Ramazani, thesar që nuk shteron


Ramazani vjen si një mundësi e mirë për të gjithë myslimanët e botës mbarë, si një ripërtëritje shpirtërore, periudhë e gjetjes së vetvetes, e kërkimit të Zotit xh.sh., e rishikimit të atyre ekuilibrave të së mirës dhe së keqes në rrethin tonë, te vetja jonë. Ai vjen si përvojë për të forcuar raportet me Krijuesin, për ta përjetuar ëmbëlsinë e besimit, madje ne nuk falënderojmë mjaftueshëm për të gjitha mirësitë dhe begatitë e këtij muaji. Zoti xh.sh. në Kuranin fisnik thotë: “Dhe (kujtoni) kur Zoti juaj njoftoi bindshëm: Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat.” (Ibrahim, 7). 
Pra, shtimi i të mirave e i begative na vjen si shkak i rritjes së falënderimeve dhe mirënjohjes ndaj të mirave që Zoti xh.sh. na i ka begatuar jetët tona. Deri tani kanë kaluar mjaft ditë të muajit të begatë Ramazan, andaj lum për atë besimtar që ishte i kujdesshëm ndaj adhurimeve dhe këtë vazhdon ta bëjë edhe në ditët e mbetura, lum për atë që është ngritur nga ana shpirtërore, lum ata që janë afruar te Zoti xh.sh. me namaz, sadaka e punë të mira. 
Ky muaj veçohet me adhurim të shtuar dhe objektivi madhor i këtij muaji është arritja e devotshmërisë, sepse sikur ta dinim se çfarë të mira ka ky muaj, do të dëshironim që i gjithë viti të jetë Ramazan. Transmetohet nga Ebu Seleme, se Ebu Hurejra r.a. ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë për Ramazanin: “Kush falet me devotshmëri (në Ramazan) dhe besim (të vërtetë) që atë e ka obligim, duke llogaritur në shpërblimin e (Perëndisë), do t’i falen mëkatet e mëhershme të bëra (ndaj Allahut).”(1) 
Muhamedi a.s. ka qenë më bujari ndër njerëzit për të mirë, mirëpo në Ramazan ishte më bujar. Atë e takonte çdo natë në Ramazan Xhibrili a.s.. Pejgamberi a.s. i lexonte Kuran, e kurdo që e takonte Xhibrilin a.s., ai ishte më i shkathët (për të bërë) mirë se era e dërguar e (freskët).(2) 
Zoti xh.sh. e zgjodhi dhe e dalloi muajin Ramazan nga muajt e tjerë si muaj kur nisi zbritja e Kuranit. Megjithatë, edhe vetë brenda Ramazanit Zoti xh.sh. zgjodhi ca ditë, të cilat janë më me vlerë sesa ditët e tjera. Fjala është pikërisht për dhjetë ditët e fundit. Vlera e tyre sigurisht se është më e madhe sesa vlera e njëzet ditëve të para, ngase pikërisht në këto ditë edhe ka filluar zbritja e Kuranit, siç thotë Zoti xh. sh.: “(Ato ditë të numëruara janë) Muaji Ramazan që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)...” (El Bekare, 185). 
Në këto dhjetë net është edhe thesari shpirtëror, Nata e Kadrit, e cilësuar si më e mirë se njëmijë muaj, dhe e cila para së gjithash për ne është një rast jetik për t’u pastruar nga mëkatet, ngase Zoti xh.sh. thotë: “Nata e Kadrit është më e rëndësishme se njëmijë muaj.” (Kadër, 3). 
“Kadr” do të thotë vlerë, rëndësi, përcaktim, andaj Nata e Kadrit është më e vlefshmja, më e rëndësishmja, ngase në të f illon shpallja e dritës për mbarë botën. Është më e dobishme se njëmijë muaj, në të cilët nuk ka ndonjë këso nate. Është më e rëndësishmja, ngase në të, në qiellin e dynjasë, në tokën rreth njerëzve zbresin melaqet. Zbresin për shkak se Zoti përcakton çdo çështje të vitit, e Ai nuk përcakton tjetër pos atë që është në të mirë për njerëzit. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Hulumtoni (kërkoni) natën e Kadrit në dhjetë netët tek të Ramazanit.”(3) 
Pejgamberi a.s. është dhënë pas lutjeve pak më tepër në pjesën e fundit të Ramazanit, ku netët i kalonte duke falur namaz, duke lexuar Kuran, duke menduar për Zotin xh.sh., si dhe duke kryer vepra të dobishme e të mira për njerëzit. Kur fillonin dhjetë ditët (e fundit të Ramazanit), Pejgamberi a.s. i shtrëngonte rrobat e tij (tërhiqej nga bashkëshortet) e gjallëronte çdo natë të tij (me devocion) si dhe i zgjonte të afërmit e tij (për të bërë ibadet).(4)
Muhamedi a.s. dëshironte që myslimanët në këto ditë, të f lenë pak, e më tepër të kryejnë vepra të mira për veten dhe për bashkësinë e tyre. Pra, nga të gjithë ne, në këtë muaj, kërkohet që të shtojmë ibadetet, leximin e Kuranit fisnik, pastaj krahas namazeve të detyrueshme, të falim edhe nafile, të shtohet dhikri – përmendja e Zotit xh.sh., të bëhet dua, të ndahet lëmoshë, të pendohemi te Zoti xh.sh., ta falënderojmë Atë për të gjitha mirësitë që na i ka dhuruar, si dhe të lexojmë literatura të dobishme, në mënyrë që agjërimi ynë të ketë kuptim të plotë. 
E lusim Allahun xh.sh. që lutjet dhe adhurimet tona të na i pranojë dhe mbi ne të derdhë mëshirën dhe rahmetin e Tij të pakufishëm! Paqja dhe harmonia qoftë mbi banorët e gjithë botës mbarë! 



__________________ 
1 Koleksioni “Sahihul Buhari në gjuhën shqipe”, libri 5, përktheu: Ismail Ahmedi, Prishtinë, 1994, fq. 199. 
2 Po aty. fq. 123. 
3 Po aty, fq. 208. 
4 Po aty, fq. 212


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani