Dalja në shesh e statistikave dhe publikimi i tyre, heqën dilemat dhe larguan ato ethet që i kishin kapluar shtresa të gjere të shoqërisë, e më shumti përgjegjësit e institucioneve relevante në vend.
Njerëzit, natyrshëm mbeten të etur të kuptojnë, se cilat janë ndryshimet e transformimet shoqërore që kanë ndodhur ndër vite në aspektin demografik, arsimor, ekonomik, por edhe fetar të tyre. Për më tepër, regjistrimet statistikore në formë ciklike dhe të rregullt tregojnë për mendësinë e shëndoshë institucionale dhe për aspiratën e lartë zhvillimore të një shoqërie. Është kështu, ngase shoqëritë e avancuara e kuptojnë mirëfilli që "mendimi statistikor një ditë do të jetë po aq i nevojshëm për një qytetari efikase sa edhe aftësia për të lexuar dhe shkruar", siç do të na porosiste Th. Wells.
Tkurrja e numrit të popullsisë së vendit në 1.6 milion, dhe ulja e numrit mesatar të anëtarëve në një ekonomi familjare në 4.5 banorë në vitin 2024, krahasuar me 5.9 banorë më 2011 (zvogëluar për 1.4 banorë) janë të dhëna që rrëfejnë se ne jemi futur në faza të ndjeshme të tranzicionit demografik, ku pos emigracionit të pandalshëm, ne tashmë kemi edhe trend shqetësues të natalitetit të ulët.
Të ndiesh përgjegjësi për këtë gjë, në nivel individual, shoqëror e më së shumti në atë institucional është japin shpresë që statistikat në të ardhmen do të jenë ndoshta më sihariquese. Pra, jo vetëm problemi i tkurrjes së shoqërisë, por edhe të tjera më të vogla se këto, do të duhej të ishin shqetësuese për bartësit e përgjegjësive publike. Në këtë rrafsh, do të na fliste shumë edhe fjala e Umer bin Hattrabit r.a., pasi ai erdhi në krye të shtetit islam kur tha:" Sikur një kafshë të merrte në thua atje diku në Irak, do të kisha frikë se Allahu do të merrte në pyetje e do të më thoshte: pse kësaj kafshe nuk ia ke rregulluar-shtruar mirë rrugën o Omer!?" (Ibn Ebi Shejbe, nr.34486). Pa asnjë dilemë; mungesa e mirëqenies, ndjesia e mosbarabartësisë para ligjit, korrupsioni, pasiguria, janë disa prej fenomene më me ndikim që zbehin vullnetin për të jetuar në atdhe, dhe ulin përpjekjet e qytetarëve për të kontribuuar brenda shtetit të tyre. Të njëjtat arsye, madje, kanë efekt të padiskutueshëm edhe në uljen e natalitetit, i cili edhe ashtu ka hyrë në një trend brengosës.
Ndërsa në aspektin fetar, secili njeri që ka lexuar me gjakftohtësi e larg euforisë, deklarimin e qytetarëve për fenë e tyre, mund të vërejë shkallën e pjekurisë së shoqërisë sonë. Të njëjtat kanë rrëfyer edhe për vigjilencën e mprehtë të këtij populli që në asnjë situatë të mos i nënshtrohet cytjeve e thirrjeve tendencioze për braktisje të Islamit apo të bëjë ndonjë ndryshim tekanjoz të tij. Kjo pjekuri na bënë të lumtur, por dhe na kërkon me ngulm që ta rrisim edhe më tej përgjegjësinë dhe maturinë tonë në predikimet dhe interpretimet tona fetare. Ky kohezion religjioz që iu ka mbijetuar furtunave më të egra të epokave të pushtimit rigjid nga armiku ynë, janë treguesit më të kristaltë për gatishmërinë e këtij populli që ta ruaj paqen e brendshme e të mos e sakrifikojë atë me asnjë çmim.
Mbetet madhështor fakti se në asnjë proces të vështirë kombëtar, e në asnjë projekt progresist nacional nuk ka munguar ky diversitet religjioz. 'Pajtimi i Gjaqeve’, Lufta Çlirimtare, Akademia e Shkencave, kuvendet e qeveritë, organizatat e institucionet e ndryshme, që të gjitha në gjirin e tyre kanë mishëruar ngrohtësisht këtë diversitet fetar dhe si i tillë ka funksionuar gjithnjë në të mirë të vendit. Në cilindo version tjetër, ëndrra jonë për pavarësi e shtet do të mbetej thjesht një ëndërr, dhe kurrnjëherë nuk do të jetësohej e as nuk do të bëhej realitet.
Po si ta lexojmë ndryshe këtë fenomen, kur Zoti ynë na tha: "Sikur të dëshironte Zoti yt, do t'i bënte njerëzit të një feje (por nuk dëshiroi, Ai e di pse). Ata vazhdimisht do të kenë divergjenca (mes vete),"'. Hud, 118. Andaj, nisur edhe nga parimi ynë fetar islam, këtë frymë kombëtare përbashkuese, duhet ta bartim si trashëgimi tek brezat e ardhshëm e ta flakim pa i bërë kurrë strofull cilësdo ide a thirrje që na e trazon këtë harmoni. Duhet ta kuptojmë një herë e mirë se "toleranca është ajo që na bën të jetojmë të gjithë së bashku, pa pasur nevojë të pajtohemi në çdo gjë." J. Locke.
Editoriali
Dituria Islame 410