Fjala dukje (arabisht: rija) ka shumë kuptime.
Por. këtu është përdorur për të thënë shtirje, për të implikuar ekspozim të arritjeve të dikujt për t’u lënë përshtypje të tjerëve, të shkaktosh të të shohin njerëzit, si edhe për të shfaqur veprat e mira të dikujt, siç janë: devotshmëria, bamirësia, përulësia, asketizmi etj., me qëllimin për të fituar admirimin e duartrokitjen e njerëzve. Fjalë të njëjta ose të ngjashme për të punuarit për dukje në hije të këtij kuptimi janë edhe: shtirja, ekspozimi, mania për t’u dukur, shfaqja madhështore, paraqitja me këtë qëllim, pretendimi për t’u dukur, tinëzaria e hipokrizia.
Kuptimi më lart i përmendur i të punuarit për dukje është ndëshkuar nga Islami në të gjitha format e saj, edhe atë: në dukje, në të folur, në sjellje, në veprimet fetare etj. Disa njerëz shfaqin veprimet e tyre që i bëjnë, si për shembull: bamirësia; disa njerëz duken të ëmbël në të folur dhe arritjet e veta i rrëfejnë me naze; disa duken si shenjtorë a njerëz të devotshëm; disa i shfaqin veprat e tyre fetare. E tërë kjo që bëhet nga këta njerëz është thjesht punë për dukje, e cila bëhet për të arritur famë, falënderim a popullaritet. Ata bëjnë këso veprimesh në këtë mënyrë shumë artificialisht a duke u hequr kinse po i bëjnë me sinqeritet, e assesi nga thellësia e zemrës.
Sidoqoftë, lloji më i keq i punës për dukje është në çështjet fetare. Disa njerëz bëjnë shfaqjen e veprave të tyre fetare, si: namazet, pagesën e zeqatit dhe sadakasë në përgjithësi, agjërimin etj., në mënyrë që të shihen nga njerëzit dhe për të fituar admirimin e të tjerëve, por jo me zemër të sinqertë për të kënaqur Allahun e Lartësuar. As Kurani e as Profeti i Islamit nuk kanë miratuar këtë lloj pune për dukje. Sipas Pejgamberit [alejhi selam] puna për dukje është shirk (politeizëm) i fshehtë.
Argumente nga Kurani
1) “O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me krenim e me ofendim, siç bën ai që jep pasurinë e vet sa për sy e faqe të njerëzve, e nuk e beson Allahun dhe as botën tjetër. Shembulli i tij është si një gur i madh e i lëmuar që mbi të ka pak dhe, e kur e godet atë një shi i madh e lë të zhveshur (lakuriq). Ata (formalistët) nuk arrijnë asgjë nga ajo që punuan. Allahu nuk e udhëzon popullin jobesimtar!” (Kuran, 2: 264).
2) “Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqijat. Allahu është i njohur hollësisht për veprat tuaja!” (Kuran, 2: 271).
3) “Edhe ata që e japin pasurinë e tyre për sy e faqe të botës e nuk e besojnë Allahun e as Ditën e Fundit. E ai që e ka shok djallin, ai pra është shok i shëmtuar!” (Kuran, 4: 38).
4) “Munafikët përpiqen të mashtrojnë Allahun (duke u paraqitur rrejshëm si besimtarë), por Allahu mbizotëron dinakëritë e tyre. Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t'u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin Allahun!” (Kuran, 4: 142).
5) “Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t'i parë bota, e që pengonin nga rruga e Allahut! Allahut nuk mund t'i shpëtojnë me atë veprim të tyre!” (Kuran, 8: 47).
6) “Pra, shkatërrim është për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm. Ata që vetëm shtiren (sa për sy e faqe). Dhe nuk japin as sendin më të vogël (as hua)!” (Kuran, 107: 4-7).
Argumente nga Suneti
1. Xhundebi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Gjithsecili që do famë Allahu do ta bëjë ta famshëm; dhe gjithsecili që bën (punë) sa për dukje Allahu do ta bëjë që të duket!” [Shënon Buhariu dhe Muslimi]
2. Ebu Hurejra [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Kërkoni ndihmë nga Allahu prej Luginës së Hidhërimit!” Të pranishmit pyetën: “O i Dërguari i Allahut, çka është Lugina e Hidhërimit?” Ai ua ktheu: “Ajo është luginë në Xhehenem prej se cilës vetë Xhehenemi kërkon mbrojtje 400 herë në ditë!” Më pas qe pyetur prapë: “O i Dërguari i Allahut, kush do të hyjë në të?” Ai u tha: “Ata lexues Kurani që lexojnë për t’u dukur!” [Shënon Tirmidhiu dhe ibën Maxhe]
3. Omer ibën el-Hatabi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se një ditë ai pati dalë nga xhamia e të Dërguarit të Allahut dhe e pati gjetur Muadh ibën Xhebelin duke ndenjur ulur te varri i të Dërguarit dhe po kishte qenë duke qare. E pati pyetur: “Pse po qan?” Ai ia pati kthyer: “Më bën të qaj diç që pati thënë i Dërguari. E kam dëgjuar të Dërguarin duke thënë: “Edhe dukja më e vogël është shirk dhe gjithsecili që ka armiqësi me një mik të Allahut, do ta gjejë Atë të zemëruar. Allahu i do të virtytshmit, të devotshmit, ata që nuk punojnë për dukje; të cilët nuk kërkohen kur janë të pranishëm, dhe që kur janë të pranishëm nuk u shfaqet nderim. Zemrat e tyre janë dritat e udhëzimit dhe ata vijnë nga çdo vend me pluhur a i errët!” [Shënon ibën Maxhe]
4. Ebu Sejidi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen: “I Dërguari i Allahut erdhi te ne gjersa ne po bisedonim rreth Dexhallit. Na tha: “A t’ju tregoj se prej çka frikëohem për ju më tepër se prej Dexhallit?” “Po”, i thamë ne. Ai tha: “Shirku i fshehtë; kjo nënkupton kur një njeri ngrihet për t’u falur dhe e zgjat faljen që të bjerë në sy të njerëzve!” [Shënon ibën Maxhe]
5. Abdullah ibën Amri [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Gjithsecili që publikon veprën (punën) e vet te njerëzit, Allahu do ta përcjellë atë vepër deri te veshët e krijesave të Tij dhe do ta turpërojë e përçmojë atë njeri!” [Shënon Bejhakiu]
6. Shedad ibën Ausi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se e ka dëgjuar Pejgamberin [alejhi selam] duke thënë: “Gjithsekush që falet për t’u dukur ka bërë shirk; dhe gjithsekush që agjëron për t’u dukur ka bërë shirk; dhe gjithsekush që jep lëmoshë për t’u dukur ka bërë shirk!” [Shënon Ahmedi]
7. Shedad ibën Ausi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se ka qarë. Qe pyetur: “Çfarë të bëri të qash?” Ai tha: “Diç që kam dëgjuar Pejgamberin [alejhi selam] duke thënë. E kam dëgjuar atë të thooshte: “Frikësohem për pasuesit e mi për shirkun dhe epshin e fshehtë seksual!” Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut, a do të bëjnë shirk pasuesit e tu, pas teje?” “Po, kini kujdes!”, u përgjigj ai. “Ata nuk do të adhurojnë diellin, hënën, gurët a ndonjë idhull tjetër, por do të dëshirojnë të duken kur bëjnë vepra. Dhe epshi i fshehtë seksual do të thotë se do të ketë prej tyre që në agim do të gdhijnë si agjërues e kur t’i paraqitet njëri prej epsheve të tij, ai do të heqë dorë nga agjërimi [do ta prishë agjërimin (shën. i përkthyesit)]!” [Shënon Ahmedi]
8. Mahmud ibën Lebidi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Gjëja prej së cilës frikësohem më së shumti për ju është shirku i vogël!” Të pranishmit pyetën: “O i Dërguari i Allahut, cili është shirku i vogël?” Ai na e ktheu: “Puna për dukje.” [Shënon Ahmedi dhe Bejhakiu]
9. Ebu Hurejra [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Me të vërtetë njeriu i parë që do të sillet për gjykim në Ditën e Ringjalljes do të jetë (ai që është njohur si) dëshmori. Ai do të sillet dhe do t’i bëhet e ditur se ç’të mira ka, të cilat do t’i njohë. Pastaj Ai (Allahu) do ta pyesë: “Ç’ke bërë atje (në dunja)?” Ai do t’i përgjigjet: “Kam luftuar për Ty derisa rashë dëshmor. Allahu do ta kundërshtojë: “Ke thënë të pavërtetën; jo, ti ke luftuar që të quhesh hero, dhe ashtu me të vërtetë je quajtur. Pastaj urdhri do të jepet kundër tij dhe për rrjedhojë ai do të tërhiqet zvarrë për fytyre dhe do të hidhet në Xhehenem. Pas këtij do të jetë një njeri që ka nxënë dituri dhe që ua ka mësuar atë njerëzve dhe që ka lexuar Kuranin. Ai do të sillet dhe do t’i bëhet e ditur se ç’të mira ka, të cilat do t’i njohë. Allahu do ta pyesë atë: “Ç’ke bërë atje (në dunja)?” Ai do t’i përgjigjet: “Kam nxënë dituri dhe kam mësuar njerëzit dhe kam lexuar Kuran për Ty. Allahu do ta kundërshtojë: “Ke thënë të pavërtetën; ti ke nxënë dituri që të quhesh njeri i ditur dhe ke lexuar Kuran që të quhesh lexues Kurani dhe ashtu qe quajtur. Pastaj urdhri do të jepet kundër tij dhe për rrjedhojë ai do të tërhiqet zvarrë për fytyre dhe do të hidhet në Xhehenem. Pas këtij do të jetë një njeri që Allahu do t’i kishte dhënë pasuri me bollëk që do të sillet dhe do t’i bëhet e ditur se ç’të mira ka, të cilat do t’i njohë. Pastaj Ai (Allahu) do ta pyesë: “Ç’ke bërë atje (në dunja)?” Ai do t’i përgjigjet: “Nuk kam lënë asnjë mundësi të vetme ku Ti doje të kem shpenzuar e të mos shpenzoja për hir Tëndin. Allahu do ta kundërshtojë: “Ke thënë të pavërtetën; ti shpenzoje që të quheshe njeri filantropik dhe kështu të quanin. Pastaj urdhri do të jepet kundër tij dhe për rrjedhojë ai do të tërhiqet zvarrë për fytyre dhe do të hidhet në Xhehenem.” [Shënon Muslimi]
Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi, 26.12.2010
Shkëputur nga libri Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhamed el-Kudri