Botëkuptimi dhe metodologjia e ekonomisë islame


Nëse dëshirojmë të bëjmë një krahasim ndërmjet botëkuptimit ekonomik islam dhe atij shekullar, do të shohim se ekziston një dallim rrënjësor në mes tyre. Dallimi kryesor, sipas botëkuptimit shekullar - aspekti mundane (i jashtëm) dhe spiritual (i brendshëm), janë dy çështje të ndara. Sipas botëkuptimit islam, të dy këto çështje në ekzistencën e njeriut janë të pandashme, ku çështjet materiale dhe morale, gjithashtu kjo botë dhe bota tjetër, janë të ndërlidhura e të varura nga njëra-tjetra dhe kompletojnë jetën e njeriut.
Një dallim edhe më fondamental është që botëkuptimi shekullar është produkt i njeriut dhe mund të ndryshojë gjithmonë sipas dëshirës dhe ndikimit të tij të jashtëm, sa kohë që botëkuptimi islam është i bazuar në Kur’an (Fjalën e Zotit Fuqiplotë) dhe Synet (Traditën e Pejgamberit a.s.), që të dyja janë burimet kryesore të Sheriatit. Prandaj, botëkuptimi islam nuk është rezultat i mendjes së njeriut, që del nga ndonjë zbulim shkencore, por është një drejtim hyjnor, i cili udhëzon për një model jete të veçantë. Edhe pse Sheriati ka një elasticitet, në disa çështje nuk mund të zëvendësohet dhe nuk mund të influencohet nga mendja e njeriut dhe në të njëjtën kohë përkrah ndryshime dhe synon inkurajimin e qëllimeve, sjelljeve dhe veprave të njeriut drejt një rruge të drejtë.(1) Sipas botëkuptimit islam, Zoti e ka krijuar universin për të mirën e gjithë njerëzimit. Zoti i ka bërë të gjitha resurset në këtë botë të gatshme për njerëzit, të cilët mbajnë përgjegjësinë për përdorimin dhe transformimin e tyre sipas nevojës së njerëzve. Zoti i ka dhënë njeriut shqisat e nevojshme për ta shfrytëzuar mendjen e vet dhe për të kuptuar veten e natyrën dhe për t’i zhvilluar mjetet e nevojshme për ushqim e plotësim të nevojave të veta. Mirëpo në shfrytëzimin e kësaj lirie të dhuruar nga Zoti, njeriu duhet të ketë parasysh disa kufizime. Në mes të këtyre limiteve të gjitha veprat janë ibadet (adhurim) ndaj Zotit. Besimi dhe qëllimi për të kërkuar që Allahu të jetë i kënaqur me njeriun, e mbush atë me një entuziazëm që të vazhdojë të zbulojë, të kuptojë, të jetojë dhe të kënaqet në këtë botë, pa pasur ndonjë ndjenjë fajësie.


Islami kërkon nga njeriu që për gjërat materiale të mbajë një balancë në mes dëshirës dhe urrejtjes.


Kjo këshillë për kujdes në kërkimin e gjërave materiale, është në të vërtetë për mbarë njerëzimin. Në Islam të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe parashihet të ketë shanse të barabarta për secilin, duke luftuar krijimin e monopoleve dhe dominimin e disave ndaj të tjerëve me padrejtësi. Islami supozon një shoqëri ku secili të jetë i vetëqëndrueshëm dhe në nivelin botëror pret që secili popull të jetojë një jetë të respektuar.
Gjendja e tanishme, kur shtetet e varfra kanë hyrë në borxhe tek shtetet e pasura, nuk është në përputhje me vizionin islam rreth botës. Sipas vizionit islam, drejtësia duhet t’i sigurohet secilit njeri dhe secilit popull, duke kundërshtuar çdo formë eksploatimi.
Si një mëkëmbës i Zotit në Tokë, njeriu është përgjegjës para Tij në Ditën e Gjykimit për të gjitha punët e bëra. Në Islam përshkruhet një sistem i fortë i përgjegjësive në të gjitha nivelet. Gjendja aktuale, kur disa nga vendet e fuqishme dhe korporatat globale nuk japin përgjegjësi para askujt, nuk është në përputhje me botëkuptimin islam. Sipas mësimeve islame, secili është përgjegjës me kapacitetin dhe pozitën që ka. Duhet të synohet që të themelohet një rregull ekonomik në të cilin të gjitha vendet të kontribuojnë për të luftuar veprimet e papërgjegjshme nga popujt e ndryshëm.
Burimet ekonomike duhet të ruhen nga keqpërdorimi i tyre, shfrytëzimi i pakujdesshëm apo shkatërrimi i tyre për interesa të ngushta ekonomike.(2)


Materializmi


Sistemi ekonomik kapitalist, një vlerësim të lartë u jep të arriturave materiale. në islam të arriturat materiale trajtohen si një zbukurim i jetës, por ato konsiderohen sekondare në krahasim me zhvillimin moral dhe shpirtëror të personalitetit të njeriut. Islami inkurajon biznesin dhe punën për të arritur mirëqenien materiale, por inkurajon që fokusi i mundit të njeriut në këtë jetë, të jetë që ai t’i bindet Zotit dhe të fitojë kënaqësinë e Tij në Botën tjetër. Ky ndryshim në fokusin e përqendrimit sjell një qasje të balancuar në zhvillimin ekonomik. Të arriturat materiale duhet të plotësohen me zhvillimin moral dhe shpirtëror të personalitetit të njeriut, e jo me rritjen e shpenzimeve të tepruara pa i dhënë kujt asnjë llogari.


Pronësia


Kapitalizmi parasheh një të drejtë absolute mbi pronësinë private përderisa ajo të mos jetë fituar duke i cenuar të drejtën dikujt tjetër. Si rrjedhim, njerëzit janë të lirë të përdorin pasurinë e tyre në çfarëdo mënyre që dëshirojnë. P.sh., nëse ata dëshirojnë, edhe mund të shkatërrojnë një pjesë ose tërë pasurinë që e kanë në posedim, pa i dhënë llogari askujt. Sipas tyre, njeriu është i lirë që atë pasuri ta konsumojë, kursejë, investojë apo huazojë me kamatë. Ata konsiderojnë një liri të pakufizuar në pasurinë e tyre, që mund ta angazhojnë në çdo profesion apo aktivitet tregtie, edhe nëse ajo nuk është e mirëseardhur për shoqërinë si tërësi.(3) Islami e njeh pronësinë private, por të drejtën e pronësisë absolute e ka vetëm Zoti Fuqiplotë; njeriut i është garantuar e drejta për të përfituar nga burimet e tokës. Njerëzit duhet t’i përdorin këto burime të dhëna nga Zoti, si emanet (në besueshmëri) dhe të fitojnë për jetën e tyre me punë e me mjete Hallall (të lejuara).
Njerëzit nuk janë krejtësisht të lirë të konsumojnë, kursejnë apo investojnë të kursyerat e tyre në çfarëdo mënyre, po duhet t’u përmbahen rregullave hyjnore. Ekzistojnë kufizime ligjore dhe morale për mënyrën e fitimit, kursimit, dhe investimit. Islami pranon të drejtën e personit mbi pasurinë e tij, për ta shitur dhe për ta lënë trashëgim për pasardhësit e tij. Prandaj, koncepti i Islamit për pasurinë limiton lirinë e njeriut në përdorimin e burimeve të tokës: çdokush është përgjegjës te Zoti për mënyrën se si janë përdorur këto burime.


Univers saliteti


Ekonomia kapitaliste bazohet në kornizën ekonomike të shkruar nga Adam Smith (v. 1776) në shekullin 18.
Idetë e tij në librin ‘The Wealth of Nations’ (Pasuria e shteteve) kanë arsyetuar nocionin e shteteve të ndara dhe jo një ekonomi në aspektin global. Në vend që të perceptohet ideja e botës si një vend për të gjithë njerëzit, ai ka arsyetuar idenë e politikave nacionale të ndara nga vendet e tjera të botes. E njëjta qasje ndodh ende: vendet në mënyrë individuale marrin vendime egoiste, pa pasur parasysh situatën e vendeve të rajonit, që mund të kenë pasoja nga këto vendime. Qëndrimi islam është se i tërë ky univers është krijuar nga Zoti për të mirën e të gjithëve. Prandaj është nevojë e madhe që të gjithë popujt e botës të konsultohen dhe të kooperojnë me njëri-tjetrin përderisa përgatisin politika ekonomike që mund të afektojnë të tjerët.
Edhe pse është në rritje kërkesa për një bashkëpunim ndërkombëtar në lidhje me politikat ekonomike, është punuar pak në drejtimin për të ndërtuar një ekonomi globale në baza të barazisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.(4)


Organizimi ekonomik sipas islamit


Islami parashikon një treg të lirë bazuar në ligjin e furnizimit e kërkesës dhe, në të njëjtën kohë, siguron që forca ekonomike të mos akumulohet tek disa persona a grupe të caktuara. Dhe kjo sigurohet në këtë mënyrë: 
(a) Islami ndalon kamatën mbi kapitalin dhe e ka mbyllur mundësinë që pasuria të akumulohet pa punë ose pa bartur një pjesë të rrezikut. Rregulla e përgjithshme është që kush do që të marrë një pjesë të fitimit, duhet të bartë një pjesë të rrezikut. 
(b) Islami parashikon një shoqëri në të cilën një individ të mos jetë në vartësi nga tjetri; një shoqëri në të cilën një numër maksimal i njerëzve janë të pavarur në fitimet dhe jetën e tyre. Kjo përfshin edhe besimin në Zotin Një, i Cili është mbikëqyrës dhe furnizues i tërë universit. Zakonisht, shoqëritë myslimane kanë inkurajuar vetëpunësimin apo format e biznesit dhe investimit në formë partneriteti. Ekonomia islame preferon forma biznesi ku njerëzit bashkojnë forcat; është më e pëlqyeshme mënyra e funksionimit në formë partneriteti dhe jo si punëdhënës e punëmarrës. Nëse një koncept i këtij lloji futet në funksion, atëherë kjo do të thotë se është bërë shpërndarja e rrezikut dhe e kapitalit dhe është shumë e qartë që kjo formë ndalon akumulimin e forcës ekonomike tek disa individë apo grupe të caktuara, siç ndodh në ekonominë kapitaliste.(5)
(c) Ekonomia Islame ndalon disa veprime: largimin e prodhimeve të nevojshme për jetë nga përdorimi apo tregu për një kohë të caktuar, për shkak të ngritjes së çmimeve; marrëveshjen ndërmjet tregtarëve për të ofruar çmime false për të ngritur çmimet; tentimin për të ndaluar konkurrencën e vërtetë duke shkurajuar shitësin e prodhimeve që të arrijë në treg; ndërmjetësimin nga njerëz mashtrues për t’i larguar shitësit me çmimin më të mirë në treg.


Bankimi islam


Një degë shumë e rëndësishme e ekonomisë, e cila luan një rol të pazëvendësueshëm për zhvillimin, është bankimi apo sistemi financiar në përgjithësi. Kjo do të jetë temë në vazhdim, ku do të shpjegohet rëndësia e bankimit dhe gjithashtu do të diskutohet se ç’e dallon bankimin islam prej atij shekullar apo konvencional, dhe cilat janë parimet dhe qëllimet e bankimit islam.


_________________________
1. Waleed A.J. Addas, Methodology of Economics: Secular Versus Islamic, (Kuala Lumpur: International Islamic University Malaysia, 2008), f. 62.
2. Saad Abdul Sattar Al-Harran, Islamic Finance: Partnership financing, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1993) f, 55-58. 
3. Saad Abdul Sattar Al-Harran, Islamic Finance: Partnership financing, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1993) f, 55-58. 
4. Mohammad Ma’sum Billah, Islamic Law of Trade and Finance: A Selection of Issues, (Kuala Lumpur: Ilmiah Publishers, 2003), f. 215.
5. Kamal Khir, Lokesh Kupta and Bala Shanmugam, Islamic Banking: A Practical Perspective, (Petaling Jaya: Pearson Malaysia Sdn Bhd, 2008) f 7-10.



Dituria Islame 237


Artikulli radhës
Mendimi ndryshe (1)

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme