Argumente mbi Njësinë e Krijuesit


"Qofte falënderuar Allahu që krijoi qiejt e tokën dhe bëri errësirën e dritën. E megjithatë, ata që nuk ë besojnë, sajojnë zota të tjerë, si të barabartë me Zotin e tyre. Është Ai që ju krijoi nga balta, dhe pastaj caktoi një afat në këtë botë (vdekjen) dhe një tjetër në botën e përjetshme (Ditën e Kiametit). Por, përsëri ju dyshoni. Ai është Allahu (i vetmi Zot i vërtetë) në qiej dhe ne toke; Ai di
çfarë fshihni dhe çfarë tregoni, si dhe atë që arrini te fitoni" (El En'am 1-3)
Kaptina El-En'am, duke qenë e zbritur në periudhën mekase, si tematikë themelore ka besimin në Krijuesin, respektivisht themelet e besimit, si: Njësine e Zotit, Kuranin - Shpallje hyjnore dhe ringjalljen - llogarinë. Këto tematika themelore janë të ndërlidhura si tërësi dhe si të vetme që nga fillimi e përgjatë tërë kaptinës. Fillohet me ballafaqimin ndaj pabesimtarëve, të cilët adhuronin zota të tjerë përveç Allahut, meqë argumentet në gjithësi dhe në veten e tyre mbi Njësinë e Krijuesit u qëndronin pranë dhe nga të gjitha anët duke i sfiduar. Fillohet me ballafaqim direkt me ta për të vërtetën e hyjnisë se Krijuesit, të paraqitura në: ekzistencën si tërësi dhe ekzistencën e tyre, duke spikatur, mbi ekzistencën madhështore, dëshmi të sjella në tri ajetet e sipërpërmendura.
Në ajetin e pare paraqet ekzistimin e gjithësisë si tërësi, në të dytin ekzistimin e njeriut si tërësi, kurse në të tretin paraqitet mbikëqyrja absolute dhe gjithëpërfshirja e Krijuesit ndaj të dyjave: gjithësisë dhe njeriut.(1)


Koment


"Qofte falënderuar Allahu që krijoi qiejt e tokën dhe bëri errësirën e dritën. E megjithatë, ata që nuk ë besojnë, sajojnë zota të tjerë, si të barabartë me Zotin e tyre. 
Fillon ajeti i parë i kësaj kaptine me falënderimin ndaj Krijuesit, ngase falënderimi ndaj Tij është çështje ekzistenciale doemos në natyrshmërinë e njeriut. Krijuesi, çdo njeriu i ka dhënë shkakun e falënderimit ndaj Tij dhe kjo me dhuntitë e shumta që i ka dhuruar, prandaj çdo falënderim i përket vetëm Atij. Me këtë rast ai, para se t'i shfrytëzojë këto të mira, falënderon atë që ia ka sjellë ato, kështu edhe ti, o njeri, kur erdhe në këtë botë, gjete te gjitha qe te duhen ne shërbimin tënd dhe ti nuk bere asnjë angazhim për to, gjete Diellin që lind, ajrin që thith, ujin që pi, tokën që e punon, dhe të gjitha dhuntitë e tjera, prandaj a nuk meriton të falënderohet Krijuesi? Gjithsesi, po. Njerëzimi, kur përfitoi shumë nga zbulimi i llambës elektrike, mori iniciativë për ta shpërblyer Edisonin, i cili pati zbuluar mjetin që bën dritë vetëm për një vend të caktuar, e çfarë falënderimi meriton Krijuesi i Diellit, i cili shndriti tërë Tokën? Pra, i terë falënderimi i takon doemos vetëm Krijuesit - Allahut xh.sh., ngase Ai është i vetmi dhurues i dhuntive për ne.(2)
Kaptinat që kanë filluar me falënderimin ndaj Allahut, janë pesë, dhe përqendrohen në disa synime, si: Kur Allahu xh.sh. thotë: "Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të boteve", shprehja "Zot" d.m.th. se Ai ka marr përsipër edukimin e krijesave me një mision dhe synim të qartë, ndërsa ky edukim përfshinë pa dyshim edhe komponentin fizik, lëndor dhe atë shpirtëror, për këtë arsye në këtë kuadër Allahu xh.sh. përfshin tërë gjithësinë, prandaj thotë: "Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve". Nganjëherë Allahu Fuqiplotë thekson vetëm programin e Tij hyjnor, si: "Falënderimi i takon vetëm Allahut që ia shpalli robit të Vet librin...", e nganjëherë Ai thekson gjerat, sendet që duken, si: "Qoftë falënderuar Allahu qe krijoi qiejt e token dhe beri errësirën e dritën". Këtu Krijuesi ka sjellë sendet që duken, si qiejt, toka, errësira dhe drita, e nganjëherë Ai sjell shembuj, - të padukshmen me të dukshmen, si: "Falënderimi i qoftë Allahut, Krijuesit të qiejve e tokës, Sunduesit te engjëjve me nga dy palë, tri palë e me nga katër palë krahë..." Pra, i tërë falënderimi i përket vetëm Allahut me plot të drejtë dhe hak.
Allahu xh.sh. meriton falënderim, ngase krijoi qiejt e tokën dhe gjithçka ka në to, e më pastaj bëri errësirat dhe dritën. Me këtë rast Ai përdori shprehjen "beri" e jo shprehjen "krijoi", sepse krijimi behet nga asgjëja, ndërsa "beri" thuhet për një gjë të krijuar dhe qe përcaktohet synimi i saj. D.m.th. errësira ka ekzistuar pas krijimit të qiejve dhe tokës, ngjyrat e të cilave ndryshojnë nga njëra-tjetra, si: errësira e shpellës, e detit, e tokës etj., për këtë arsye Allahu xh.sh. thotë: "errësira njëra mbi tjetrën, saqë nuk mund ta shohë ai as dorën e vet"1. Gjithashtu është përmendur shprehja "errësirat" para "dritës", sepse lloji i errësirës ka ekzistuar para dritës, meqë materia e gjithësisë ishte një tym i errësuar, fakt i përmendur edhe ne hadith, ku thuhet: "Allahu i ka krijuar krijesat në errësirë, më pastaj ua ka paraqitur dritën (udhëzimin), kush e ka marrë dritën, ështe udhëzuar, e kush ka gabuar (nuk e ka marrë dritën), ka humbur".(3)
Ligjvënësi në ajetin që kemi në fjalë, ka veçuar falënderimin ndaj Tij për shkak të krijimit të qiejve dhe Tokës, ngase ato mbajnë të gjitha krijesat. Kur jemi tek errësirat dhe drita, dijetarët thonë se kjo nuk duhet analizuar vetëm nga aspekti fiziko-lëndor, por edhe nga ai kuptimor, sepse Allahu xh.sh. shprehjen "errësira" e ka përdorur në shumës, meqenëse shkaqet e tyre janë të shumta, kurse shprehjen "dritë" në njëjës, ngase ajo ka vetëm një shkak, prandaj Allahu xh.sh. thotë: "Dhe kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t'ju ndajnë nga rruga e Tij". (El- En'am 153), rrugët e tjera janë shumë, ndërsa rruga e Allahut është vetëm një, d.m.th rrugët e shejtanit janë shumë, dhe rrugët e njerëzve janë shumë, në varësi nga dëshirat dhe pasionet e tyre, e rruga e Allahut është vetëm një - Islami.
Allahu i Madhëruar ka lavdëruar Veten e Tij dhe i ka mësuar njerëzit që ta falënderojnë, ngase krijimi i qiejve e Tokës dhe bërja e natës e ditës, e bëjnë të domosdoshëm falënderimin ndaj Tij. Krijimin nga Allahu të qiejve, Tokës dhe të gjithçkaje në to dhe në mes tyre, e kanë para sysh edhe pabesimtarët, por nuk e pranojnë. Këtë e përshkruan edhe Kurani: "Nëse ti i pyet ata: Kush i krijoi qiejt e Tokën? Me siguri do të thonë: "Allahu!" Thuaj: Allahut I qoftë falënderimi!" Por shumica e tyre nuk e dinë".(4)


Allahu xh.sh. ka krijuar qiejt e Tokën para çdo gjëje në gjithësi, dhe askush nuk ishte i pranishëm gjatë krijimit të tyre 


Ndërsa pabesimtarët, për shkak të mosbesimit të tyre dhe mohimit që kanë, Krijuesin e barazojnë me të tjerët, ose ata adhurojnë idhujt e tyre që i quajnë zota, përveç Allahut xh.sh., ose i bëjnë Atij shok - ortak në adhurim. Allahu xh.sh. ka krijuar qiejt e Tokën që nuk ishin fare, dhe askujt nuk i përket të pyesë: Si i krijove qiejt e Tokën? Ngase Ai thotë: "Unë nuk i bëra ata dëshmitarë të krijimit të qiejve dhe të Tokës, e as të krijimit të atyre vetë; dhe sigurisht që Unë nuk mund t'i marr si ndihmës ata që të tjerët i çojnë në humbje". (El-Kehf 51)
Pra, Allahu xh.sh. ka krijuar qiejt e Tokën para çdo gjëje në gjithësi, dhe askush nuk ishte i pranishëm gjatë krijimit të tyre, prandaj askujt nuk i përket të pyesë: Si janë krijuar ato? Gjithsesi duhet të mbështetemi dhe të besojmë atë çfarë na ka informuar Krijuesi i tyre, Allahu xh.sh.. Mbështetur në këtë, të gjitha opsionet e dhëna lidhur me krijimin e tyre nga dijetarët e ndryshëm shkencëtarë, duhet të merren vetëm si të tilla, meqë nuk mund të vërtetohen, sepse nuk kishte parë askush krijimin e qiejve dhe të Tokës. Dhe sikur pjesa e ajetit që theksuam më lart: "dhe sigurisht që Unë nuk mund t'i marr si ndihmës ata që të tjerët i çojnë në humbje", paralajmëron ardhjen e të tillëve, të cilët të tjerët i çojnë në humbje dhe japin lloj-lloj mendimesh pa pasur prova, ngase nuk kishin parë krijimin e qiejve dhe të Tokës. Dijetarët nuk kanë qenë të pranishëm as në krijimin e njeriut e as nuk kanë parë mënyrën e krijimit të tij, dhe derisa nuk besojnë Allahun, atëherë disa thonë: Njeriu e ka origjinën nga majmuni. Për këtë arsye Allahu xh.sh. na e mëson mënyrën e sjelljes dhe veprimit me të tillët: "Mos iu qas asaj për se nuk ke njohuri, sepse të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi” (El-Isra 36), prandaj në gjithësi duhet mbështetur në fjalën e Fuqiplotit në aje- tin vijues, ku sqarohet qartë krijimi i njeriut.(5)
"Është Ai që ju krijoi nga balta dhe pastaj caktoi një afat në këtë botë (vdekjen) dhe një tjetër në botën e përjetshme (Ditën e Kiametit). Por ju përsëri dyshoni" (El-En'am 2)
"Është Ai që ju krijoi nga balta dhe pastaj caktoi një afat në këtë botë (vdekjen) dhe një tjetër në botën e përjetshme (Ditën e Kiametit). Por ju përsëri dyshoni"
Krijuesi Absolut, pasi na sqaroi krijimin e qiejve dhe të Tokës, në fillim na informon për krijimin tonë, duke sqaruar se na ka krijuar nga dheu, ndonëse gjithçka ka krijuar nga uji, ngase ujin e përzier me dhe, i cili është bërë argjilë, e më pastaj është bërë baltë e zezë e prishur (me erë të keqe), e më pastaj baltë e tharë (si enë balte e pjekur). Ja, kështu jemi krijuar ne dhe askush nuk ka prezantuar në këtë krijim, por ne besojmë fuqishëm në sqarimin hyjnor. Dijetarët shkencëtarë, kur analizuan baltën, gjetën në të përmbajtje të shumë elementeve kimike, e shumë prej tyre ekzistojnë në përbërjen e njeriut, të cilat u përdorën për krijimin dhe zbukurimin e tij, dhe kjo për të vërtetuar fjalën hyjnore, ku thuhet: "Ne do t'ua bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre derisa t'u bëhet e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë". (Fussilet 53)
Asnjë nga njerëzit nuk kishte parë krijimin tonë, ndonëse ne shohim dhe përjetojmë vdekjen e njerëzve vazhdimisht, e vdekja është e kundërta e jetës, ashtu siç shohim shkatërrimin e ndonjë ndërtese nga njerëzit, dhe me këtë rast punëtorët të parat i heqin dritaret, të cilat ishin vendosur të fundit me rastin e ndërtimin të saj, dhe ja, kështu janë edhe vdekja e përfundimi i jetës. Së pari largohet shpirti, më pastaj trupi thahet e bëhet baltë e tharë, e më pastaj baltë e prishur me erë të keqe, d.m.th. qelbet, dhe në kontakt me ujin bëhet dhé. Në bazë të kësaj, ne besojmë bindshëm atë për se na ka informuar Allahu xh.sh. lidhur me krijimin tonë dhe të qiejve e Tokës.(6)


Momentin e vdekjes, të cilin nuk e di askush, fakt i sqaruar në shumë vende në Kuran


Afati i parë i përmendur ka të bëjë me momentin e vdekjes, të cilin nuk e di askush, fakt i sqaruar në shumë vende në Kuran, si: "...e kur t'u vijë afati i tyre, ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment, e as të shpejtohet". (El-A'raf 34). 
Ndërsa afati i dytë i përmendur në ajet, ka për qëllim Ditën e Kiametit, të cilën gjithashtu nuk e di askush, një fakt i sqaruar në shumë vende në Kuran, si: "Të pyesin ty (Muhamed) për çastin (katastrofën e përgjithshme) se kur do të ndodhë: Thuaj: "Atë e di vetëm Zoti im, kohën e tij nuk mund ta zbulojë kush përveç Tij". (El-A'raf, 187) 
Pas gjithë këtyre dëshmive, o njerëz, akoma po dyshoni në ringjalljen tuaj, e Allahu ju krijoi nga uji, e ju bëri jetë në mitrën e nënës, a nuk është kjo mahnitëse!?(7)
Njeriu mund të dijë ardhjen e shkaqeve dhe parashenjave që sinjalizojnë afrimin e vdekjes, dhe kjo nga njohuritë (zbulimet) që ka dashur japë Allahu njerëzve nëpërmjet shkencës dhe dijetareve, mirëpo kjo nuk i përket së fshehtës - gajbit, ngase në disa raste një i sëmurë shërohet, dhe mjekët thonë: ndodhi mrekulli! Ndërsa, për sa i përket afatit të dytë që përmendet në ajet, ne për te nuk kemi njohuri, e Allahu xh.sh. këtë e ka theksuar në mesin e pesë çështjeve të fshehta: "S'ka dyshim se vetëm Allahu e di kur do të ndodhë Kiameti, Ai e di kur e lëshon shiun, Ai e di se ç'ka në mitra (të nenave), nuk e di kush përveç Tij se ç'do t'i ndodhë (ç'do të punojë) nesër, dhe askush nuk e di, përveç Tij, se në ç'vend do të vdesë. Allahu është më i dijshmi, më i njohuri". (Lukman, 34.) 
Fuqiploti këtu ka theksuar vendin, por jo edhe kohën, ndërsa në pjesën "caktoi një afat në këtë botë (vdekjen)", d.m.th. caktoi për çdonjërin afatin e vdekjes, e më pastaj të gjitha afatet e tjera për çdo gjë. Këto afate ndodhin sistematikisht, derisa të vijë afati i ndodhjes së Kiametit, e, megjithëkëtë: "Por ju përsëri dyshoni", meqë argumentet që ka sjellë Allahu xh.sh. në këto ajete, janë të mjaftueshme dhe garantuese që në bazë tyre të mos dyshojë askush, edhe pse pas gjithë kësaj ka njerëz që dyshojnë në të vërtetën dhe e mohojnë atë. Prandaj, ajeti i parë argumenton mbi njësinë e Krijuesit, ndërsa i dyti argumenton mbi ringjallje..(8) 


Nuk ka asnjë send në gjithësi që ekziston nga qenia e tij i pavarur përveç Allahut 


"Ai është Allahu (i vetmi Zot i vërtetë në qiej dhe në Tokë; Ai di çfarë fshihni dhe çfarë tregoni, si dhe atë që arrini të fitoni.” 
Krijuesi për Vetveten ka zgjedhur emrin Allah, i cili është gjithëpërfshirës i të gjithë emrave të tjerë të Tij, të cilët tregojnë aspektin absolut të Tij, dhe askush nuk mund të quhet me këtë emër përveç Tij. Këtu ka ardhur emri gjithëpërfshirës i të gjitha cilësive dhe emrave të Tij, për shkak të përshtatshmërisë përmbajtjesore me dy ajetet paraprake, të cilat argumentojnë Njësinë e Zotit dhe adhurimin që i duhet bere vetem Allahut, Allahu xh.sh. i ka sfiduar pabesimtarët, duke u thënë: "A di për Të ndonjë emnak (adash)?!" (Merjem, 65) Prandaj, pabesimtarët e dinë këtë gjë dhe askush prej tyre nuk e emërton askënd me emrin Allah. Nuk ka asnjë send në gjithësi që ekziston nga qenia e tij i pavarur përveç Allahut, prandaj të gjitha sendet e tjera nuk ekzistojnë vetvetiu, por janë të varura dhe të krijuara nga Krijuesi - Allahu xh.sh.. Sa për ilustrim, të marrim gotën e ujit, e cila nuk është e domosdoshme për të pirë ujë me të, meqë njeriu mund të pijë edhe me gojën e tij, mirëpo zbulimi dhe prodhimi i kësaj gote ka kërkuar dituri dhe urtësi, dije të cilën Allahu ia ka dhënë njeriut dhe ka kërkuar prej tij që ta shfrytëzojë. Zbulimi dhe prodhimi i gotës dhe i gjërave të ngjashme me të, konsiderohen luks tek njeriu dhe jo nga të domosdoshmet për të ekzistuar në jete, prandaj çfarë të themi për të domosdoshmet, si Dielli, Hëna, ajri dhe uji? Për zbulimet dhe prodhimet që bën, njeriu kërkon nga të tjerët shpërblim, që të përfitojë materialisht, e po atëherë çfarë themi për Atë që krijoi çdo gjë dhe i Cili nuk i krijoi ato për të përfituar prej tyre Ai, por për të përfituar krijesat e Tij? Njerëzit e dinë kush e prodhoi llambën elektrike, por çfarë të themi për Atë që krijoi Diellin, yjet, Tokën dhe njeriun? Allahu, me mirësitë e Tij, na tregoi se Ai i ka krijuar të gjitha, dhe askush asnjëherë nuk u paraqit për të kundërshtuar këtë dhe për të pretenduar se ai e ka krijuar gjithësinë. Përderisa është kështu, njerëzit duhet ta pranojnë se Ai që krijoi dhe shpiku gjithësinë, është Allahu. Derisa Allahu xh.sh. na ka informuar se Ai ka krijuar çdo gjë në gjithësi, atëherë ne duhet ta respektojmë dhe adhurojmë Atë, ngase çdo gjë në gjithësi i nënshtrohet vetëm Atij: "Atë e madhërojnë shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka gjendet në to. Dhe nuk ka asnjë send që nuk E madhëron, duke I shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (sepse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i butë dhe fal shume". (El-Isra'e, 44) 


Allahu për krijesat e Tij ka lënë shumë çështje që ata t'i zbulojnë kohë pa kohe dhe të përfitojnë prej tyre 


Krijimi i qiejve e Tokës dhe i gjithçkaje në to, argumenton mbi precizitetin e këtij krijimi nga Krijuesi Fuqiplotë, i Cili është i pashoq, dhe gjithçka në gjithesi E madhëron Atë, por ne nuk kuptojmë një madhërim të tillë. Allahu xh.sh. na informoi se Ai është i vetmi i adhuruar me plot të drejtë në gjithësi: "Ai është Allahu (i vetmi Zot i Vërtetë) në qiej dhe në Tokë; Ai di çfarë fshihni dhe çfare tregoni". Dhe, derisa është i madhëruar atëherë, gjithsesi njerëzit duhet të adhurojnë vetëm Atë, por ka të atillë që nuk E adhurojnë, dhe për këtë arsye edhe Allahu ka përcaktuar shpërblimin dhe ndëshkimin në botën tjetër. Duhet ditur se një send që nuk është zbuluar dhe nuk kuptohet ende, nuk domethënë se nuk ekziston, ngase Allahu për krijesat e Tij ka lënë shumë çështje që ata t'i zbulojnë kohë pa kohe dhe të përfitojnë prej tyre, si: gravitacioni i tokës ka ekzistuar edhe para se ta zbulonte njeriu dhe ka kryer punën e vet para se ta kuptojë njeriu rolin e tij, që e ka përmendur edhe Kurani: "Allahu i mban qiejt e Tokën, që të mos zhduken, e nëse ato zhduken, s'ka askush, përveç Tij, që mund t'i mbaje". (Fatir, 41) 
Krijuesi Fuqiplotë ka krijuar sistemin e gravitacionit, që qiejt dhe Toka të kryejnë rolin e tyre dhe t'i ruaje nga zhdukja, duke bërë që gravitacioni të ruaje gjithësinë nga shkatërrimi me precizitet. Pra, gravitacioni ka ekzistuar edhe para se njeriu ta zbulonte. Allahu xh.sh. thotë: "Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është shumë i kujdesshëm, hollësisht i njohur". (El-En'am, 103) Këtë ne besimtarët e besojmë fuqishëm, ngase Qenien e Allahut nuk mund ta shohin sytë tanë, kurse Ai di gjithçka që është e fshehtë për ne, prandaj ka shumë sende në gjithësi, që sytë tanë nuk i shohin, edhe pse ekzistojnë dhe Allahu i ka krijuar dhe i ka bërë në shërbim të njeriut. Njeriu nuk e sheh gravitacionin, nuk e sheh as shpirtin, i cili i jep jetë njeriut dhe, nëse largohet nga ai, njeriu mbetet një kufomë e ngurtë. Askush nuk e ka parë shpirtin, as prekur apo shijuar, e, përderisa njeriu nuk mund të shohë këto që janë të krijuara, atëherë si mund ta shohë Allahun, Krijues të çdo gjëje? Nëse duket me shqisat tona, Ai nuk do të ishte Zot. Ose ëndrra që sheh njeriu, a është e pranishme në trupin e njeriut? Apo ç'është? Ose butësinë - durimin ndaj një çështje apo dikujt tjetër, a mund ta shohësh ti? Kështu është edhe çështja e trimërisë, të cilën njeriu nuk e sheh, sepse nuk di formën ose shijen e saj. Pra, Ai që i sistemon dhe rregullon këto çështje të gjithësisë, është Krijuesi i Cili nuk shihet nga sytë tanë".(10)
Emri Allah është një shprehje që përdorim dhe e kuptojmë se Ai është Krijuesi i gjithësisë, dhe ti, o njeri, derisa e zbulove televizorin p.sh. për të s'ke pasur emër, dhe pas zbulimit është quajtur, kurse Emri i Allahut ka ekzistuar gjithnjë, i njohur e i mësuar nga pejgamberët. Ekzistenca e Allahut është e pavarur dhe askush nuk mund të paragjykojë me shqisa Qenien e Tij, Ai është absolut në gjithësi dhe është i pashembullt. Njeriu erdhi në këtë botë dhe pyeti se kush e krijoi? Dhe ja, Allahu informoi Ademin a.s. dhe pasardhësit e tij: Ai i ka krijuar dhe është Zoti i tyre. Më pas ka dërguar pejgamberë, që t'i informojë njerëzit për programin, Emrin dhe cilësitë e Tij, i Cili është Krijues i gjithësisë dhe çdo sendi tjetër.
Shprehja kuranore: "Ai është Allahu (i vetmi Zot i Vërtetë) në qiej dhe në Tokë", ka për qëllim të pohojë të vërtetën e pamohueshme se Allahu është i vetmi Krijues dhe është i adhuruar e i madhëruar në qiej dhe në Tokë.
Kjo është e ngjashme me ajetin tjetër, ku Allahu xh.sh. thotë: "Ai është që në qiell është Allah dhe në tokë Allah". (Ez-Zuhruf, 84)
Disa që nuk kanë njohuri të thukëta islame, këtë ajet mund ta kuptojnë gabimisht duke menduar se është një Zot në qiell e një në Tokë. Jo, nuk është ky kuptimi i këtij ajeti, por në të vihet në dukje kjo: Allahu është i vetmi Zot, i Cili adhurohet në qiej e në Tokë.


Allahu di të fshehtën dhe të dukshmen


Këto shprehje Kurani i ka përdorur për të futur në funksion mendjen njerëzore dhe mendjemprehtësinë e njeriut, në mënyrë që në të gjitha kohët të ripërtërihen kuptimet dhe mrekullitë e Kuranit famëlartë.
Allahu di të fshehtën dhe të dukshmen, dhe mbi këtë bazë vijnë shpërblimi dhe ndëshkimi, prandaj mos mendo, o njeri se, mund të shpëtosh nga llogaridhënia para Krijuesit, ngase Ai, derisa di të fshehtën, di edhe të dukshmen. Po të thoshte vetëm: "Ai di çfarë fshihni", e nuk do ta theksonte "të dukshmen" në ajet, atëherë dikush do të mendonte se Allahu di vetëm të fshehtën, sepse Ai Vetë nuk duket nga sytë tanë, meqë është i fshehtë - gajb. Jo, nuk është kështu, ngase, edhe nëse Ai është për ne i fshehtë gajb, Ai di të fshehtën dhe të dukshmen, dhe dija e Tij nuk pret që një send, për ta njohur, të dalë haptazi, por e di para se të dalë sheshazi në të gjitha kohët absolutisht. Allahu xh.sh. na mëson se dija e Tij përfshin çdo gjë: "Andaj, nëse bën shprehjen - lutjen haptazi, Ai e di të fshehtën, madje edhe më shumë se kjo". (Ta Ha, 7)
Pra, Allahu di të fshehtën, dhe çdo gjë para se të publikohet ka qenë e fshehtë, dhe para se të ishte e fshehtë ka qenë edhe më e fshehtë tek Ai.
Ndërsa ajeti ka përfunduar me pjesën: "...si dhe atë që arrini të fitoni", për të bërë një përshtatshmëri me pjesën paraprake, ku tregohet se Allahu di të fshehtën dhe të dukshmen, duke treguar mbikëqyrjen e madhe ndaj asaj që vepron njeriu, e që është argument mbi llogarinë ndaj tij.(11)
Para gjithë kësaj krijimtarie madhështore që dëshmon mbi Njësinë e Kriju- esit, dhe para gjithë kësaj madhështie të krijesës njeri, para gjithë Hyjnisë së Krijuesit, i Cili është Krijues dhe Mbikëqyrës i qiejve dhe i Tokës, i Cili di të fshehtën dhe të dukshmen, me gjithë këto që janë argumente të pamohueshme, njerëzit përsëri mohojnë dhe dyshojnë, një gjë e çuditshme kjo, ngase kjo nuk zë vend në këtë sistem të gjithësisë, dhe as përputhet me natyrshmërinë njerëzore e as me mendjen e shëndoshë."(12)


Referencat:
1. Sejid Kutb, Fi Dhilalil Kuran, vëll. i dytë, f.e 1023, viti I bot. 1996 Bejrut.
2. Tefsiri i Muhamed Muteveli Esh-Sharaviut, vëll. i gjashtë, f.e 3492, pa vit botimi, Kajro. 
3. Tefsir El-Meragi, Pjesa e shtatë, botimi i parë 1946, f. 7071, ndërsa hadithi transmetohet nga Abdullah ibni Omeri në koleksionin e Ahmedit dhe Termidhiut.
4. Muhamed Mahmud Hixhazi, Tefsir El-Vadih, vëll. i parë, f. 585, viti i bot. 1992, Kajro. Ndërsa ajeti nga kaptina Lukman 25.
5. Tefsiri i Sharaviut, f. 3495.
6. Tefsiri i Sharaviut, f.3497.
7. Tefsir El-Vadih 586.
8. Imam El-Alusi, Ruhul Meani fi Et-tefsir El - Kuran El-Adhim ve Es-Seb'ul Methani, pjesa ë shtatë, f. 89, botim nga "Ihja Et-Turath El- Arabi", Bejrut.
9. Imam El-Alusi, f. 89.
10. Tefsiri i Sharaviut f.3500 -3501. 
11. Imam El-Alusi 91.
12. Sejid Kutb f. 1023.


 


Dituria Islame 227


 


 


 


Artikulli radhës
Mendimi ndryshe (1)

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme