Lirimi i gjakut në kupëzore
El Buhariu ka shkruar për këtë temë në kapitullin mbi lëshimin e gjakut.
Pejgamberi, s. a. v. s., ka urdhëruar që të praktikojmë lëshimin e gjakut me fjalët: “Nuk ka ilaç i cili mund të krahasohet me lëshimin e gjakut në kupëzore”. (hadithin e transmeton El Buhariu).
Tregohet se një beduin iu ankua Pejgamberit, s. a. v. s., për kokëdhëmbje të fortë, dhe ai i tha: “Praktiko lirimin e gjakut me kupëzore”.
Gjithashtu mund të mënjanohet dhembja e shputave të këmbëve nëse i ngjyrosim me këna. Këtë hadith e transmeton Ebu Davudi dhe ka hadithe të shumta të cilat flasin për dobitë e lëshimit të gjakut. Nga ndodhitë të cilat kanë të bëjnë me lëshimin e gjakut nga vena, mund të veçojmë atë kur Pejgamberi, s. a. v. s., i ka thënë mjekut, Ebu Kjabit, që t’ia prejë lëkurën duke ia liruar gjakun nga vena.
Nga hadithet në vijim do të veçojmë dy: “Ilaçi më i mirë është lëshimi i gjakut”, dhe “Prerja sipërfaqësore e lëkurës pastron trupin tonë nga jashtë, ndërsa lirimi i gjakut pastron trupin tonë nga brenda”.
Prerja sipërfaqësore praktikohet në vendet e nxehta, ndërsa lëshimi i gjakut (ventuza) në vendet e ftohta.
Patjetër duhet t’i shmangemi lirimit të gjakut pas banjos së nxehtë, përveç në rastet kur gjaku është tepër i dendur (viskoz) dhe në atë rast, lëshimi duhet bërë një orë pas banjos së nxehtë. Po ashtu, lëshimin e gjakut nuk duhet bërë kur barku është i ngopur (stërmbushur).
Pejgamberi, s. a. v. s., ka thënë: “Lëshimi i gjakut me bark të zbrazur është ilaç, ndërsa me bark të mbushur është sëmundje”.
Ibn Maxhe thotë se ka dëgjuar nga Ibn Omeri, r. a., që ka thënë: “Është e dobishme të brengosesh për gjakun tënd, andaj ma ftoni njeriun i cili e bën këtë, por jo të moshuar tepër dhe jo tepër të ri, ngase kam dëgjuar personalisht nga Pejgamberi, s. a. v. s., që ka thënë: “Lëshimi i gjakut (hixham) në bark të zbrazur është ilaçi më i mirë”, dhe kjo është më e sigurt.
Lëshimi i gjakut nën mjekër na liron nga dhembjet e dhëmbit dhe të fytyrës , ndërsa në këmbë është e dobishme për dhembjet në këmbë, në eshtra dhe dhembjet në shpinë. Dobitë nga lëshimi i gjakut janë të shumta, por lëshimin e gjakut në kupëzore rreth nyjeve nuk duhet bërë, sepse është e dëmshme dhe dobëson kujtesën.
Ahmedi është i mendimit se pagesa për lëshimin e gjakut nuk është e preferuar. Por Ibn Abbasi, r. a., ka thënë: “Ia kam bërë lëshimin e gjakut Pejgamberit, s. a. v. s., dhe ai për këtë shërbim më ka paguar”. Pra, sikur kjo të ishte gjë e papëlqyer, ai me siguri nuk do ta bënte. (Këtë hadith e transmeton El Buhariu).
Sa i përket vendit të lëshimit të gjakut, El Buhariu transmeton se Ibn Abbasi, r. a., ka thënë: “Ia kam bërë lëshimin e gjakut Pejgamberit, s. a. v. s., për shkak të kokëdhembjeve”. Në hadithin tjetër qëndron se këtë e ka bërë për shkak të migrenës, ndërsa Enesi, r. a., ka thënë: “Pejgamberit, s. a. v. s., i është bërë lëshimi i gjakut në qafë, anash dhe në mesin e saj”. Et Tirmidhiu gjithashtu e transmeton këtë hadith.
Ebu Hurejre, r. a., transmeton që Ebu Hind ia ka lëshuar gjakun Pejgamberit, s. a. v. s., nga tepja e kokës. Ebu Davudi gjithashtu e transmeton këtë version, ndërsa Enesi thotë se Pejgamberi, s. a. v. s., ka lëshuar gjakun nga majat e shputave të këmbës. Këtë e transmetojnë edhe Tirmidhiu dhe Nesaiu.
Sa i përket ditës kur është më së miri të praktikohet lëshimi i gjakut, Ebu Hurejre, r..a., ka thënë se Pejgamberi, s. a. v. s., ka thënë: “Kush e bën lëshimin e gjakut ditën e 17, 19 ose 21 të muajit, do të jetë i shëruar nga çdo sëmundje”. Këtë hadith e transmeton Ebu Davudi.
Sa i përket fjalës “nga çdo sëmundje”, kjo është për arsye që të theksohet rëndësia e madhe e lëshimit të gjakut. Tirmidhiu transmeton hadithin e njëjtë edhe nga Enesi, r. a.
Ebu Bekri, r. a., ia ka ndaluar familjes së tij lëshimin e gjakut të martën, dhe si model për këtë e kishte Pejgamberin, s. a. v. s., i cili gjithashtu kishte thënë: “Atë ditë gjaku nuk koagulohet lehtë”.
Për çdo rast, unë mendoj se kjo ndalesë është e pranuar kur njeriu është i shëndoshë, por kur është i sëmurë nuk duhet bazuar se a është dita e 17, 19, 21 apo ndonjë ditë tjetër.
El Xhelali ka thënë: “Ismail ibn Asimi më ka thënë se Ahmed ibn Hambeliu e bënte lëshimin e gjakut sa herë që ndiente tendosje, pa marrë parasysh kohën”.
Tradita e lëshimit të gjakut rrjedh nga Isfahani. Duhet pasur kujdes që lëshimi i gjakut mos të bëhet nga vendi joadekuat, ose kur nuk është e nevojshme, sepse mund të përkeqësojmë funksionet e trupit dhe proceset biokimike të gjakut.
Mjekët mendojnë se lëshimi i gjakut me prerje sipërfaqësore të lëkurës në kupëzore duhet bërë kur hëna është në katërshin e fundit, ndërsa gjakun duhet liruar (ventuza) kur hëna është e plotë.
Lirimin e gjakut nuk duhet bërë te ata që kanë probleme me tretje, rekonvaleshentët, personat e moshuar, personat me sëmundje gastrointestinale, sëmundjet e mëlçisë, sëmundjet kardiovaskulare, shtatzënat, ato që sapo kanë lindur (lehonat) si dhe gjatë menstruacioneve.
Koha më e mirë për lëshimin e gjakut është dita e hënë, në çdo kohë, ose të martën, gjatë ditës. Pranvera është stina më e mirë për lirimin e gjakut, pastrimin e trupit me purgativë, mënjanimin e frikës morbide si dhe për forcimin e aktivitetit seksual.
Vera është stina e sëmundjeve të fshikëzës biliare, koha kur zvogëlohet aktiviteti seksual, koha e sëmundjeve të gjakut dhe infektimeve të aparatit tretës.
Dimri duhet pritur me veshmbathje të nxehtë dhe ushqime kalorike.
Vërtet, njeriu duhet të përpiqet të mbajë në nivel qarkullimin e gjakut gjatë dimrit me ushtrime intensive, por njëherësh duke e rritur aktivitetin e tij seksual.
Shkëputur nga libri "Mjekësia e Pejgamberit, a. s."
Xhelaluddin Abdurrahman es Sujuti
Përktheu nga boshnjakishtja:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi
Artikulli i kaluar
Nuk ka artikull pas ketij.