Sprova në dituri - Ngjarja e Musait a.s. me Hidrin a.s. - (I)
"(Përkujto) Kur Musai i tha djaloshit që e shoqëronte: "Nuk do të ndalem së ecuri deri ta arrij vendtakimin e dy deteve, ose do të udhëtoj një kohë të gjatë". Kur arritën ata të dy vendtakimin e atyre deteve, e harruan peshkun e tyre, e ai (peshku) mori rrugën e vet si (strofull) në det. Pasi ata e kaluan atë vend, ai (Musai) i tha djaloshit: "Na jep drekën tonë (ushqimin), meqë nga ky udhëtim jemi lodhur". Ai (djaloshi - Josha ibn Nun) tha: "A e sheh!? Kur u strehuam te shkëmbi, unë e harrova peshkun dhe përveç djallit nuk më bëri kush të harrojë që të ta përkujtoj ty, atë, dhe ai në mënyrë të çuditshme mori rrugën e tij për në det!" Ai (Musai) tha: "Ai është (vendi) që ne po e kërkojmë!" Dhe u kthyen që të dy rrugës së tyre nga kishin ardhur. Dhe e gjetën një nga robërit Tanë, të cilit i kemi dhuruar mëshirë nga ana Jonë dhe e kemi mësuar me një dituri të posaçme nga Ne. Atij (Hidrit - njeriut të mirë e të dijshëm) Musai i tha: "A pranon të vijë me ty, që të më mësosh nga ajo që je i mësuar (i dhuruar) ti: dituri të drejtë e të vërtetë?" Ai (Hidri) tha: "Sigurisht, ti nuk do të mund të kesh durim me mua! Si do të durosh për atë që nuk je i njoftuar?" (Musai) Tha: "Në dashtë Allahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të kundërshtoj ty për asgjë!" Ai i tha: "Nëse më shoqëron ti mua, atëherë mos më pyet për asgjë, derisa unë vetë të të tregoj për të". (El-Kehf, 60-70)
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ata paraprakë
Ashtu siç kemi përmendur në fillim të komentin, se kjo sure e bekuar përmban në vete disa rrëfime enigmatike, duke filluar së pari me ngjarjen e çuditshme të banorëve-djelmoshave që u strehuan në shpellë për 309 vite, ngjarje e cila shtjellon sprovën në besim, pastaj rrëfimin e pronarit mosmirënjohës të dy kopshteve, ngjarje e cila shtjellon sprovën e tundimit me pasuri, dhe më pas edhe mendjemadhësinë e idhujtarëve kurejshë, të cilët refuzonin ndejat me të varfrit e muslimanëve, duke u mburrur padrejtësisht me prejardhjen dhe pasurinë e tyre.
Tash kemi ngjarjen e Musait a.s. me njeriun e urtë, i cili sipas shumicës dërrmuese të dijetarëve është Hidri a.s., e cila ngjarje bart mesazhin e sprovës në dituri.
Ky tregim bart në vete porosi shumë të fuqishme edukative se gjatë kërkimit të diturisë (shkollimit, arsimimit, specializimit), është e nevojshme mbi të gjitha modestia dhe këmbëngulja, pavarësisht rrethanave dhe pozitës sociale që kemi në shoqëri…
Shkaku i kësaj ngjarjeje madhështore
Në të dy Sahihët, të Buhariut(1) dhe të Muslimit(2), është shënuar se një ditë, Musai a.s., pas shpëtimit nga robëria e faraonit, kishte mbajtur një ligjëratë të zjarrtë para beniisrailëve, duke ua përkujtuar atyre vitet e kaluara në robëri, ditët e shpëtimit të tyre nga Allahu xh.sh., dhe begatitë e panumërta që kishte derdhur mbi ta i Gjithëmëshirshmi... Ai i kishte këshilluar ata që kurrë të mos e lëshonin rrugën e Allahut, por të qëndronin të paluhatshëm në të vërtetën...
Siç duket, ligjërata e tij kishte qenë aq gjithëpërfshirëse, saqë kishte ngërthyer në vete të gjitha urtësitë e kësaj bote... Pasi që kishte përfunduar ligjërimin mbresëlënës, njëri prej të pranishmëve e kishte pyetur pa të keq:
- O i dërguar i Allahut, a ka në fytyrën e tokës njeri më të ditur se ti?
- Jo, - ia kishte pritur me të shpejtë dhe me emocione Musa a.s.
Për shkak të kësaj përgjigjeje të ngutshme, Allahu xh.sh. e kishte qortuar pse nuk ia kishte atribuuar këtë dituri të tij Allahut të Gjithëdijshëm, prandaj e kishte dërguar Xhibrilin a.s. për ta pyetur:
- O Musa! Ç'mendon dhe ç'njohuri ke, se ku e hedh Allahu diturinë e Vet?(3)
Musai a.s. përnjëherë e kishte kuptuar se kishte nxituar dhe gabuar, i shtyrë nga karakteri i tij i vrullshëm dhe impulsiv, ndërkohë që Xhibrili a.s. i kishte thënë:
- Është një rob i Allahut, në vendtakimin e dy deteve, që është më i ditur se ti...
Shpirti fisnik i Musait a.s., i etshëm për dituri, pyeti se ku mund ta gjente këtë rob të dijshëm, dhe pasi mori përgjigjen e duhur nga Allahu xh.sh., vendosi të udhëtonte për ta kërkuar Hidrin a.s..
Koment:
60. "(përkujto) Kur Musai djaloshit që e shoqëronte i tha: 'Nuk do të ndalem së ecuri deri ta arrij vendtakimin e dy deteve, ose do të udhëtoj një kohë të gjatë."
Prej këtij ajeti e deri në atë të 82-të, do të vazhdojmë shoqërimin me një tregim enigmatik, të mbuluar me velin e mistereve dhe të fshehtësive, prapa të cilit fshihen urtësi të panumërta, të cilat na zbulohen vetëm në fund të kësaj ngjarjeje, ku protagonistë janë dy njerëz të dashur të Allahut: Musai a.s. dhe Hidri a.s.. Që të dy, të pajisur me dije të ndryshme nga i Gjithëdijshmi, që të dy, robër të dashur e fisnikë të Allahut.
Pasi që Allahu xh.sh. e njoftoi Musain a.s. se ishte një rob tjetër i Allahut mbi sipërfaqen e Tokës më i ditur, Musai a.s. u zotua se do ta takonte patjetër atë njeri dhe vendosi të merrte rrugën për tek ai, pa marrë parasysh se sa kohë apo vite mund të zgjaste udhëtimi i tij.
Pasi pyeti si mund ta gjente atë, dhe pasi që u njoftua nga ana e të Lartmadhërishmit se ku mund ta gjente atë, u urdhërua të nisej për rrugë, por me kusht që në strajcën e tij të ushqimit të merrte me vete edhe një peshk të kripësuar. Atij iu bë me dije që, posa të arrinte në vendin e takimit, peshkut do t'i kthehej jeta e gjallëria. Aty ku peshku do të merrte udhën për të hyrë në det, pikërisht aty Musai a.s. do të gjente robin e ditur të Allahut.
Musai a.s. çau përpara në rrugën e tij të gjatë për të kërkuar dituri. Së bashku me të ishte edhe një djalosh, i cili po e mbante peshkun në strajcën me ushqime. Ata të dy vazhduan rrugën në kërkim të këtij robi të mirë e të devotshëm. Musai a.s. i kishte thënë djaloshit që e kishte marrë me vete: "Nuk po të ngarkoj me diçka tjetër, përveçse të më njoftosh për kohën dhe momentin kur ky peshk do të ikë prej teje..."
Sa i përket djaloshit i cili po e shoqëronte Musain a.s. në këtë udhëtim, sipas mendimit unanim të dijetarëve bëhet fjalë për Josha ibn Nun-in, njërin prej pejgamberëve të ardhshëm të Beni Israilëve pas Musait a.s., nëpërmjet të cilit Beni Israilët do të hynin në Kuds. Përndryshe, nëpër disa tefsire është shënuar se Josha ibn Nuni njëkohësisht ishte edhe djali i motrës së Musait a.s. dhe ishte në shërbim të tij.
Meqë vendi dhe personi të cilin ata po e kërkonin ishin të panjohur, e çështja ndërlidhej edhe me mrekullinë e rikthimit të jetës së peshkut të vendosur në strajcë duke u zhytur në det, kjo e bën këtë ngjarje krejtësisht të mjegullt. Por Musai a.s. ishte aq shumë i vendosur ta takonte këtë njeri të dijshëm, madje edhe nëse udhëtimi i tij do të zgjaste me vite të tëra.
Ashtu siç vërejtëm, fillimi i këtij udhëtimi ishte me shumë mistere: nuk dihej saktësisht as vendi i takimit e nuk njihej madje as personi me të cilin do të takohej Musai a.s.. Krejt çka dihej, ishin disa parashenja misterioze: vendtakimi i dy deteve, ku do ta takonin një njeri, dhe kaq. Shenja e vetme që duhej ndjekur për ta gjetur saktësisht vendtakimin, do të ishte ngjallja e peshkut që e kishin marrë me vete së bashku me gjërat e tjera ushqimore...
Në lidhje me pjesën e ajetit: "vendtakimin e dy deteve...", komentuesit e Kuranit janë përpjekur shumë të përcaktojnë vendin e këtij takimi misterioz, duke hamendësuar se për cilët dete bëhet fjalë. Disa prej këtyre mendimeve janë aq larg nga e vërteta, saqë nuk ia vlen as të përmenden. Ndërkohë që ne, duke analizuar rrethanat dhe pozitën gjeografike ku atëbotë jetonte Musai a.s. me popullin e tij, anojmë nga mendimi se fjala është për Gjirin e Suezit dhe atë të Akabës, puqja apo takimi i të cilëve ndodh pikërisht në krye të Gadishullit të Sinait, në anën jugore të tij.
Ky mendim është shumë i arsyeshëm, sepse dihet që pas largimit të Musait a.s. me Beni Israilët nga Egjipti, ai nuk kishte dalë me ta përtej Sinait, ku po vazhdonte të qëndronte, pasi që Allahu ua kishte ndaluar hyrjen në Kuds për 40 vite të plota.(4)
Ndonëse ky mendim është më i përafërti me të vërtetën, megjithatë edhe ky është një hamendësim, dhe nuk ka ndonjë peshë të theksuar, sepse po të ishte një gjë e tillë e kërkuar domosdoshmërish, sigurisht se për këtë do të na njoftonte Allahu xh.sh.. Në fakt, në këtë ngjarje, nuk kanë rëndësi as emrat e as vendet, por rëndësi ka mesazhi dhe porosia e kësaj ngjarjeje. E ngjarja lidhet me dituri, e cila nuk i ngjason diturisë sonë, e cila bazohet dhe varet nga shkaqet, e as nuk është dituri pejgamberike që vjen si rezultat i Inspirimit (Vahjit). Pra, ne gjendemi para një diturie enigmatike, e mbuluar me velin e fshehtësisë së madhe. Dituri shumë e lartë, dituri të cilën e mbulojnë perde të dendura misteri...
61. Kur arritën ata të dy vendtakimin e atyre deteve, e harruan peshkun e tyre, e ai (peshku) mori rrugën e vet si (strofull) në det.
Duke udhëtuar së bashku me djaloshin, arritën deri tek një shkëmb pranë detit. Musai a.s., i lodhur nga udhëtimi i gjatë në të panjohurën, u shtri të pushonte pak dhe menjëherë e zuri gjumi.
Djaloshi po qëndronte zgjuar, kur befas, erërat që filluan të frynin, ngritën një prej valëve të detit, e cila preku edhe shkëmbin mbi të cilin po qëndronin. Kur vala e ujit preku peshkun, ndodhi mrekullia. Peshku u ngjall dhe menjëherë, i rrëmbyer nga kjo valë, kërceu në det duke çarë çuditshëm rrugën drejt thellësive të tij.
Lëvizja e peshkut drejt detit ishte shenja, të cilën Allahu ia kishte bërë të ditur Musait a.s. si përcaktim të vendtakimit me këtë njeri të urtë, tek i cili ishte nisur Musai a.s. për t'u pajisur me dituri.
Musai a.s. u ngrit nga gjumi, duke mos vërejtur që peshku kishte çarë në thellësitë e detit. Djaloshi që po e shoqëronte atë, i tronditur nga ajo që kishte parë, harroi t'i tregonte se çfarë kishte ndodhur me peshkun. Ata të dy vazhduan të ecnin pjesën e mbetur të ditës, duke e harruar fare peshkun e tyre...
62. Pasi ata e kaluan atë vend, ai (Musai) i tha djaloshit: "Na jep drekën tonë (ushqimin), meqë nga ky udhëtim jemi lodhur."
63. Ai (djaloshi - Josha ibn Nun) tha: "A e sheh!? Kur u strehuam te shkëmbi, unë e harrova peshkun dhe, përveç djallit, nuk më bëri kush të harroj që të ta përkujtoj ty atë. Dhe ai, në mënyrë të çuditshme, mori rrugën e tij për në det!"
Pas një udhëtimi të gjatë, Musai a.s. ndjeu lodhje dhe iu drejtua djaloshit me fjalët: "Na e jep drekën tonë, sepse e kemi merituar pas këtij udhëtimi të gjatë."
Vetëm në këtë çast, djaloshit iu kujtua ajo që kishte ndodhur. Para syve të tij u përfytyruan imazhet e rrëshqitjes së peshkut në det, dhe vetëm tash e njoftoi Musain a.s. për atë që kishte ndodhur. I kërkoi falje duke u arsyetuar se shejtani e kishte bërë të harronte që të mos ia përmendte atë që kishte ndodhur.
Pamja që e kishte soditur djaloshi që po shoqëronte Musain a.s. kishte qenë befasuese dhe hutuese në të njëjtën kohë. Ai kishte parë peshkun teksa çante ujin, duke lënë pas një gjurmë, sikur të ishte ndonjë shpend që mbështillet në një strofull rëre... Kurrë në jetën e tij nuk kishte parë diçka të tillë të çuditshme... Mbase, i tronditur nga mrekullia që kishte parë, harroi t'ia përmendte këtë Musait a.s. pasi qe zgjuar.
Sidoqoftë, këtu qëndron urtësia e mistershme e takimit që pritej të ndodhte pas pak kohe...
64. Ai (Musai) tha: "Ai është (vendi) që ne po e kërkojmë!" Dhe u kthyen që të dy rrugës së tyre prej nga kishin ardhur.
Djaloshi priste që Musai a.s. ta qortonte për këtë lëshim, por u befasua nga shenjat e gëzimit në fytyrën e tij. Musai a.s. u gëzua fort kur kuptoi se peshku kishte çarë rrugën për në det dhe tha: "Kjo është ajo që dëshironim dhe kërkonim."
Rrëshqitja e peshkut përkufizonte dhe përcaktonte vendin ku ai do të takohej me njeriun e ditur, kështu që ata të dy menjëherë iu kthyen sërish gjurmëve të tyre nga kishin ardhur.
Më në fund, Musai a.s. së bashku me djaloshin arritën fare pranë shkëmbit mbi të cilin kishin pushuar e fjetur, prej nga peshku kishte marrë rrugën e tij të çuditshme për në det. Kur u afruan, aty gjetën një njeri...
65. Dhe e gjetën një nga robërit Tanë, të cilit i kemi dhuruar mëshirë nga ana Jonë dhe e kemi mësuar me një dituri të posaçme nga Ne.
Ky ishte robi i urtë i Allahut, emrin e të cilit teksti kuranor e la të fshehur. Ishte robi të cilin po e kërkonte Musai a.s. për të marrë dituri prej tij.
Musai a.s. ishte "kelimullah" dhe njëri prej pejgamberëve të vendosmërisë së lartë (Ulul Azmi). Ishte pronar i mrekullisë së shkopit, të cilin Allahu, nëpërmjet duarve të tij, e shndërronte në gjarpër të madh, si dhe i dorës, të cilën kur e nxirrte, i bënte dritë. Ishte pejgamber të cilit Allahu ia kishte zbritur Tevratin pa ndërmjetësues. Përkundër të gjitha këtyre fisnikërimeve nga ana e Allahut xh.sh., Musai a.s. vazhdonte të ishte i etshëm për dituri të reja.
Ndërsa në lidhje me robin e urtë, të cilit Allahu, nga mëshira e Tij, i kishte dhuruar dituri hyjnore, nuk dimë më tepër nga ajo që na e ka përshkruar Kurani famëlartë:
"Dhe e gjetën një nga robërit Tanë, të cilit i kemi dhuruar mëshirë nga ana Jonë dhe e kemi mësuar me një dituri të posaçme nga Ne."
Dijetarët nuk janë unikë në mendime rreth Hidrit a.s.. Dikush prej tyre e konsideron atë si një prej evliave të Allahut, e dikush si të dërguar të Tij. Rreth jetës dhe ekzistencës së tij janë thurur mite e legjenda të shumta. Është thënë se Hidri a.s. vazhdon të jetojë dhe të jetë i gjallë deri në Ditën e Gjykimit, por kjo është një çështje të cilën nuk e kanë potencuar as tekstet kuranore, e as suneti i Resulullahut s.a.v.s., e madje as të dhënat e besueshme historike.
Ne nuk themi asgjë më tepër lidhur me këto fjalë, pos asaj që Hidri a.s. është një prej robërve të Allahut. Megjithëse ende mbetet enigmë të qenët e tij evlia apo i dërguar i Allahut, ne anojmë nga mendimi i fundit, se ai ishte një prej të dërguarve të Allahut - çështje të cilën do ta argumentojmë më vonë, kah fundi i ajeteve të kësaj ngjarjeje.
66. Atij (Hidrit - njeriut të mirë e të dijshëm), Musai i tha: "A pranon të vij me ty, që të më mësosh nga ajo që je i mësuar (i dhuruar) ti: dituri të drejtë e të vërtetë?"
Më në fund, dëshira e Musait a.s. u plotësua. Ai u takua me robin e mistershëm të cilin po e kërkonte për të mësuar prej tij. Imam Buhariu përcjell këtë ngjarje nëpërmjet hadithit të gjatë nga ana e Resulullahut s.a.v.s., në të cilin thuhet se Musai dhe djaloshi e gjetën Hidrin të ulur mbi një tepih të gjelbër buzë detit, i mbuluar tërësisht me rrobën e tij. Njërën anë të petkut e kishte vendosur nën këmbë, kurse me cepin tjetër kishte mbuluar kokën.
Musai a.s. e përshëndeti me selam, ndërsa Hidri a.s. zbuloi fytyrën dhe tha:
- A ka përshëndetje të selamit në vendin tënd? Kush je ti?
- Unë jam Musai, - u përgjigj ky.
- Musai i beniisrailëve?! - tha me habi Hidri a.s. dhe vazhdoi:
- Edhe mbi ty qoftë paqja dhe shpëtimi i Allahut, o i dërguari i beniisrailëve.
- Prej nga e di që unë jam Musai i beniisrailëve? - pyeti plot habi ky.
- Më ka njoftuar Ai që të ka drejtuar e udhëzuar tek unë, o Musa. Çfarë dëshiron prej meje? - tha Hidri a.s.
Musai a.s., me butësi e respekt të thellë, tha:
- A mund të të shoqëroj dhe të më mësosh nga ajo që ti je udhëzuar...?[^5]
67. Ai (Hidri) tha: "Sigurisht, ti nuk do të mund të kesh durim me mua! 68, Si do të durosh për atë që nuk je i njoftuar?" 69. (Musai) Tha: "Në dashtë Allahu, do të shohësh se do të jem i durueshëm dhe nuk do të kundërshtoj ty për asgjë!" 70. Ai i tha: "Nëse më sho qëron ti mua, atëherë mos më pyet për asgjë, derisa unë vetë të të tregoj për të".
Hidri a.s., duke parë vendosmërinë e Musait a.s. për t'u pajisur me dituri, iu drejtua me fjalët:
- O Musa, kam frikë se ti nuk do të kesh durim për të më shoqëruar. Diturinë time vështirë se mund ta kuptosh dhe nuk do të kesh gatishmëri të durosh, sepse dukuritë në bazë të të cilave do të gjykosh dijen dhe veprat e mia, nuk do të të flenë në zemër dhe nuk do të të japin ndonjë sqarim të kënaqshëm. Mbase nga sjelljet e mia do të shohësh diçka që nuk do të arrish ta kuptosh dot e as do të arrish t'i gjesh ndonjë arsyetim, prandaj po të them që tash, se ti nuk mund të kesh durim ndaj diturisë sime, o Musa.
Në anën tjetër, Musai a.s., i cili ishte nderuar me ofiqin "Kelimullah", me modestinë më të madhe e siguroi këtë rob të mbuluar me mister se nuk do t'ia thyente urdhrin...
Këtu dëshirojmë të ndalemi për një çast, për të vërejtur dallimin në mes të pyetjes së Musait a.s., plot butësi, mirësjellje e respekt, në njërën anë, dhe përgjigjes shumë të ftohtë të Hidrit, në anën tjetër. Përgjigjja e tij, në mënyrë indirekte, ia bënte me dije Musait a.s. se dituria e tij nuk ishte e preferuar për Musain a.s. që ta mësonte, ashtu siç edhe dituria e Musait ishte dituri të cilën Hidri nuk e dinte.
Musai a.s. i përpiu disi këto fjalë të ftohta të Hidrit a.s., vetëm që ta lejonte për ta shoqëruar dhe të mësonte prej tij. Musai a.s. i kishte thënë se, me lejen e Allahut, do ta gjente atë prej durimtarëve, duke mos ia thyer asnjë urdhër.
Ky rob i Allahut, emrin e të cilit Kurani e lë enigmatik, i kishte thënë Musait se e kishte vetëm një kusht, të cilit, nëse do t'i përmbahej në mënyrë strikte, atëherë do të mund ta shoqëronte dhe të mësonte prej tij. Kur Musai a.s. kërkoi sqarim shtesë për këtë kusht, robi i heshtur ia bëri me dije se kushti ishte pikërisht "heshtja", që nënkuptonte se Musai a.s. nuk duhej ta pyeste për asgjë, derisa vetë Hidri a.s. nuk do t'ia sqaronte të gjitha të fshehtat.
Musai a.s., pa kurrfarë hezitimi, e pranoi këtë kusht dhe së bashku u nisën në udhëtimin e tyre... - vijon
________________
1. Sahihul Buhari (4726)
2. Sahihu Muslim (2380)
3. Mustafa ibn el-Adevijj, Tefsir Suretul Kehf fi sualin ve xhevabin, f. 208, Tanta-Egjipt 2004
4. Et-Tefsirul Mevdui li suveril Kuran, v. 4, f. 366-367
5. Imam Buhariu (kapitulli: Komentimi i Kuranit, hadithi nr. 4357), transmetuar nga Amr ibn Dinari dhe Ja'la bin Muslim, nga Seid ibn Xhubejri, nga Ibn Abasi, nga Ubejj bin Ka'bi, e ky nga i Dërguari i Allahut.
Shih: Hadaiku-r-Rrevhi ve-r-Rrejhan... v. 16, f. 432-434.
Sabri Bajgora