Myftiu Tërnava takoi administratën e Këshillave të BI-së

 


Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, zhvilloi një takim frymëzues me administratën e Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës – kryetarët, kryeimamët, sekretarët dhe arkëtarët.


Në këtë mbledhje, Myftiu Tërnava nënvizoi rëndësinë e angazhimit të secilit anëtar të administratës, duke theksuar nevojën për një bashkëpunim të ngushtë dhe përmbajtje të plotë ndaj vlerave dhe strukturës hierarkike të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai e cilësoi këtë takim si një kujtesë për përgjegjësitë që bart secili mbi supe dhe për angazhimin që duhet treguar në secilin hap të punës.


Po ashtu, Myftiu Tërnava nuk i la pa përmendur sulmet që po vijnë nga individë dhe grupe të ndryshme, që tentojnë të largojnë besimtarët nga rruga e Islamit, duke theksuar se besimi është i fortë dhe askush nuk mund ta ndryshojë atë me forcë.


Në këtë takim u diskutuan gjithashtu tema të rëndësishme që lidhen me rolin e imamëve dhe anëtarëve të Këshillave të BIK-ut, si dhe përgatitjet për muajin e begatë Ramazan.


Në fund të takimit, duke falënderuar secilin për punën, kontributin e angazhimin, Myftiu Tërnava uroi të gjithë për ardhjen e muajit të bekuar Ramazan, duke lutur Zotin që të na e mundësojë ta përjetojmë këtë muaj me devotshmëri, dashuri dhe sakrificë.