Reciprociteti, kusht për ruajtjen e familjes

 


Sot, kur bota është duke u përballur me një dinamikë të jetës, me ndikimet dhe trysnitë e shumta që vijnë nga faktorë të shumtë, siç janë: materializmi, rrjetet sociale, civilizimi, modernizmi, e shumë propaganda të tjera, që për synim primarë kanë shthurjen dhe shkatërrimin e familjes, duhet që të jemi më vigjilent dhe më syhapur. Pra, duhet që të kthehemi dhe të gjejmë masat dhe mjetet mbrojtëse për të mbrojtur vetën dhe familjet tona nga rënia pre dhe viktimë e tërë kësaj katrahure, që është duke na u servirë në këtë kohë. 
Prandaj, nëse kthehemi dhe i hedhim një sy citateve të Kuranit që flasin për familjen, shohim se strumbullari dhe themeli i ruajtjes së marrëdhënieve bashkëshortore në veçanti por, edhe i marrëdhënieve ndër njerëzore, në përgjithësi është reciprociteti. 
Allahu xh.sh., në Kuran, teksa flet për marrëdhëniet ndërmjet dy bashkëshortëve, si themel bazë për krijimin e familjes, thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji i palëve (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Er Rrum, 21). 
Pra, Allahu xh.sh. në këtë citat të Kuranit na tregon se mes bashkëshortëve ka krijuar dashuri dhe mëshirë. Por, padyshim se kjo do të jetë funksionale dhe do të japë frytet dhe efektet e saj pozitive vetëm nëse ndodh dhe nëse praktikohet në mënyrë reciproke mes dy bashkëshortëve. 
Në këtë botë, asgjë nuk mund të funksionojë nëse ajo bëhet njëanshëm dhe asnjë iniciativë nuk mund të rezultojë pozitivisht nëse ajo vije vetëm nga njëra palë. Pavarësisht, nëse kjo iniciativë dhe kjo përpjekje vije nga mashkulli apo nga femra. Pra, nuk ka rëndësi nga kushdo që vije por, në momentin që është e njëanshme, ajo është e pavlerë dhe e padobishme. Kështu që, duhet të jetë vetëm në mënyrë reciproke për të dhënë efektin e duhur. 
Sot, shohim se si mashkulli penalizohet nga iniciativa dhe përpjekja e tij për të ruajtur familjen e tij. Ky penalizim vije duke e nënçmuar dhe duke e nënvlerësuar rolin e tij, angazhimin e tij, punën e tij, përpjekjen e tij dhe çdo gjë që ofrohet nga ana e tij. E tërë kjo, bëhet gjoja në emër të lirisë dhe barazisë gjinore. E që në fakt, vetë barazia është padrejtësi në vetvete, ngase nuk mund të ketë barazi në mes të dy gjërave të ndryshme. Prandaj, përderisa femra dhe mashkulli dallojnë për nga natyrshmëria e krijimit të tyre atëherë, nuk mund të pretendohet se këto dy krijesa duhet që të kenë të drejta dhe pozita të barabarta. Ngase, kjo është padrejtësi. 
Drejtësi e vërtetë dhe me plotë kuptimin e fjalës, do të ishte vetëm atëherë kur çdokush dhe çdo gjë merr atë që meriton, që përkon me nevojat e tij apo të saj. Prandaj, transmetohet se kur Pejgamberi a.s. kishte vëllazëruar në mes të ensarëve dhe muhaxhirë, ai a.s. kishte vëllazëruar në mes të Selman el Farisiut dhe Ebu Derdas, Allahu xh.sh., qoftë i kënaqur me ta. E ndërsa, Selman el Farisiu r.a. e kishte vizituar një ditë Ebu Derdan r.a. në shtëpinë e tij, ai r.a. e kishte parë bashkëshorten e Ebu Derdas r.a., që kishte hequr dorë nga kujdesi ndaj vetvetes. Ajo, ishte veshur me rroba të thjeshta dhe ngjasonte më shumë me një shërbëtore sesa me një bashkëshorte dhe zonjë shtëpie. Selman el Farisiu r.a. e pyeti për arsyen e gjendjes së saj dhe bashkëshortja e Ebu Derdas i tregoi se vëllai i tij kishte hequr dorë nga nevojat e tij prej kësaj bote. Pra, ai i ishte përkushtuar vetëm adhurimit ndaj Zotit xh.sh. dhe nuk kishte nevojë për asgjë nga kjo botë. Selman el Farisiu atë natë qëndroi tek Ebu Derda r.a. dhe e pa vetë gjendjen e tij. Ai r.a., me të vërtetë i ishte përkushtuar vetëm adhurimeve ndaj Zotit xh.sh. dhe kishte lënë pas dore familjen e tij. Në mëngjes, Selman el Farisiu r.a., i tha Ebu Derdas r.a.: “Me të vërtetë, ti ke obligime ndaj Allahut xh.sh., ndaj vetvetes tënde dhe ndaj familjes tënde. Andaj, jepja çdo kujt të drejtën e tij.” Në mëngjes, ata shkuan te Pejgamberi a.s. dhe i treguan se çfarë e kishte këshilluar Selman el Farisiu r.a., Ebu Derdan r.a., ndërsa, Pejgamberi a.s. i tha: “Me të vërtetë, Selmani e ka thënë të vërtetën.”(1) 
Allahu xh.sh. në një citat tjetër të Kuranit, thotë: “... dhe mos dëmtoni njerëzit në gjësendet e tyre...” (Hud, 85). Pra, e shohim se fjala “gjësende” ka ardhur në trajtën e pashquar dhe si e tillë është në formën e përgjithësuar. Do të thotë përfshinë çdo gjë duke mos lënë anash as të drejtat e të tjerëve. 
Kështu pra, njeriu duhet që të kujdeset që t’ua japë të drejtën meritore të gjithë njerëzve, duke filluar nga bashkëshortja apo bashkëshorti, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, farefisi, shoqëria dhe në përgjithësi njerëzit me të cilët rrethohet. 
Por, a do të ishte e mjaftueshme që kjo përpjekje të jetë vetëm nga njëra palë...? Pra, do të jetë efektive dhe a do të arrinte qëllimet dhe synimet e saja nëse vije vetëm nga njëra anë...? 
Assesi, çdo trajtesë dhe çdo përpjekje e njëanshme është e dështuar dhe është e padobishme. Prandaj, nëse bashkëshorti mundohet që me çdo kusht të ruaj familjen dhe të bëjë çmos për lumturinë dhe harmoninë e jetesës bashkëshortore ndërsa, bashkëshortja rri duarkryq atëherë kjo marrëdhënie bashkëshortore do të jetë e dështuar. E njëjta gjë, do të ndodh edhe nëse ndodh e kundërta. Pra, nëse bashkëshortja jep çdo gjë nga vetvetja e saj ndërsa bashkëshorti rri duarkryq atëherë, kjo lidhje bashkëshortore do të jetë e shkatërruar dhe e fundosur. 
Allahu xh.sh., në një citat tjetër të Kuranit, thotë: “... ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato...” (El Bekare, 187). Pra, edhe një herë na dëshmohet shumë qartë se themeli i ruajtjes së një marrëdhënie ndër njerëzore, në përgjithësi, dhe i atyre ndër bashkëshortore, në veçanti, është reciprociteti. 
Por, pyetja shtrohet se çfarë duhet të bëjmë në rast se mungon reciprociteti...? 
Besimtari duhet që të mundohet me çdo kusht që të ruajë dhe të mbrojë vetveten e tij, familjen e tij, nderin dhe pasurinë e tij. Por, tërë këtë përpjekje duhet që ta bëjë brenda suazave të normales dhe pa e dëmtuar askënd dhe asgjë. E në rast se, pas marrjes së të gjitha mundësive dhe të gjitha shkaqeve e gjen të kotë përpjekjen e tij dhe e sheh se nga pala tjetër nuk ka ndonjë reagim dhe nuk ka ndonjë përgjigje pozitive ndaj kësaj përpjekjeje atëherë, nuk duhet që të lejojë të dëmtojë vetveten e tij dhe të shkatërrojë vetveten e tij për hir të askujt dhe të asgjëje. Kjo, ngase asgjë dhe askush nuk ka vlerë dhe nuk ka të drejtë më të madhe ndaj tij, sesa ai ndaj vetvetes së tij. 
Në këtë botë, çdo gjë është kalimtare dhe asgjë nuk është e përhershme. Prandaj, edhe raportet tona me njerëz por, edhe raportet tona familjare mund të jenë të destinuara që të shkojnë drejt fundit dhe drejt përfundimit. Ashtu, siç ka ardhur edhe në një prej transmetimeve ku Xhibrili a.s. kishte ardhur te Pejgamberi a.s. dhe i kishte thënë: “O Muhamed, jeto sa të duash por, me të vërtetë, ti ke për të vdekur. Duaje kë të duash por, me të vërtetë, do të ndahesh prej tij. Vepro çfarë të duash por, me të vërtetë, do të shpërblehesh për të.” Pastaj, Xhibri a.s. i tha: “O Muhamed, nderi i besimtarit është në namazin e natës dhe krenaria e tij është në mosvartësinë e tij ndaj njerëzve.”(2) 
Prandaj, çdo lidhje dhe çdo marrëdhënie jona me të tjerët pavarësisht natyrës së saj, është e destinuar që të shkojë drejt fundit. E ky fund, mund të jetë për shkaqe të ndryshme por, më së shumti mund të ndodh për shkak të mungesës së reciprocitetit. Andaj, çdo kush që dëshiron të ruajë një marrëdhënie, qoftë bashkëshortore apo çfarëdo qoftë ajo, mes njerëzve duhet që të luftojë dhe të bëjë përpjekje për jetësimin dhe praktikimin e parimit të reciprocitetit. Në të kundërtën, çdo gjë do të jetë e dështuar dhe e kotë. E në raste të dështimit, më së shumti do të dëmtohet ai që ka bërë më së shumti përpjekje dhe që ka lidhur dhe ka varur çdo gjë tijën te pala tjetër. Përderisa, pala tjetër ka qëndruar indiferent dhe gjakftohtë ndaj këtyre raporte ve dhe këtyre marrë dhënieve. 
Besimtari dhe besimtarja duhet që t’ua duan të tjerëve atë që duan për veten e tyre, duhet që të sillen me të tjerët ashtu siç duan që të sillen me ta, duhet që të respektojnë dhe të kujdesën për të tjerët ashtu siç duan që të respektohen dhe të kujdesën për ta. Bashkëshorti dhe bashkëshortja, duhet që të duan, të respektojnë, të ruajnë, të kujdesen, të punojnë për tjetrin ashtu siç duan dhe kanë dëshirë që tjetri të jetë në raport me të. E në të kundërtën, le të bëhen gati të përballen me pasojat, qoftë në këtë botë por, po ashtu edhe në botën tjetër. E mos të befasohen nga asgjë, sepse çdo gjë vije si rezultat i veprave dhe punëve tona e asgjë nuk vije nga hiçi. 



__________________________ 
1. Këtë transmetim e transmeton Veheb ibën Abdullah es Sevaij, Ebu Huxhejve, ndërsa e shënon Imam Buhariu në Sahihun e tij, hadithi numër 1968. 
2. Këtë transmetim e transmeton Sehel ibën Sad es Saidij, ndërsa e shënon Imam et Taberaniu në “El Mu’xhem el Evsat”, transmetimi 4278


 


Mr. Artan Musliu
Dituria Islame 406


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi