Shprehja ‘taklid’ është nocion i gjuhës arabe, përkatësisht infinitiv i foljeve të llojit II të të prejardhura dhe rrjedh prej foljeve të rregullta. Koha e shkuar e nocionit ‘taklid’ bën ‘kal-lede’, koha e tashme dhe e ardhshme bëjnë ‘jukal-lidu’, ndërsa infinitivi ‘taklid’, që do të thotë: ‘t’i vendosësh dikujt hallkë apo lak në qafë, për ta tërhequr pas’. E, imituesit, i cili ndjek fjalën e atij që imitohet, i bie sikur (‘i imituari’) t’i ketë vënë një lak në qafë, e ai ndjek veprat e tij, pa kurrfarë meditimi, për- siatjeje dhe as gjykimi. P.sh. thuhet: ‘filani e kishte kapur për gushe filanin’, d.m.th. vepruaka sikurse vepron ai, pa e njohur realitetin e atij veprimi dhe pasojat e tij, qofshin të mira apo të këqija. Ndërsa ‘mukal-lid’ (që është parti- cipi aktiv i fjalës ‘taklid’), si term fetar, nënkupton “atë mysliman, i cili i ka besuar të gjitha kushtet e fesë islame, dhe i ka deklaruar ato, pa njohur argumentin e tyre”.(1)
Llojet e ‘taklidit’
Nga fakti që çështjet e fesë ndahen në dy sfera, në ato që janë parësore, bazë (aslijjeh) dhe ato që janë dytësore (fer’ijjeh), edhe taklidi është dy llojesh: (1) taklidi në bazat e besimit islam, dhe (2) taklidi në elementet dytësore të fesë.Është më se e njohur se elementet dytësore të fesë, të cilat ngrihen mbi parimet bazë të Fesë, parimisht nuk janë ato që shkaktojnë hyrjen në fenë islame, dhe as daljen prej saj, sepse karakteri i tyre është suplementar në Fe. Kjo sepse mosbesimi shkaktohet nga mohimi a përgënjeshtrimi eventual i atyre pikave që janë bazë dhe shtylla të fesë islame. Madje, taklidi në çështjet dytësore të fesë, është i lejuar dhe i urdhëruar nga Allahu i Lartë- suar, ngase të gjithë njerëzit nuk mund t’i specializojnë çështjet e fesë, meqë ato janë sferë shumë e gjerë. Por, për njohjen e tyre, duhet t’u drejtohen kompetentëve. Në këtë kuptim është ajeti i Kuranit famëlartë: “…Ju pyetni pra dijetarët, nëse nuk dini.” (En-Nahl, 43). Në këtë çështje të gjithë ata që janë të mençur, qofshin meshkuj apo femra, janë njësoj. Se taklidi në bazat e besimit është çështje e nënçmuar, kjo ka ardhur në ajetin kuranor, ku Allahu i Lartësuar një cilësim të këtillë ua atribuon pabesimtarëve: “Jo, por ata thanë: ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe dhe vazhdojmë gjurmëve të tyre”. (Ez-Zuhruf, 22).(2) Prandaj, taklidi në çështjet dytësore nuk është objekt trajtimi në këtë punim, sepse, sikur e përmendëm më lart, ai është i lejueshëm. Veçse objekt trajtimi në këtë punim është ‘taklidi’ në bazat e besimit islam. Shtrohet pyetja se çfarë konsiderohet prej çështjeve bazë të besimit. Dijetarët çështjet bazë të besimit islam, të cilat myslimani është i obliguar t’i besojë, i kanë përmbledhur me një formulë të vetme, që është - “gjërat që dihen haptazi se janë domosdoshmëri të besimit”. Kjo formulë përfshin “të gjitha ato çështje që dihen si qenësore të ardhjes së Muha- medit a.s., që kanë mbështetje në burimet tradicionale, që janë të transmetuara me rrugë tevaturi, që në ekzistencën subjektive të tyre nuk pranojnë kurrfarë interpretimi, që nuk mund të mendohet ekzistimi i ndonjë argumenti që kundërshton atë, dhe që, për ekzistimin parimor të tyre si qenësore të besimit islam, dijetarët nuk kanë diskutuar; ato konsiderohen se janë domosdoshmëri të Fesë, sikurse janë - besimi në Allahun dhe Cilësitë e Tij, besimi në me- laiket, pejgamberët, namazi, zekati, ringjallja, ekzistimi i Xhenetit dhe Xhehenemit, ndalimi i zinasë, i alkoolit, i bixhozit, etj.”.(3)
MENDIMET E DijETARËVE RRETH ‘TAKLIDIT’
Çështja e taklidit është diskutuar dhe për të është po- lemizuar mjaft shumë, sidomos ndërmjet maturidinjve, esh’arinjve dhe mu’tezilëve. Dijetarët kanë shfaqur disa mendime në raport me vlefshmërinë e imanit të mukal- lidit – imituesit të besimit. Kryesisht ekzistojnë katër mendime:
1. Imani i mukal-lidit nuk është i vlefshëm dhe mukal-lidi është mosbesimtar;
2. Justifikohet imitimi në besim (et-taklid), por ka mëkat për të, nëse myslimani është i aftë për të vrojtuar, por, nëse nuk është i aftë, nuk ka mëkat;
3. Kush e ndjek (imiton) Kuranin dhe Synetin me normë të prerë, besimi i tij është i vlefshëm, për shkak të ndjekjes së asaj që është e prerë në argumentim. E kush ndjek diçka tjetër përveç tyre, imani i tij nuk është i vlefshëm, ngase mungon siguria për t’u mbrojtur nga gabimi; dhe
4. Justifikohet imitimi në besim (et-taklid), dhe për këtë nuk ka kurrfarë mëkati absolutisht, sepse vrojtimi (en-nadhru) është kusht që konsiston kompletimin. Prandaj, ai që është i aftë për ta bërë atë e nuk e bën, ai vetëm sa ka lënë një prioritet dhe asgjë më shumë.(4)
Mendimi i bazuar
Prej të gjitha këtyre mendimeve, më adekuati prej tyre, në të cilin mund të bazohemi, është mendimi i dytë. Pra, Justifikohet imitimi në besim (et-taklid), por ka mëkat për të nëse myslimani është i aftë për të vrojtuar, dhe nëse nuk është i aftë, nuk ka mëkat. Dispozita e fesë islame ndaj tij, është sikurse ndaj myslimanëve të tjerë.
Nëse është mëkatar, çështja e tij i nënshtrohet dëshirës së Allahut, nëse do, e fal, e nëse do, e dënon në pajtim me vlerën e mëkatit, porse fundi i tij do të jetë patjetër në Xhennet.(5) Ky është qëndrimi i Ebu Hanifes, Eth-Thevris, Malikut, Evzaiut, Shafiut, Ahmed bin Hanbel, dhahirinjve dhe i të gjithë fukahenjve dhe hadithologëve, të cilët thonë se imani i mukal-lidit është i drejtë, por ai mëkaton për shkak të lënies së imanit në mënyrë të argumentuar. Po ashtu, të këtij mendimi janë Imam Maturidiu, Imam Nesefiu, Imam Sabuni dhe të gjithë dijetarët e tjerë të hanefinjve. Edhe Imam Esha’riu është i këtij mendimi, ndonëse prej tij transmetohet edhe mendimi ndryshe.
Kundër kësaj janë mu’tezilët, të cilët thonë se gjersa nuk njihet çdo mes’ele (çështje besimore) përmes argumentit të arsyes, duke eliminuar çdo dyshim, njeriu nuk konsiderohet besimtar.(6)
Përfundimi akaidologjik i çështjes
Bazuar në atë që u tha më lart, përfundimi akaidologjik për çështjen e ‘taklidit’, është si vijon:
1. Imani i mukal-lidit, në parim, është i drejtë dhe i vlefshëm, për shkak se imani është ‘et-tasdik’ (besim i plotë), e nuk është ‘el-ma’rifetu’ (njohje). E vërteta është se imani është ‘et-tasdiki’ - besim i plotë. Domethënë, nëse dikush lajmërohet me një lajm dhe i beson atij, është e drejtë që të thuhet: ka besuar në të dhe i ka besuar atij. Ngjashëm është edhe me mukal-lidin. Kur mukal-lidi informohet për atë që obligohet imani në të, dhe i beson asaj, ai është besimtar dhe është i merituar në atë që Allahu ka premtuar për besimtarët.(7) Sepse, siç thotë Imam Bezdeviu r.h., ai që e kërkon udhëzimin (el-huda) nëpërmjet ‘taklidit’, është sikurse ai që e kërkon udhëzimin nëpërmjet argumentit. Dhe ai arrin synimin e dëshiruar, sikurse ai që arrin nëpërmjet argumentit. Kjo ngjason me atë që kërkon rrugën për në Mekë nëpërmjet taklidit, ai arrin atje njësoj si ai që e kërkon rrugën nëpërmjet argumentit.(8) Veç kësaj, imani nuk është njohje, e cila do të interferonte zhvlerësimin e imanit, për shkak të mungesës së njohjes. Domethënë, “njohja” (el-ma’rifetu) nuk llogaritet iman, bazuar në argumentin se ajo është e ndarë nga ai. Ehli Kitabi (hebrenjtë dhe të krishterët) e njihnin pejgamberinë e Muhamedit a.s., ashtu sikurse i njihnin bijtë e tyre, mirëpo nuk i besonin atij, siç flet për këtë Kurani: “Atyre që u kemi dhënë librin, ata e njohin atë (Muhamedin) siç i njohin bijtë e vet, e një grup prej tyre, edhe pse e dinë këtë, janë duke e fshehur të vërtetën.” (El-Bekare, 146).(9)
Niteti (el-ixhma) në këtë çështje është bërë traditë e pathyeshme, sepse prirja e lindur e tyre është në natyrën origjinale të tyre, se Allahu është Një i Vetëm dhe i pafillim, ndërsa gjithçka tjetër, përveç Tij, është e krijuar, edhe nëse ata nuk dinë ta artikulojnë këtë sipas terminologjisë së ekspertëve (kelamistëve). Allahu e di më së miri.(10)
2. Ai që ka mundësi për të arritur njohjen elementare të besimit e nuk e bën këtë, konsiderohet mëkatar. Shumë ajete në Kuran stimulojnë për studim dhe njohje sa më të madhe të cilësive të Allahut të lartësuar. nëse myslimani ka aftësi për të vrojtuar apo lexuar rreth Allahut, e nuk e bën këtë, konsiderohet mëkatar, ngase nuk është duke përvetësuar një çështje që konsiderohet themelore në besim. Allahu i Lartësuar në Kuran ka thënë: “E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): Pranoni atë që Allahu e shpalli! Ata thonë: Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë! Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar asgjë dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t’i pasonin).” (El-Bekare, 170). Ky ajet argumenton se ndalohet taklidi për atë që ka mundësi vrojtimi.(11) Dhe, përkundrazi, ai që e refuzon interesimin për ta njohur imanin, atij i bie akuza e dyfishtë: 1) për kundërshtim të njohjes së imanit dhe 2) për moszbatim të përmbajtjes së tij. Këto janë shumë të rrezikshme, dhe sidomos e para. Në lidhje me këtë Allahu thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy? Ai (Allahu) thotë: Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je i har- ruar sot. Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në Botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i për- jetshëm”. (Ta ha, 124-127).
3. Imitimi nuk është formë e mirë, ngase e cungon rezultatin e besimit. Arritja e njohjes së imanit ndikon te myslimani që rezultatet e tij t’i jetësojë në mënyrë të drejtë në jetën e vet, dhe që përmbajtjen e imanit t’ia transmetojë drejt edhe familjes së tij.
Imitimi implikon paqartësi në konceptimin e imanit. Kur myslimani nuk e njeh imanin nëpërmjet formës së argumentimit, ai mund të ruajë në vetëdijen e tij besimore mendime jo kredibil për besimin. Kjo gjendje në zemrën e njeriut mund të mbjellë rezervë ndaj të vër- tetave të besimit islam. Kjo ngase intriga kundër besimit islam kanë pasur gjithmonë dhe do të ketë edhe në të ardhmen. Prandaj, myslimani që nuk e njeh me argument besimin e vet, mund të bëhet shumë lehtë viktimë e këtyre intrigave, dhe, për pasojë, të luhatet në ndonjë çështje prej bazave të besimit.
________________________
1. Belkasim El-Gali, “Ebu Mensur El-Maturidij hajatuhu ve arauhu el-akdijjetu” pa vend dhe vit botimi, f. 248-249.
2. Muhamed bin Muhamed bin Abdu’l Kerim El- Bezdevij, “Kitabu usuli’d-din” me përpunim shkencor të Dr. Hans Peter Linss, boton ‘Daru ihjai’l kutubi’l arebijjeh’ 1383 h / 1963 m, Kajro, f. 152.
3). Ebul Mudhaf-fer El- Isfirajini “Et-Tebsiru fid-din” boton, darul kutubil ilmijjeh, Beirut-Liban, botimi i dytë, 1408/1988, f. 168
4. Abdul Kerim Tetan, Muhamed Edib El-Kilanijj, “Avnu’l muridi lish-sherhi xhevheret’it-tevhidi” fi akideti Ehli Sunneti ve’l xhemaati, boton Darul Be- shair, botimi i dytë, 1999/1419, pa vend botimi, II, f. 1149.
5. Tetan & El-Kilanijj, “Avnu’l muridi...” op.cit. 1/172
6). Tetan & El-Kilanijj, “Avnu’l muridi...” op.cit. 1/172.
7. Ebul Muin Mejmun bin Muhamed En-Nesefi “Tebsiretul edil-leti fi usulid-din” Ankara, 2004, 1, f. 42.
8. Imam Nurud-din Es-Sabuni, “Kitabu’l-bidajeti mine’l-kifajeti fi’l- hidajeti fi usulid-din” verifikimin shkencor dr. fet’hullah Hulejf, boton ‘darul mearif’ Egjipt, 1969, f.154; shih: En-Nesefi “Tebsiretul edil-leti…” op.cit. f.42.
9. Es-Sabuni, “Kitabu’l-bidajeti…” op.cit. f. 154.
10. Es-Sabuni, “Kitabu’l-bidajeti…” op.cit. f. 154.
Dituria Islame 236