Sjellja e shembujve në Kur'an, për hir të udhëzimit të njeriut
"Ne këtë Kur'an Ne shtruam çdo lloj shembulli për hir të njerëzve, po njeriu (jobesimtar) më shumë se çdo tjetër është kundërshtar. Pasi që t'u ketë ardhur udhëzimi, njerëzit nuk i pengoi tjetër të besojnë dhe të kërkojnë falje prej Zotit të tyre, vetëm se presin t'u vijë edhe atyre fatkeqësia e popujve të mëparshëm ose t'u vijë dënimi ballë për ballë. Ne nuk i dërgojmë ndryshe të dërguarit përveçse si përgëzues e qortues. E, megjithatë, ata që nuk besuan, polemizojnë me të pavërtetën në mënyrë që me të, ta mbizotërojnë të vërtetën, dhe argumentet e Mia dhe atë me çka u qortuan, i marrin për tallje. Kush është më zullumqar se ai që është këshilluar me argumentet e Zotit të vet, e ua kthen shpinën atyre dhe harron atë që e punoi vetë? Ne kemi vënë mbi zemrat e tyre mbulesë, në mënyrë që të mos e kuptojnë atë (Kur'anin), kurse në veshët e tyre shurdhim, andaj edhe, nëse i thërret ti ata në rrugë të drejtë, ata si të tillë nuk do të udhëzohen kurrë. Zoti yt është që fal shumë dhe bën mëshirë të madhe, sikur t'i ndëshkonte ata për atë që kanë vepruar, do t'ua shpejtonte atyre tash dënimin, por ata kanë momentin e caktuar, e pos Tij nuk do të gjejnë strehim. Ato janë fshatra (vendbanime) që kur bënë zullum, Ne i shkatërruam dhe për shkatërrimin e tyre u patëm caktuar kohë të sakta". - (El-Kehf, 54-59)
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Koment:
54. "Në këtë Kur'an Ne shtruam çdo lloj shembulli për hir të njerëzve, po njeriu (jobesimtar) më shumë se cilido tjetër është kundërshtar".
Metodologjia kuranore është e shumëllojshme dhe shumëdimensionale. Ajo i drejtohet mendjes dhe shpirtit të njeriut në forma të ndryshme, duke i sjellë argumente të panumërta dhe të pakontestueshme, vetëm e vetëm që njeriu në besimin e drejtë të gjejë prehjen e tij shpirtërore. Kurani famëlartë i drejtohet mendjes njerëzore herë me premtim e herë me kërcënim, herë me shtjellimin e ngjarjeve historike e herë me sjelljen e shembujve, e herë-herë edhe në formë dialogu. Mirëpo, për fat të keq, të shumtën e rasteve, njeriu ishte dhe vazhdon të jetë mosmirënjohës ndaj Zotit të vet, dhe më shumë se çdo krijesë tjetër e shpërfilli udhëzimin hyjnor. Që të gjitha këto argumente që erdhën për ta përudhur njeriun, hasën në vesh të shurdhër, sepse fatkeqësisht, shpirtrat e hutuar dhe mendjet e turbulluara ndoqën rrugën e shejtanit duke humbur mëshirën e Allahut, përjetësisht.
Në Kuran ka disa ajete të ngjashme me këtë të sures "El-Kehf", që flasin pothuajse për të njëjtën tematikë, si f. v. : "El-Isra'ë" 41 e 89, dhe ky, i 58-ti i sures "Er Rrum": "Ne në këtë Kur'an u kemi sjellë njerëzve nga të gjithë shembujt, po, pasha Allahun, edhe sikur t'u sillje çfarëdo mrekullie atyre, ata që nuk besuan, do të thoshin: Ju (Muhamedi me besimtarë) nuk jeni tjetër veçse mashtrues (gënjeshtarë)".
55. "Pasi t'u ketë ardhur udhëzimi, njerëzit nuk i pengoi tjetër të besonin dhe të kërkonin falje prej Zotit të tyre, vetëm se presin t'u vijë edhe atyre fatkeqësia e popujve të mëparshëm ose t'u vijë dënimi ballë për ballë".
Me fjalën "njerëzit" ky ajet synon banorët e Mekës, të cilëve, edhe pse u kishte ardhur një i Dërguar madhështor nga mesi i tyre, edhe pse u kishte zbritur Libri i shenjtë - Kurani, ata nuk dëshironin ta pranonin këtë mëshirë të ofruar nga Krijuesi Fuqiplotë. Ata, në vend që të kërkonin falje e të pendoheshin për paudhësitë e tyre,(1) vepruan të kundërtën, u treguan mendjemëdhenj e arrogantë ndaj Ftesës së të Dërguarit të tyre, që të besonin Allahun xh.sh..
Megjithatë, Allahu xh.sh., nga mëshira dhe dashuria e Tij e pakufishme ndaj krijesës njerëzore, nuk dëshiroi që ata robër të Tij të binin në kurthet e shejtanit, po ua la të hapur mundësinë e pendimit. Mirëpo, ashtu siç ndodh rëndom me pasuesit e shejtanit, ata e ndienin veten të paprekshëm, nuk besonin se pas vdekjes do të ringjalleshin. Madje, talleshin aq shumë me të Dërguarin e Allahut, duke kërkuar prej tij me ironi e sarkazëm t'ua sillte dënimin me të cilin po i kërcënonte. Në lidhje me këto prapësi të tyre, na ka njoftuar edhe Kurani famëlartë: "O Allah! Nëse është ky (Kur'ani) vërtet prej Teje, lësho gurë nga qielli kundër nesh, ose sillna ndonjë dënim të hidhët". - (El-Enfal, 32)
Dihet se ndëshkimi hyjnor vjen nga Allahu, e jo nga të dërguarit, prandaj ajeti në vazhdim sqaron misionin e shenjtë të Pejgamberëve:
56. "Ne nuk i dërgojmë ndryshe të dërguarit po vetëm si përgëzues e qortues. E, megjithatë, ata që nuk besuan, polemizojnë me të pavërtetën, në mënyrë që me të, ta mbizotërojnë të vërtetën, dhe argumentet e Mia dhe ato për se u qortuan, i marrin për tallje".
Të dërguarit e Allahut ecën nëpër kohë, për të na drejtuar mu në burimin e dashurisë në këtë gjithësi; për të na mësuar kuptimin e vërtetë të dashurisë; dhe për të na orientuar kah Ai, që është i Vetmi i denjë dhe meritor për këtë dashuri - Allahu xh.sh..
Të dërguarit e Allahut janë të dërguarit e dashurisë hyjnore në Tokë, por, meqë urrejtja dhe mëria janë më të përhapura, kjo bën që këta të dërguar të ishin vazhdimisht në konflikt me forcat e errëta djallëzore. Këta të dërguar fisnikë paguanin kohën, ushqimin, rehatinë dhe gjakun e tyre si çmim për përhapjen e Thirrjes dhe misionit të tyre.
Secili prej tyre u dërgua për t'ia tërhequr vërejtjen popullit të vet, ndërsa i Dërguari ynë-Muhamedi a.s. u dërgua për të gjitha botët dhe për krejt njerëzimin. Alla hu xh. sh. na e sqaron këtë, kur thotë: "O Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues. Dhe, me urdhrin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues". - (El-Ahzab, 45-46).
Duhet theksuar se pothuajse asnjë pejgamber nuk ishte pritur mirë nga populli i vet në fillim të shpalljes. Ata u kontestuan, u nënçmuan, shumë prej tyre u persekutuan, e disa prej tyre edhe u mbytën, po megjithatë, asnjëri prej tyre nuk hoqi dorë nga udhëzimi i të paditurve, derisa Allahu xh. sh. nuk i shkatërroi disa prej atyre popujve... Zemrat e tyre (të pejgamberëve) të pastra ishin të mbushura me dashurinë ndaj Allahut. Për ata të dërguar të mëshirës, sakrifikimi për të arritur kënaqësinë e Allahut ishte dëshira më madhore e tyre... Megjithatë, shumica e njerëzve, nuk besuan, po pole mizuan duke u përpjekur që të dobësonin e të thyenin moralin e atyre njerëzve të zgjedhur (pejgamberëve) të Allahut: "Ata (jobesimtarët) duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, po Allahu e plotëson (e përhap) dritën e Vet, edhe pse këtë e urrejnë jobesimtarët". - (Es-Saff, 8)
Këto ide të helmatisura të jobesimtarëve, dhe tërë kjo urrejtje ndaj udhëzimit hyjnor, që herë e mbajnë të fshehur në zemër e herë e shfaqin haptazi, megjithatë nuk ka arritur të pengojë Dritën dhe udhëzimin e Allahut që të mishërohet me zemrat e dëlira të besimtarëve nëpër kohë e shekuj.
Jobesimtarët, shumicën e këtyre argumenteve i morën me tallje, përbuzje e nënçmim dhe tërheqja e vërejtjes, e nganjëherë edhe kërcënimi, nuk ndikoi absolutisht që zemrat e tyre të ndriçoheshin me nurin e Imanit. Me ta, është e kotë të polemizohet, sepse zemrat e tyre janë të mbyllura e veshët e tyre të shurdhër ndaj së vërtetës. Pikërisht për shkak të arrogancës së tyre kryeneçe, këta mendjemëdhenj do të ballafaqohen me gjykimin e Allahut në Ditën e Llogarisë, për të marrë ndëshkimin e merituar për veprat e tyre në këtë botë.
57. "Kush është më zullumqar se ai që është këshilluar me argumentet e Zotit të vet, e ua kthen shpinën atyre dhe harron atë që e punoi vetë? Ne kemi vënë mbi zemrat e tyre mbulesë, në mënyrë që të mos e kuptojnë atë (Kur'anin), kurse në veshët e tyre shurdhim, andaj, edhe nëse i thërret ti në rrugë të drejtë, ata si të tillë nuk do të udhëzohen kurrë".
Pasi Allahu xh. sh. përmendi jobesimtarët për kundërshtimin dhe polemikat e vazhdueshme lidhur me argumentet hyjnore, tash në vazhdim cek disa prej vetive të tyre të mbrapshta, me të cilat e merituan nënçmimin dhe përbuzjen e përbotshme. Sipas mufesirëve më eminentë, ky ajet ka zbritur për disa nga idhujtarët mekas, për të cilët Allahu i Lartmadhërishem e njoftoi të Dërguarin e Vet se nuk do të udhëzoheshin kurrë, pavarësisht nga thirrjet për besim. Të tillë ishin Ebu Xhehli, Ubej bin Halefi dhe Utbe ibn Rebia, me të ngjashëm të tjerë me ta, të cilët më vonë do të vriteshin gjatë luftërave me myslimanët, në Bedër, Uhud, etj..
Ajo që i dalloi ata njerëz të prishur nga të tjerët, ishte mizoria ndaj vetvetes e pastaj edhe ndaj të tjerëve, sepse askush nuk mund të jetë më mizor sesa ai që ia kthen shpinën udhëzimit të Allahut, dhe kundërshton argumentet e Njëshmërisë, duke harruar bëmat e tij në jetën e kësaj bote. Ai njeri që nuk ndalet të meditojë rreth argumenteve të Allahut në këtë gjithësi, duke vënë në veprim logjikën e shëndoshë, ai është i humbur përjetësisht, sepse, me vdekjen e tij, rasti për pendesë dhe rikthim në veprat e mira, përfundon njëherë e përgjithmonë...
Veti tjetër e këtyre femohuesve është fakti se Allahu ka vulosur zemrat e tyre me kufër (mosbesim). Zemrat e tyre janë të mbyllura, kurse veshët e tyre janë të shurdhër saqë deri tek ata nuk arrin Thirrja e Krijuesit, prandaj Allahu xh. sh. ia bën me dije të Dërguarit të Tij, se i thirre a nuk i thirre në besim, ata nuk do të udhëzohen dot. Në konstelacion të këtij konstatimi të dhimbshëm për jobesimtarët, në Kuranin fisnik kanë ardhur dhjetëra ajete, si këtë: "Por të këqijat që punuan, ua mbuluan (u vulosën me mosbesim) zemrat e tyre". - (El-Mutaffifin, 14),
dhe: "E ata që mohuan (Kur'anin dhe Muhamedin), për ta është njësoj ua tërhoqe a nuk ua tërhoqe vërejtjen, ata nuk besojnë. Allahu ua mbylli zemrat dhe vesh ët e tyre ndërsa në të pamurit e tyre ka një perde, dhe ata do të kenë një dënim të madh". - (El-Bekare, 6-7).
58. "Zoti yt është që fal shumë dhe bën mëshirë të mad he; sikur t'i ndëshkonte ata për atë që kanë vepruar, do t'u shpejtonte tash dënimin, por ata kanë momentin e caktuar, e përveç Tij ata nuk do të gjejnë strehim".
Ajeti në vazhdim është një prej ajeteve më madhështore të Kuranit, sepse flet për mëshirën e pakufishme të Allahut xh. sh. ndaj krijesave të Tij, duke u dhënë gjithnjë rastin që ata të pendohen për veprat e tyre të shëmtuara në këtë botë. Po të donte Allahu i Madhërishëm, do t'ua përshpejtonte ndëshkimin e merituar, sepse veprat e jobesimtarëve-idhujtarëve ishin shumë të mbrapshta e të ndyra. Ata po torturonin psikikisht të Dërguarin e Allahut, madje më vonë do të tentonin edhe ta vrisnin fizikisht, po megjithatë, mëshira e Tij është më e madhe se hidhërimi, dhe Ai këtë ndëshkim ua vonon, gjithnjë duke pritur pendimin e tyre. Ndërkaq, atyre që nuk kthehen tek Allahu, të penduar, i Gjithëpushtetshmi u ka caktuar momentin kur do të ballafaqohen me ligësitë e tyre në Ditën e Gjykimit. Atë ditë nuk do të ketë strehim, sepse strehimi i vërtetë është vetëm Allahu, i Cili besimdrejtët do t'i fusë nën Hijen e mëshirës së Vet.
Në lidhje me këtë vonim të ndëshkimit, i cili vjen si pasojë e mëshirës së Allahut, kemi edhe shumë ajete të ngjashme në Kuran, por ne po mjaftohemi vetëm me ajetin 45 të sures "Fatir": "E sikur Allahu t'i kapte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë, por Ai i afatizon deri në momentin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, s'ka dyshim se Allahu i ka parasysh robërit e Vet". - (Fatir, 45)
59. Ato janë fshatra (vendbanime) që, kur bënë zullum, Ne i shkatërruam dhe për shkatërrimin e tyre u patëm caktuar kohë të sakta".
Ndëshkimi i Allahut mund të vijë edhe në këtë botë, ose i Lartmadhërishmi e vonon këtë ndëshkim në Ahiret. Megjithatë, Ai i ka marrë me ndëshkimin e Vet shumë prej popujve që ia kthyen shpinën u hëzimit të drejtë. Në Kuran janë përmendur populli i Themudit, i Adit, i Lutit, i Shuajbit, i faraonit etj., që përjetuan ndëshkimin e tmerrshëm në këtë botë. E ky ajet ia tërheq vërejtjen popullit të Mekës që të mos sillen me arrogancë e armiqësi ndaj Muhamedit a.s., sepse edhe ata mund t'i godasë e keqja që kishte goditur shumë popuj para tyre. S'ka dyshim se Allahu e kishte nderuar popullin e Mekës kur nga mesi i tyre kishte përzgjedhur më të madhin e krejt të dërguarve, por kjo nuk do të thotë se ata nuk mund të ndëshkoheshin edhe gjatë jetës së kësaj bote, nëse nuk do të ndalin armiqësinë ndaj Pejgamberit a.s. dhe ndaj myslimanëve.(2)
Porosia e këtyre ajeteve
- Të gjitha sqarimet, argumentet dhe shembujt që janë përmendur në Kuranin famëlartë, lidhur me Njëshmërinë e Allahut, Ringjalljen dhe Ditën e Gjykimit si dhe pësimet e popujve të kaluar përgjatë historisë, janë më se të mjaftueshëm për përudhjen e njeriut në rrugën e drejtë.
- Njeriu (jobesimtari) është polemizuesi më i madh ndaj të vërtetave hyjnore, sepse ai vetë ka parapëlqyer që epshi dhe djallëzia e tij shpirtërore të jenë udhërrëfyes të tij në këtë dynja. Ky egoizëm i tij, ia ka verbuar sytë e mendjen dhe nuk e lë ta shohë të vërtetën.
- Njeriu (jobesimtari) është shkurtpamës, sepse, pas zbritjes së Fjalës së Allahut-Kuranit dhe pas ardhjes së Pejgamberit të fundit-Muhamedit a.s. me argumente të pakontestueshme të ekzistimit të Krijuesit Absolut, është e pakuptimtë përpjekja e tij naive dhe injorante që të mbesë në kufër (mosbesim).
- Polemika shterpe është një prej vetive më të urryera në Islam. Kjo veti është prej armëve të shejtanit që të sundojë zemrat e njerëzve. Në lidhje me polemikën e cila nuk zmbrapset para argumenteve të së vërtetës, kemi transmetimin nga Ebi Umameh, i cili përcjell thënien e të Dërguarit a.s.: "Unë jam garantues i një pallati në fillim të Xhenetit për atë që e lë polemikën, edhe nëse është në të vërtetën; i një pallati në mes të Xhenetit, për atë që e lë gënjeshtrën edhe kur bën shaka; dhe i një pallati në shkallën më të lartë të Xhenetit, për atë që e përmirëson moralin (sjelljen) e tij".(3)
- Zbritja e ndëshkimit për popujt jobesimtarë është vetëm në Dorë të Zotit; Kur Ai dëshiron, me urtësinë e Tij, që ta zbresë ndëshkimin, e bën me vullnetin dhe dëshirën e Tij, e të dërguarit Ai i ka dërguar me një mision të veçantë, që t'i përgëzojnë njerëzit me Xhenet, ose në rast mosbesimi dhe mospërfilljeje të këshillave të tij, t'i kërcënojnë me Xhehenem. Por, me gjithë këtë frymë mëshiruese, njerëzit jobesimtarë, parapëlqejnë të jetojnë në errësirat e kufrit.
- Askush nuk është më mizor sesa ai që është këshilluar me ajetet dhe argumentet e panumërta hyjnore nga Kurani famëlartë, po megjithëkëtë, ka vazhduar me inatin e tij të jetë kundër udhëzimit, duke mos pranuar dritën, e cila do t'i ndriçonte përjetësisht rrugët e tij. Zemrat dhe veshët e jobesimtarëve janë vulosur me kufër, prandaj kjo dritë e imanit nuk do të depërtojë kurrë në zemrat e tyre.
- Allahu Veten e ka cilësuar me cilësi të mëshirës dhe të faljes. Njerëzve u ka ofruar rastin që të pendohen për gabimet e bëra, por shumë prej njerëzve, të verbuar nga mendjemadhësia e tyre, nuk e shohin dot këtë dritare të hapur për shpëtimin e tyre.
- Nga mëshira e Tij është edhe fakti se Ai njerëzve nuk ua përshpejton ndëshkimin për shkak të gjynaheve të tyre, por këtë e shtyn vazhdimisht, me Urtësinë e Tij, që t'u japë rast për t'u penduar, ndërkohë që ndëshkim it të Tij nuk mund t'i ikë askush as në këtë botë dhe as në Ahiret.
- I Lartmadhërishmi, për shkak të mosbesimit të tyre, ka shkatërruar më parë shumë popuj si Adin, Themu din, popullin e Sodomës dhe Gomorës, popullin e Faraonit etj.. Shkatërrimi i atyre popujve është tërheqje e vërejtjes për mbarë njerëzimin, se drejtësisë së Allahut nuk mund t'i ikë askush.
(vijon)
____________________
(1) Mustafa el Hajri el Husni el Mensuri "El-Muktetafu min Ujunit-t-Tefasir", v. 3 f. 265, Damask-Bejrut 1996 (Redaktuar nga Muhamed Ali es-Sabuni)
(2) Et-Tefsirul Munir, v. 15 f. 309.
(3) Transmetojnë Ebu Davudi në Sunenin e tij, v. 2, f. 668, hadithi nr. 4800; Tirmidhiu në Sunenin e tij, v. 4 f. 358, hadithi nr. 2061; Ibn Maxhe v.1 f. 19 hadithi nr. 51; Ibn Hibbani v. 10 f. 479, hadithi nr. 4619. Shuajb Arnauti isnadin e këtij hadithi e konsideron "Sahih"; Bejhekiu në "Es-Sunenul Kubra" v. 6 f. 72, hadithi nr. 11176.