Mbjellja e flokëve
Rreth asaj se a lejohet të bëhet mbjellja e flokëve, dijetarët bashkëkohorë ndajnë këto mendime:
1. Disa prej dijetarëve dhe studiuesve janë të mendimit se nuk lejohet mbjellja e flokëve. Këta, mendimin e tyre e arsyetojnë se mbjellja e flokëve është haram sikur që është vendosja e parukave dhe zgjatja e flokëve.
2. Shumica e dijetarëve bashkëkohorë janë të mendimit se lejohet mbjellja e flokëve dhe se mendimin e tyre e arsyetojnë duke thënë se ka dallim në mes të zgjatjes së flokëve dhe mbjelljes së tyre, ngase zgjatja e flokëve bëhet duke marrë flokët e dikujt tjetër apo flokët artificiale, ndërsa mbjellja e flokëve bëhet duke marrë flokë prej një pjesë të kokës ku ka dhe i mbjellin aty ku nuk ka. Po ashtu, mendimin e tyre këta e mbështesin në një hadith të të Dërguarit a.s., ku përmendet tregimi i tre Beni Israilëve, ku njëri prej tyre ishte tullac, tjetri i zgjebosur dhe i fundit ishte i verbër. Allahu kishte dashur që t'i sprovojë dhe e dërgoi një engjëll tek ata. Shkoi engjëlli tek i zgjebosuri duke i thënë: "Çfarë do më së shumtit" Ai u përgjigj: "Që të më largohen këto zgjebe." Pastaj engjëlli e pyeti: "Cila është pasuria më e dashur për ty?" Ai tha: "Devetë." Engjëlli i përshkoi trupin dhe iu larguan zgjebet. Më pastaj engjëlli shkoi tek ai që ishte tullac dhe e pyet atë duke i thënë: "Çka është më e dashur për tyt" Ai i thotë: "Që të mos jem tullac." Ia fërkoi kokën engjëlli dhe ai më nuk ishte tullac... Më pastaj shkoj të i verbëri....(1)
Këta që e lejojnë mbjelljen e flokëve, mendimin e tyre e mbështesin në atë se, pasi që engjëlli ia fërkoi kokën tullacit e më pastaj koka iu mbush me flokë, duke thënë se po të ishte e ndaluar mbjellja e flokëve engjëlli nuk do ta bënte një veprim të atillë. Pra, mendimi mbizotërues është se lejohet mbjellja e flokëve dhe se nuk ka asnjë pengesë për këtë.
Shënim: nuk lejohet assesi flokët të ngjiten me ngjitës, ngase kjo konsiderohet si vendosje e parukës apo zgjatje e flokëve.
Fekondimi në epruvetë
Dihet se ka raste kur disa nuk mund të lindin për shkaqe të ndryshme dhe se të tillët duan që ta kryejnë fekondimin me anë të metodës me epruvetë. Tani menjëherë lind pyetja, se cili është qëndrimi islam ndaj këtij fenomenit
Pa dyshim se njeriu për nga natyra është që dëshiron të ketë fëmijë dhe se pa dyshim fëmija është një prej begative madhështore. Këtë dëshirë më së miri e kuptojmë nga duaja e Zekerijas a.s., kur thotë "Zoti im, mos më lë të vetmuar se Ti je më i miri trashëgues (pas çdokujt).
Është e lejuar që të merret sperma prej burrit dhe të injektohet në mitrën e gruas, ngase këtu bëhet bashkimi i spermës dhe vezoreve të atyre që janë bashkëshort mes vete. Ndonëse në këtë rast shihen pjesët e turpshme të gruas, por nevoja në raste të tilla është e domosdoshme, gjë që lejon një gjë të tillë. Po ashtu ka raste kur bëhet bashkimi i spermës me vezoret jashtë mitrës dhe më pastaj vendosen në mitrën e gruas, edhe kjo mënyrë është e lejuar me kusht që sperma dhe vezoret të jenë të bashkëshortëve dhe mos të ketë asnjë element nga dikush tjetër dhe po ashtu duhen marrë të gjitha masat e sigurisë që të mos ketë përzierje nga e ndonjë element jashtë bashkëshortëve. Po që se ndodhë që të vendoset sperma e dikujt tjetër tek vezoret e femrës, sikur që ndodhë në disa vende jo islame, atëherë një veprim i tillë është i ndaluar rreptësisht, dhe kjo metodë konsiderohet sikur prostitucioni (zinaja).
Perzgjedhja e gjinisë së fëmijës
Tani mund të lind pyetja se a lejohet që prindërit të bëjnë përzgjedhjen e gjinisë së fëmijës? Pra, çfarë është norma e këtij veprimi sipas të drejtës së sheriatit?
Pa dyshim se qysh në kohët e hershme janë përdorur metoda të ndryshme për të bërë përzgjedhjen e gjinisë së fëmijës. Përzgjedhja e gjinisë së fëmijës, duke përdorur ushqime të ndryshme, por që janë të lejuara si ushqime, konsiderohet vepër e lejuar. Të këtij mendimi janë Konsiliumi i Jurisprudencës Islame pranë Ligës Botërore Islame. Po ashtu, të vepruarit duke përcaktuar kohën se kur mund të mbarësohet gruaja me mashkull apo kohën për femër, konsiderohet e lejuar. Por, ajo që është më me rendësi për ta shpjeguar është se a lejohet përcaktimi i gjinisë duke ndërhyrë mjekësia në kromozomet dhe në vezoret për të caktuar gjininë e dëshiruar të fëmijës nga ana e prindërve?
"Konsiliumi i Jurisprudencës Isla- me pranë Ligës Botërore Islame përgjigjet kështu:
1. Lejohet përzgjedhja e gjinisë duke përdorur mënyrat e natyrshme p.sh. duke ngrënë ushqime të veçanta që ndihmojnë në përcaktimin e gjinisë: duke përcaktuar kohën kur duhet të kihet marrëdhënie intime etj.. Këto janë disa shkaqe që në aspektin juridik islam janë të lejuara.
2. Nuk lejohet asnjë lloj ndërhyrje mjekësore për të përzgjedhur gjininë e fëmijës përveç në raste të domosdoshme për të bërë shërimin nga sëmundjet trashëguese që mund t'i godasin vetëm meshkujt ndërsa femrat jo ose anasjelltas. Një ndërhyrje e atillë për të caktuar gjininë për shkak të sëmundjeve trashëgues mund të bëhet vetëm pasi të marrë vendim komisioni i mjekëve, i përbërë prej tre mjekëve specialistë dhe të drejtë, duke e dhënë kështu një raport mjekësor me konsensus që vërteton gjendjen e sëmundjes që gjendet dhe se duhet ndërhyrë me qëllim që të evitohet sëmundja trashëguese që d.m.th. se sëmundja e trashëguar i godet vetëm meshkujt apo anasjelltas vetëm femrat. E më pastaj raporti i tillë tu paraqitet institucione- ve të specializuara dhe institucionit për dhënie e fetvas për të dhënë vendi- min e vetë.(3)
Thënë shkurt: lejohet përcaktimi i gjinisë me ndërhyrjen e mjekësisë vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur doemos duhet të përcaktohet gjinia me qëllim të shërimit nga sëmundjet trashëguese, përndryshe assesi nuk lejohet përcaktimi i gjinisë.
Abortimi i frytit në mitër që është me deformime
Sa i përket asaj se a duhet të abortohet fryti në mitër që është me deformime, para se të shpjegojmë këtë, duhet ta qartësojmë kohën e frytit në mitër. Fryti në mitër në fillim është spermë, e më pastaj copë gjaku, e më pastaj copë mishi dhe në fund i jepet shpirti. Etapa kur i jepet shpirti është atëherë kur fryti i bënë 120 ditë në mitër.
Nëse ndodhë që fryti i deformuar të abortohet në dyzetë ditët e para nuk ka kurrfarë pengesë, ngase në këtë etapë është ende spermë dhe se shpirti nuk ka hy ende dhe se në këtë etapë nuk konsiderohet njeri me shpirt. Pra, kjo është e njëjtë sikurse hedhja e spermës jashtë mitrës.
Po ashtu, nëse mjekët vërtetojnë se fryti është më deformime edhe pas dyzetë ditëve, por që ende nuk i është dhënë shpirti, atëherë lejohet të abortohet, ngase edhe në këto raste fryti mund të jetë copë gjaku ose copë mishi, por nuk është njeri me shpirt.
Ndërsa pas 120 ditëve kur frytit në mitër i jepet shpirti, atëherë assesi nuk lejohet abortimi edhe pse ka deformime, ngase tashmë fëmija është njeri me shpirt dhe me trup dhe se abortimi i tij konsiderohet mbytje e njeriut. E sa i përket mendimit se fëmija do të lind i deformuar, ne duhet ta kemi në hatër atë se Allahu i Madhërishëm është Ai i Cili garanton furnizimin e fëmijës, por tjetra është se me lejen e Allahut dhe Vullnetin e Tij fëmija mund të lind i pa deformuar. Apo ndoshta lindja e fëmijës më deformime do të jetë shkak që Allahu t'ua shtoj furnizimin prindërve të tij. Duke u bazuar në atë që u tha më lartë, na bëhet shumë e qartë se nuk lejohet të mbytet fëmija me arsyetimin se është i deformuar, ngase ky fëmijë konsiderohet njeri i pafajshëm dhe që jeta e tij është e pa prekshme. Pra, mbytja e fëmijës që është me deformime duke abortuar konsiderohet krim, dhe se ai që e kryen këtë veprim apo urdhëron në këtë veprim qofshin edhe prindërit e tij konsiderohet pjesëtar në mbytje.
Tani mund të lind pyetja se a lejohet të abortohet fëmija me deformim nëse ky fëmijë është rrezik për jetën e nënës? Për këtë Komisioni i Përhershëm për Fetva përgjigjet: nëse fëmija me deformime është shkaktar që të rrezikohet jeta e nënës, atëherë lejohet abortimi i fëmijës me qëllim të ruajtjes së jetës së nënës. E po që se kryhet abortimi vetëm pse fëmija është me deformime, një gjë e tillë nuk lejohet.(4)
Ngrirja e spermës apo e vezorëve
Kur thuhet "ngrirja e spermës apo vezoreve" nënkuptohet ruajtja e spermës ose e vezoreve në temperaturë shumë të ulët deri në -180 C apo -200 C.
Kjo procedurë e ngrirjes së spermës apo e vezoreve ndodh kur një person ka probleme të mëdha shëndetësore si p.sh. vuan nga kanceri e të ngjashme dhe se është në moshën e rinisë dhe se ky apo kjo dëshiron që të ngrijë spermën apo vezoret. Kjo ndodhë për shkak se personi i sëmur frikësohet se gjatë përdorimit të terapive kimike mund të shkatërrohet sperma apo vezoret, sa që më nuk mund të jenë të aftë për të lindur fëmijë. Kjo bëhet që më pastaj të merret sperma e ngrirë e të vendoset te bashkëshortja e tij me qëllim që të lind fëmijë nga sperma e tij.
Në fillim duhet ta kemi të qartë se kjo procedurë e barrësimit nëse nuk ndodhë në mes të bashkëshortëve është e ndaluar rreptësisht sipas pajtueshmërisë së të gjithë dijetarëve. Po ashtu nuk lejohet përdorimi i kësaj procedure pa nevojë të domosdoshme nga ana e bashkëshortëve, mirëpo nëse ndodhë që për shkak të sëmundjeve dhe terapisë që mund t'ia shkatërrojnë spermën bashkëshortit apo vezoret bashkëshortes, atëherë lejohet ngrirja e spermës apo e vezorëve me qëllim që më pastaj të vendosen në mitrën e bashkëshortes dhe kështu të arrihet deri te lindja e fëmijës. Dijetarët rreth kësaj çështje ndajnë mendimet e tyre:
1. Një grup i dijetarëve mendojnë se nuk lejohet assesi barrësimi me metodën e ruajtjes së spermës dhe të vezorëve nëpër banka ku ruhen sperma apo vezoret.
2. Një grup i dijetarëve janë të mendimit se lejohet barrësimi edhe pas vdekjes së burrit, por para kalimit të kohës së pritjes (idetit).
3. Një grup i dijetarëve mendojnë se lejohet ngrirja e spermës apo e vezorëve në raste të domosdoshme, por që duhet të plotësohen këto kushte:
a. Të jetë e mundur siguria e madhe për atë se sperma apo vezoret të mos përzihen me të dikujt tjetër.
b. Të ketë mbikëqyrje të rreptë në ruajtjen e spermës apo vezoreve me qëllim që të mos ekzistoj kurrfarë dyshime në ruajtjen e rreptë të spermës apo vezoreve.
c. Që barrësimi të bëhet derisa bashkëshortët të jenë në martesë legale dhe që të jenë të gjallë.(6)
Mendimi i fundit është mendimi mbizotërues që d.m.th., se lejohet barrësimi duke i plotësuar kushtet e përmendura.
_________________
1. Transmeton Muslimi nr: 2964.
2. El Enbija, 89
3. Ky është teksti i Konsiliumit të Jurisprudencës Islame pranë Ligës Botërore Islame, sesioni i XIX i mbajtur në Meke në periudhën 27-22 Sheval 1428 h. (8-3 nëntor 2007.
4. Fetava el-Lexhnetu Daimeh: 21/452. https://www.islamqa.info/ar/answers/12289/.
5. https://www.islamweb.net/ar/fatwa/373351/
Dituria Islame 363