e pejgamberit a.s., e cila manifeston në praktikë programin e Islamit nën hijen e urtësisë, mëshirës, drejtësisë dhe përpikërisë. Pejgamberi a.s. filloi të mjekojë këtë problem me mbjelljen në zemrat e shokëve të tij një vlerë shumë të rëndësishme, e cila është "vlera e mbikëqyrjes së vetës", duke pasur parasysh se Zoti i gjithësisë të vëzhgon në çdo çast, dhe në bazë të vlerave që ti vepron edhe do të shpërblejë. Shokët e pejgamberit a.s. u munduan maksimalisht të kryejnë hakun e tyre ndaj Zotit dhe hakun e tyre ndaj shoqërisë në përgjithësi, duke i ikur maksimalisht dhunës dhe ekstremizmit, ngase Zoti xh. sh të sheh dhe të vëzhgon atë që paraqet dhe atë që fsheh. Muadh ibën Xhebeli r.a.(1) e pyeti të dërguarin a.s., duke i thënë: "Më këshillo, o i dërguari i Allahut!" Ai i tha: "Adhuroje Allahun sikur që po e sheh atë ... "(2)


Shpërndarja e vlerave të larta në shoqëri


Mjekimi i pejgamberit a.s. kalon në një hap tjetër të zgjidhjes së problemeve të dhunës dhe ekstremizmit, duke u munduar të instalojë në shoqërinë që ai jetonte disa vlera të larta, me të cilat shoqëria patjetër se duhet të cilësohet me to, e këto cilësi janë:
a. Butësia, e kundërta e së cilës është egërsia mes individëve të shoqërisë, pa marrë parasysh gjininë, racën, fenë. Pejgamberi a.s thotë: "Allahu është i butë dhe e do butësinë, dhe i jep atij që është i butë aq sa nuk i jep të dhunshmit, apo edhe më të ultë se i dhunshmi.”(3)
Ndërsa jeta dhe vepra e të dërguarit a.s. ishte praktika më e mirë, madje edhe kur ndodhte direkt me personalitetin e tij të pastër, ai shfaqte butësinë, urtësinë dhe mëshirën. Transmetohet nga Aisheja r.a. të ketë thënë: “Erdhën një ditë te Pejgamberi a.s. një grup çifutësh, hyrën brenda dhe në vend të përshëndetjes me "Eselamu alejkum - Paqja qoftë mbi ty", ata thanë "Essamu alejkum - Vdekja qoftë për ju". Pejgamberi a.s pa asnjë nervozizëm dhe me butësi iu përgjigj shkurt "Ve alejkum - gjithashtu edhe mbi ju". Aisheja r.a. nuk mundi të durojë dot dhe ua ktheu po në atë mënyrë, e edhe më gjatë duke u thënë "Vdekja edhe mbi ju, madje edhe mallkimi." Pejgamberi a.s. iu drejtua Aishes, duke i thënë: "Ngadalë oj Aishe, sepse Allahu e do butësinë në çdo punë." Ndërsa në një transmetim tjetër, thuhet se i dërguari a.s. i tha: "Kurrsesi dhunës dhe fjalëve të liga."(4)
b. Vlera e mëshirës mbi gabimtarët, kjo është nga vlerat më të rëndësishme me të cilën shoqëria njerëzore duhet të edukohet nën hijen e saj, ngase mëshira krijon një lloj forme mëshiruese në sjelljet mes njerëzve, larg nga dhuna dhe ekstremizmi. Le ta shikojmë mëshirën e pejgamberit a.s. dhe shfaqjen e kësaj vlere të madhe.
Transmetohet nga Enes ibën Maliku r.a., se një beduin hyri në xhami dhe urinoi në një pjesë të saj. Në këtë rast, sahabët u vërsulen dhe deshën ta sulmonin. I dërguari a.s., të cilit iu ishte dhënë urtësi në thirrjen e tij tha: "Mos ia ndërprisni urinimin." Atëherë kur beduini e përfundoi kryerjen e nevojës së tij, pejgamberi a.s. urdhëroi që të hedhet një kovë ujë në vendin ku kishte urinuar më parë ai. Pastaj e thirri atë dhe i tha: "Këto janë xhami të cilat nuk janë që në to të bëhen vepra të pahijshme (apo të ndyta), por janë për namaz dhe lexim të Kuranit."(5) Ndërsa në transmetimin e Imam Ahmedit shtohet pjesa ku pejgamberi a.s. thotë: "Jeni urdhëruar të jeni lehtësues, e jo vështirësues."(6) Këtu shihet qartë si pejgamberi a.s. veproi me beduinin dhe mënjanoi shokët e tij të ushtronin dhunë mbi të, dhe së fundi e mësoi beduinin me butësi, urtësi dhe qetësi.
c. Vlera e mesatares, barazisë dhe jo ekstremizmit në fe. Pejgamberi a.s. thotë: "Vërtet kjo fe është e lehtë, prandaj kushdo që shkon kundër natyrës së saj dhe e tepron, do të mposhtet prej saj. Merrni pra, rrugën e mesme, ngjasoni të përkryerës dhe bëhuni me vullnet të mirë."(7) Pra, tirania në fe është një derë e cila të shpie në përdorimin e dhunës dhe insiston që mendimin tënd t'ia dhurosh tjetrit duke përdorur dhunën.
d. Vlera e sigurisë dhe paqes, vlerë kjo e cila formon një lidhje të fortë sigurie mes individëve në shoqëri. E manifestoi pejgamberi a.s. në shoqërinë e tij dhe jetuan myslimanët dhe jomyslimanët nën hijen e kësaj vlere të jetesës së qetë. Erdhi një njeri te pejgamberi a.s. dhe e pyeti: "Cilët janë myslimanët më të mirë?" Ai tha:
"Myslimani më i mirë është ai nga dora dhe gjuha e të cilit të tjerët janë të ruajtur."(8) (vijon)



________________
(1) Zoti qoftë i kënaqur me të.
(2) Transmeton Ahmedi nr. 6156, dhe Taberaniu nr 17131.
(3) Transmeton Muslimi nr. 2593. Ebu Davudi nr.4807. Ibën Maxhe nr.3688.
(4) Transmeton Buhariu nr.5678. Muslimi nr.2165.
(5) Transmeton Buhariu nr. 221.
(6) Transmeton Ahmedi nr.7799.
(7) Transmeton Buhariu nr.39, Nesaiu nr. 5034.lbn Hiban nr. 351.
(8) Transmeton Muslimi nr.42. Tirmidhiu nr.2504. Ahmedi nr.6792.


 


Mr. Jasir Krasniqi