Me një program të pasur artistik, në amfiteatrin e medresesë së mesme “Alauddin” në Prishtinë, u shënua 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së Kosovës.
Në këtë manifestim përveç nxënësve dhe profesorëve të kësaj shkolle, i pranishëm qe edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, me bashkëpunëtorë, i cili në fjalën e tij para të pranishmëve, theksoi kënaqësinë dhe lumturinë që ndien ai kur gjendet sot para këtyre të rinjve dhe të rejave, që kryesish janë të lindur në Kosovën e lirë dhe të pavarur.
“Unë jam vërtet njeri me fat që Zoti ma mundësoj që sot t’i shohim këta të rinj dhe të reja që kryesisht janë të lindur në Kosovën e lirë dhe të pavarur, e kjo është një kënaqësi e veçantë kur ju nuk keni përjetuar asnjë ditë të aparteidit të dhunës, maltretimeve e burgosjeve që bënte dikur Serbia. Më vjen mirë që prapë Zoti ma mundësoj të jemi këtu në këtë vend, ku qëndruam stoikë e të pathyer, bashkë me kolegët e mi, me nxënësit e viteve 1981-1999, ngase këtu ku sot jeni ulur ju, qëndruan e diskutuan burra e gra të këtij kombi, njerëz të cilët e donin lirinë, këtu lindën ide dhe vizione të qarta për ardhmërinë e vendit”, – tha ndër të tjerash Myftiu Tërnava.
Ai gjithashtu porositi nxënësit që të jenë krenarë që janë pjesë e kësaj shkolle, ngase kjo shtëpi qëndroi në ditët më të vështira të kombit tonë. “Kosova është e jona, trojet etnike shqiptare janë tonat dhe assesi në asnjë moment askujt nuk guxojmë t’ia falim” – përfundoi fjalimin Myftiu Tërnava.
Këtë takim e përshëndeti edhe drejtori i shkollës, Fadil ef. Hasani, ndërsa programi më pas vazhdoi me disa pika artistike, të përgatitura nga nxënësit e Medresesë “Alauddin”.