Paqja është nevojë themelore njerëzore e rëndësishme për mirëqenien dhe lumturinë tonë të përgjithshme. Ajo nënkupton jo vetëm mungesën e dhunës dhe kon fliktit, por edhe një ndjenjë sigurie, lumturie dhe të harmonisë në marrëdhëniet ndër njerëzore, pa dallim. Pa paqe, ka frikë, konflikt dhe vuajtje, që çojnë në ndarje dhe shkatërrim.
Si e tillë, paqja nuk është vetëm një synim dëshirues, por një detyrim moral dhe detyrim hyjnor. Në shumë tradita fetare, paqja konsiderohet si një dhuratë hyjnore dhe një reflektim i harmonisë dhe rregullit që ekziston në univers. Ajo shihet si një manifestim i mëshirës së Zotit, dhembshurisë dhe dashurisë për njerëzimin.
Paqja është qenësore edhe për shëndetin tonë mendor dhe fizik, që na mundëson të ndjehemi më pranë njëri-tjetrit, më të lidhur, të pajtuar dhe të bashkuar. Paqja mendore mundëson kreativitet intelektual, sofist dhe artistik.
Në kohëra konflikti dhe trazirash, është e rëndësishme të prioretizojmë përpjekjet për ndërtimin e paqes dhe të promovojmë dialogun, pajtimin dhe mirëkuptimin midis individëve dhe komuniteteve.
Paqja është një detyrim i shenjtë për besimtarët, pasi që është mësim qendror në shumë tradita dhe besime fetare. Për të krishterët, paqja theksohet në mësimet e Jezusit. Në Islam, paqja është thelbësore për konceptin e “Selamit/Silmit”, që do të thotë paqe dhe nënshtrim ndaj vullnetit të Perëndisë. Në hinduizëm, paqen e lidhin me konceptin e “ahimsa” që nënkupton mungesën e dhunës.
Paqja si thirrje hyjnore
Mësimet fetare shpesh theksojnë rëndësinë e kërkimit të paqes, promovimin dhe përbrendësimin e faljes. Besimet inkurajojnë individët që të kultivojnë paqen brenda tyre nëpërmjet vetëdijes, lutjes dhe meditimit.
Paqja është një koncept i rëndësishëm në Islam dhe myslimanët inkurajohen të përpiqen për paqen në të gjitha aspektet e jetës së tyre. Në fakt, paqja konsiderohet si obligim në Islam, pasi është parim themelor i fesë.
Për më tepër, Islami mëson se myslimanët duhet të përpiqen për paqe jo vetëm në marrëdhëniet e tyre ndër personale, por edhe në shoqërinë e tyre në tërësi. Myslimanët inkurajohen të promovojnë drejtësinë, barazinë dhe dhembshurinë në ndërveprimet e tyre me të tjerët dhe të punojnë drejt zgjidhjes së konflikteve dhe mosmarrëveshjeve përmes dialogut në mënyrë paqësore.
Në përgjithësi, paqja konsiderohet obligim në Islam, sepse është parakusht për mirëqenien e individëve, komuniteteve dhe shoqërisë njerëzore në tërësi. Myslimanët inkurajohen të mishërojnë parimet e paqes në jetën e tyre të përditshme dhe të përpiqen për një botë pa dhunë, shtypje dhe padrejtësi.
Besimtarët thirren të punojnë aktivisht për paqen në jetën e tyre dhe në shoqërinë që i rrethon. Kjo nënkupton ndihmën në avokimin për drejtësi, promovimin e pajtimit, përpjekjen për të kuptuar dhe bashkëndjerë të tjerët. Në thelb, paqja është pasqyrim i pranisë së besimit në Zot në çdo person, dhe besimtarët thirren të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin si mënyrë për të respektuar dhe lavdëruar vetë Perëndinë.
Islami vendos një theks të fortë në rëndësinë e bashkëjetesës paqësore me të tjerët dhe zgjidhjes së konflikteve përmes mjeteve paqësore.
Kurani i mëson besimtarët të kërkojnë pajtim dhe paqe me të tjerët, edhe në ballë të sfidave. Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, gjithashtu theksoi rëndësinë e zgjidhjes paqësore të konflikteve, dhe inkurajoi dhe praktikoi dialogun dhe negociatat.
Në Islam, ekzistojnë udhëzime specifike për kryerjen e proceseve të paqes, duke përfshirë kërkimin e ndërmjetësimit, promovimin e dialogut dhe punën drejt mirëkuptimit reciprok dhe mirëqenies. Gjithçka që duhet për vete, duhet edhe për tjetrin.
Gjatë historisë, civilizimet islame janë njohur për përpjekjet e tyre për të promovuar paqen dhe për të zgjidhur konflikte paqësisht.
Në përgjithësi, proceset e paqes në Islam udhëhiqen nga parime të drejtësisë, empatisë dhe dialogut. Për më tepër, Islami promovon idenë e drejtësisë sociale, barazisë dhe pluralizmit, ku të gjithë individët kanë të drejta dhe mundësi të barabarta, dhe respektohen edhe në mendime dhe qëndrime ndryshe.
Në përfundim, paqja nuk është vetëm mungesa e konfliktit, por një gjendje e tërësisë, harmonisë dhe lumturisë. Gjendja e gëzimit, dashurisë dhe lumturisë njerëzore janë të njëjtësuara me paqen në të dy botët.
Paqja si nevojë njerëzore dhe detyrim hyjnor nxitë dimensione të rizgjimit shpirtëror dhe veprime sublime të shoqërisë për të mirën e përbashkët publike të njerëzimit.
Muaji maj është nikoqir i dy ditëve ndërkombëtare ku shënohet Dita Ndërkombëtare e Bashkëjetesës në Paqe, për të inkurajuar njerëzit dhe institucionet të angazhohen në aktivitete dhe ngjarje që promovojnë ndërtimin e paqes, pajtimin dhe bashkëjetesën, dhe Dita Ndërkombëtare për Diversitet Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, për të inkurajuar njerëzit të festojnë diversitetet kulturore në dialog konstruktiv dhe të hapur që mundëson zhvillim për të gjithë.
Republika e Kosovës është një shembull pozitiv për dialogun, gjithpërfshirjen dhe bashkëjetesën në paqe, duke njohur dhe respektuar identitetet e qytetarëve të saj.
Dituria Islame 402