Misvaku shkatërron bakteret që gjenden në dhëmbë, eliminon pllakën bakterore të dhëmbit (Pllaka-cipa i dhëmbit është një shtresë e hollë e padukshme në dhëmbë, që krijohet nga fundërrimi i mikroorganizmave prej pështymës, po edhe prej substancash të tjera.
Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë (Men sana in corpora san). Nuk do mend që vetë thënia na lë shumë të kuptojmë mbi rëndësinë e mirëqenies sonë fizike dhe psikike përderisa mirëmbajtja është parakushti kryesor për funksionim të drejtë të organizmit.
Goja si një tërësi dhe dhëmbët, në veçanti, janë organ(e) ndërmjetësuese në mes ambientit të jashtëm dhe organizmit tonë. Shikuar në histori, dhëmbët e bardhë e të shndritshëm kanë qenë simbol i bukurisë dhe atraktivitetit, ata madje krahasoheshin shpesh me një varg margaritarësh. Dhe, krahas kësaj, dhëmbët janë edhe pasqyrë e gjendjes së shëndetit tonë. Është një thënie e njohur në lidhje me rëndësinë e dhëmbëve për shëndetin:
Nëse humb paratë, s’ke humbur asgjë;
Nëse humb miqtë, ke humbur diçka;
Nëse humb dhëmbët, ke humbur shëndetin;
Nëse humb shëndetin, ke humbur gjithçka.
Prandaj, mirëmbajtjes së dhëmbëve i duhet kushtuar rëndësi e madhe. E mirëmbajtja e tyre është pjesë e shëndetit të gojës he mirëmbajtja e higjienës së gojës duhet të fillojë akoma pa dalë dhëmbët.
Prandaj shumë njerëz mundohen të kujdesen për dhëmbët e tyre me shpikjet e fundit të mjekësisë, duke përdorur prodhime për mirëmbajtjen e tyre, përfshirë këtu brusha të ndryshme, çamçakëz, pasta të ndryshme, zbardhues dhëmbësh, aromatizues e shumë prodhime të tjera. Disa të tjerë, për të arritur këtë, bëjnë një hap edhe më të madh dhe vetëm e vetëm për të arritur një buzëqeshje vezulluese, braktisin edhe cigaren ose konsumimin e shpeshtë të çajit dhe kafesë.
Ndërkaq, komuniteti mysliman praktikon një traditë të Profetit Muhamed a.s., misvakun, një praktikë kjo që ka shënuar edhe fillet e mjekësisë parandaluese të shëndetit oral. Kjo, ngase, përmes porosive të tij, i Dërguari, a.s., lidhur me pastrimin e dhëmbëve dhe kujdesin ndaj misvakut, ka thënë: “Po të mos kisha frikë se do ta rëndoja Ymetin tim, do ta kisha urdhëruar ta përdorin misvakun para çdo namazi”. (Buhariu dhe Muslimi)
E vetë ai, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte i pari që praktikonte parimet islame të higjienës orale. Ja disa nga fragmentet e shkëputura rreth kësaj: “Transmetohet nga Shurejh, i cili e ka pyetur Aishen: “Me çfarë fillonte i Dërguari i Allahut,a.s., kur hynte në shtëpinë e tij? Ajo iu përgjigj: “Me misvak” (Muslimi).
Transmeton Hudhejfe r.a, se i Dërguari i Allahut, a.s., kur zgjohej natën, e pastronte gojën me misvak. (Muslimi).
Madje i Dërguari i Allahut, pastrimin e dhëmbëve nuk e ka lënë vetëm si veprim fizik, që ndikon në shëndetin e gojës, por e ka ndërlidhur edhe me kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, që misvakun ta shndërrojmë në një zakon dhe adhurim, për të cilin do të shpërblehemi. Kësisoj, ai ka thënë: “Kujdesuni për misvakun, ngase ai e pastron gojën dhe e kënaq Allahun”. (Silsile es Sahihah lil Albani)
Kujdesi ndaj shëndetit fizik dhe mendor
Kjo është ndërlidhje, për të cilën mrekullia profetike na ka lajmëruar se, përveç për shëndetin fizik, ne kemi nevojë të kujdesemi edhe për shëndetin mendor. edhe pse në ditët e sotme, në këtë kohë moderne, moda është bërë stil i jetës e misvaku shpeshherë shihet si diçka antike dhe që i takon të kaluarës, prapëseprapë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve e përdorin si brushë dhëmbësh dhe atij ia dedikojnë bardhësinë e dhëmbëve që kanë. E ç’ është në të vërtetë misvaku? Misvaku është një mjet (brushë dhëmbësh) prej druri, me trashësi rreth 0.7-0.11 cm dhe me gjatësi 10-20 cm, janë degë të prera të disa lloje pemësh që rriten në vendet me klimë tropikale. Brendia e këtij mjeti (e kësaj brushe dhëmbësh) është prej fijeve të shumta të drurit, të cilat, kur fërkohen për dhëmbë, ndihmojnë pastrimin e tyre.
Vetë fjala misvak rrjedh nga fjala arabe “sivk”, që nënkupton fërkimin me qëllim pastrimi. Pra, fjala misvak është përdorur dhe vazhdon të përdoret për mjetin prej druri që përdoret si brushë dhëmbësh për pastrim të dhëmbëve dhe për të freskuar gojën.(1)
Ndërsa sot një mori hulumtimesh në këtë drejtim kanë zbuluar se roli dhe rëndësia e misvakut është më shumë se vetëm fërkimi i dhëmbëve! Misvaku shkatërron bakteret që gjenden në dhëmbë, eliminon pllakën bakterore të dhëmbit (Pllaka-cipa i dhëmbit është një shtresë e hollë e padukshme në dhëmbë, që krijohet nga fundërrimi i mikroorganizmave prej pështymës, po edhe prej substancash të tjera. Është fort e lidhur për dhëmb, saqë nuk largohet vetëm me shpëlarje. Sa më e dobët të jetë higjiena e gojës, aq më e madhe do të jetë sasia e pllakës së akumuluar, e për pasojë edhe numri i mikroorganizmave në të), parandalon. Misvaku parandalon kariesin, largon erën e keqe nga goja, i jep gojës freski, pastron me sukses ndërmjet dhëmbëve për shkak të formës specifike që ka, stimulon sekretimin e pështymës dhe parandalon tharjen e gojës.
Madje, jo vetëm kaq, sot njihen më se 70 përfitime prej misvakut. P.sh., kompania Wrigley, në një studim rreth misvakut, të cilin e ka publikuar në “Journal of Agricultural and Food Chemistry”, ka gjetur se mentet që gjenden në misvak, janë 20 herë me efektive në shkatërrimin e baktereve se sa mentet e zakonshme. Hulumtimi ka treguar se gjysmë ore pas përdorimit të misvakut me mentet përbërëse të tij, janë shkatërruar 60% e baktereve ndërsa me mentet e zakonshme kjo shifër është vetëm 3.6%.(2)
Përpos pastrimit mekanik të dhëmbëve, për mirëmbajtje të gojës dhe të dhëmbëve rol të rëndësishëm luan edhe lloji i ushqimit të konsumuar. Ushqimi me konsistencë më të fortë ndikon në të ashtuquajturin “vetëpastrim të dhëmbëve”. Ushqimi i pasur me sheqerna ndikon në formimin e pështymës mukoze (pështymë e trashë), që pengon procesin e vetëpastrimit, kurse konsumimi i lëngjeve (me theksim të veçantë të ujit dhe jo lëngje që përmbajnë sheqer) ndikon në formimin e pështymës seroze (pështymë e hollë), e cila lehtëson vetëpastrimin e dhëmbëve. Një studim i ri thekson se kujdesi ndaj dhëmbëve të pastër forcon kujtesën dhe aktivizon qelizat e trurit. Askush nuk e ka imagjinuar për ekzistimin e lidhjes ndërmjet aktivitetit të trurit dhe higjienës dentare. Prej gjërave të çuditshme që ka vërejtur doktori amerikan Majkëll Rozin (në një lajm të publikuar në rrjetin CNN) është se mungesa e pastrimit të dhëmbëve ndikon në shëndetin mendor!Ky doktor shpjegon se bakteret cipë (pllaka) ndërmjet dhëmbëve mund të shkaktojnë reagim imun, që pasqyrohet në arteriet e zemrës, dhe kjo parandalon arritjen e ushqimeve të domosdoshme për qelizat e trurit, që nënkupton se pastrimi i dhëmbëve forcon kujtesën dhe mbron trurin. Nëse kthehemi në historinë islame, shohim se në kohën kur misvaku ishte praktikë e përditshme e myslimanëve, në mesin e tyre kishte shumë dijetarë mendjemprehtë, madje edhe shumë hafëzë që me shumë lehtësi mbanin në mend 6236 ajetet e Kur’anit.
Pastrimi i dhëmbëve, sa shpesh?
Thamë më lart se pastrimi i dhëmbëve fillon shumë herët, ende pa dalë dhëmbët, pra fillon me pastrimin e mishit të dhëmbëve. Kjo mund të bëhet me gaza dhe me ujë të destiluar, duke fërkuar vendet e daljes së dhëmbëve (zgjatimet alveolare) për të vazhduar njësoj edhe pas daljes së dhëmbëve të parë. Më vonë pastrimi bëhet me brusha të buta, për të vazhduar më tej (të rriturit) me brusha me fortësi mesatare. Brusha nuk bënë të jetë kurrsesi e fortë për shkak se dëmton mishrat e dhëmbëve, po edhe shtresën sipërfaqësore të dhëmbëve. Rekomandohet që brusha të ketë kokë të vogël dhe fije sintetike, kurse koha e përdorimit të një brushe është 3-4 muaj. Më tutje, për t’u kujdesur në mënyrë korrekte për dhëmbët, këshillohet pastrimi i dhëmbëve pas çdo shujte (2-3 herë në ditë), pas konsumimit të ëmbëlsirave, natyrisht gjithsesi përherë para gjumit. E koha e pastrimit nuk duhet të jetë asnjëherë më e shkurtër se 2 minuta.
Misvaku po ashtu nuk duhet të jetë shumë i fortë dhe as shumë i butë, duhet të përdoret së paku 3 herë gjatë ditës dhe pas çdo përdorimi të futet në ujë e të lihet në vendin e vet të veçantë. Nuk këshillohet të përdoren të dy anët e misvakut, fijet e tij rekomandohet të këputen (shkurtohen) çdo 1-2 ditë, në mënyrë që të rifreskohet, dhe nuk bën të fërkohen dhembët vetëm poshtë-lartë, ngase dëmtohen, po rekomandohet që dhëmbët të fërkohen majtas djathtas.
_______________________________
1. Journal of the Royal Asiatic Society of Great Britain & Ireland (Third Series) (1992).
2. http://curezone.org/forums/ fm.asp?i=1348).
Bernard Tahirbegolli