Agjërimi - Vlerat dhe dispozitat e tij

 


Agjërim - saum në aspektin gjuhësor do të thotë: përmbajtje, pengim, frenim, heshtje, ndalim, lënie, largim, braktisje, ndërprerje nga çfarëdo qoftë në përgjithësi. Në kuptim të heshtjes përmendet në këtë ajet të Kuranit:
“...Thuaj: Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj (heshtë), kështu që sot nuk do të flas me njeri”. (Merjem: 26)
Ndërkaq, në kuptimin terminologjik të Sheriatit, agjërim-saum do të thotë: ndërprerje e ngrënies, pirjes dhe e marrëdhënieve seksuale nga koha e agimit të hershëm e deri në mbrëmje (perëndimi i diellit) me qëllim të bërjes adhurim - ibadet. 
Agjërimi është një nga pesë kushtet-shartet e fesë islame.
Është bërë obligim-farz në vitin e dytë të hixhretit, para betejës së Bedrit.
Lidhur me agjërimin, Allahu i Gjithëmëshirshëm, e ka zbritur ajetin:
”O ju që keni besuar, ju është bërë detyrim agjërimi ashtu siç qe bërë edhe për popujt para jush, ashtu që të jeni të devotshëm”. (El-Bekare, 183)
Pra, shprehja “...ju është bërë detyrim”, do të thotë se është bërë farz. Gjithashtu, ka zbritur edhe ajetin tjetër:
“E kush prej jush e përjeton këtë muaj, le të agjëroj...” (El-Bekare, 185), e që është mënyrë urdhërore për të vepruar, pra për të agjëruar.
Nga Syneti i Pejgamberit a.s., veçojmë:
“Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe vizita e Qabesë për ata që kanë mundësi”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Termidhiu).
Me rastin e Haxhit Lamtumirës, Pejgamberi a.s. kishte deklaruar: “O ju njerëz, adhuroni Zotin tuaj, faleni pesë (kohët e namazit) tuaj, agjëroni muajin (Ramazanin) tuaj, vizitoni shtëpinë e Zotit tuaj, epni zekatin e pasurisë tuaj për ta pastruar dhe fisnikëruar shpirtin tuaj, se (vetëm atëherë) do të hyni në Xhenetin e Zotit tuaj”.
Se agjërimi i muajit Ramazan është farz është argumentuar edhe me ixhma–konsensus të dijetarëve. Në fakt, të gjithë dijetarët, të hershëm e të vonshëm, janë kompakt se agjërimi i ramazanit është farz, këtë nuk e ka mohuar askush përveç atyre që janë qafirë. Prandaj, kush mohon detyrueshmërinë e agjërimit konsiderohet pabesimtar (qafir).


Rëndësia e agjërimit


Duke qenë se agjërimi, -siç u tha,- është një prej pesë kushteve të fesë islame, më së miri tregon për vlerën dhe rëndësinë që ka ky lloj adhurimi/ibadeti. Pejgamberi a.s. na ka mësuar shumë kohë më parë duke thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: “Çdo vepër e njeriut është e vet atij, me përjashtim të agjërimit sepse atë e bënë vetëm për Mua dhe Unë do e shpërblej për atë. Për agjëruesin ka dy momente të gëzuara: njëri kur hanë iftar dhe tjetri kur e takon Zotin e tij. Aroma e gojës së agjëruesit është më e lezetshme te Allahu se sa aroma e miskut”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Ibni Maxhe dhe Nesaiu).
Përmes këtij lloj ibadeti, njeriu sikur e braktis përkohësisht aspektin trupor dhe i përkushtohet më shumë atij shpirtëror. Ai e lenë ushqimin, pirjen, dëshirën epshore dhe kështu sikur lirohet nga lidhjet materiale të kësaj bote dhe kështu synon t’i afrohet sa më shumë Allahut xh.sh.. Në këtë mënyrë, ai synon të arrijë gradë të lartë të devocionit dhe përkushtimit ndaj Të Gjithëmëshirshmit. Më pastaj, duhet thënë edhe një fakt tjetër se agjërimi e cilëson në masë të madhe besnikërinë e njeriut ndaj Allahut të Lartësuar, ngase kur besimtari i jep besën Allahut se do agjëroj, ai do ta bëjë këtë edhe pa e vërejtur njeri. Durimi është cilësi e besimtarit të sinqertë, e agjërimi nuk mund të bëhet pa durim të bollshëm. Prandaj, kur njeriu vendos të agjëroj, ai brumoset me durim dhe me sukses e përballon agjërimin, kurse sevapet e pakrahasueshme i vijnë nga Ai për të Cilin ka agjëruar nga Allahu i Gjithëmëshirshëm. Sahabiu i quajtur Ebu Umame (r.a.) thotë: “Me një rast i kërkova Pejgamberit a.s. të më thoshte për ta bërë një punë të domosdoshme e me të cilën do të kisha shpërblime. më tha: “Agjëro, sepse ai nuk krahasohet me asgjë”. Unë e pyeta së dyti, dhe Pejgamberi a.s. më dha të njëjtën përgjigje. Unë insistoja edhe për të tretën herë, e Pejgamberi a.s. prapë ma dha po atë përgjigje: “Agjëro, sepse ai nuk krahasohet me asgjë”. (Transmeton Nesaiu). Me një rast tjetër, përsëri për agjërimin, Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Te Allahu nuk ka adhurim tjetër që të ketë shpërblim sa agjërimi“. (Transmeton Nesaiu). Madje, kishte shtuar Pejgamberi a.s. se “Në Xhenet është një portë nga hyjnë vetëm ata që agjërojnë”. Ajo quhet “babu rejjan” e dedikuar nga i Gjithëmëshirshmi ekskluzivisht vetëm për ata që agjërojnë.


Dobitë e agjërimit


Nuk ka dyshim se agjërimi i muajit të Ramazanit ka dobi të shumëfishta dhe nga shumë aspekte, e mbi të gjitha në atë shpirtëror dhe trupor.
Aspekti shpirtëror i njeriut ia kujton atij qëllimin e krijimit, kështu që ai e shtynë njeriun të bëjë gjëra të mëshirshme, të përshpirtshme, ta luftojë të keqën duke u larguar gjithmonë nga ajo. As edhe një herë nuk ka qenë qëllimi i besimtarit vetëm si me ngrënë e me pi, dhe asgjë më shumë. Ai që e njeh Krijuesin e tij, ai që i bënë ibadet Atij, ai që e di se pse është krijuar dhe pse ka ardhur në këtë botë, rëndësi meritore i kushton edhe kënaqësisë shpirtërore e jo epshit dhe egos së tij të sëmurë. Mbi të gjitha, agjërimi i kujton njeriut takimin me Allahun e Gjithëmëshirshëm. Pejgamberi ynë me një rast ka thënë: “Për atë që agjëron ka dy momente gëzimi: i pari, koha e iftarit kur fillon me ngrënë, dhe momenti i dytë, koha kur do të takojë Zotin e tij”. (Buhariu dhe katër koleksionuesit tjerë).
E pra, agjëruesi gjatë tërë kohës së agjërimit i kujton të mirat dhe dhuntitë e agjërimit dhe sidomos kënaqësinë më të madhe-takimin me Zotin-Krijuesin e gjithësisë. Në të vërtetë, kjo e bënë njeriun që duke e paramenduar dhe duke shpresuar në takimin me Zotin, të harrojë vështirësitë e urisë dhe etjes, kështu që ai në fund të ditës as që e heton se është me bark të uritur ose se ka etje. Kjo mbase edhe njeriun e ngre në shkallë engjëllore.
Njeriu është një qenie e përbërë nga dyshja trup-shpirt dhe asnjëra nuk mundet pa tjetrën. Sikurse trupi që pa shpirtin nuk paraqet ndonjë vlerë njerëzore, ashtu edhe shpirti pa trupin nuk përbën ndonjë vlerë njerëzore për nevojat e kësaj bote. Prandaj, sikurse trupi i njeriut që ka nevojë për ushqim, po ashtu edhe shpirti i tij ka nevojë për ushqim, e dihet se ushqimi i tij është ibadeti, e në rastin tonë është agjërimi.
Mjediset mjekësore tashmë kanë vërtetuar se sistemi i tretjes i cili fillon të funksionojë sapo të vij në këtë botë, ka nevojë që herë pas here të pushojë, kështu që këtë një muaj në vit do ta mundëson agjërimi. Nxënësit, pas mësimit disa mujor, shkojnë në pushim meritor. Edhe punëtorët që kanë punuar në mënyrë permanente, a nuk e meritojnë një muaj pushim?! Gjithsesi po. Ndryshe nuk mundën gjatë me e mbajt ritmin e punës ose të mësimit. Sot në botë janë një kategori e njerëzve që kërkojnë andej-këtej shpëtim nga obeziteti, sa kohë që mjekësia e ka pranuar se obeziteti bëhet pengesë për qarkullimin e gjakut dhe funksionimin e ngadalshëm të trupit. Kurse, tashmë dihet se agjërimi është edhe shpëtim për këto sëmundje, edhe pretekst i rëndësishëm për të fituar mirësi e shpërblim. Pastaj, gjatë agjërimit ushqimet e depozituara në organizëm harxhohen, më pas zëvendësohen me të reja dhe në këtë mënyrë në tërë trupin ndodh një rinovim, gjë që vërteton se agjërimi është i dobishëm për trupin. Gjithashtu, duhet theksuar se gjatë agjërimit sistemi nervor është në një qetësi absolute. Kënaqësia që na jep kryerja e një adhurimi, i shuan të gjitha tensionet dhe pakënaqësitë tona. Në këtë mënyrë, shmangën streset, të cilat janë problemet më të mëdha të ditëve të sotme. Agjërimi është rruga më e efektshme për të siguruar sundimin e shpirtit mbi trupin, me qëllim që njeriu të mos bëhet robi i prirjeve materiale, që të bëjë një jetë ku t’i ketë në duar frerët e nefsit. Nuk duhet harruar se “agjërimi e rrit rezistencën e trupit ndaj sëmundjeve. Këtë të vërtetë mjekësore të rëndësishme, Islami e ka zbatuar duke e bërë agjërimin të detyrueshëm, kurse mjekësia e sotme moderne e përdorë agjërimin si mbrojtës dhe ilaç kundër sëmundjeve”- do të thoshte dr. Rowy. Megjithatë, ndonëse dobitë e agjërimit janë të shumta dhe nga shumë aspekte, e edhe për shëndetin e njeriut, ne nuk duhet të agjërojmë me qëllim të përfitimeve shëndetësore, por për të zbatuar urdhrin e Allahut dhe për të arrit shkallë sa më të lartë të devotshmërisë.
Agjërimi, krahas dobive të përmendura më sipër, ai në veçanti e mbron njeriun nga mëkatet, sepse njeriu është i ekspozuar për të bërë mëkate vazhdimisht. Gjithsesi njeriut i duhet një vullnet i fortë për ta mbrojtur nga mëkatet. Prandaj, përballë këtij rreziku të përhershëm, agjërimi e ka vlerën e një garantuesi dhe vepron si mburojë që e mbron të zotin për të mos bërë mëkat. I Dërguari i Zotit ka thënë: “O djelmosha! Kush nga ju të ketë mundësinë për t’u martuar, le të martohet, sepse kjo (martesa) është mbrojtës për sytë (nga shikimi i gjërave të ndaluara), është ruajtës i vetes nga prishja e nderit. E kush të mos jetë në gjendje për t’u martuar, le të agjëroj, sepse agjërimi është për të një mburojë”. (Transmeton Buhariu, Nesaiu dhe Ibni Maxhe).
Besimtari gjatë kohës sa agjëron, përveç tjerash, fiton përvojë për t’ju kundërvënë dëshirave trupore negative. Kështu që duke arrit që t’i braktisë këto dëshira duke agjëruar, atë më lehtë do ta bëjë edhe kur nuk agjëron, sepse agjërim nuk do të thotë vetëm ta lësh stomakun e uritur, përkundrazi do të thotë që edhe pjesët e tjera të trupit, si: sytë, veshët, zemrën, dorën, këmbën, imagjinatën etj. t’i pengosh nga gjërat e ndaluara e mëkatare dhe secilën prej tyre t’i shtysh drejtë përjetësisë sipas veçorive të secilës. Prandaj, personi që agjëron në këtë mënyrë, bënë një jetë me veprime të lejuara-hallall e të bekuara. Pejgamberi a.s. me një rast ka thënë: “Kush më jep garanci se do ta ruaj gojën dhe nderin, edhe unë do t’ia garantoj Xhenetin!” (Transmeton Buhariu).
Agjërimi është rruga më e efektshme për ta mbajtur fenë nën kontroll, detyrimet fetare i kryen me kënaqësi e sinqeritet dhe nga ana tjetër e ndalon nefsin nga fjalët dhe veprimet e këqija. Prandaj Pejgamberi a.s. ka rekomanduar: “Në ditët kur dikush nga ju është duke agjëruar, të mos i thotë fjalë të shëmtuara tjetrit, të mos çirret e të mos bërtas. Po që se dikush e shanë ose e godet me dorë, le t’i thotë, “unë jam duke agjëruar” (Transmeton Buhariu, Nesaiu dhe Ahmet b. Hanbeli). Pejgamberi a.s., gjithashtu, ka porositur: “Kush nuk heq dorë nga thënia e gënjeshtrave dhe veprimet e këqija duke qenë agjërueshëm, le ta dijë se Allahu nuk ka nevojë për ndenjen e tij pa ngrënë e pa pirë!” (Transmeton Buhariu).
Agjërimi është manifestim i njeriut për besën e dhënë, madje ai është adhurimi më i bukur tek i cili shfaqet ndjenja e besnikërisë, sepse ai është besëlidhje mes Allahut dhe robit të Tij. Njeriu, duke hequr dorë në kohë të caktuar nga gjëra të caktuara, më së miri e tregon se i rri besnikë fjalës së dhënë, se e respekton premtimin e dhënë. Kështu, besnikëria, bëhet, - përmes agjërimit, - pjesë e pandarë e karakterit të njeriut, përkatësisht agjëruesit.
Dobi tjetër e agjërimit, gjithashtu, është edhe skalitja që i bënë njeriut për të duruar. Me anë të këtij ibadeti, njeriu merr mësime durimi, sepse po të jetë i uritur, nuk ha, po të jetë i etur nuk pi ujë, e përballë të këqijave që mund t’i bëhen, duron duke thënë: “unë jam agjërueshëm”. Agjërimi ia mëson njeriut se si është ndjenja e skamnorit dhe të varfrit, që nuk kanë me se të ushqehen, me se të ushqejnë familjet e tyre, fëmijët dhe prindërit e tyre. Kështu që, kur njeriu agjëron, kur stomaku i tij i uritur, i zbrazët, kërkon të ushqehet, më se miri e ndjenë se sa vështirë e ka ai që në vazhdimësi e ka stomakun e uritur. Përmes agjërimit, mbase, është edhe një lloj solidariteti me ta.


Kushtet e detyrueshmërisë së agjërimit


Sikurse tek adhurimet e tjera, për ta pasur atë të detyrueshëm, natyrisht që edhe tek agjërimi lypsen plotësuar disa kushte:
Islami - Që dikush ta ketë farz-detyrim agjërimin, duhet që paraprakisht ta ketë pranuar fenë islame, pra, të jetë mysliman, sepse agjërimi nuk është i detyrueshëm për jomyslimanin.
Duhet ta di se ç’bën, ta ndjejë përgjegjësinë për adhurimin që bënë, duhet ta di se, - si mysliman që është, - e ka për detyrë agjërimin.
Të jetë moshërritur-në pubertet. Ç’është e vërteta, për shumicën e ibadeteve kushtëzohet plotësimi i moshës madhore, kështu që ai që nuk e ka arritur këtë moshë, nëse agjëron, ka sevape dhe shpërblehet, e në qoftë se nuk agjëron, nuk dënohet.
 Të jetë fizikisht i aftë, gjegjësisht të mos jetë njëkohësisht shurdhmemec dhe i verbër sa që nuk e kupton të folurit, se të tillët nuk janë të obliguar me ibadete dhe as edhe me agjërim. Gjithashtu, edhe gjendja psikike e personit merret parasysh, sepse agjërimi është detyrim për të mençurin e jo edhe për të çmendurin.
Kusht është edhe të diturit për detyrueshmërinë e agjërimit. Kjo vlen për personin i cili jeton i izoluar në shkretëtirë, ose në pyll të pashkelur ose që e ka pranuar fenë islame duke jetuar edhe më tej në shtet joislam dhe pa e ditur se agjërimi është detyrim. Kjo e fundit mund të ilustrohet edhe me shembullin e personit që e pranon fenë islame në një shtet ku nuk ka myslimanë dhe fillon muaji i Ramazanit e ai nuk e din se të agjëruarit është detyrim- nëse plotësohen kushtet e parapara sipas Sheriatit.
Duhet pasur kujdes se agjërimi e kërkon shëndetin e mirë, kështu që të sëmurit i lejohet të mos agjëroj gjatë Ramazanit, pikërisht për shkak të sëmundjes së tij, por se aq ditë sa nuk ka agjëruar, ai do t’i kompensojë pasi të jetë shëruar.
Gjithashtu, nga agjërimi i Ramazanit lirohet edhe personi që është udhëtar, sepse udhëtimi paraqet vështirësi në vete, prandaj mëshira e Allahut ka dashtë që personin që është duke udhëtuar ta lehtësoj, dhe ditët e paagjëruara të ramazanit do t’i kompensojë kur të ketë mundësi pasi të kthehet nga udhëtimi.
Ndërkaq, kusht i vlefshmërisë së kryerjes së këtij detyrimi është nijeti nga ana e personit të aftë si dhe pastërtia e femrës nga hajzi dhe nifasi, d.m.th. nga fillimi i agjërimit nga imsaku (agimi).
 
Nijeti – qëllimi për të agjëruar


Një kusht tjetër i rëndësishëm i agjërimit është edhe nijeti, sepse duke qenë se agjërimi është ibadet, e ibadeti duhet të ketë edhe nijetin (qëllimin) për t’u llogaritur i saktë.
Për agjërimin e Ramazanit, agjërimin e ditëve të premtuara e të caktuara në kohë dhe ato që janë synet e nafile, nijeti bëhet nga akshami që i paraprinë ditës e deri në mesditë të ditës që e agjëron. Nijeti në këto raste mund të bëhet edhe para agimit, por edhe deri në drekë të ditës kur agjëron. Në fakt, nijeti i bërë në mbrëmje është më i pëlqyer. Në qoftë se pas imsakut personi nuk ka ngrënë, nuk ka pirë si dhe nuk ka bërë ndonjë veprim që e prish agjërimin e nuk e ka bërë nijet, i lejohet ta bëjë nijetin deri në drekë (kur dielli arrin në zenit).
Ndërkaq, për agjërimin e ditëve të prapambetura të ramazanit, të gjitha llojet e agjërimit kefaret, agjërimi nafile i prishur dhe ai i premtuar (i përcaktuar në kohë), - për të gjitha këto nijeti bëhet natën para imsakut.
Për agjërimin e ramazanit, nijeti mund të bëhet nga akshami që i paraprinë ditës që e agjëron deri në mesditë të saj. Nijeti, normalisht, më mirë është sikur të bëhet pas ngrënies së syfyrit. Mirëpo, në qoftë se një person nuk arrin të zgjohet në syfyr dhe dita ka zbardhur, ai ka të drejtë që nijetin ta bëjë deri në drekë, me kusht nëse nuk ka bërë ndonjë veprim që e prish agjërimin.
Personi që nuk dëshiron të ngrihet në syfyr, nijetin duhet ta bëjë paraprakisht në mbrëmje dhe kështu nuk ka nevojë të zgjohet (në syfyr) vetëm sa për ta bërë nijetin. E mjaftueshme për te është që me zemër ta vendos se do ta agjërojë ditën e nesërme, dhe nijeti i tij është i vlefshëm. Edhe vetëm zgjimi për të ngrënë syfyr, është, në vete, nijet dhe konsiderohet i saktë dhe i mjaftueshëm.
Nijeti i agjërimit me zemër është më se i mjaftueshëm, e në qoftë se ai shoqërohet edhe me gjuhë, është ku e ku më i vlefshëm. Prandaj, agjëruesi duhet ta bëjë nijetin edhe me zemër edhe me gjuhë, duke thënë: “Vendosa me e agjërua ditën e nesërme të ramazanit”. Këtë e bënë për çdo ditë të ramazanit.


Koha e agjërimit


Se kur fillon dhe kur mbaron një ditë e agjërimit, kjo është përcaktuar me Kuran. Allahu i Madhërishëm, lidhur me këtë, ka thënë:
“… dhe hani e pini deri sa qartë të dallohet peri i bardhë (bardhësia e agimit) nga peri i zi (errësira e natës) në agim, e pastaj agjërimin plotësonie deri në mbrëmje...” (El-Bekare: 187).
Allahu i Madhërishëm në këtë ajet kuranor në mënyrë alegorike e ka përmend fijen e bardhë dhe fijen e zezë. Pra, bardhësia e ditës dhe errësira e natës, gjegjësisht momenti kur në kushte normale ato dallohen, është koha e fillimit të agjërimit, i cili duhet të zgjas deri sa të bjerë mbrëmja. Mirëpo, në kohën më të re, mjetet tekniko teknologjike aq shumë kanë avansuar sa që na e tregojnë shumë sakt, deri në sekonda, se kur duhet filluar dhe kur duhet mbaruar një ditë të agjërimit.


Agjërimi i muajit të Ramazanit


Sipas kalendarit hënor, muaji i Ramazanit është muaji i nëntë i vitit. Është muaji të cilin Allahu i Lartësuar e ka përmendur në Kuran:
“Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). E pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjëroj!” (El-Bekare: 185).
Nga tradita pejgamberiane duhet ta përmendim faktin se Muhamedi a.s., në veçanti nga koha kur agjërimi u bë farz, ardhjes së Ramazanit i gëzohej tej mase, madje ashabët e tij sikur i sihariqonte duke u thënë:
“Ju erdhi Ramazani, muaj me plotë begati, Allahu ua ka bërë obligim agjërimin e tij, në të hapen dyert e Xhenetit ndërkaq mbyllën ato të Xhehenemit, në të mbyllen (lidhën) shejtanët. Në të ka një natë që është më e vlefshme se sa një mijë muaj tjerë!” (Transmeton Nesaiu, Bejhekiu dhe Ahmedi nga Ebu Hurejreja).
Dhe jo vetëm kaq, por ky muaj, krahas begatisë së agjërimit që iu dhuron besimtarëve, ai cilësohet edhe si muaj i lutjeve dhe pendimit, muaj i shpërblimeve, i paqes dhe dashurisë mbarënjerëzore. Ai dhuron dritë e bujari, rahmet e njerëzi. Besimtari kurrë nuk është më i sinqertë, më bujar dhe më i dëlirë se sa në këtë muaj!
Agjërimi i muajit të ramazanit është detyrim (farz) për secilin mysliman të aftë, moshërritur dhe që e ndjenë obliguashmërinë (mukel-lef) në kohë të vet për çdo vit. Farz është, po ashtu, agjërimi kaza i ditëve të paagjëruara të ramazanit me arsye ose paarsye të justifikueshme. Kështu, po qe se dikush nuk agjëron ose e prish atë sepse është i sëmurë ose duke udhëtuar, do t’i zëvendësoj ato pas ramazanit në një kohë të përshtatshme një për një ditët e pa agjëruara. Njëjtë vepron edhe femra e cila gjatë Ramazanit është me të përmuajshme ose lehonë.


Lidhur me këtë, në Kuran, thuhet: “(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush ka qenë i sëmur ose në udhëtim (e nuk ka agjëruar), atëherë ai letë agjëroj më vonë po aq ditë...”. (El-Bekare, 184).
Agjërimi i kushtimit ose përgjërimit (nedhr) dhe i kundërshpërblimit (keffaretit) janë të kategorisë vaxhib.
Agjërimi i kushtimit është kur personi e merr përsipër veprimin e lejuar me qëllim madhërimin e Allahut xh.sh. dhe pëlqimin e Tij. Ky veprim është shkak për fitimin e sevapeve. Nga një herë ai mund të bëhet në këtë formë: “Nesër do të agjëroj me qëllim fitimin e kënaqësisë (razisë) së Allahut”. Ose “nga nesër do t’i ushqejë kaq të varfër për riza të Zotit xh.sh”. E pra, personi që bënë një premtim (përgjërim ose kushtim) të tillë, e ka për vaxhib ta plotësoj kushtimin. Kjo është e vërtetuar në Kuran:
“...t’i plotësojnë kushtimet (premtimet) e veta”. (El- Haxh, 29).
Ndërkaq, agjërimi i mbajtur si kundërshpërblim për prishjen e agjërimit të muajit të ramazanit pa ndonjë arsye, në mënyrë të vetëdijshme e të ndërgjegjshme. Kohëzgjatja e agjërimit për kundërshpërblim është dy muaj radhazi (pandërprerje).


Agjërimet e ndaluara


Agjërimi sa do që është i dobishëm e me shumë sevape, jo gjithmonë është i lejuar për t’u bërë. Nganjëherë është h ram me agjëruar e nganjëherë mekruh.
Është e ndaluar (haram) me agjëruar ditën e parë të Fitër- Bajramit dhe katër ditët e Kurban-Bajramit. (Dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Kurban-Bajramit quhen “ejjami teshrik”. Ditët e bajrameve janë ditë gëzimi, prandaj atë ditë duhet bashkuar familjes në sofrën e stolisur me begatitë e Allahut të Gjithëmëshirshëm. Ukbe bin Amiri transmeton një hadith nga Pejgamberi a.s.: “Dita e Arefatit, dita e Kurban-Bajramit dhe ditët e teshrikut janë festat tona të myslimanëve. Këto janë ditë gostie dhe përmendjeje të Allahut xh.sh.!” (Transmeton Buhariu, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu). Gjithashtu, lidhur me këtë ndalesë ka edhe një transmetim nga Said El- Hudarij kur thotë: “I Dërguari i Allahut ndaloi agjërimin në këto dy ditë: në ditën e Bajramit të Ramazanit dhe Bajramit të Kurbanit!”.
Agjërimi i tërë vitit përveç ditëve të ndaluara. Natyrisht që kjo e dobëson njeriun përkatës për kryerjen e detyrimeve fetare dhe të përfitimit material me të cilin edhe jeton, megjithëse, nëse këto nuk paraqesin pengesa ai edhe mund të agjëroj, por me këtë rast është mekruh tanzihij.
I ndaluar është gjithashtu edhe agjërimi i njëpasnjëshëm (visal) e që është agjërimi i dy a ma shumë ditëve pa bërë iftar fare në mes tyre. Hz. Aisheja, ka thënë: “Nga dhembshuria për myslimanët, i Dërguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin e njëpasnjëshëm (të pandërprerë)!”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).


Agjërimi i ditës së dyshimtë (jeumush-shekki)


Dita e dyshimtë (jeumush-shekk) është dita e tridhjetë e muajit Shaban, pas të cilës pason Ramazani. I Dërguari i Allahut (a.s.) e ka ndaluar agjërimin e asaj dite. Ja se ç’rrëfen Amar bin Jasiri: “Kush mbanë agjërim në ditën shekk, del kundër Pejga,berit a.s.!”. Pejgamberi a.s. gjithashtu ka thënë: “Askush prej jush të mos agjërojë një ose dy ditë para Ramazanit, vetëm nëse ka ndonjë agjërim që ka filluar edhe më herët, atëherë ai le të agjëroj!” (Transmeton Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu). Pra, nëse ndokush e ka ndonjë agjërim që e ka mbajtur prej kohësh dhe ky agjërim bjerë në ditën e dyshimtë-shekk, nuk ka ndonjë të keqe nëse e mbanë. Ose, ata të cilët kanë vendosur që t’i agjërojnë tre muajt e mëdhenj (ata i agjërojnë muajt Rexheb dhe Shaban duke i parapri kështu Ramazanit), nuk ka të keqe edhe po që se e agjërojnë ditën e dyshimtë-shekk.


Agjërimi i femrave me të përmuajshme dhe lehona


Gjatë kohës kur femra është me të përmuajshme (menstruacione) ose pas lindjes-lehonë, ajo nuk duhet të falë namaz e as të agjëroj. Por, në qoftë se agjërimi ka rastis të jetë i Ramazanit, atëherë ato ditë duhet t’i kompensojë pas Ramazanit në një kohë të përshtatshme, kurse namazin nuk ka nevojë që ta bëjë kaza. Në këtë kuptim është edhe rivajeti i Muadhit kur e kishte pyetur hz. Aishen se pse femra me menstruacione e bënë kaza agjërimin e jo edhe namazin, ajo i kishte thënë: “Kur ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut, kur unë isha me të përmuajshme, më thoshte ta bëja kaza vetëm agjërimin, kurse për namazin nuk më pati thënë gjë!”. (Transmeton Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ahmed b. Hanbeli).


Agjërimi vetëm i ditës së xhuma


Dijetarët kanë konfirmuar se është mekruh sikur të agjërohet vetëm ditën e xhuma (e premte), sepse ajo është ditë feste e myslimanëve. Pejgamberi a.s. në një hadith ka thënë: “ dhe mos e caktoni vetëm ditën e xhuma për agjërim. Por, po që se dikush nga ju mban një agjërim që e ka bërë traditë, kjo përjashtohet!“. (Transmeton Muslimi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).


Ç’e prish agjërimin?


Si çdo adhurim tjetër, edhe agjërimi i Ramazanit dhe agjërimet e tjera në përgjithësi kanë disa rregulla të cilat agjëruesi duhet t’i respektoj. Por, para se t’i numërojmë disa nga rregullat që e prishin agjërimin, le të konstatojmë se këto rregulla kanë të bëjnë me dy lloje situatash:
Situatat që e prishin agjërimin dhe që kërkojnë që ai të bëhet kaza; dhe,
Situatat që e prishin agjërimin dhe kërkojnë edhe kazanë edhe kundërshpërblimin (kefaretin) e tij.


Rastet kur agjërimi prishet dhe duhet bërë kaza:


Para se t’i numërojmë këto raste, le të shpjegojmë se ç’do me thënë “kaza”?
Agjërimi i një dite të prishur me arsye e të cilën e agjëron në një kohë tjetër, quhet kaza (origj. “kada”). Pra, sa ditë që të kanë mbetur pa i agjëruar, po që duhet agjëruar në një tjetër kohë, ditë për ditë.
Janë shumë raste të kësaj natyre, ne do t’i përmendim vetëm disa:
Agjërimi prishet nëse personi hanë ose pinë gjëra të cilat nuk përdorën zakonisht si ushqime dhe si pije dhe që natyra njerëzore nuk është e prirë për t’i përdorur si ushqime dhe pije, p.sh. ngrënia e dheut, gurit, orizit të pagatuar, brumit të papjekur, miellit, arrat jeshile që akoma nuk kanë thelb e tjera të kësaj natyre. Ngrënia e tyre e prish agjërimin dhe atë duhet bërë kaza;
Përdorimi i ilaçeve duke i futur në rektum (anus-zorrë të trashë), ose në hundë apo në vesh me hedhë pika për shërim, ose, nëse dikush plagën e tij e shëron me ilaç të lëngët sa që ajo lagështi arrin në brendi të kokës së tij, ose, hyrja në thellësi të trupit e ilaçit të lyer mbi plagën në bark ose në kokë, ose gëlltitja pa dashje e shiut, borës apo breshrit të hyrë gjerë në grykë;
Nëse ha syfyr duke menduar se akoma nuk është koha e imsakut, ose nëse bënë iftar duke menduar se ka perënduar dielli e pastaj vërtetohet e kundërta;
Kalimi pa dashje në kanalet hundore e ujit të marrë me gojë ose të tërhequr me hundë gjatë marrjes së abdesit;
Nëse personi detyrohet në marrëdhënie seksuale me përdhunë. (Përdhunë konsiderohet përdorimi i forcës duke ia prerë një organ ose duke ia dëmtuar një gjymtyrë ose organ me anë të rrahjes. Për këtë lypset vetëm kaza. Kurse, prishja e agjërimit nga viktima vetëm për shkak të një rrahje vetëm dhimbse ose dëshpëruese, kërkon edhe bërjen kaza edhe kundërshpërblimin (kefaretin)).
Ngrënia ose pirja me dashje duke pandehur se është prishur agjërimi për shkak të harresës.
Vjellja me dëshirë, qoftë edhe më pak se sa mbushet goja plotë.
Nëse pa dashje i futet në gojë ndonjë fjollë bore ose shiu dhe i shkon teposhtë, ose i shkon në fyt ujë duke marrë abdes ose gusëll;
 Konsumimi i ekstazës seksuale (ejakulimi te mashkulli dhe orgazma te femra me anë të puthjes, përqafimit ose përkëdheljes (kuptohet pa kryer marrëdhënie seksuale). Agjërimi nuk prishet pa konsumimin e ekstazës seksuale edhe nëse puthja, përqafimi, përkëdhelja, etj. bëhen me epsh. Edhe masturbimi pa dashje e prish agjërimin.
Rastet kur agjërimi prishet dhe duhet bërë kaza dhe duhet dhënë kundërshpërblim-kefaret:
Me këtë rast bëhet fjalë për personin i cili agjëron gjatë Ramazanit pa qenë i detyruar dhe pa harruar, por me vetëdëshirë dhe ndërgjegje të plotë e bënë ndonjë veprim, siç do t’i numërojmë, ai krahas zëvendësimit të asaj dite që e ka prishur obligohet edhe me kundërshpërblimin (kefaretin) përkatës:
Me ngrënë, me pi ose me përdorë ilaçe;
Në qoftë se e gëlltit ujin e shiut ose fluskat e borës që kanë hyrë në gojë pa dashje;
Në qoftë se pinë duhan ose i hanë fletët e tij, ose thith avull;
Gëlltitja e një gjëje të vogël qoftë edhe sa një kokërr gruri e mbetur ndër dhëmbë nuk e prish agjërimin. Por, në qoftë se e njëjta gjë futet në gojë nga jashtë dhe gëlltitet, e prish agjërimin dhe për rrjedhojë atë ditë duhet kompensuar kaza dhe për të lypset edhe kundërshpërblimi. Ndërkaq, agjërimi nuk prishet nëse një gjë e tillë vetëm sa përtypet në gojë dhe duke e thermuar humbet në gojë, e nëse shija e saj shkon dhe ndjehet në grykë, atëherë agjë
rimi prishet.
Gëlltitja e pështymës ose lëngut të gojës së bashkëshortes, e kjo krahas kazasë kërkon edhe kundërshpërblim-kefaret.
Kryerja e marrëdhënieve seksuale me bashkëshorten (xhima) gjatë kohës sa agjëron.
Në të gjitha rastet e sipërtheksuara, kur agjërimi prishet, atë ditë ose ato ditë duhet kompensuar (kaza) dhe lypset kundërshpërblim (kefaret). Për prishjen e agjërimit jashtë Ramazanit nuk ka kundërshpërblim - kefaret, madje edhe në qoftë se është agjërim për kompensim të Ramazanit.


Ç’është kundërshpërblimi – kefareti?


Kundërshpërblimi-kefareti konsiston në lirimin e një skllavi, e nëse nuk ka mundësi, atëherë duhet agjëruar dy muaj hënor pandërprerje jashtë Ramazanit (60 ditë), duke i kushtuar kujdes që të mos agjërohet në ditët kur nuk lejohet agjërimi, siç janë p.sh. ditët e bajrameve, e në qoftë se edhe këtë nuk ka mundësi që ta bëjë, atëherë duhet ushqyer 60 të varfër (drekë dhe darkë ose mëngjes dhe darkë). E tërë kjo bëhet në këmbim të një dite agjërimi të prishur me qëllim gjatë muajit të Ramazanit. Mbështetje për këtë, siç transmeton Ebu Hurejreja r.a., është veprimi i Pejgamberit a.s.: “Një ditë, tek sa ishim ulur afër Pejgamberit a.s. kishte vajtur një njeri (te Pejgamberi a.s.) dhe i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë u shkatërrova!” Pejgamberi a.s. e kishte pyetur: Ç’është ajo që të shkatërroi ty?” Ai iu kishte përgjigjur: “Kamë bërë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten time duke qenë agjërueshëm. Pasi që Pejgamberi a.s. e kuptoi, e pyeti: “A mund të gjesh mall sa për të çliruar një skllav?”. Njeriu iu përgjigj: “Jo!”. Pejgamberi a.s. prapë e pyeti: “A mund të agjërosh dy muaj pandërprerë?” Njeriu iu përgjigj: “Jo, madje kjo fatkeqësi më ndodhi sepse nuk durova sa duhej!”. Pejgamberi insistoi sërish: “A mundësh t’i ushqesh 60 të varfër?”. Njeriu i tha shkurt: “Jo!”. Në këtë moment Pejgamberit a.s. kishte heshtur për disa çaste deri sa i kishin sjellë disa hurme, të cilat ia ofroi njeriut duke i thënë: “Merri këto hurma dhe shpërndajua të varfërve si sadaka!”. Mirëpo njeriu i tha: “ A ka ma të varfër se ne ja Resulall-llah?!” Atëherë Pejgamberi a.s. duke qeshur i tha: ”Shko dhe jepja familjes t’i hanë!”. (Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi).
Prishja e agjërimit me qëllim ose mos agjërimi pa ndonjë arsye është mëkat i madh, prandaj të tillët edhe meritojnë ndëshkim meritor, e që është kundërshpërblimi (kefareti).
Radha e përmendur e tri alternativave si në hadithin e sipërcituar, sipas shkollës hanefite, duhet respektuar. Meqë tashmë skllavëria nuk ekziston, duhet filluar duke kërkuar mundësinë e agjërimit të dy muajve pandërprerje. Kjo i pamundëson të pasurit që ditët e prishura t’i kundërshpërblejnë me para, prandaj ata duhet që të mos prishin asnjë ditë, sepse në të kundërtën, duhet t’i agjërojnë 60 ditë për një. E, në qoftë se këtë nuk mund ta bëjnë, atëherë duhet ushqyer 60 të varfër një ditë (dy shuajtje) ose një të varfër për 60 ditë.
Me rastin e agjërimit të kundërshpërblimit (kefaretit) duhet ditur se:
Kur dikush agjëron duke qenë i obliguar me kundërshpërblim, duhet ta llogaris mirë se atë duhet ta bëjë dy muaj pa ndërprerje, kështu që në mes të këtij agjërimi ose në mes të kësaj kohe nuk duhet të hyj Ramazani e as ditët kur është e ndaluar me agjëruar (p.sh. ditët e Kurban-Bajramit). Në të kundërtën, duhet ta rifillojë agjërimin nga fillimi.
E kemi përmendur më herët se personi kur është në udhëtim, i lejohet të mos agjëroj, dhe ato ditë do t’i kompensoj. Mirëpo, në qoftë se gjatë kohës sa është duke agjëruar për kundërshpërblim, i duhet të udhëtoj, me këtë rast duhet të mos e prish agjërimin e filluar, se nëse e prish, atëherë duhet rifilluar nga e para.
Kur femrës që është duke agjëruar për kundërshpërblim- kefaret i paraqitën të përmuajshmet ose periudha e lehonisë, kjo nuk ia prish kushtin e pandërprerëjes, prandaj, kur t’i kalojë ato ditë do të vazhdojë aty ku ka mbetur, dhe nuk ka nevojë të rifillojë nga e para.
Nëse personi e prish agjërimin me dashje, dhe më pas shkon në udhëtim qëllimisht që të mos agjëroj, ose vet provokon sëmundje, ai nuk lirohet nga kundërshpërblimi- kefareti.
Me një kundërshpërblim-kefaret mund të mbulohen më shumë se një ditë e prishur me qëllim e agjërimit. Nëse qëllimisht nuk i ka agjëruar tri ditë gjatë Rmazanit, ai duhet t’i agjëroj 63 ditë. Përjashtim nga ky rregull është nëse personi nuk e ka agjëruar një ditë dhe me një herë e liron një skllav, dhe vazhdon të agjëroj dhe prapë nuk e agjëron një ose më shumë ditë, prapë obligohet me kefaret, sepse dënimi i parë nuk ka treguar efekt aq sa kërkohet e që me këtë rast është mosprishja e agjërimit.


Fidja - kompensimi (shpërblimi)


Allahu i Lartësuar, në Kuranin fisnik, ka thënë: “Jeni të detyruar të agjëroni ditë të caktuara. E kush nga ju sëmuret ose është në udhëtim (e nuk ka agjëruar), atëherë le të agjëroj më pas aq ditë. Ata që nuk mundën të agjërojnë, janë të obliguar me kompensim (fidje) që është ushqimi ditor i një të varfëri. Kush e shton sasinë e fidjes me vetëdëshirë, ajo është aq ma mirë për te. Mirëpo, nëse agjëroni kjo është më mirë për ju, sikurse ta dini!” (El-Bekare, 184)
Pra, nga ajeti i sipërcituar kuptohet se “fidja” është shpërblimi që japin njerëzit të cilët nuk mund të agjërojnë për shkak të ndonjë sëmundje të vazhdueshme ose edhe për shkak të pleqërisë, dhe atë duke e ushqyer një të varfër për çdo ditë të paagjëruar.
 
Gjërat që nuk e prishin agjërimin


Agjërimi nuk prishet nëse agjëruesi ha ose pi nga harresa. Kush ha, pi apo bënë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten e tij, duke harruar se është agjërueshëm, ai nuk e ka prish agjërimin, por duhet të vazhdoj e të agjëroj. Ai, madje, nuk obligohet as me kompensim të asaj dite. Harresa në agjërim nuk ka dallim në mes të agjërimit të Ramazanit apo atij nafile (vullnetar). Ebu Hurejreja tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush ha ose pi duke harruar se është agjërueshëm, le ta plotësojë (vazhdojë) agjërimin e tij, sepse Allahu e ka ushqyer dhe e ka shuar etjen e tij”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Agjërimi nuk prishet nëse agjëruesi bënë marrëdhënie seksuale me bashkëshorten e tij duke harruar se është agjërueshëm.
Agjërimi nuk prishet nëse personi gjatë ditës flenë dhe në ndërkohë ejakulon, ose, nëse vetëm duke e shikuar gruan e vet ejakulon, ose nëse lyhet me vaj, ose nëse nxjerrë gjak, ose nëse e puth gruan e tij e nuk ejakulon.
Agjërimi nuk prishet nëse pas marrëdhënieve seksuale bashkëshortore e lë larjen e trupit (guslin) pas syfyrit, në kohën pasi të ketë filluar agjërimi i asaj dite.
Agjërimi nuk prishet nëse jep gjak.
Agjërimi nuk prishet nëse i grimon sytë ose fytyrën.
Agjërimin nuk e prish as lyerja e trupit me vaj ose hedhja e ujit ne sipërfaqe të trupit, edhe në qoftë se depërton përmes poreve të trupit brenda.
Nuk e prish agjërimin nëse personi që agjëron iu merr erë trëndafilit ose sendeve erëmira ose edhe parfumeve.
Agjërimin nuk e prish nxjerrja ose mjekimi i dhëmbit, natyrisht nëse me atë rast nuk i shkon ndonjë lëng ose gjak në brendi, ndonëse më e mirë do ishte sikurse ai veprim të lihet për pas iftarit.
E, pra le të konstatojmë edhe një herë se rregulli i përgjithshëm me këtë rast është se agjërimin e prish gjithçka hyn në trup dhe jo edhe çka del nga ai.
A e prish agjërimin marrja e vaksinave ose injeksioneve gjatë kohës së agjërimit?
Në qoftë se agjëruesi është aq i sëmurë sa detyrohet të merr ilaç shërues, ai në fakt ka të drejtë të lirohet nga agjërimi. Më e parapëlqyer do të ishte sikur në konsultim me specialistin e fushës marrjen e injeksionit ta shtyjmë deri pas iftarit gjegjësisht për kohën në mes të iftarit dhe syfyrit.
Nuk ka dyshim se, në qoftë se gjatë kohës së agjërimit, me anë të mjeteve medicinale (gjilpërat-injeksionet) agjëruesi merr lëndë ushqyese ose serume të ndryshme, kudo qoftë në trup, kofsh ose venë, agjërimi prishet.
Ndërkaq, nëse agjëruesi ka marrë injeksione tjera për të larguar dhimbjet, e të cilat depërtojnë deri në stomak, sipas Ebu Hanifës agjërimi prishet dhe atë ditë duhet bërë kaza, kurse dy imamët Ebu Jusufi dhe imam Muhamedi thonë se agjërimi nuk prishet, për faktin se ilaçi nuk ka hyrë në stomak nëpërmjet rrugës së natyrshme. Pra, marrja e ilaçit çfarë do qoftë ai, qoftë nën lëkurë, në kofshë, në muskul apo në venë, e që përvetësohen nga trupi, e prishin agjërimin. Kjo prishje kërkon vetëm kompensim (kaza) e jo edhe kundërshpërblim (kefaret).


Agjërimi nafile-suplementar


Agjerimi nafile ose tatavvu’ nënkupton agjërimin vullnetar të atyre agjërimeve që nuk janë të kategorisë farz. Qëllimi i kryerjes së këtyre agjërimeve bëhet për t’iu afruar Allahut dhe për të fituar pëlqimin e Tij. Lidhur me këtë, në një hadithi-kudsijj, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Robi nuk mund të më afrohet Mua me ndonjë veprim më të dashur se sa veprimet që ia kam bërë farz. Por robi vazhdon të më afrohet Mua me anë të adhurimeve nafile. Më në fund Unë atë e dua dhe, pasi ta dua, bëhem veshi i tij që i dëgjon, syri i tij që i sheh, dora e tij që i kap, këmba e tij që i ecën!”. (Transmeton Buhariu)
Lidhur me vlerën dhe peshën që ka agjërimi nafile-vullnetar, Pejgamberi a.s. thotë: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu i Lartë ia largon shtatëdhjetë vjet fytyrën nga zjarri i Xhehenemit!”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Ibni Maxhe dhe Nesai)


Agjërimet synet


Agjërimi i Daudit (a.s.)


Pejgamberi a.s. i ka dhënë një vend shumë meritor agjërimit vullnetar. Me një rast, Abdullah bin Amër bin Asi rrëfen: “Pejgamberin a.s. e kishin lajmëruar se unë kisha thënë se unë sa të isha gjallë, natën do të falja namaz e ditën do të agjëroja. Pejgamberi a.s. më thirri e më pyeti: “Ti ke thënë kështu, kështu?” -“Po, - iu përgjigja unë, -kam thënë. Atëherë Pejgamberi a.s. më tha: “Po ti s’ke mundësi për këtë! Ti disa herë agjëro, e disa herë mos agjëro, herë fli e herë falë namaz! Por agjëro nga tri ditë për çdo muaj, sepse për një veprim të dobishëm e të bekuar jepet dhjetëfish shpërblim. Tri ditë agjërim në muaj janë si të kishe agjëruar tërë vitin! Unë i thash: ‘Unë mund të bëjë më shumë se kaq!” Por Pejgamberi më tha: “Më mirë se kjo s’mund të ketë!”. (Transmeton Buhariu).
Sipas një hadithi tjetër, Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Agjërimi më i çmuar është agjërimi i mbajtur nga pejgamberi Daudi a.s. Ai një ditë agjëronte, një ditë jo!”.


Agjërimi tri ditë për çdo muaj


Nga zakonet e bukura të Pejgamberit a.s. është edhe agjërimi i tri ditëve për çdo muaj, e që në të drejtën e Sheriatit njihen me emrin “ditët e bardha” ose “të ndriçuara” (origj. Ejjami bid). Fjala është për agjërimin e ditës së 13, 14, dhe 15 të çdo muaji hënor, sepse gjatë këtyre ditëve hëna është e plotë, kështu që reflektimi i dritës së saj i bënë ato të ndriçuara. Ebu Hurejreja rrëfen: “I dashuri im, Pejgamberi a.s. më këshilloi tri gjëra: e para, të agjërojë tri ditë për çdo muaj; e dyta, të falë dy rekate namaz të duhasë; e treta, ta fal namazin e vitrit para se të bie për të fjetur!”. (Transmeton Buhariu dhe Nesaiu).
Ndërkaq, lidhur me këtë, sipas një transmetimi tjetër, tregohet se Pejgamberi a.s. Ebu Dherrit r.a. i kishte thënë: “O Eba Dherr! Kur të agjërosh tri ditë në muaj, agjëro ditën e 13, 14 dhe 15.” (Transmeton Nesaiu dhe Ibni Hanbeli).


Agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte


Nga tradita pejgamberiane është edhe agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte, sepse, siç tregon hz. Aisheja r.a.: “Pejgamberi a.s. tregonte kujdes të veçantë për të agjëruar ditën e hënë dhe të enjte.” Kjo për arsye se veprat e njerëzve i paraqitën Allahut xh.sh. në këto dy ditë. Prandaj, Usame bin Zejdi r.a. tregon kështu: “Kur e pashë Pejgamberin të agjëronte ditën e hënë dhe të enjte, e pyeta për shkakun, e ai m’u përgjigj kështu: “Veprat e njerëzve i paraqitën Allahut të hënën dhe të enjten dhe unë do të doja që kur t’i paraqitën Allahut veprat e mia, unë të jem agjërueshëm!”
Lidhur me këtë agjërim, ka edhe një rrëfim të Ebu Dherrit r.a. sipas të cilit Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Atë ditë unë erdha në këtë botë dhe mua atë ditë filloi të më zbriste vahji!” (Transmeton Muslimi)


Agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Shevval


Personi i cili e agjëron muajin e Ramazanit, dhe atë më pas e përcjell me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval, e ka sevapin sikur të ketë agjëruar tërë vitin. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin, dhe këtij ia shton edhe gjashtë ditë agjërim të Shevalit, është sikur ta kishte agjëruar tërë vitin!” (Transmeton Muslimi).
 
Agjërimi i ditës së Arefatit


Për ata të cilët nuk janë duke e bërë vizitën e Qabesë ka sevape të shumta. Ky agjërim, pra, bëhet një ditë para ditës së Kurban-Bajramit, e kjo është dita e nëntë e muajit dhulhixhe. Lidhur me vlerën e kësaj dite, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka ditë tjetër veç ditës së Arefatit kur Allahu të ketë çliruar më shumë njerëz nga zjarri i Xhehenemit!” (Transmeton Muslimi). Madje, Ibni Katade ka transmetuar edhe këtë: “Agjërimi i ditës së Arefatit llogaritet tek Zoti xh.sh. se do t’i falë mëkatet e një viti para dhe një viti pas!.” Lidhur me këtë, Ibni Katade pohon se ky është mendim i ehli-synnetit, porse fjala është për mëkatet e vogla. Nga ana tjetër, personat që kanë vajtur për ta kryer ibadetin e haxhit, në ditën e Arefatit e kanë të ndaluar të agjërojnë sepse ajo paraqet vështirësi për ta, kështu që kryerja e detyrave të haxhit kanë përparësi.


Agjërimi i ditës së Ashures (dita e dhjetë e muajit Muharrem)


Sipas Ibni Abasit, kur Pejgamberi a.s. kishte bërë hixhret në Medine, kishte vërejtur se hebrenjtë agjëronin ditën e Ashures, kështu që i kishte pyetur: “Ç’është ky agjërim?” Ata i kishin thënë: “Kjo është një ditë e mirë, sepse në këtë ditë Allahu i Lartësuar kishte shpëtuar Musain dhe bijtë e Izraelit nga armiqtë, prandaj Musai ka agjëruar këtë ditë.” Pejgamberi a.s. iu kishte thënë hebrenjve: “Unë jam më i afërt se ju me Musain!” dhe urdhëroi që ditën e Ashurës të agjërohej”. (Transmeton Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi). Kjo vazhdoi gjerë sa u bë farz agjërimi i ramazanit. Më pas Pejgamberi a.s. i la njerëzit të lirë në agjërimin e Ashurës, sikur që tregohet edhe me këtë hadith: “Kjo është dita e Ashurës dhe agjërimi i saj nuk është detyrim për ju. Kështu që kush dëshiron të agjëroj, të agjëroj, e kush nuk do të agjëroj, të mos agjëroj!” (Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Imam Maliku në Muvetta’). Personi që dëshiron ta agjëroj ditën e Ashurës, duhet t’ia bashkangjes edhe ditën paraprake ose atë pasuese.


Agjërimi gjatë muajit Shaban


Edhe agjërimi i muajit Shaban është përplot me sevape, sepse –siç tregon Aishja r.a., Pejgamberi a.s. asnjë muaj tjetër nuk ka agjërua më shumë, përveç Ramazanit, se sa në muajin Shaban, madje nganjëherë i ngjitte Shabanin me Ramazan pa shkëputje.


Mekruhet gjatë agjërimit


Përdorimi i misvakut gjatë kohës së agjërimit është mekruh. Madje, në qoftë se misvaku është i lagur e që mund edhe të shkojë në fyt, kjo nuk është e lejuar, sepse kjo e prish agjërimin. Është e vërtet se goja (dhëmbët) duhet pastruar, mirëpo, më mirë është që kjo të bëhet pas iftarit dhe pas syfyrit, me se e largojmë çdo dyshim eventual.
Gjatë marrjes së abdesit ose gjatë larjes trupore nuk duhet tepruar duke futur ujë në gojë ose në hundë, prandaj me këtë rast duhet treguar kujdes meritor, se në të kundërtën është mekruh. Edhe tejshpenzimi i ujit duke marrë abdes ose duke u larë është mekruh.
I lejohet gruas ta shijoj me maje të gjuhës ushqimin që e ka përgatitur për familjarët ose për foshnjën e saj për krip ose për shije, duke pas kujdes që të mos e gëlltis teposhtë dhe atë nëse nuk ka njeri tjetër në shtëpi që nuk është duke agjëruar me arsye.
Nëse personi që është duke agjëruar dëshiron me dhënë gjak, por ka frikë se kjo e dobëson sa detyrohet ta prishë agjërimin, me këtë rast dhënia e gjakut është mekruh. E në qoftë se nuk e dobëson, nuk është mekruh. Natyrisht, më mirë do ishte sikur dhënien e gjakut ta linte pas iftarit.
Është mekruh që personi i cili nuk ka siguri të mjaftueshme në vetvete për t’u përmbajtur në një kufi të caktuar, ta puth apo ta përkëdhel të shoqen. Pasiguria mund të rezultojë me ejakulim, dhe rrjedhimisht me prishje me dashje të agjërimit, ditë këtë të cilën duhet kompensuar. Puthja nuk është mekruh për atë që është i sigurt se mund ta kontrolloj vetveten. Transmeton Ebu Hurejreja se me një rast ka vajtur dikush te Pejgamberi a.s. dhe e ka pyetur nëse i lejohet përqafimi dhe përkëdhelja e bashkëshortes nga ana e agjëruesit, për çka ai e ka lejuar. E kur njëjtë e ka pyetur dikush tjetër, atij ia ka ndaluar. Atij që ia ka lejuar ka qenë i shtyrë në moshë, kurse ai që ia ka ndaluar ka qenë i ri.
 
Mustehabet e agjërimit


Mustehab në terminologjinë e Sheriatit e ka kuptimin e veprimit të gjerave të pëlqyera, që është etike të veprohen.
Sikundër edhe adhurimet tjera, edhe agjërimi i ka disa mustehabe, ndër to do të përmendim:
Në vigjilje të Ramazanit të bëhen përgatitjet e nevojshme për ta pritur muajin e Ramazanit sa ma mirë.
Me u ngrit në syfyr, sepse aty ka bereqet. Enes ibni Maliku r.a. transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ngrihuni në syfyr se në ngritjen dhe ngrënien e syfyrit ka bereqet!”. (Transmeton Buhariu). Kurse në një hadith tjetër, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Fuqizojeni agjërimin e ditës me ngrënien e syfyrit dhe namazin e natës me (tehexhud) me gjumin e pasdrekes!”. Natyrisht që ngritja në syfyr, i jep hijeshi agjërimit, kurse ngrënia e syfyrit vetëm sa e fuqizon trupin që agjërimin ta përballoj ma lehtë.
Është mustehab, gjithashtu, që ngrënia e syfyrit të shtyhet deri vonë, natyrisht, brenda limiteve të caktuara, pa e tejkaluar kohën e imsakut. Nga ana tjetër, edhe iftari duhet të bëhet sa po të hyjë koha, pra sapo të perëndoj dielli. Lidhur me këtë, Pejgamberi a.s., ka thënë: “Njerëzit do të jetojnë në mbarësi për sa kohë e shpejtojnë iftarin dhe e shtyjnë (deri në limitet e lejuara) ngrënien e syfyrit!”. Ka qenë praktikë e Pejgamberit a.s. që njëherë të bënte iftar e pastaj ta falte namazin e akshamit. Zakonisht iftar bënte me dy-tri kokrra hurma, e nëse i mungonin ato, e pinte pak ujë, më pas e falte namazin e pas tij hante iftar. Lidhur me nxitimin e bërjes iftar, Pejgamberi a.s ka thënë edhe këtë: “Më i dashuri i robërve të mi është ai që nxitohet për të ngrënë iftar!”. Prandaj, syfyri është mirë të shtyhet deri në kohën e imsakut, kurse 15-20 minuta më vonë mund ta falim namazin e sabahut. Lidhur me këtë, Zejd bin Thabiti ka një rrëfim të tijin: “Ne hanim syfyr bashkë me Pejgamberin a.s., e pastaj e falnim namazin e sabahut!”. Enesi e kishte pyetur: “Sa kohë kishte kaluar mes syfyrit dhe namazit të sabahut?”-Sa për t’i lexuar 50 ajete-iu kishte përgjigjur ai.
Duke u bazuar në këtë rast, disa dijetar kanë pohuar se ky interval kohor është i mjaftueshëm sa për të lexuar suren “El-Hakka” që ka 52 ajete ose suren “El-Murselat” e që ka 50 ajete.
Deri sa jemi te etika e iftarit, le të themi edhe këtë se iftarit është mirë t’i paraprijë ndonjë lutje-dua, për faktin se është kohë kur lutja e lutësit që është duke agjëruar është e pranuar te Allahu i Gjithëmëshirshëm. Madje me këtë rast rekomandohet në veçanti kjo dua që e bënte edhe Pejgamberi (a.s.):
“Allahu ynë, vetëm për Ty agjërova, Ty të besova, tek Ti u mbështeta dhe u dorëzova dhe me atë që më ke dhënë iftar bëra!”
Me rastin e agjërimit duhet në veçanti që t’i kushtojmë kujdes që ky adhurim-ibadet të mos bëhet vetëm me stomak, por me të gjitha pjesët dhe gjymtyrët e trupit tonë, madje edhe me mendje e imagjinatë. Nga besimtari nuk kërkohet që të ngel unët me stomak për një kohë të caktuar, por krahas asaj edhe organet tjera t’i kursen nga ajo që është e ndaluar-haram, sa që edhe mendja të kursehet nga harami. Ibni Haxheri jo me kotë kishte thënë: “Agjërimi i plotë dhe i përkryer është qëndrimi larg nga të gjitha gjynahet dhe gjërat e ndaluara nga Allahu xh.sh!”.
Është e vetëkuptueshme se gjatë iftarit dhe syfyrit ndodh që edhe të mos jemi shumë të kujdesshëm, kështu që nga një herë edhe mund ta teprojmë duke e ngarkuar stomakun më shumë se sa ai ka nevojë. Prandaj, është mirë, madje e rekomanduar që gjatë iftarit dhe syfyrit të kemi kujdes në sofër e mos ta teprojmë duke ngrënë ma shumë se ç’kemi nevojë. Etika e agjërimit këtë nuk e duron, sepse është e dëmshme për shëndetin.
Gjatë muajit të Ramazanit është edhe një praktikë shumë e mirë e që kultivohet gjithandej nëpër mjedise ku jetojnë myslimanët. Në të vërtetë, xhamitë zbukurohen me leximin e Kuranit, sepse intensiteti i hafëzëve të Kuranit gjatë këtij muaji është më i madh, po edhe i dëgjuesve gjithashtu është më i madh. Prandaj, është shumë mirë nëse ata që dinë të lexojnë së paku të bëjnë një hatme gjatë Ramazanit, ndërkaq ata që nuk dinë të lexojnë të përcjellin leximin e Kuranit nga hafëzët që me zërin e tyre aq të ëmbël jo vetëm se ia shtojnë bukurinë xhamisë dhe xhematit, por njëkohësisht bëjnë edhe ibadet.
Është mirë që gjatë Ramazanit dikujt me i dhënë iftar, sa do pak qoftë, madje pak hurme, ujë, apo diçka tjetër. Pejgamberi a.s. thoshte: “Kush i jep dikujt iftar, ai ka sevape sikurse agjëruesi, megjithëse agjëruesit nuk i mungohet nga sevapi tij!”. (Transmeton Termidhiu).
Gjatë agjërimit në përgjithësi, e gjatë Ramazanit në veçanti, duhet spikatur aspektin human, njerëzor e besimorë. Ndaj familjarëve duhet m’u sjellë me korrektësi e mirësi kurse ndaj të varfërve e skamnorëve duhet treguar më shumë humanitet e bujari.
“Transmetohet nga Ibni Abasi të ketë thënë se Pejgamberi a.s. ishte njeriu më bujar e bamirësi, ndonëse akoma më shumë ishte gjatë Ramazanit kur dhe e takonte Xhibrili!”. (Transmeton Buhariu)


Edhe disa dispozita rreth agjërimit


Për t’u liruar nga agjërimi, udhëtari duhet ta ketë vendos bindshëm para imsakut se do udhëtoj dhe niset në udhëtim. Kjo, sepse, nëse niset të udhëtoj para ose pas dite, nuk i lejohet prishja e agjërimit. Ndërkaq, kur është fjala për të sëmurin, rregulli i mësipërm ndryshon, sepse i sëmuri edhe nëse ka filluar në agim të agjëroj, por më vonë e ka kapluar sëmundja, ai mund ta prish dhe të mos agjëroj. Dallimi është evident, sepse udhëtari mund ta shtyjë udhëtimin e tij, sepse ajo varët nga ai, kurse i sëmuri nuk mund ta evitojë sëmundjen e tij, sepse ajo i vjen edhe përkundër dëshirës së tij.
Nëse personi është duke i kompensuar (agjëruar kaza) ditët e paagjëruara të Ramazanit, është mekruh me e prish ndonjë ditë për shkak të ndonjë gostie, kurse gjatë agjërimit vullnetarë preferohet të prishet, nëse është i sigurt se do ta kompensojë, në të kundërtën jo.
Nëse pabesimtari e pranon fenë islame ose i mituri hynë në pubertet gjatë një dite të Ramazanit, ata duhet ta plotësojnë atë ditë të Ramazanit, por jo edhe ditët tjera të kaluara, sepse nuk kanë qenë të obliguar.
Nëse gruas i shfaqën të përmuajshmet (hajdi) gjatë ditës sa është agjërueshëm, në veçanti nëse i ndodh në fillim të ditës, ajo duhet menjëherë ta prishë, sepse nuk guxon me agjërua për faktin se ibadeti nuk bëhet në gjendje të papastër. Nga ana tjetër, udhëtari që kthehet nga udhëtimi joagjërueshëm, ose femra që pastrohet nga menstruacioni gjatë ditës, që të dy nuk duhet të hanë atë ditë deri në mbrëmje. 


 


Takvim - Kalendar 2017