Transmetohet se Aishja r.a. ka thënë: “Pejgamebri a.s. çdoherë hynte në itikafnë dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit, derisa i erdhi vdekja nga Zoti i Madhërishëm...” (Buhari 4/271)
Fjala i’tikaf në aspektin gjuhësor do të thotë: qën-drim në një vend, ndenjje në një vend, izolim në një vend për një kohë të caktuar, kurse në aspek-tin terminologjik, me shprehjen i’tikaf nënkuptojmë: të qëndruarit në xhami për një kohë të caktuar, me nijetin për të bërë ibadet, ose për të adhuruar Allahun e Madhërishëm.(1)


Urtësia e i’tikafit


Mund të themise urtësia kryesore e i›tikafit është që robin ta afrojë me Zotin e tij, duke ndarë kohë për ta adhuruar Atë. Sidomos kur dihet se jeta e njeriut është e stërmbushur me gabime, prandaj është shumë normale që ai të mundohet të gjejë kohë për të qëndruar në xhami dhe për ta madhëruar e lartësuar Allahun Fuqiplotë, me namaz, lutje, agjërim, lexim të Kuranit, kërkim të faljes nga Ai etj.. Përveç kësaj, ai largohet nga jeta e rëndomtë, nga fjalët e tepërta, nga veprat e pamatura, nga humbja e kohës poshtë e lartë, me një fjalë ndan një kohë që të ketë një aktivitet më të shtuar dhe më të gjallëruar në raport me Krijuesin e tij.


Norma e i’tikafit


I’tikafi është tre llojesh, prandaj edhe norma e i’tikafit ndryshon varësisht prej llojit të tij:
- I’tikafi që është vaxhib-i obliguar (ose siç quhet në jurisprudencën islame itikaful-mendhur). Ky është lloji i i’tikafit që njeriu besatohet ose ia bën obligim vetvetes se do ta kryejë, si p.sh: nëse dikush thotë: nëse Allahu më shëron nga kjo sëmundje, ose nëse unë do ta arrij këtë sukses, për hir të Zotit, dhe falënderim ndaj Tij, do të hyjnë i’tikaf për kaq ditë... Ky lloj i i’tikafit duhet të kryhet në përputhshmëri të plotë me besatimin e atij personi, duke respektuar ditët dhe xhaminë në të cilën kishte për qëllim i’tikafin.
- I’tikafi që është sunet muekede (ose synet i fortë). Është i’tikafi i cili bëhet në dhjetëditëshin e fundit të muajit të Ramazanit. Aishja r.a. thotë në një hadith: “Pejgamberi a.s. e bënte i’tikafin vazhdimisht në dhjetë ditët e fundit të muajit të Ramazanit derisa i erdhi vdekja...”. (Buhari 4/271.).
- Itikaf i cili është mustehab (ose i rekomanduar). Është i’tikafi i cili nuk ka ndonjë kohë të caktuar, dhe bëhet jashtë muajit të Ramazanit, qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Në këtë lloj i’tikafi nuk kushtëzohet agjërimi, sepse ky lloj i’tikafi nuk kushtëzohet që të zg-jasë një ditë të plotë, mirëpo siç u cek më lartë mjafton edhe për një kohë të shkurtër.(2)


A konsiderohet agjërimi prej kushteve të i’tikafit


Shumica e dijetarëve të medhhebit hanefi mendojnë se agjërimi konsiderohet kusht për personin që hyn në i’tikafin mendhur, ose i’tikafin që konsiderohet vaxhib-i obliguar, ndërsa nuk konsiderohet kusht për perso-nin që hyn në i’tikafin mustehab ose të vullnetshëm.(3)
Juristët e shkollës juridike shafiite dhe të asaj hanbelite nuk e konsiderojnë agjërimin prej kushteve të i’tikafit, pa marrë parasysh llojin e i’tikafit, ndërsa ata të medh-hebit maliki e konsiderojnë agjërimin kusht për të gjitha llojet e i’tikafit.(4)
Thotë ibn Rushdi: “Shkaku i mospajtimit të dijetarëve rreth kësaj çështjeje është se, Pejgamberi a.s.. i’tikafin e ka bërë gjithmonë në muajin e agjërimit - në Ramazan, dhe kjo ka bërë që disa dijetarë të mendojnë se i’tikafi duhet të shoqërohet me agjërim, ndërsa juristë të tjerë e kanë kuptuar se agjërimi i tij ka qenë për shkak të muajit të Ramazanit e jo të i’tikafit”.


Gjërat që duhet t’i kemi parasysh gjatë i’tikafit


I’tikafi synet fillon në ditën e njëzet të muajit Ra-mazan, para perëndimit të diellit, dhe në i’tikaf qëndro-het deri në natën e Bajramit pas perëndimit të diellit. Nëse qëndrohet në xhami deri të nesërmen pas faljes së namazit të Bajramit është më e pëlqyer/rekomanduar.
Personi që dëshiron të hyjë në i’tikaf duhet të jetë i pastër nga xhenabeti, sepse nuk lejohet hyrja dhe as qëndrimi në xhami për personin që është i papastër.
Personi që është në i’tikaf, lejohet të dalë nga xhamia për ndonjë nevojë të domosdoshme, si p.sh. nevoja fiziologjike, pastrimi nga xhenabeti që shkaktohet në gjumë etj..
Lejohet transferimi në ndonjë xhami tjetër për ta vazhduar i’tikafin, nëse ka frikë se në atë xhami do të ndodhë ndonjë zjarr, ose kemi frikë nga rrënimi i mureve të saj, ose ndonjë përmbytje nga uji etj..
Kontratat e lidhura në xhami në mes personave që qëndrojnë në i’tikaf, si ato të shitblerjes, fejesës etj., konsiderohen të vlefshme, mirëpo kjo nuk duhet të jetë biseda parësore e tyre, e as malli të prezantohet në xhami, sepse xhamia është vend për ibadet e jo vend për shitblerje apo kontrata të tjera.(5)
I’tikafi për meshkuj duhet të jetë në xhami ku falet namazi me xhemat, gjegjësisht në xhami që ka imam të caktuar, në mënyrë që ai të mos ketë nevojë të dalë jashtë xhamisë për t’u falur me xhemat, dhe në të njëjtën kohë i’tikafi të mos jetë pengesë nga xhemati për atë person. Transmetohet se Aishjar.a.6 ka thënë: “Nuk ka itikaf përveçse në atë xhami ku falen namazet me xhemat”. (Ebu Davudi 2/333).).
Femrat i’tikafin e tyre e bëjnë në shtëpitë e tyre, gjegjësisht në dhomën që e kanë caktuar për namaz. Juristët islamë ia kanë ndaluar femrës që ta bëjë i’tikaf-in në xhami, sepse qëndrimi dhe fjetja e saj në xhami është në kundërshtim me natyrën e saj si femër, dhe, përveç kësaj, ajo mund të shkaktojë fitne dhe çrreg-ullime në mesin e besimtarëve që gravitojnë në atë xhami.
Femra duhet ta ketë lejen e bashkëshortit të saj për të hyrë në i’tikaf, sidomos nëse ajo hyn në i’tikafin që konsiderohet synet ose mustehab. Normat e i’tikafit për femrat janë të njëjta me ato për meshkujt (sa i përket daljes apo mosdaljes nga vendi ku e bëjnë i’tikafin, apo për nevoja personale), edhe pse femra i’tikafin e bën në dhomën e saj.
Personi që është në i’tikaf, duhet ta shfrytëzojë kohën maksimalisht në çështje të ibadeteve dhe të shmangë gjërat dhe fjalët e padobishme.


Gjërat që prishin i’tikafin


Gjatë kohës së i’tikafit nuk lejohen kontaktet bash-këshortore, pa marrë parasysh shkaktohet apo jo ejakulimi. Thotë Zoti i Madhërishëm në Kuran: “Mos iu afroni grave tuaja sa të jeni duke qëndruar në i’tikaf” (El Bekare, 187). Gjithashtu, edhe përkëdhelja, puthja e të ngjashme nuk lejohen, mirëpo, nëse ndodh diçka e tillë dhe nuk shkaktohet ejakulimi, i’tikafi nuk prishet, ndërsa nëse ndodh ejakulimi, sipas dijetarëve të medh-hebit hanifi prishet i’tikafi.
Dalja nga xhamia pa ndonjë arsye të justifikueshme, sipas Sheriatit islam, e prish i’tikafin.
Të ngrënët dhe pirja qëllimisht, në i’tikaf, për të cilin kërkohet agjërimi, e prish i’tikafin..
Paraqitja e cikleve mujore dhe koha e lehonisë tek femrat, sepse pastërtia është prej kushteve të i’tikafit.
Rëndom, paraqitja e sëmundjeve psikike, si çmen-duria, alivanosja e të ngjashme, prishin i’tikafin, sepse me humbjen e vetëdijes humb qëllimi dhe efekti i qën-drimit në xhami për i’tikaf.



______________________________
1) Ilamul-enam sherh bulugu-lmuram (2/450) pr. dr. Nuru-din itr.
2) Shiko: Erkanul-Islam 2/661, Vehbi Sulejman Gavoxhi.
3) Shiko :El:hidaje sherh bidajetul-mubtedi(1/158), imam Bur-hanud-din El-Merginani.
4) Shiko: Fikhu suneh (f. 317), Sejid Sabik.
5) Shiko: Fikhu suneh (f.320), Sejid Sabik. 6) Po e njëjta fjalë transmetohet edhe nga Aliu r.a


 


 


 


 


 


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani