Emri i tij është Uthman ibn Affan ibn Ebu El-As ibn Umejje ibn Abdu Shems ibn Abdu Menaf ibn Kusajj ibn Kilab ibn Murre ibn K`ab ibn Luejj ibn Galib El-Kurejshi El-Emevijj. Uthmani r.a. që nga fëmijëria ishte i njohur me nofkën Ebu Amr dhe quhej edhe Ebu Abdullah dhe Ebu Lejla. Nëna e tij quhej Erva bint Kurejdh ibn Rebi`a ibn Habib ibn Abdu Shems, ndërsa nëna e tij ishte Ummu Hakim bint Abdul-Muttalib ibn Hashim, që do të thotë se gjyshja e tij ka qenë kushërira (bija e xhaxhait) e Pejgamberit a.s.. Uthmani njihet edhe me nofkën tjetër: "Dhun nurejn", që ka kuptimin "pronari (i zoti) i dy dritave", për arsye se ishte i martuar me dy vajzat e Pejgamberit a.s., fillimisht me Rukijen, e cila kishte vdekur shumë shpejt pas luftës në Bedër, e pastaj Ummu Kulthum, e cila kishte vdekur në të gjallë të Pejgamberit a.s.. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Sikur të kisha edhe një vajzë, sërish do ta martoja me Uthmanin". Uthmani r.a. u lind në qytetin e Taifit në vitin 47 para hixhretit, që do të thotë se ishte më i ri se Pejgamberi a.s. afërsisht gjashtë vjet. Babai i tij ishte tregtar i njohur, i cili kishte vdekur rrugës për në Sham gjatë një udhëtimi pikërisht me qëllim tregtie. Pasurinë e tij pas vdekjes e trashëgoi i biri i tij, Uthmani r.a., i cili përfitoi shumë nga tregtia me të. Uthmani r.a. më vonë, me pasurinë e vet, ndihmoi edhe njerëzit e fisit të vet, për se gëzonte edhe shumë famë, besim dhe autoritet të madh në mesin e Kurejshëve.
Cilësitë fizike dhe morale të Uthmanit r.a.
Për sa u përket cilësive fizike të Uthmanit r.a., Ibn S`adi, nga të dhënat e marra nga shumë transmetues, thotë: "Të gjitha transmetimet bien në ujdi për sa vijon: Ka qenë njeri me shtat mesatar, me fytyrë të këndshme, me mjekër shumë të gjatë ngjyrë hiri, shpatullgjerë dhe flokëdendur. Mjekrën e lidhte, kurse dhëmbët i kishte përforcuar me flori, kishte lëkurë të butë, këmbë të mbushura, trup leshtor. Për sa u përket veçorive morale të Uthmanit r.a., ai ka qenë si ashabët e tjerë të Pejgamberit a.s., me karakter të mirë dhe moral e edukatë të mirë. Ishte tejet i turpshëm. Njëri nga as-habët e Pejgamberit a.s. Uthman ibn Affanin e ka përshkruar si një orator shumë të aftë, duke thënë: "Nuk kam parë asnjë as-hab të Pejgamberit a.s., që të ketë folur më bukur dhe më kuptueshëm se Uthman ibn Affani , ngase ai ka qenë njeri të cilit i është dhuruar aftësia e të folurit të bukur (oratorisë)". Ibn S`adi transmeton me zinxhirin e tij të transmetimit, nga Enes ibn Maliku, kurse ky nga Pejgamberi a.s., të ketë deklaruar: "Më i sinqerti prej Ymetit tim, për sa i përket turpit, është Uthmani". Gjithashtu edhe në transmetimin nga ibni Umeri, theksohet që Pejgamberi a.s. të ketë thënë: "Me të vërtetë melekët turpërohen nga Uthmani, siç turpërohen nga Allahu dhe Pejgamberi i Tij". Uthmani ishte nga më të pasurit, ndoshta më i pasuri i Kurejshëve. Megjithatë ishte shumë i sjellshëm, i sjellshëm deri në atë shkallë sa, kur nënat i përkundnin në djep fëmijët e tyre për ninulla, u thoshin: "Të dashtë Rrahmani (Allahu) ashtu si e donin Kurejshët Uthmanin"! Për hir të moralit të tij të lartë dhe sjelljeve të tij, Kurejshët e donin shumë. Fëmijët e Uthmanit kanë qenë: Abdurrahmani, i biri i Rukijes, Abdullah el-Esgër, nëna e tij ishte Fahita b. Gazuan, Amr Halid Ebani, Umeri dhe Merjemja, nëna e të cilëve ishte Umm Amr bint Xhundub nga fisi Ezd. Gjithashtu edhe Velidi, Seidi dhe Umm Seid, nënë e të cilëve ishte Fatima bint Velid; Abdul-Meliku, nëna e të cilit ishte Umm Benin bint Ujejnah ibn Hisn; Aishja, Umm Eban dhe umm Amr, nëna e të cilëve ishte Remla bint Shejba ibn Rebia; Merjemja, nëna e së cilës ishte Naile bint El-Ferafisa, si dhe Umm el-Benin, nënë e së cilës ishte Umm Ueled.
Pranimi i islamit nga Uthmani
Kur filloi t'i zbriste Shpallja Pejgamberit a.s., Uthmani kishte mbushur 34 vjeç. Ai është ndër dhjetë të parët që patën përqafuar Islamin, para se të hynin myslimanët në shtëpinë e El-Erkam bin Ebi El-Erkamit. Sipas transmetimeve, thuhet se Uthman bin Affani, gjersa ishte duke u kthyer nga një udhëtim tregtie nga Shami së bashku me Talha bin Ubejdullahun, kishte parë ëndërr se Muhamedi a.s. ishte shpallur Pejgamber në Mekë. Transmetohet nga ibn Haxheri se Sada bint Kurejz, tezja e Uthmanit, e kishte lajmëruar Uthmanin për shpalljen e Muhamedit a.s. Pejgamber. Pas këtij rasti, gjersa Uthman bin Affani ishte thelluar në mendime rreth Shpalljes, tek ai erdhi Ebu Bekri r.a., i cili e këshilloi Uthmanin që të braktiste idhujtarinë dhe të besonte në atë që kishte dëgjuar nga tezja e vet, sepse është e vërtetë që Muhamedi a.s. është i Dërguar i Allahut. Këta të dy pastaj shkuan dhe u takuan me Pejgamberin a.s.. Muhamedi a.s. iu drejtua Uthmanit me këto fjalë: "Uthman,përgjigjju Allahut aty ku ia ke borxh, meqë unë jam i dërguar i Allahut tek ti dhe mbarë krijesat". Pranimi i Islamit nga Uthman ibn Affani pati ndikim të rëndësishëm tek Kurejshët, sepse ai ishte shumë i dashur dhe i respektuar në mesin e njerëzve të vet. Megjithatë, xhaxhai i Uthmanit r.a., Hakem bin Ebil Asi, kishte bërë përpjekje për ta kthyer në besimin e vjetër, por nuk kishte pasur sukses dhe prandaj ai e kishte keqtrajtuar Uthmanin r.a.. Po ashtu nëna e tij, Erva bint Kurejz, kishte bërë përpjekje për t`i ndryshuar mendjen, po nuk kishte arritur, dhe kështu Uthmani r.a. vazhdoi rrugën e tij të drejtë dhe të vërtetë. Në lidhje me rolin e Sada bint Kurejzes për pranimin e Islamit nga Uthmani r.a., ajo ka thënë: "Allahu e udhëzoi Uthmanin me fjalën time, se vetëm Allahu tek e vërteta udhëzon. Ndaj e ndoqi të Dërguarin që çon në shpëtime dhe që vetëm të drejtën thotë dhe vepron. I Dërguari të bijën me të e martoi, si hëna e plotë-fytyra kur u qesh, prandaj, o i Dërguar, lum kush të besoi, se Ti je besniku i Allahut, midis nesh. Pas pranimit të Islamit nga ana e Uthmanit r.a., të nesërmen Islamin në praninë e Ebu Bekrit r.a. e pranuan edhe Uthman ibn Medh`ani, Ebu Ubejde, Abdurrahman ibn Auf, Ebu Selme ibn Abdul-Esad, Arkam ibn Ebi Arkam, për të arritur kështu numri në tridhjetë e tetë veta. Vetë Uthmani e kishte pranuar Islamin i teti me radhë nga myslimanët e parë.
Flijimi i tij për islamin
Uthmani r.a. e ka flijuar jetën e vet dhe pasurinë e vet në rrugën e Allahut, me qëllim të ngritjes së flamurit të së vërtetës. Këtë kishte bërë gjatë jetës së Pejgamberit a.s. dhe këtë e kishte vazhduar edhe pas tij, përderisa nuk ra në luftë për të vërtetën. Për sa i përket flijimit të vetvetes, kjo kishte filluar menjëherë pasi kishte pranuar Islamin. Ibni S`adi, me zinxhirin e tij të transmetimit, tregon: "Kur Uthmani e pranoi Islamin, e kapi xhaxhai i tij El-Hakemi dhe e lidhi me litar duke i thënë: "Si po e braktis dhe po e urren besimin e të parëve për hir të një besimi të ri? Për Allahun, nuk do të të zgjidh gjersa të mos heqësh dorë nga ky besim"! Ndërsa Uthman ibn Affani i ishte përgjigjur:-"Për Allahun, kurrë nuk do ta braktis këtë besim"! Dhe kur El-Hakemi e pa vendosmërinë e tij në besimin e ri, hoqi dorë nga qëllimi i vetë". Pas këtyre vuajtjeve, Uthmani r.a. vazhdoi të ballafaqohej edhe me vështirësi të tjera, duke u detyruar kështu të bënte edhe hixhretin në Abisini së bashku me bashkëshorten e tij, Rukajen, të bijën e Pejgamberit a.s.. Ndërsa Pejgamberi a.s. kishte thënë: "Allahu qoftë me ty, Uthmani është i pari që ka bërë hixhret me familjen e tij për hir të Allahut, pas Lutit". Gjithashtu Uthmani r.a. ditën e Hudejbisë shkoi në Mekë, duke rrezikuar jetën e vet, për të kryer urdhrin e Pejgamberit të Allahut, kur Kurejshët e zunë rob dhe e mbajtën. Pas arritjes së paqes në mes dy palëve, Uthmani u kthye duke e kuptuar se Pejgamberi a.s. e kishte bërë betimin në vend të tij. Uthmani r.a. kishte flijuar edhe në aspektin ekonomik e material, kur me paratë e veta kishte blerë nga një çifut pusin "Ruma", pastaj e kishte furnizuar ushtrinë myslimane të quajtur Xhejshul-Usre, kur kishte dhuruar treqind deve dhe thuhet se i kishte dorëzuar një mijë dinarë, të cilët i kishte vënë në prehrin e Pejgamberit a.s.. "
Vlerat e Uthmanit r.a. në mesin e të tjerëve
Se Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani r.a. peshojnë për nga vlera më shumë se të tjerët, këtë e kuptojmë edhe nga transmetimi i Imam Ahmedit, i cili thotë: "Na kanë treguar Ebu Davudi dhe Amr ibn S`adi, nga Bedër ibn Uthmani, nga Ubejdull-llah ibn Mervani, nga Ebu Aishja, nga ibn Umeri, të cilët tregojnë: -Një mëngjes erdhi tek ne i Dërguari i Allahut, i cili tha: "Para agimit pashë sikur i mora çelësat dhe peshoren. Çelësa janë këta (që i njihni), ndërsa peshorja është ajo në të cilën peshohet, kështu unë u vendosa në njërën pjatë të saj, ndërsa populli im në pjesën tjetër, dhe peshova më rëndë. Pas meje Ebu Bekri peshoi më rëndë, pastaj peshoi Umeri, e pastaj edhe Uthmani. Pastaj peshorja u ngrit". Pejgamberi a.s. tha: "Hapja derën (e kopshtit) dhe përgëzoje me Xhennet". E hapa derën dhe pashë Ebu Bekrin, të cilin e përgëzova. Pas tij kërkoi dikush tjetër të hynte dhe Pejgamberi tha: "Hapja dhe përgëzoje me Xhennet". Kur e hapa, ishte Umeri të cilin e pagëzova. Pas këtij kërkoi edhe dikush tjetër. Pejgamberi a.s. ishte mbështetur, pastaj u ngrit ulur e tha: "Hapja dhe përgëzoje me Xhennet, por pas një sprove që do ta godasë ose do t`i ndodhë". Kur dola, ishte Uthmani, të cilit ia tregova atë që më tha i Dërguari dhe ai tha: "Allahu na ndihmoftë!" Ndërsa Sehl ibn S`adi tregon se Uhudi u dridh ndërkohë që aty pranë po kalonin i Dërguari (a.s.), Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani. Pejgamberi a.s. i tha: "Qetësohu, o Uhud, se sipër teje po kalon një i Dërguar, një i sinqertë dhe dy shehidë". (Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi). Uthmanin r.a. e respektonte shumë dhe ruhej prej tij edhe Pejgamberi a.s.. Pejgamberi a.s. ishte një ditë në shtëpinë e tij duke ndenjur me këmishën përvjelë gjersa erdhi Ebu Bekri, i cili, pasi mori leje nga Pejgamberi a.s., hyri brenda, ndërsa Pejgamberi a.s. nuk e ndryshoi qëndrimin dhe as veshjen e vet. Pastaj erdhi Umeri dhe kërkoi leje që të hynte te Pejgamberi a.s. e ai i dha leje. Pejgamberi a.s. përsëri qëndroi ashtu siç ishte. Më vonë erdhi Uthmani dhe kërkoi leje që të hynte e atëherë Pejgamberi a.s. ndryshoi pozitën e tij dhe e lëshoi këmishën e përvjelë. Pejgamberi a.s. u ndal dhe bisedoi me Uthmanin, e më pastaj ai doli. Kur Uthmani doli, Aishja e pyeti përse e shtriu këmishën e u ul kur hyri Uthmani. Pejgamberi a.s. i tha: "Oj Aishe, Uthmani është njeri me sedër, i turpshëm. Më vjen keq nëse vjen Uthmani e më sheh kështu, sepse i vjen turp të flasë për atë që ka ardhur. Si të mos turpërohem nga ia prej të cilit turpërohen edhe engjëjt?"
Dituria Islame 239