Përkthime të pjesshme të Kuranit në gjuhën shqipe

 


Interesimi i masës së shqiptarëve për t’u njohur drejtpërsëdrejti me fjalën e shenjtë të Kuranit ka qenë i hershëm. Po ashtu të kahershme kanë qenë dhe përpjekjet e mjaft intelektualëve islamë për ta mundësuar një gjë të tillë. Një ndërmarrjeje të tillë i pati hyrë dhe Shemsetin Sami Frashëri për ta përkthyer atë në gjuhën turke, por botimi i këtij përkthimi u ndalua nga qeveria osmane dhe pjesët e përkthyera u asgjësuan.(1) 
Me sa dimë deri tani, përkthimi i mirëfilltë i Kuranit në shqipe zë fill në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Mund të duket si e çuditshme, por është e vërtetë që përkthyesi i parë i këtij libri të shenjtë, i njohur deri më sot, është një bashkatdhetar yni i besimit të krishterë, or todoks, e pikërisht atdhetari korçar dhe studiuesi i mirënjohur i historisë sonë mesjetare dhe më gjerë qysh para Çlirimit, Ilo Mitkë Qafëzezi. Ai bëri për kthimin e parë, kuptohet, të pjesshëm, të këtij libri në gjuhën shqipe, duke u mbështetur në përkthimin anglisht të bërë nga George Sale. Nga gjithë libri ai arriti të botonte pjesën e parë në Rumani më 1921. Këtë botim autori ua dedikon, siç shprehet vetë: “Bashk at dhetarëve kombëtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Ndërsa fashikullin e dytë të këtij botimi ai arriti ta shtypë në Korçë, pas gjashtë vjetësh, më 1927. I. M. Qafëzezi nuk qe specialist i Kuranit, nuk qe as mysliman.(2)
 Po ashtu, në vitin 1982, në Romë botohet një përkthim ajetesh të zgjedhura, të cilin na e jep Bekir Maloki, imam i Bashkimit të Myslimanëve në Romë. Këtu përkthyesi, në një broshurë të formatit standard prej afro 60 faqesh, i ofron lexuesit shqiptarë një zgjedhje të ajeteve të Kuranit, për të cilët mendonte se është nevoja më e madhe për të përkthyer “për të ndriçuar popullin mysliman shqiptar me dritën madhështore të Kuranit...” siç pohon në parathënie.(3) 
Vlen të theksohet se përkthimi i ajeteve është shënuar me numër të sures dhe ajetit, pa origjinal, duke e përcjellë me një shpjegim çdo ajet apo grup ajetesh të përkthyer. Përkthyesi thotë se gjatë kësaj pune është shërbyer me përkthimet e Kuranit nga Çausheviç-Panxha. Këtu janë përkthyer suret: 1, 99-114, si dhe suret 92, 95, komplet, kurse nga suret e tjera vetëm nga ndonjë ajet, sipas zgjedhjes së tij.(4) 
Pra, siç kuptohet, sipas mendimit të shumicës së studiuesve shqiptarë, përmendet emri i Ilo M. Qafëzezit si përkthyes i parë i Kuranit i mesit të viteve 20-të të shek. XX, i cili në mënyrë serioze iu përvesh punës për përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe, edhe pse vetë nuk i përkiste fesë islame. Në fakt, ka mendime se Naim Frashëri5 
ishte përkthyesi i parë i përkthimit selektiv të pjesëve të Kuranit, me titull“Thelb i Kuranit”.(6) 


Përkthime të pjesshme të Kuranit të botuara në libra të ndryshëm


Përveç përkthimeve të plota, ekzistojnë edhe përkthime të pjesshme të Kuranit, botuar në libra të ndryshëm, ku gjenden pjesë të përkthyera nga Kurani. Shquhet në këtë aspekt përkthimi i sures së “Jasinit”. Duke qenë se në përmbajtjen e saj përfshihen udhëzime, këshillime dhe shpjegime të kuptimeve të larta, versionet e përkthimeve të saj në gjuhën shqipe janë të shumta. 
Botimet e saj të para në gjuhën shqipe u bënë në vitet ‘30, mjafton të përmendet këtu “Libri i së falmës” i hfz. Ibrahim Dalliut, botuar në Tiranë më 1937. Libër ky që ka disa ribotime, dhe i cili është i shoqëruar me shtyllat themelore që duhet të zotërojë çdo besimtar mysliman për të formuar botëkuptimin e tij dhe për të vepruar. Në hyrje të këtij botimi ka dhe disa udhëzime fonetike mbi drejtshqiptimin e saj. 
Këtë përkthim e ndoqën edhe variante të tjera si në vijim: 
• “Islamizmi dhe lutjet” i Imam Vehbi Ismailit, Detroit, 1957. 


• “Mësimi i shkurtër mbi namazin dhe Jasini Sherif” i hfz. Sulejman Kemurës, botuar në Prishtinë më 1959. Në gjuhën shqipe e ka
në përkthyer Bajram Agani dhe Mehmet Gjevori. Libri është ribotuar disa herë. • “Rregulla dhe lutje” i hfz. Sulejman Kemurës, Prishtinë, 1972. 
• “Ajete të Kuranit me shpjegime të tjera” i Beqir Malokit, botuar në Romë më 1982. 
• “Jasini dhe 20 sure të tjera”, përktheu: Feti Mehdiu. Prishtinë,1992.
• “Hyrje në shkencat kuranore”, në vitin 1993 në Prishtinë, Qazim Qazimi boton një tekst për klasat e larta të medresesë me titull “Kaptina Jasin”, përkthim dhe koment i M. Mustafës, Shkup, 1994. 
• “Jasini”, përkthim dhe koment i Sejjid Kutubit, Shkup, 1994. 
• “Kaptina Jasin”, përkthyer nga N. Ibrahimi, ribotimi i fundit më 1994. 
• “Universi i Jusufit a.s.”, përkthyer nga Nexhat Ibrahimi, Logos-A, Shkup, 2008, etj. 
Përveç këtyre librave që radhitëm, të cilat kryesisht patën për bazë përkthimin e sures “Jasin”, ka edhe mjaft libra të tjerë të përkthyer me tematikë nga Kurani, që janë botuar kohët e fundit. Është për t’u vënë në dukje libri i dr. Feti Mehdiut “Nga tematika e Kuranit”. Ky libër ka karakter didaktik, strukturë të shëndoshë dhe lidhje logjike. Tematika e tij i nënshtrohet kritereve teologjike shkencore. Fillimisht trajtohet qëndrimi i Kuranit ndaj shkencave të përpikta dhe besimit, vijohet me: Kurani për besimin, për meshkujt, femrat, familjen, fëmijët, për çështje ekonomike -sociale etj.. Autori i punimit e bën të qartë qëllimin e botimit të këtij vëllimi. Botime me tematikë nga Kurani pati edhe në shumë qendra të tjera të Kosovës, si “Kurani dhe të drejtat e njeriut”, Gjilan; “Njohuri rreth Kuranit”, Prizren; “Kurani libër për të gjallët apo...”, Mitrovicë etj.. 
Një pritje të mirë në publikun shqiptar pati edhe broshura e dr. Maurice Bucaille, anëtar i Akademisë Franceze të Mjekësisë, që shtjellon ndërlidhjet e Kuranit me shkencat bashkëkohore. Dr. Maurice Bucaille, që është kirurg i shquar, e zhvilloi fillimisht në formë leksioni temën e mësipërme, duke e ilustruar me fragmente kuranore para auditorit të Londrës. Me titullin “Të dhëna fiziologjike dhe embrionologjike në Kuran”, kjo temë është mbajtur edhe në Akademinë Franceze të Mjekësisë, më 9 nëntor 1976. Broshura e lartpërmendur u publikua në Tiranë më 1992. Në këtë broshurë autori shtron nevojën e një kulture enciklopedike për të kuptuar Kuranin. Ai flet për Universin dhe krijimin e tij, për astronominë, tokën, krijimin e njeriut etj.. 
Më 1986 u botua libri i Ahmed Deedatit “Kurani, mrekullia më e përsosur” në gjuhën shqipe, më 1986. Në këtë libër gjejmë vlerësime për Muhamedin a.s., nga personalitete të shkencës, kulturës e filozofisë perëndimore, si të Thomas Carlylit, të Gibbonit, të R. Bosworth - Smith, të La Martinit, të Jules Mesermanit etj.. Në vazhdim të botimeve të pjesshme të Kuranit, më 1994 u botua “Nën hijen e Kuranit - 12 suret e fundit”, vepër e Halil Idrizit. Po më 1994 është botuar edhe një fragment i Kuranit me titull “Kurani i Madhnueshëm”, përkthim dhe komente. Fatkeqësisht këtij botimi i mungon parathënia dhe emri i përkthyesit.(7) 


Përkthimet e hershme të Kuranit të botuara në periodikun islam


Përveç përkthimeve që përmendëm më lartë, të cilat janë botuar si të veçanta apo në kuadër të ndonjë libri fetarë kushtuar nevojave praktike të myslimanëve, kemi edhe përkthime të pjesërishme që janë botuar nëpër revistat fetare: “Zani i Naltë”(8), “Kultura Islame”(9), “Edukata Islame”(10) dhe “Jeta Myslimane Shqiptare”. 
Në periodikun islam, “Zani i Naltë”, në periudhën prej 1923-1039, në faqet e kësaj reviste janë botuar përkthimet e sureve nga Hafëz Ali Korça, e suret e përkthyera ishin këto: El Fatiha, El A’raf, Ed Duha, Et Tin, El Alak, El Kadr, Ez Zilzal, Et Tekathur, El Humeze, El Fil, En Nasr, El Felek, En Nas.(11) 
Prej përkthimeve të sureve dhe ajeteve të botuara në “Kulturën Islame”, ishin këto: El Fatiha, El Bekare, ajeti 177; Kaf, në tërësi; El Mu’minun, ajetet 12,13,14; El Beled, në tërësi; El Enfal, ajetet 45,46,47 dhe 60; dhe Ed Duhan, ajetet 1-6. Me sa shihet nga revista “Kultura Islame”, këtu nuk kemi përkthim sistematik të Kuranit, por kemi të bëjmë me përkthim tematik ku janë marrë ajete nga sure të ndryshme, jo me radhë. Edhe pse në disa numra të revistës në fjalë nuk kemi nënshkrim të autori i tyre, s’ka dyshim se autor i këtyre përkthimeve është Haki Sharofi.(12) 
Sharofi gjatë këtyre përkthimeve jep në fillim tekstin origjinal të Kuranit, edhe me shkronja arabe, pastaj përkthimin dhe mandej vjen komentimi mjaft i gjerë. Komentimi është i plotësuar edhe me ajete të tjera ose ma hadithe.(13)
Në revistën fetare tremujore, “Edukata Islame”, e cila del prej vitit 1971 në Prishtinë, qysh nga numri i parë kemi përkthime të ndonjë ajeti të Kuranit që kanë shërbyer si bazë për artikuj të ndryshëm. Në këtë revistë, prej vitit 1971 deri në vitin 1981, nga autori Sherif Ahmeti, janë botuar këto përkthime të sureve: El Asr, El Fatiha, El Ihlas, El Kevther, El Felek, El Kadr, Esh Shu’ara...
Në revistën “Jeta Myslimane Shqiptare”, janë botuar: El Fatiha 1-7, El Bekare, 1-7, El Huxhurat 12, El Furkan 1-60, El Mu’minun 1-40. Autor i këtyre përkthimeve me komentim është Imam Vehbi Ismaili.(14) 
Në periodikun islam “Glasnik”(15), në vitet 1983-1984, janë botuar këto sure: El Enbija’, El Haxhxh, El Mu’minun, En Nur, En Neml. Autor i këtyre përkthimeve të pa komentuara është Feti Mehdiu.(16)



 _____________________________________________ 
1. Gazmend Shpuza, “Kurani në gjuhën shqipe”, shih në ueb-faqe: http://kuranifisnik.com/KuraniFisnik/Artikuj/default. asp?NrArtikull=273 
2. Shih: G. Shpuza, Përkthyesi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe, “Drita islame”, (Tiranë: 1995), 4. 
3. Bekir Maloki, Ajete të Kuranit me shpjegime të tjera, (Roma: 1982), 57. Sipas: Feti Mehdiu, Përkthimet e Kuranit në gjuhën shqipe (Shkup: Logos-A, 1996), 36. 
4. Feti Mehdiu, Përkthimet e Kuranit në gjuhën shqipe, op. cit., 36-37. 
5. Elez Ismaili, “Disa tema dhe dilema rreth përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe”, shih në ueb-faqe: http://www.zeriislam.com/ artikulli.php?id=3185
6. Thelb i Kuranit, pjesë përbërëse e veprës “Mësime” në botimin e kompletit të veprave të Naimit, si në Tiranë po ashtu edhe në Prishtinë, nuk përmendet fare. Botimin e parë të kësaj vepre e ka bërë vetë Naimi në Bukuresht më 1894. Studimin më të plotë të këtij kontributi e ka bërë dr. Mahmud Hysa. 
7. Ramiz Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, (Tiranë: Instituti Shqiptar i mendimit dhe qytetërimit islamik, 2007), 200-204.
8. Zani i Naltë - Revista fetare, Botohet nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, Merret edhe me filozofi, moral, literaturë kombëtare e sociologji, Drejtimi: “Zani i Naltë”, Tiranë, del një herë në muaj.
 9. Kultura Islame - e përmuajshme fetare, letrare, diturore, artistike, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, drejtor përgjegjës: S. Bega, Drejtimi: Kultura Islame, Tiranë. 
10. Edukata Islame - revistë fetare tremujore, Prishtinë. Numri i parë doli në vitin 1971, e boton Shoqata e Ulemave Islam të RS të Serbisë në Prishtinë.
11. Feti Mehdiu, Përkthimet e Kuranit në gjuhën shqipe, op. cit., 40-41. 
12. Haki Sharofi lindi në Dibër të Madhe, por veprimtarinë e tij si mësues, publicist dhe përkthyes i zhvilloi larg lindjes, në Gjyrash të Manastirit (1912), në Peshkopi (1914), ku hapi shkollën e parë shqipe, në Trujak dhe në Sllovë të Dibrës (1916 dhe 1920), në Kastriot (1923), në Krumë (1928), në Vlorë (1929). Gjithashtu ai ka lënë një trashëgim të pasur me përkthime, siç janë: “Tefsiri shqip”, “Parimet e nalta të islamit», «Ajete të Kuranit» etj. Shih në: Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, 100 Personalitete shqiptare të kulturës islame (Shekulli XIX-XX), Botim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Tiranë, Shqipëri, 2015, f. 54. 
13. Feti Mehdiu, Përkthimet e Kuranit në gjuhën shqipe, op. cit., 41. 
14. Ibid., 42. 
15. Revista e Rijasetit të Bashkësisë islame në Bosnjë e Hercegovinë. 16 Ibid., 44.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi