Në historinë e botës së banuar nga njerëzit që nga Ademi a.s. e këndej, për të gjithë popujt ka pasur ngjarje që kanë luajtur role dhe rëndësi të veçantë në jetën e tyre, prandaj dhe shënohen në analet e historisë së tyre me shkronja të arta, ngase çmohen për efektin dhe gjurmët që kanë lënë. S'ka dyshim që ndodhia e hixhretit të Muhamedit a.s., më plot të drejtë, konsiderohet ngjarja më e madhe e shënuar në histori përplot mbresa, gjurmë dhe vlera të të gjitha fushave - morale, politike, ekonomike, strategjike, kulturore dhe taktike, për një perspektivë të ndritur, pa ndodhinë e të cilit (pra të hixhretit) nuk do të kishte bota këtë pamje që ka sot. Nga ky aspekt hixhreti mbetet ngjarje e përjetshme deri në Ditën e Gjykimit që sjell për botën, në përgjithësi, dhe për myslimanët, në veçanti, bukuritë e tij me vlerat e pashtershme duke i ushqyer mendjet dhe duke i pajisur ato me vlera të mirëfillta në zhvillimin e tyre dhe ngritjen e avancuar për zhvillim të përherhëm në zgjidhjen e problemeve që u sfidohen atyre.
Hixhreti i Nuhit a.s..
Shumëkujt nga ne nuk i shkon mendja fare se hixhreti i Nuhit a.s., së bashku me ithtarët e tij, ishte një ngjarje e tillë e çuditshme, që kishte të njëjtin motivacion. Pas lëvizjes së anijes, e cila u vu në udhëtim lundrues bashkërisht me muhaxhirët, Nuhi a.s. nuk e dinte se ku po udhëtonte, por këtë ngjarje ata të gjithë e prisnin të ndodhte vetëm me caktimin e të Madhit Zot xh.sh., vendndalimi i tyre dhe qëllimi i tyre për destinimin e tyre në vazhdimësi të mëtutjeshme. Kështu, misioni i thirrjes së popullit të tij që bëri Nuhi a.s. për plot 950 vjet, pati si rezultat vetëm një masë të vogël besimtarësh, që iu përgjigjën thirrjes së tij. E gjithë kjo kohë ka qenë përplot telashe e probleme me vështirësi ngjyrash të ndryshme e mbushur përplot mllef, dhunë dhe torturë ndaj Nuhit a.s. dhe besimtarëve të tij. Kur e gjithë kjo arriti kulmin nga populli pabesimtar ndaj Nuhit a.s. dhe besimtarëve të tij, atëherë ndodhi ajo që ndodhi. Migruan Nuhi a.s. dhe besimtarët e tij, kurse të tjerët u përmbytën nga vërshimi i ujit, i paparë ndonjëherë për botën, për të marrë kriminelët dënimin e merituar nga qielli dhe Toka, që u dërgoi i Madhi Zot. Dhe kështu i Madhi Zot bëri të mundshme që anija e Nuhit a.s., e cila e bartte atë dhe besimtarët e tij, t`i shpëtonin asaj katastrofe ndëshkuese dhe të arrinin e të zbarkonin në Xhudijj. Nga e gjithë kjo, na bëhet e qartë se Nuhi a.s. bëri hixhret nga një tokë ku ishin shfaqur krimi e dhuna, në një vend të ri, ku do të jetonin të qetë larg ambientit dhe tokës përplot kujtime të hidhura, lodhje e tortura të të gjitha ngjyrave nga më çnjerëzoret që kishin pësuar.
Hixhreti i Ibrahimit a.s..
Ndërsa, për sa i përket mikut të Allahut xh.sh., ky ishte pronar i disa hixhreteve, dhe po ashtu shkaqet dhe arsyet për veprime të tilla ishin të njëjta dhe identike. Edhe këtë njëri e mundonte populli i tij ishte me babain e tij Azeri, në krye, dhe kjo dëshmon që rruga e misionit të tij ishte e vështirë, por a ka më vështirë se hedhja në zjarr, që i ndodhi Ibrahimit a.s.? Dhe e gjithë kjo ndodhi, edhe pse Ibrahimi a.s. fillimisht nuk i sulmoi zotat e tyre, të cilët i kishin ndërtuar ata me duart e tyre, por dështoi përpjekja dhe orvatja për t'i bindur që të vinin në besimin e drejtë, prandaj më vonë u detyrua që edhe të thyente zotat e tyre për të lënë vetëm të madhin nga ata (zotat), derisa e gjetën, e arrestuan dhe e gjykuan me djegie zjarri.
1.Por e gjithë kjo dështoi dhe deshi i madhi Zot xh.sh. që Ibrahimi a.s. të shpëtonte nga ky dënim i paparë, shëndoshë e mirë. Prandaj, pas tërë asaj që ndodhi, u detyrua të shpërngulej patjetër - të bënte hixhret në një vend tjetër, i cili do të pranonte thirrjen e tij. Migroi në tokën e Keldanijinëve e pastaj në haranë dhe, së fundi, migroi në Palestinë, ku kishte marrë me vete edhe bashkëshorten e tij, Sarën, dhe djalin e vëllait të tij, Lutin a.s., prandaj do të thoshim me plotë të drejtë se aty në atë rast qenë bashkuar dy hixhrete për dy të dërguar të Allahut në një hixhret.
2.Arsyet që e detyruan të migronte Ibrahimin a.s., ishin po ato që detyruan për të migruar edhe Lutin a.s.. nga vendlindja e tij. Nga e gjithë kjo, shihet qartë se sa të mëdha ishin vuajtjet e këtyre të dërguarve të Allahut. Këtu do të theksonim edhe përpjekjet e Lutit a.s. për thirrjen në rrugë të drejtë për popullin e tij dhe kokëfortësinë e popullit të tij që të mos dëgjonte fjalën e Lutit a.s., dhe të atyre që pasuan rrugën e tij nga besimtarët. Ata nuk u mjaftuan vetëm me kaq, por edhe shtuan torturat dhe vuajtjet ndaj Lutit dhe popullit të tij besimtar. Por edhe më tragjike dhe një cilësi e vrazhdë ishte sidomos amoraliteti e atij populli të degjeneruar, dhe ata jo që nuk pranonin fjalën e të dërguarit të tyre, që e kishte dërguar i Madhi Zot tek ata për t`i nxjerrë në rrugën e dritës dhe lumturisë, por e tallnin dhe e përqeshnin përplot urrejtje dhe ofendime të ndryshme, për të arritur kulmin e të gjitha këtyre, kur ata bënë veprimin moralisht më të ulët duke thyer ligjet martesore, sepse martoheshin meshkujt në mes vete, një shembull ky i paparë ndonjëherë më përpara. Po këtë nuk e pranon logjika e shëndoshë. Përpjekja e Lutit a.s. për t'i ndaluar nga kjo cilësi e pistë dhe e ndyrë, nuk mungoi asnjëherë, por ai nuk arriti të kishte sukses. Kështu, pasi humbi të gjitha shpresat për udhëzimin e popullit të tij, nuk i mbeti tjetër veçse të mendonte për hixhret. Nga kjo kuptojmë që hixhreti i Nuhit a.s. ishte kolektiv, me gjithë besimtarët e tij, kurse hixhreti i Ibrahimit a.s. dhe ai i Lutit a.s. ishin në mënyrë individuale, me përjashtim që Ibrahimin a.s. e shoqëronte bashkëshortja e tij, sepse rrethanat ishin të tilla, ndoshta në kohën e Ibrahimit a.s. dhe Lutit a.s. populli i tyre nuk mendonte që të leçiste edhe besimtarët e tyre për t'i detyruar për hixhretin, sepse ata mendonin se me përzënien e dy pejgamberëve, do të hiqnin qafe të gjitha shqetësimet, që përjetonin sipas tyre, nga të dërguarit e Allahut xh.sh. dhe se më tutje do të jetonin të qetë dhe në mënyrë të rehatshme.
Hixhreti i Musait a.s.
Këtu kemi të bëjmë me dy hixhrete, një që i ndodhi para pejgamberllëkut të tij dhe, i dyti, pas marrjes së Shpalljes, e kjo e dyta do të jetë edhe pika së cilës do t`i referohemi ne. Për sa i përket hixhretit para Shpalljes, ishte ai pas ndodhisë së shpullave (grushtimit) të një kundërshtari të një bashkëvendësi të tij izraelit (i cili ishte nxënë me një egjiptas) në një qoshe të qytetit, ku pas kësaj ndodhie egjiptasit hulumtonin se cili ishte ai që kishte bërë këtë krim për ta arrestuar dhe për ta vënë para gjykatës për të marrë dënimin e merituar, mirëpo Allahu xh.sh. deshi mbrojtjen e tij dhe dërgoi një lajmërues, i cili e këshilloi Musain a.s. të largohej nga vendi, sepse forcat e sigurisë po e kërkonin këmba-këmbës, dhe në këtë mënyrë ai arriti të shpëtonte nga më e keqja. U shpërngul në Medjen. Pastaj tregimi vazhdon…Ndërsa, për sa i përket hixhreti pas Shpalljes së Musait a.s., ndodhi atëherë kur Allahu i dërgoi Musain me të vëllamë e tij, harunin, te faraoni dhe populli i tij, për t`i thirrur në rrugën e drejtë - në iman. Meqë faraoni nuk pranoi thirrjen e tyre, shtoi presionin dhe kërcënimin ndaj tyre dhe besimtarëve të tyre, duke dëshiruar shfarosjen e beni-Israilëve dhe mbytjen e dy pejgamberëve të Allahut xh.sh. - Musait a.s. dhe Harunit a.s.. Në ato çaste Allahu e urdhëroi Musain a.s. që, së bashku me vëllain e tij Harunin a.s. dhe popullin e tij, beni-Israilët të largoheshin nga Egjipti dhe të shkonin në Palestinë. Prandaj komentin dhe zgjatjen në këtë tregim nuk e shohim të arsyeshme në detajet e më pastajme, duke konsideruar se për këtë janë njohuritë e mjaftuara të çdo studiuesi dhe lexuesi të historisë së pejgamberëve.
Nga hixhreti i pejgamberit a.s. duhet të marrim yrnekun, mostrën dhe shembullin konkret e praktik, ngase hixhreti i tij thjesht nuk ishte vetëm migrim, shpërngulje apo transferim prej një vendi në një vend tjetër, por ishte një strategji e studiuar që përmbante në vetvete përplot koncepte praktike, taktikë, vizion, qëllim, realizim dhe arritje e finalizimin që mundësoi përmbushjen e synuar për tek caku, me një përgatitje dhe angazhim të vazhdueshëm. hixhreti i Pejgamberit ndërtoi klasën shoqërore të mbështetur mbi bazë të vlerave dhe drejtësisë, e cila shporri krimin, sherrin dhe të këqijat. Ishte një shoqëri që ngriti vetveten e saj përmes fesë së Allahut dhe që u kap fort bindshëm për të, teorikisht dhe praktikisht e ngritën atë (fenë e Allahut) dhe me të u ngritën edhe vetë. Në arabishte fjala El-hixhretu (e lexuar haja me kesre) në pikëpamjen gjuhësore ka kuptimin: dalje (shkuarje) prej një vendi në një vend tjetër, që jep të kuptohet braktisja e të gjitha atyre që posedon absolutisht. Në fjalorin e Sheriatit islam është me kuptim të: daljes (shkuarjes) nga vendi i kufrit në vendin e imanit (prej darul kufrit në darul islam). Kjo pra është një çështje që Allahu e ka bërë obligative për myslimanët, kur atyre iu ngushtua hapësira e lirisë nga mushrikët mekas dhe u rritën tmerri e terrori prej atyre (mushrikëve) ndaj këtyre (myslimanëve). Ky obligim u bë i tillë për të mbrojtur fenë e tyre dhe vetveten e tyre, sepse, përndryshe, do të përfundonin në dënim të Xhehennemit, sikur e thotë i Madhi Zot në Kuran (En-Nisa, 97- 98-99-100).
Dispozita e hixhretit pas çlirimit të Mekës
Hixhreti nga Meka në Medinë ishte obligim për të munduarit, mbrojtje dhe përkrahje për të dërguarin Muhamed a.s. për fenë islame, dhe siguri për vetveten e tyre nga terrori i mushrikëve. Mirëpo, pas çlirimit të Mekës, përfundoi obligueshmëria e hixhretit. Për këtë i dërguari i Allahut xh.sh. Muhamedi a.s. thotë: " Nuk ka hixhret pas çlirimit, po xhihad dhe nijet". Këto dy hixhrete, të cilat theksohen në këtë hadith e që mbeten aktive, janë:
1. Të ikurit - të shpërngulurit nga haramet - të ndaluarat, në lidhje me se Muhamedi a.s. thotë:" Tanimë muhaxhir është ai që emigron nga të ndaluarat e Allahut".
2.hixhreti i mëkatarëve nga mëkatet, pra, të lënët e mëkateve - gjynaheve derisa të përmirësohen dhe të udhëhiqen nga një edukatë e mirë dhe të mos përzihen me mëkatarë e të pendohen sinqerisht identikë me atë se si veproi Muhamedi a.s. me Kaë`b ibn Malikun dhe dy shokët e tij, të cilët nuk e shoqëruan Pejgamberin a.s. në luftën e Tebukut, që thekson i Madhi Zot në Kuran (Et-Tevbetu, 118)
Llojet e hixhretit në tokë dhe dispozitat:
Sipas Ibni Arabiut, dijetarët thonë që lëvizjet - dyndjet, emigracionet për njerëzit në tokë, ndahen në dy grupe: "Ikje dhe kërkim". Për sa i përket grupit të parë Ikje, ndahet në gjashtë grupe:
1.Dalja nga vendi i kufrit në vendin e Islamit. Kjo kategori ishte obligim para çlirimit të Mekës, duke lënë Mekën për të shkuar në Medinë. Por, pasi banorët e Mekës përqafuan Islamin, ky obligim pati përfunduar, mirëpo ky lloj i hixhretit, ngjashmëria e tij, mbetet i lejuar dhe obligativ gjer në Ditën e Gjykimit nga ato vende ku pjesa dërrmuese e popullit të saj janë qafirë - pabesimtarë, që të emigrojnë në tokat islame, e kush mbetet në to, është mëkatar. Mirëpo, kur jemi këtu, duhet të theksojmë patjetër se dijetarët myslimanë kanë lejuar mbetjen aty - pra në vendet të banuara me pabesimtarë shumicë për myslimanin e fortë në iman, i cili nuk ka frikë nga pabesimtarët se mund të devijojë, me gjasë që mbetja e tij do të jetë ndoshta shembull ideal me veprimet e tija të mira në atë rreth për të përfituar masën e gjerë nga pabesimtarët dhe kështu ky ndikim ndoshta të ishte ai që t'i bënte ata të përqafonin Islamin dhe të bëheshin besimtarë, shembuj këta që kishin ndodhur me tregtarët myslimanë, të cilët kishin ndikuar që shumë popuj të përqafonin Islamin, sikur kishte ndodhur në Indonezi, Filipine e gjetkë.
"Kur t'i shohësh ata që thellohen (me nënçmim) në dokumentet Tona, largohu prej tyre, derisa të (mos) kalojnë në një bisedë tjetër. E, nëse djalli të mashtron, mos rri me zullumqarë pasi ta kujtosh."
Ikja nga vendi prej terrorit, dhunës dhe rrezikut që kanosin ekzistencën fizike e shëndetësore. Dhe i pari që veproi në këtë pozicion, ishte Ibrahimi a.s. nga populli i tij, për se Allahu xh.sh. thotë në: (El-Ankebut, 26) dhe (El -Kasas, 11)
Ikja nga vendi, nëse e kaplon sëmundja e rëndë apo infektimi nga një sëmundje e rrezikshme, dhe kalimi në një vend të sigurt. Mirëpo këtu bën përjashtim sëmundja e rëndë e kolerës ose ndonjë e ngjashme me të, që janë vdekjeprurëse në mënyrë masive. Për këtë dijetarët myslimanë thonë që, kur është fjala për sëmundjet, ky emigrim është i papëlqyer apo i urrejtur (qerahet), në mënyrë që të mos mundësohet bartja e sëmundjes dhe përhapja e saj nga vendi i infektuar në vendin e pastër. Sepse, me emigrimin e njerëzve, mund të barten mikrobet e sëmundjeve të tilla dhe pasojat të jenë të kobshme. Ky veprim (mbetja në vendin e tij) është i pëlqyer dhe i pranuar në Sheriatin tonë islam.
Ikja nga vendi ku nderi dhe pasuria rrezikohen
Nëse, gjendesh në pamundësi për të ruajtur nderin dhe pasurinë, atëherë edhe në këtë situatë emigrimi është i lejuar. Sepse mbrojta e nderit dhe e pasurisë është e barabartë me mbrojtjen e gjakut - jetës. Ndërsa, për sa i përket grupit të dytë të hixhretit, që ishte Kërkim, ky emigrim mund të jetë për dy arsye:
1. Në kërkim të dinit - fesë, ose në kërkim të dynjasë - të mirave materiale. Për sa i përket emigrimit në kërkim të dinit - fesë, për të mësuar nga e kaluara e popujve dhe ajo që ndodhi me ta, është gjë e lejuar dhe e pëlqyer. Allahu xh.sh. thotë në Kuran (shih, Err-Rrum: 9).
Po ashtu edhe dalja për të shkuar në haxh, një udhëtim ky i cili është obligim për çdo mysliman të mundshëm, që nuk e ka bërë haxhin më parë. Po ashtu, edhe dalja në luftë - xhihad, pozicion ky që mund të jetë farzi ajn ose farzi kifaje - një obligim personal ose i pjesërishëm, ose synet, në varësi nga situata. Po ashtu, këtu renditet edhe dalja për të kërkuar jetë më të mirë për atë që në vendin e tij e ka jetesën të vështirë, - e ka të drejtën e emigrimit në vendin ku mund të jetojë më mirë. Ndërsa, për sa i përket shtimit të pasurisë dhe fitimit, lejohet nëse ka të sigurt ruajtjen e fesë së tij dhe të vetvetes së tij nga devijimi. Preferohet që ai të marrë me vete Kuranin dhe literaturën fetare të nevojshme, në mënyrë që të jetojë në frymën islame dhe ta mbrojë vetveten e tij nga rrëshqitja dhe tjetërsimi. Po ashtu, nga udhëtimet e lejuara numërohen edhe udhëtimet për tregti dhe për përfitime e sjellje të ushqimit dhe të mirave të tjera për ekzistencë. Besimtarit mysliman i lejohet që të udhëtojë nga një vend në një vend tjetër dhe që të kthehet në vendin e tij si tregtar fitimprurës dhe me të mira të tjera materiale. Për të gjitha këto flasin ajetet kuranore (shih El-Bekaretu, 195); (El-Mulk, 15) dhe (El-Bekaretu, 198). Nga e tërë kjo shihet që kërkimi për rrëskun - furnizimin, është i lejuar edhe pse kjo ndoshta, në shikim të parë, duket si e mirë materiale e kësaj bote.
Ndërsa, për sa i përket fesë dhe të kërkuarit e saj, si të kërkuarit e diturisë është prej obligimeve të pjesërishme - farzi kifaje, në Kuran Allahu xh.sh. thotë (Et-Tevbetu,122). Po ashtu, nga dalja (hixhreti) është udhëtimi në tri vendet e shenjta: Mekë, Medinë dhe Kuds (Jerusalem), me qëllim të ibadetit në to - gjegjësisht në xhamitë e tyre. Ibadeti (namazi) në këto xhami është më i vlefshëm dhe me sevape të shumëfishta, për se Muhamedi a.s. thotë: "Nuk arrihet shpërblimi i udhëtimit përpos në tri xhami". (Ahmedi, Nesaiu dhe Termidhiu). Këtu, në këtë hadith, bëhet fjalë për Xhaminë e Pejgamberit a.s. në Medinë, mesxhidi-haramin në mekë dhe Mesxhidul Aksan. Pastaj hixhreti - dalja për në rrugën e Allahut xh.sh., në mbrojtje dhe për të ndihmuar ligjshmërinë e mbrojtjes nga armiku dhe largimin - evitimin e tij. Pastaj në këtë kategori radhitet edhe vizita që u bëhet të afërmve për hir të Allahut xh.sh.. Për këtë qëllim Pejgamberi a.s. thotë: Një njeri e kishte vizituar vëllain e tij në një fshat dhe se atë e shoqëronte një melaqe në udhëtimin e tij dhe e pyeti se ku po shkonte. vizituesi ishte përgjigjur që donte të vizitonte vëllain e tij në atë fshat! E pyeti meleku vizitorin se a kishte lidhje farefisnore apo ndonjë interes tjetër, e vizituesi i kishte thënë që nuk ishin asnjëra nga ato (motive), po e bënte për hir të Allahut xh.sh., që e donte dhe po e vizitonte për Allahun.
Ndërsa, për sa i përket hixhretit - daljes për të kërkuar begatitë e kësaj bote ose udhëtimit pas tyre, nëse është qëllimi - nijeti jo i sinqertë, pra jo për Allahun xh.sh., ky është i lejuar, por pa shpërblim dhe sevap tek i Madhi Zot, sipas asaj që dëshmon fjala e Pejgamberit a.s. në hadithin e tij: "veprat janë sipas qëllimit, prandaj edhe shpërblehen sipas tij". (Buhariu, Ebu Davudi dhe Nesaiu).
Përfundimi
Se popujt nuk mund të jetojnë përgjithnjë të robëruar, të përbuzur dhe të dobët, po edhe ata duhet të gëzojnë një ditë krenarinë dhe identitetin e tyre. Dobësia nuk është prej karakteristikave e veçorive të atyre popujve të cilët mësyjnë prosperitetin dhe ngritjen e tyre, sepse shtypjen nuk e duron dot njeriu i ndershëm. Prandaj, sa herë që kujtojmë hixhretin e Muhamedit a.s. me shokët e tij prej Mekës në Medinë, duhet të mendojmë shembullin e lartë të sakrificës, që lanë atdheun, pasuritë, shtëpitë e tyre, vetëm e vetëm për hir të lirisë së besimit. Kaluan faza të vështira dhe sprova të ndryshme, por qëndruan të patundur në besimin e tyre dhe prandaj Allahu i ndihmoi ata dhe triumfuan me fitore në këtë botë, sikurse dhe në tjetrën do të kenë shpërblimin për suksesin e tyre të arritur, me vendbanim të përhershëm në Xhenet, ku do të hyjnë engjëjt nga të gjitha dyert e tij (Xhenetit) e do t`u thonë: Paqja qoftë për ju, ky është shpërblim i durimit tuaj. Sa përfundim i shkëlqyeshëm është ky vendbanim!
O Zot, pastroji zemrat dhe shpirtrat tona e ndriçoji mendjet tona, që të veprojmë mirë e të na bëhet edhe neve vendi në Xhenet!