Sa kemi nevojë që, kur ta presim vitin e ri hixhri dhe të përfundojmë vitin e kaluar hixhri, të ndalemi e të mendojmë për këtë ngjarje madhështore, për ngjarjen e shpërnguljes së Pejgamberit a.s., të cilën ashabët (shokët e Pejgamberit a.s.) e kanë konsideruar fillimi i historisë së Ymetit. Viti që po përfundojmë dhe tjetri që po e presim, quhet Viti Hixhri, dhe i atribuohet shpërnguljes së Muhammedit a.s., që është shpërngulja prej Mekës në Medinë.
Në kërkim të vendstrehimit për Islamin
Kjo shpërngulje ishte kërkim vendi për Islamin, për strehimin e Islamit, ku do t'i realizonte synimet e tij, ku do të praktikonte ritet e tij, ku do të zbatonte ligjet e tij, ku do të themelonte shtetin e vet, ku me Islamin do t'i frikësonte armiqtë e vet, ku me të do t'i edukonte individët e vet dhe ku do të komunikonte mesazhin e vet.
Pejgamberi a.s. kishte nevojë për një vend të lirë, në të cilin do të qëndronte Islami dhe do të lëvizte prej atje. Meka, ku filloi zbritja e Shpalljes, e ishte edhe vendlindja e Pejgamberit a.s., për fat të keq, nuk mund të ishte vendstrehim për Islamin, sepse aty kishte vuajtur Pejgamberi a.s. dhe ashabët, e ishin torturuar në forma të ndryshme për trembëdhjetë vjet, sa e sa njerëz kishin hequr, sa e sa kishin pësuar, dy herë ishin shpërngulur për në Abisini, ishin izoluar dhe kishin qëndruar të bojkotuar tre vjet, saqë hanin edhe gjethet e pemëve.
Prandaj, ishte e domosdoshme të kërkohej një vend në të cilin do të ngrihej Shteti Islam, do të realizohej shoqëria islame dhe do të bëhej baza e Ymetit islam, e ky vend ishte toka e Jethribit, e cila më pastaj u quajt Medina e ndriçuar. Islami kërkonte një vend për ngritjen e shtetit, sepse Islami nuk mund të ishte tjetër veçse fe dhe shtet, veçse të realizonte vetveten në një shtet të ngritur mbi kryerjen e obligimeve, urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, siç ka thënë Allahu xh. sh. : "E Allahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se Allahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues. (Ai ndihmon) Ata të cilët, kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zeqatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej së keqes. Allahut I takon përfundimi i çështjeve" (El-Haxhxh, 40-41. ), - kjo është realizuar në
Medinën e ndriçuar.
Allahu xh. sh. i përgatiti të dërguarit të Tij këta persona nga fisi Evs dhe Hazrexh, të cilëve Allahu ua hapi zemrat e tyre për këtë fe, e pranuan këtë fe dhe e mirëpritën atë, sa kohë që shumë fise e patën refuzuar. Ndërkaq, në anën tjetër, disa fise të tjera ia kushtëzuan me disa dobi të caktuara për ta, si p. sh. t'u mbetet atyre udhëheqja pas tij (Pejgamberit a.s. )! Kush hyn në këtë fe për qëllime të kësaj bote apo për dobi materiale, atij nuk i pranohet, në këtë fe duhet të hyhet patjetër për Allahun, derisa namazi i tij, kurbani i tij, jeta e tij, dhe vdekja e tij të jenë thjesht për Allahun, Zotin e botëve. Këto i pranuan fisi Evs dhe Hazrexh, e Allahu i Lartësuar i nderoi ata me Islam, ndërsa Pejgamberi a.s. dërgoi tek ata Mus'ab ibn Umejrin (thirrësi i parë dhe përfaqësuesi i parë i Pejgamberit a.s.), që t'ua lexonte atyre Kuranin, t'i njihte me Islamin, t'ua mësonte degët e besimit, derisa hynë gati të gjithë medinasit në fenë e Allahut, nuk mbeti shtëpi nga fisi Evs dhe Hazrexh pa hyrë në Islam me mirësinë e Allahut së pari, pastaj me mirësinë e Mus'ab ibën Umejrit, këtij thirrësi të suksesshëm. Më pas ndodhën edhe besëlidhja e parë dhe besëlidhja e dytë në Akabe afër Mekës.
Nga mësimet e shpërnguljes (Hixhretit): Planifikimi
Deshi Allahu xh. sh. Që Pejgamberi a.s. të shpërngulej për në Medinë. Allahu xh. sh. ia lejoi atij shpërnguljen për në Medinë, prandaj Pejgamberi a.s. e kishte planifikuar shpërnguljen, dhe ky është edhe një mësim tjetër që duhet ta marrim. Nuk do të thotë kjo se Allahu ia ka lejuar Pejgamberit a.s. shpërnguljen dhe ai i kishte lënë çështjet që të shkonin pa kontroll e pa planifikim. Jo, Islami nuk e bën mbështetjen që të lihen shkaqet dhe mbështetja në Allahun xh. sh., jo, por patjetër duhet të merren shkaqet, të përgatitet për çështjen, të përgatitet për të çdo gjë që ka mundësi, të llogarisë mundësitë e ndryshme, t'i rregullojë çështjet aq sa ka mundësi (sa të jenë mundësitë e njeriut) nga përgatitja dhe planifikimi, më pas të tjerat t'i lihen Allahut xh. sh.
Këtë e bëri Pejgamberi a.s. gjatë shpërnguljes; ai kishte përgatitur shkaqet dhe kishte rregulluar këto çështje:
1- Përgatiti shoqëruesin që do ta shoqëronte gjatë udhëtimit të emigrimit për në Jethrib (Medinë), që ishte Ebu Bekri r.a.
2- Përgatiti kafshët me të cilat do të udhëtonin ai dhe shoqëruesi i tij.
3- Përgatiti udhëheqësin e shkathët, i cili i dinte rrugët dhe kthesat, që mund të shpëtonte me ndihmën e tij në rast rreziku, ndonëse ai ishte një idhujtar që quhej Abdullah ibn Urejkit, prandaj nuk ndalohet përdorimi i jomyslimanëve në çështjet teknike nëse janë besnikë ndaj çështjeve të myslimanëve, besnikë ndaj sekreteve dhe gjendjeve të tyre.
4- Përgatiti shpellën në të cilën do të fshihej, që të zvogëlohej mundësia për kërkimin e tij , e të qetësoheshin kurejshitët. Ajo ishte shpella "Thevr". Shpella Thevr ndodhej në jug të Mekës, në anën e kundërt të rrugës për në Medinë, dhe kjo mund t'i hutonte idhujtarët.
5- Përgatiti se kush do t'u sillte ushqim atyre të dyve gjatë ditëve sa do të qëndronin në shpellë, e po ashtu edhe kush do t'u sillte lajme, e ajo ishte një grua, në mënyrë që njerëzit të mos dyshonin në të, ishte Esma bint Ebu Bekr, një vajzë që ngjitej në këtë mal, ku burrat lodheshin gjatë ngjitjes.
6- Përgatiti se kush do të vinte për t'ua fshirë gjurmët e tyre me delet e veta, e ai ishte Amir ibn Fuhejre, bariu i deleve të Ebu Bekrit.
7- Pejgamberi a.s. rregulloi se kush do të flinte në vendin e tij, kur do të dilte nga shtëpia, e ai ishte Ali in Ebu Talibi r.a.
8- Rregulloi se kush do t'i kthente gjërat që lanë amanet, pronarëve të vet, e ai prapë ishte Aliu. Edhe pse idhujtarët ishin në mospajtim me Pejgamberin a.s. dhe në armiqësi me të për thirrjen që bënte ai, ata megjithatë besonin se ai ishte besniku që nuk tradhtonte, dhe i besueshmi që nuk gënjente! Prandaj, ia patën besuar atij pasurinë më të çmuar të tyre, ia dorëzuan atij, edhe pse kishin mospajtime me të!
E Pejgamberi a.s. nuk kishte thënë: Kjo është pasuria e idhujtarëve që na nxorën nga shtëpitë tona dhe na e morën, atëherë edhe ne t'i marrim ato me vete... Jo, ai nuk i tradhtoi ata që e kishin tradhtuar, prandaj e urdhëroi Aliun që, pasi të shpërngulej, t'ua kthente pronarëve të vet ato amanete.
Nga mësimet e shpërnguljes: Shpresa
Pejgamberi a.s. i rregulloi çështjet ashtu si duhej, me një shkathtësi nga mendja e njeriut gjërat që mundet, dhe, pasi i përgatiti kushtet, rezultatet ia la Allahut xh. sh.. Për këtë arsye, kur u fsheh në shpellë, ndërsa idhujtarët e kërkonin në çdo vend sa arritën edhe në shpellë dhe qëndruan para saj, Ebu Bekri r.a. i kishte pëshpëritur Pejgamberit a.s. në vesh: "O i Dërguar i Allahut, sikur ndonjëri prej tyre të shikojë nën këmbët e tij, do të na shohë", pra, sikur t'i shkonte ndonjërit prej tyre në mendje e të përkulej pak për të shikuar poshtë, do t'i shihte shumë qartë. Këtu Pejgamberi a.s. iu drejtua Ebu Bekrit me besimin prej besimtari, me besimin e sigurt që mbështetet tek Zoti i tij, duke i thënë: "O Ebu Bekër, çka mendon për dy veta, i Treti i të cilëve është Allahu" (Hadithin e transmetojnë: Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Bekri r.a. ) "Mos u brengos, vërtet Allahu është me ne! E Allahu zbriti qetësinë (sekinen) e Vet mbi të, dhe e fuqizoi me fuqi (ushtarë) që ju nuk e patë, dhe e bëri _alën e atyre që nuk besuan më të ultën, kurse Fjala e Allahut është më e larta. Allahu është i Fuqishmi, i Urti" (Et-Tevbe, 40.)
"Dhe e fuqizoi me fuqi (ushtarë) që ju nuk e patë": prandaj dijetarët thonë: Nuk ka pasur aty asnjë dru siç është thënë në disa transmetime, as pëllumba që të kenë bërë fole e as merimangë. Druri dhe pëllumbat nuk përmenden në asnjë transmetim, as të vërtetë e as të dobët, ndërsa për merimangën ekziston një transmetim që e kanë bërë të dobët (daif) disa dijetarë, kurse disa dijetarë të tjerë e kanë bërë të mirë (hasen). Kurani tregon qartë se aty nuk kishte pasur ushtarë që shihen, e merimanga është ushtarë që shihet, mirëpo Allahu po thotë: "E Allahu zbriti qetësinë (sekinen) e Vet mbi të, dhe e fuqizoi me fuqi (ushtarë) që ju nuk e patë" (Et-Tevbe, 40), ushtarë që nuk shihen: "E ushtrinë e Zotit tënd nuk e di kush përveç Atij" (El-Muddeththir, 31.)
"Edhe ushtritë (ndëshkuese) të qiejve e të Tokës janë vetëm të Allahut dhe Allahu është i fuqishëm e i urtë". (El-Fet'h, 7.)
E kështu shpëtuan Pejgamberi a.s. dhe shoku i tij, e shkuan së bashku me udhëheqësin në Medinë.
Gjatë rrugës ai vërejti se dikush po i ndiqte, e ai ishte një kalorës hipur mbi kalë, që kalëronte në shkretëtirë si të ishte ndonjë zog duke fluturuar. Pejgamberi a.s. tha: "Ndoshta ai është Suraka ibn Malik", ndërsa Suraka kishte dëgjuar se kurejshitët i kishin premtuar një shpërblim të madh atij që do të vinte me Muhamedin dhe Ebu Bekrin të gjallë apo të vdekur. Dy shpërblime, secili prej tyre nga njëqind deve, sasi e madhe. Kishte lakmuar Suraka që t'i gjente ata të dy që ishin shpërngulur dhe ishin të paarmatosur, prandaj mendonte se do të mund t'i rrëmbente ata të dy dhe të kthehej me ta.
Mirëpo Pejgamberi a.s. u lut: "O Allah, na largo Surakan", e këmbët e para të kalit të tij filluan t'i shafiteshin në dhe. Filloi të thërriste: "Më shpëto, o Muhamed", - u ngrit, u përpoq disa herë që t'i ndiqte ata, mirëpo Pejgamberi a.s. E luste Allahun që ta largonte prej tyre. Pastaj tha: O Muhamed, ta jap besën se po kthehem, e edhe të tjerët që janë duke të kërkuar, do t'i kthej, do t'u them se nuk është në këtë drejtim. Pejgamberi a.s. i tha: "ijka mendon ti, o Suraka, nëse Allahu do të t'i vërë byzylykët e Kisrasë"ij! I tha: Kisra ibn Hurmuzitij Pejgamberi a.s. i tha: "Kisra ibn Hurmuzit".
Dhe me të vërtetë, në kohën e sundimit të Omer ibn Hatabit r.a., erdhi preja e luftës nga Persia, e në të ishin edhe byzylykët e Kisrasë.
Omer ibn Hatabi thirri: Ku është Suraka ibn Malikuij I tha: Unë jam ai, o udhëheqës i besimtarëve. Omeri i tha: A të kujtohet ajo ditë kur Pejgamberi a.s. të pati thënë kështu e kështuij I tha: Po, e kujtoj e nuk e harroj. Atëherë Omeri i tha: Eja të ti vë byzylykët e Kisrasë. Ia vuri byzylykët e Kisrasë, e tha: Falënderimi I qo_ë Allahut, i Cili e poshtëroi Kisra ibn Hurmuzin me mosbesim, dhe e nderoi Suraka ibn Malikun me Islam, që është një beduin dhe urinon në këmbë! Ky beduin, i cili nuk i di as rregullat e urinimit, i vë byzylykët e Kisrasë. Ky është një mësim tjetër, mësimi i shpresës. Pejgamberi a.s. edhe pse ishte jashtë Mekës, ishte i ndjekur, po nuk i mungonte shpresa se ai ishte fituesi, se fitorja do të vinte dhe nuk kishte dyshim në të, sepse Ymeti i tij do t'i çlironte mbretëritë e Kisrasë dhe të Kajserit, e Allahu xh. sh. ia ka realizuar atë që i kishte premtuar. Duhet të ndalemi e të mendojmë për ngjarjen e Hixhretit, e t'i marrim mësimet prej tij, mësimet e përpjekjes për ngritjen e shtetit dhe shoqërisë myslimane, mësimet e planifikimit dhe rregullimit të çështjeve sipas mundësive të njeriut, e të tjerat t'ia lërë Allahut. Ky është mësimi i mbështetjes në Allahun (tevekkuli).
Mësimi tjetër është shpresa; ne nuk dëshpërohemi e as i humbim shpresat nga Allahu, edhe nëse na shtohen vuajtjet, edhe nëse na acarohet gjendja, - ne besojmë me besim në të cilin nuk ka dyshim, se pas natës vjen dita, pas vështirësisë vjen lehtësimi, dhe është e pamundur të vazhdojë gjendja e njëjtë përherë: "Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve" (Ali Imran, 140. )
Dr. Jusuf El-Kardavi
Përktheu: Mr. Faruk Ukallo