Teprimi në ushqime dhe pije

 


“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, sepse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).” (Suretu el A’rafë -31) “Ena më e keqe që mbush njeriu, është barku i tij. Për këtë arsye, është e mjaftueshme që bijtë e Ademit ta shuajnë urinë me disa kafshata sa për ta kthyer forcën. Nëse duhet të hani, mjafton të mbushni një të tretën e barkut tuaj me ushqim, një të tretën me ujë dhe një të tretën ta lini për frymëmarrje normale”. (Transmeton Tirmidhiu)
Fillimisht në Islam Allahu xh.sh. kishte caktuar se çdo gjë që ai kishte krijuar, do të jetë në shërbimin e njeriut. Gjithashtu, kur Ai krijoi njeriun, e pajisi atë me instinktin dhe dëshirën e të ngrënit e të pirit, prandaj njeriu do të konsumonte të gjitha ushqimet dhe pijet që do t’i haste në jetën e tij, sikur Allahu xh.sh. dhe Muhamedi a.s. të mos i tregonin se çfarë lloje ushqimesh e pijesh duhet të përdorë. Andaj, parimisht, gjithçka është e lejuar nga ushqimet dhe pijet, përveç asaj që Allahu xh.sh. na ndaloi, dhe atyre për ndalesën e të cilave na njoftoi Muhamedi a.s.. 
Allahu xh.sh. thotë: 
“Ai (All-llahu) është që për ju krijoi gjithçka që ka në tokë…” (Suretu el Bekare, 29) 
Në këtë shkrim nuk do të ndalemi të sqarojmë atë që Allahu xh.sh. lejoi dhe ndaloi nga ushqimet dhe pijet, por do të sjellim atë më të paktën e domosdoshme rreth konsumimit të tyre në masën dhe mënyrën e duhur, ashtu si kërkoi Allahu xh.sh. dhe si e praktikoi Muhamedi a.s.. 
Është e njohur që njeriu përbëhet nga trupi e shpirti dhe që, derisa shpirti është dhuratë nga ana e Allahut xh.sh., ai ka nevojë të ushqehet me ushqime që vijnë nga Lartmadhëria e Tij, siç janë: ibadetet, namazi, zekati agjërimi...etj.. 
Trupi është i krijuar nga elementet e tokës, prandaj ka nevojë të ushqehet me ushqimet që janë prodhime të tokës, siç janë: prodhimet bujqësore, pemët perimet...etj. 
Nëse teprimi në çështjet e ibadetit do të sillte sëmundjen e zemrës dhe dënimin tek Allahu xh.sh., gjithashtu edhe teprimi në ushqime dhe pije, do të sjellë sëmundje për trupin dhe dënimin tek Allahu xh.sh., dhe këto lloje të sëmundjeve dhe dënimeve, tërheqin njëra-tjetrën në mënyrë të vazhdueshme. 
Kështu po kuptojmë se Allahu xh.sh. e ka krijuar njeriun që t’i bëjë ibadet Atij, andaj gjithçka tjetër përveç ibadetit, janë vetëm gjëra apo elemente për ta kaluar jetën dhe për ta plotësuar amanetin tonë, adhurimin e Allahut xh.sh..
Por, Allahu xh.sh., edhe pse na obligoi për ta adhuruar Atë e për ibadete, ka kërkuar që ne të tregojmë maturi për të mos e tepruar, as me ekstreme pozitive, as me sosh negative, po të mbajmë një mesatare, që do të jetë shpëtuese dhe dobiprurëse për dynja dhe Ahiret. 
Allahu xh.sh. thotë: “...Ne ju bëmë ju një popull të drejtë (një mes të zgjedhur)...” (Suretu el Bekare-143) 
Ndërsa Muhamedi a.s. thotë: 
“Ekstremistët janë shkatërruar, ekstremistët janë shkatërruar, ekstremistët janë shkatërruar”. (Transmeton Muslimi) 
Dhe këtë Allahu xh.sh e ka kërkuar në çështjen e ibadetit, që të mos ketë teprim, prandaj nuk ka dyshim që s’ka asnjë justifikim për të mos shfaqur maturi në haje dhe pije, të cilat janë vetëm elemente për të kaluar jetën. Allahu xh.sh. na porosit duke na thënë: 
“O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, sepse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin).” (Suretu el A’raf -31) 
Në mënyrë të drejtpërdrejtë Allahu xh.sh. na është drejtuar për të mos e tepruar në haje dhe pije, që të tregojmë nën shtrim ndaj Fjalës së Tij dhe të mos bëhemi shpenzues pa masë a shkapërderdhës, ngase këto veti nuk janë të besimtarëve myslimanë. Gjithashtu edhe Muhamedi a.s. na ka bërë kërkesë për maturi dhe për sistemimin e barkut tonë, sepse njeriu përbëhet prej elementeve të dheut,ujit dhe ajrit, për se ka thënë: 
“Ena më e keqe që mbush njeriu, është barku i tij. Për këtë arsye është e mjaftueshme që bijtë e Ademit ta shuajnë urinë me disa kafshata sa për ta kthyer forcën. Nëse duhet të hani, mjafton të mbushni një të tretën e barkut tuaj me ushqim, një të tretën me ujë dhe një të tretën ta lini për frymëmarrje normale”. (Transmeton Tirmidhiu) 
Por, mënyra se si hamë e pimë ne sot, në përgjithësi, është në kundërshtim me atë që kanë kërkuar Allahu xh.sh. dhe Muhamedi a.s., ngase përpiqemi të hamë e të pimë sa ma tepër, duke harruar se teprimi është i padobishëm për dynja dhe Ahiret. 
Kjo sjell pasoja, shumë sëmundje dhe probleme shëndetësore tek ne si besimtarë myslimanë në ketë botë, kurse dënimin e Allahut xh.sh. e kemi në botën tjetër. Pra shumica e problemeve shën detësore janë të ndërlidhura ngushtë me ushqimet që hamë dhe me pijet, po dhe me mënyrën se si hamë e pimë ne. 
Muhamedi a.s. ka thënë:
“Barku është shtëpi e çdo sëmundjeje, e maturia është kryet e çdo ilaçi, andaj përvetësojeni ketë traditë.” (Transmeton Buhariu ) 
Pa dyshim se ngrënia dhe pirja e tepërt dëmton trupin, zemrën dhe shpirtin. Por nga problemet shëndetësore të shkaktuara nga ngrënia dhe pirja e tepërt, si më të veçanta janë: shtypja e lartë e gjakut, trashja e trurit, probleme me frymëmarrjen, të fjeturit shumë pa kurrfarë kontrolli, sëmundjet e lukthit, mëlçia e fryrë, depresioni dhe sidomos dhjamosja apo shtim i madh i peshës.
Dhe shtimi i tepërt i peshës apo dhjamosja sot është njëra nga problemet shëndetësore me një përqindje të lartë në krahasim me të kaluarën te e cila shkaktar kryesor është ngrënia dhe pirja e pa kontrolluar, që kohëve të fundit është në ngritje e sipër, ku më së miri flasin këto të dhëna të këtij diagrami.
Dhe gjithashtu është shokues fakti se me miliona euro sot drejtohen nga shtetet dhe organizata e ndryshme për trajtimin e këtyre problemeve shëndetësore dhe të sëmundjeve me aparatura, dieta, ushqime e barna të ndryshme, të cilat do të evitoheshin pa këto mjete nëse do respektohej ajo që ka kërkuar Allahu xh.sh. dhe ajo që ka praktikuar Muhamedi a.s.. 
Andaj maturia dhe edukata e ngrënies dhe pijes që ka kërkuar Allahu xh.sh. dhe ka praktikuar dhe ka kërkuar që të praktikohet Muhamedi a.s., - duhet të zbatohet në jetën tonë, në mënyrë që trupi ynë të jetë në gjendje të përshtatshme për kryerjen e ibadeteve të Allahut xh.sh. dhe kryerjen e misionit tonë gjatë jetës në këtë botë. 
Në rreshtat në vazhdim do të sjellim disa këshilla, të cilat do të na ndihmonin që ushqimet dhe pijet që konsumojmë, të kenë efekt pozitiv tek ne dhe që t’i përmbahemi maturisë në ushqime dhe pije, një kërkesë kjo e Allahut xh.sh. dhe gjithashtu kërkesë dhe praktikë e Muhamedi a.s.. 
-Moskonsumimi i ushqimeve dhe pijeve që na ka ndaluar Allahu xh.sh., dhe i atyre që Muhamedi a.s. na njoftoi për ndalesën e tyre; 
- Moskonsumimi i tepërt i ushqimeve dhe pijeve, por vetëm sa është e nevojshme, dhe jo as sa është e mjaftueshme e as sa ajo plotësuese; 
- Moskonsumimi i ushqimeve dhe pijeve që janë me efekte të kundërta të merren përnjëherë; 
- Moskonsumimi i ushqimeve dhe pijeve para se të jenë tretur ushqimi dhe pija e mëpërparshme; 
- Moskonsumimi i ushqimeve dhe pijeve të përgatitura nga shumë përbërës;
- Moskonsumimi i ushqimeve dhe pijeve që kanë shumë kalori; 
- Moskonsumimi i ushqimeve dhe pijeve që nuk janë higjienike dhe as i atyre që servohen në enë jo higjienike. 


______________________
Literatura e konsultuar: 
- “KUR’AN-I - Përkthim me komentim në gjuhën shqipe.”- H.Sherif Ahmeti. 
- “Hallalli dhe Harami në Islam” - Dr.Jusuf Kardavi (Përkthyer nga Muhamed Mustafa e botuar me 2002 në Prishtinë ). 
- “Mjekësia e të Dërguarit Muhammed a.s.” – Ibn Kajjim el Xhevzi. (Përkthyer nga Prim.Dr.Med. Sci. Ali F.Ilazi e botuar me 2003 në Gjakovë).


 


Zekrija Tërnava
Dituria  Islame 211


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?