Çka është mukabeleja? 


Mukaukabeleja është leximi apo këndimi me zë i Kuranit në xhami, duke u lexuar (kënduar) nga një apo disa hafëzë të Kuranit, zakonisht gjatë Ramazanit. Është një lexim i përbashkët me zë i Kuranit gjatë Ramazanit, para ose pas namazit, e që në përkthim nga arabishtja do të thotë "mbledhje, tubimi". Lexohet një xhuz ose 20 faqe çdo ditë, ashtu që të lexohet i tërë Kurani deri në Bajram.
Tevfik Muftiqi, përmend disa kuptime të fjalës "mukabele", ndër të cilat veçojmë: pritje, mirëseardhje, takim, mbledhje, intervistë, audiencë, bisedë, krahasim, rreshtim etj..(1)
Në "Enciklopedinë turke të Islamit, përmendet se fjala "mukabele" në terminologjinë fetare ka një kuptim të dyfishtë: e para i referohet traditës së leximit të Kuranit, ndërsa e dyta i referohet metodës së verifikimit të hadithit të përdorur në shkrimin e haditheve. Kur bëhet fjalë për hadithin, termi mukabele i referohet metodës me të cilën nxënësit verifikuan hadithet e shkruara që dëgjuan nga mësuesit e tyre duke i krahasuar hadithet që ata shkruanin me hadithet origjinale të regjistruara nga mësuesi i tyre. Kjo metodë më vonë u pranua nga studiuesit e hadithit si kusht për pranimin e haditheve të shkruara, por jo të memorizuara.(2)
Mukabeleja zakonshëm lexohet në tri periudha kohore: pas sabahut, pas drekës ose pas namazit të ikindisë. Praktika më e përhapur është leximi i mukabeles pas namazit të ikindisë. Mukabeleja lexohet nga imamët, hafëzët dhe ata që dinë dhe janë në gjendje të lexojnë dhe shqiptojnë siç duhet dhe saktë Librin e Allahut.
Është nder i madh të dish leximin e drejtë të Kuranit. Po ashtu, ata që vijnë për të dëgjuar dhe ndjekur leximin e mukabeles nëpër xhami i pret një shpërblim i madh, edhe pse janë të paktë ata që duan të vijnë për ta dëgjuar këndimin e Kuranit në xhami.(3)


Vlera e leximit të Kuranit dhe e mësimit të të tjerëve


Në Sahihun e Buhariut është shënuar nga Othman b. Afani r.a., se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson leximin e Kuranin - e studion Kuranin dhe pastaj ua mëson atë të tjerëve."
Në dy Sahihet - nga Buhariu dhe Muslimi - është shënuar nga Aisheja r.a., se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: "Ai që e lexon Kuranin me përpikëri do të jetë në shoqërinë e shkruesve fisnikë dhe të virtytshëm, ndërsa ai që lexon Kuranin dhe pastaj ndalet dhe ndjen vështirësi gjatë leximit, do të ketë dy shpërblime: njëri shpërblim për leximin e Kuranit dhe tjetri për vështirësinë që ndien gjatë leximit të tij."
Muslimi transmeton nga Ebu Umame r.a., se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: "Lexojeni Kuranin, sepse ai (Kurani) do të vijë në Ditën e Gjykimit si ndërmjetës për ata që e lexojnë atë."


Leximi i Kuranit - mukabeleja në Ramazan


Kurani është shpallur në muajin Ramazan, prandaj muaji Ramazan quhet edhe muaji i Kuranit. Të gjithë myslimanët i përkushtohen më intensivisht leximit të Kuranit. Gjatë atij muaji, i Dërguari i Allahut a.s., e lexoi Kuranin para melaqes Xhibril a.s., i cili e dëgjoi në këtë mënyrë. Kjo është arsyeja pse tradita jonë e leximit të mukabeles bazohet në faktin se herë pas here është e nevojshme të lexohet Kurani para dikujt që është më i ditur dhe që mund të na dëgjojë dhe të na korrigjojë gabimin tonë eventual.
Leximi në grup i Kuranit është një praktikë e rrënjosur thellë në traditën e myslimanëve në mbarë botën, duke përfshirë traditën e myslimanëve shqiptarë dhe boshnjakë, veçanërisht gjatë muajit Ramazan. Traditat autentike përmendin vlera dhe përparësi të shumta të leximit (mësimit) në grup, gjë që stimulon afirmimin e mëtejshëm të kësaj praktike të bukur. Ata që marrin pjesë janë të zhytur në një atmosferë dhe ambient të veçantë, që u lejon atyre të përjetojnë relaksim shpirtëror, të mendojnë mbi mesazhet e fjalës së Allahut xh.sh., dhe të zbulojnë e të thellohen në njohuri të reja shkencore.(4)
Përfitimet e leximit në grup reflektohen edhe në faktin se të pranishmit, përveç leximit të Kuranit me radhë, dëgjojnë njëri-tjetrin. Dëgjimi është gjithashtu një lloj ibadeti për të cilin Pejgamberi, a.s., ka thënë: “Kushdo që dëgjon vetëm një ajet nga libri i Allahut, ai do të jetë dritë për të”(5)
Allahu xh.sh., në ajetet 29 dhe 30 të sures Fatir thotë: "Ata që lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata e shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (Allahu) do t'ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t'ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është mëkatfalës dhe shumë mirënjohës." (Fatir, 29-30). Ibën Kethiri, duke i komentuar këto ajete, thotë se kjo u referohet recituesve të Kuranit dhe se ata do të kenë një shpërblim më të madh se sa e meritojnë dhe se do të marrin një shpërblim që as nuk e prisnin.(6)
Për rëndësinë e recitimit të Kuranit gjatë Ramazanit flet edhe veprimi i Malik ibën Enesit r.a., i cili ishte një nga dijetarët më të famshëm të hadithit të kohës së tij. Kur vinte Ramazani, ai braktiste studimin e hadithit dhe shoqërimin me dijetarët, edhe pse edhe këto ishin vepra të mira të zgjedhura, dhe fokusohej vetëm në leximin dhe studimin e Kuranit.


Mukabeleja - nga Muhamedi a.s. deri te ne


Në një hadith të transmetuar nga Abdullah ibën Mesudi r.a., Muhamedia.s., ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut (Kurani), do të ketë një të mirë për të, e që një vepër e mirë shpërblehet dhjetëfish. Nuk po them që 'elif lam mim' është një shkronjë, por "elifi" është shkronjë, “lami” është shkronjë dhe "mimi" është shkronjë.”(7)
Ebu Hurejra r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: "Askush nuk mblidhet në një nga shtëpitë e Allahut për të lexuar Librin e Allahut dhe për ta mësuar mes tyre, e që mos të zbret mbi ta qetësia, t'i mbërthejë mëshira dhe t'i mbulojnë melaqet dhe Allahu xh.sh., i përmend tek ata që janë tek Ai (melaqet).”(8)
Duke e dëgjuar mukabelen, ne në fakt krahasojmë njohuritë tona, mësimet tona me leximin e imamit, e kalojmë ditën e Ramazanit në ibadet dhe kujtojmë takimin "makabelen" e Pejgamberit a.s., me melaqen Xhibril në Ramazan, kur Xhibrili e dëgjoi atë duke lexuar Kuran. Ramazani është pasuruar në mbarë botën me shumë ngjarje që e gjallërojnë shpirtin e besimtarit. As xhematet tona nuk bëjnë përjashtim. Edhe në Kosovë, Ramazani pasurohet me përmbajtje të rregullta, disa prej të cilave, si mukabeleja, janë specifike për rajonet tona. Secila prej këtyre përmbajtjeve është jashtëzakonisht domethënëse në vetvete dhe i merr rrënjët thellë nga burimet e mësimeve islame.
Në kohën kur librat kopjoheshin me dorë dhe kështu shumëzoheshin, mukabeleja ishte akti i krahasimit të veprës origjinale me kopjen dhe korrigjimit të ndonjë gabimi. Gjatë kopjimit, një dorëshkrim vendosej pranë një tjetri dhe kur krahasohej, një person lexonte nga kopja dhe ulej përballë tjetrit që do të ndiqte nga origjinali. Në këtë mënyrë, çdo përshkrim do të krahasohej me origjinalin.
Por lind pyetja, çfarë po krahasojmë ne në të vërtetë me mukabelen? I krahasojmë njohuritë tona, leximin tonë me leximin e imamit, texhvidin e vetë me texhvidin e lexuesit të Kuranit. Kush di të lexojë vetë, le të lexojë vetë, por le ta shqyrtojë veten edhe përmes mukabeles. Përveç kësaj, ne e kalojmë ditën e Ramazanit në ibadet dhe kemi një shpërblim të jashtëzakonshëm për qëndrimin në xhami, mësimin dhe dëgjimin e tekstit kuranor.
Tradita e leximit të mukabeles u themelua duke u bazuar në leximin e Kuranit të Pejgamberit a.s., para Xhibrilit a.s., gjatë muajit Ramazan, kurse leximi i Kuranit është një ibadet me vlerë të veçantë. Fjala kiraet, e cila në gjuhën origjinale shënon këtë akt, ka dy kuptime themelore: kuptimi i pari është ideja e mbledhjes ose bashkimit, ndërsa kuptimi i dytë është nxjerrja e diçkaje në mënyrë kohore-hapësinore, në mënyrë të kufizuar.
Në praktikë, kjo sigurisht konfirmon fenomenin e tekstin kuranor që të bashkojë njerëzit, por, gjithashtu, konfirmon dinjitetin njerëzor, përkatësisht e nderon besimtarin për futjen e të folurit të përhershëm të Zotit në një dimension të kufizuar kohor-hapësinor përmes bukurisë së zërit dhe intelektit të tij.
Natyrisht, leximi i Kuranit nuk është një akt ibadeti që lidhet vetëm me kolektivin dhe vetëm me hapësirën e xhamisë. Muhamedi a.s., ka thënë se shtëpia në të cilën lexohet Kurani, shkëlqen për banorët e qiellit ashtu siç shkëlqejnë yjet për banorët e tokës. Dhe është shumë bukur të kesh momentin tënd, të fshehur, mukabelen tënde, edhe nëse nuk i referohet e gjithë xhuzit të Kuranit në ditë. Muhamed Ikbali shkroi se babai i tij e rriti atë sipas një parimi: "Lexoje Kuranin sikur të shpallet ty!" Dhe pikërisht ky është mësimi i kësaj këshille të thjeshtë: përpiqu të përjetosh çdo fjalë dhe çdo mesazh si fjalim dhe dhuratë të Zotit që ju drejtohet drejtpërdrejt juve.(9)
Mirëpo, mukabeleja ka edhe një simbolikë tjetër më të lartë. Me të aludohet për dëgjimin e Pejgamberit a.s., nga melaqja Xhibril a.s., në Ramazan. Ibën Abasi r.a., ka thënë: “I Dërguari i Allahut a.s., ishte më fisniku i njerëzve dhe ishte më fisniku në muajin Ramazan, sepse Xhibrili vinte tek ai çdo natë dhe e dëgjonte duke lexuar Kuran derisa të kalonte Ramazani. Dhe kur Xhibrili vinte tek ai, ai do të ishte më fisnik dhe më i shpejtë në të mirë se era që lëshohet?"(10)
Prandaj, mukabeleja është e bazuar dhe aludon në ato "mukabele” të para -takimet e të Dërguarit të Allahut a.s., me Xhibrilin a.s., me qëllim të përsëritjes së Shpalljes. Prandaj, le t'i kujtojmë këto takime të Pejgamberit a.s., me Xhibrilin a.s., “mukabeleve” të para sa herë që jemi prezentë në mukabelet tona."(11)


______________________
1 Tevfik Muftiq, Arapsko-bosanski rječnik, (Sarajevë, El Kalem, 2004), 1164.
2 https://www.islam.ba/pojmovnik/m/mukabela.
3 https://mojdzemat.com/sta-je-to-mukabela/.
4 Halil Mehtiq, „Grupno učenje Kur'ana", Glasnik nr. 5-6, (Sarajevë, 2015), 465.
5 Hadithin e shënojnë Ahmedi në Musnedin e tij, hadithi nr. 8. /138 dhe Ed Darimiu në Sunenin e tij, Kapitulli mbi vlerat e Kuranit, hadithi nr. 3./233. Ibid, f. 468. 
6 Ibn Kesir, Tefsir - Skraćeno izdanje, përzgjodhi versionet më të sakta: Muhammed Nasib Er Rifai', (Sarajevë, 2002), 1146.
7 Hadithin e shënon Tirmidhiu, 8/226, hadithi është sahih - autentik.
8 Hadithin e shënon Muslimi në Sahihun e tij, hadithi është sahih- autentik.
9 https://www.islamska-zajednica.si/2024/03/ucenje- mukabele/.
10 Hadithin e shënojnë Buhariu, Muslimi, Ahmedi dhe En Nesaiu. Hadithi është sahih - autentik.
11 https://www.islam.ba/teme/duhovnost/mukabela-od-vjerovjesnika-do-nas.
Dituria Islame 412