Numan Ibn Thabit (Ebu Hanife)

 


Hyrje


Në temën paraprake kam përshkruar e sqaruar në mënyrë zinxhirore rrënjët e shkollës hanefite, ku nga Ebu Hanife, nëpërmjet Hamadit, Nehaiut, Alkames lidhen me sahabiun e njohur Ab dullah ibn Mes'udi, e ky i fundit me të Dërguarin e Allahut. Meqë kam folur për plejadën e dijetarëve nga Abdullah ibn Mes'udi e deri tek Hamadi, ka mbetur ta trajtoj themeluesin e shkollës hanefite, nxënësin e Ha madit, Numan ibn Thabit, i njohur më tepër me emrin Ebu Hanife.


Numan ibn Thabit (Ebu Hanife


Numan ibn Thabit lindi në qytetin e Kufës, në vitin 80 të hixhretit, sipas versionit më të saktë,(1) gjatë hilafetit të Abdul Melik ibn Mervanit. Ishte me origjinë perse, ndonëse ka edhe mendime të tjera. Gjyshi i tij ishte nga Kabuli, kurse babai i tij - Thabiti ishte takuar me Aliun, i cili, ky i fundit, kishte bërë dua-lutje për të dhe për pasardhësit e tij. Nipi i Ebu Hanifes ishte shprehur: "Unë jam Ismail ibn Hamad ibn Numan ibn Thabit... nga bijtë e lirë persianë. Për Zotin kurrë s'kemi qenë robër, e gjyshi im ka lindur në vitin 80, kurse Thabiti (babai i Ebu Hanifes), kur ishte i vogël, kishte shkuar tek Aliu dhe ky i fundit ishte lutur për bekimin e tij dhe të pasardhësve të tij".(2) Kur themi se ishte nga persët e jo nga arabët, kjo atë nuk e vë në një pozitë më të dobët, përkundrazi edhe i Dërguari i Allahut, sipas përmbledhjes së Buhariut dhe Muslimit, kishte paralajmëruar se dituria do të kalojë tek joarabët (me theks të veçantë tek persët). Shumica e dijetarëve të njohur nga gjenerata e tabiinëve dhe tabi-tabiinëve ishin nga joarabët, si Muhamed ibn Sirini dhe Hasen ibn ebil Hasen nga dijetarët e Irakut; dijetarët e Mekës, si Ata ibn ebi Rebah, Muxhahidi, Seid ibn Xhubejri dhe Selman ibn Jesari - ishin po ashtu jo arabë; dijetarët e Medinës, si Zejd ibn Eslem, Muhamed ibn el-Munkedir...ishin gjithashtu joarabë; dijetarët e Kubasë, si Rebiatu Rre'j, Ibn ebi Zinad - ishin po ashtu joarabë; dijetarët e Jemenit, si Tavusi, djali i tij dhe ibn Munebih - ishin po ashtu joarabë; Ata ibn Abdullah el Horasani ishte dijetar nga Horasani, nga joarabët; nga Shami ishte Mekhuli, po ashtu nga joarabët; nga Kufa ishte Hakim ibn Utbeh dhe Hamad ibn ebi Sulejman...(3)


Imami i madh (imamul a'dham)


Numan ibn Thabit njihet me nofkën Ebu Hanife, cilësohet si imami i madh. Për sa i përket epitetit "imami i madh", ka mendime të ndryshme përse është quajtur ashtu. Shkurtimisht do të paraqes dy mendime. I pari: Ebu Hanife është i pari në renditje dhe takoi gjeneratën e ashabëve, tre imamët e tjerë nuk patën një fat të tillë. Shafiu ishte nxënës i Muhamedit, nxënësit të Ebu Hanifes dhe kështu Shafiu mund të llogaritet si nx ënës i hanefive, ndërsa Ahmed ibn Hanbeli ishte nxënës i Shafiut, pra edhe ai ka ndërlidhje me hanefitë, dhe në këtë kontekst Ebu Hanifes i është dhënë epiteti "imami i madh".(4) I dyti: Për t'u dalluar nga dy nxënësit e tij të njohur, sepse hanefitë i thoshin imam secilit, për të bërë dallimin në mes Ebu Hanifes dhe Jusufit e Muhamedit, i është dhënë epiteti "imami i madh".(5)


Arriti kohën e ashabëve


S'ka dyshim për faktin që Ebu Hanife kishte arritur kohën e ashabëve dhe për këtë ai është një hap para tre imamëve të tjerë, nga të cilët asnjëri nuk kishte arritur kohën e ashabëve dhe nuk kishin takuar ashabë. Ka dhe mendime të tjera lidhur me çështjen nëse Ebu Hanife kishte takuar ndonjërin nga shokët e të Dërguarit të Allahut apo vetëm kishte arritur kohën e tyre. Ka mendime se ai kishte takuar më shumë se një prej shokëve të Dërguarit të Allahut, mirëpo, në bazë të hulumtimeve dhe shkrimeve që janë bërë në këtë kon tekst, del se Ebu Hanife kishte takuar ashabin e shquar Enes ibn Malik,(6) për se përfundimisht i takon gjeneratës së tabiinëve.
Ebu Jusufi përcjell fjalët e Ebu Hanifes, ku thotë: "E kam dëgjuar Enes ibn Malikun duke thënë: "Treguesi për mirësi është sikurse vepruesi i saj". Thuhet se Ebu Hanife me Enes ibn Malikun ishte takuar në vitin 95 dhe kishte dëgjuar prej tij.(7)


Dukja, cilësitë dhe adhurimi i tij


Ebu Hanife kishte pamje të bukur, mjekrën dhe rrobat i kishte të bukura. Rëndësi të madhe u kushtonte rrobave të bukura dhe parfumosjes. Kur kalonte rrugës, të gjithë nuhatnin aromën e tij të këndshme, madje edhe ata që kalonin rrugës pas tij, në bazë të aromës e kuptonin se atypari kishte kaluar Ebu Hanife. Ebu Jusufi e kishte përshkruar kështu Ebu Hanifen: "Ishte mesatar nga trupi, as i madh shumë e as i vogël, ishte orator dhe më i logjikshmi nga njerëzit e shumë i qartë kur donte të tregonte diçka".(8)
Ishte tregtar dhe mjaft i pasur dhe u ndihmonte gjith një të varfërve dhe nevojtarëve. Në një rast, Ebu Jusufi ishte shprehur: "Nuk kam parë më bujar sesa Ebu Han ife".(9) Ebu Jusufin dhe familjen e tij e kishte ndihmuar financiarisht për plot njëzet vjet, prandaj Ebu Jusufi një ditë ishte ndalur para Ebu Hanifes dhe i kishte thënë: "Nuk kam parë më bujar se ti!" "Eh, sikur ta shihje Hamadin (sa më bujar që ishte)!"-i qe përgjigjur Ebu Hanife.(10)
Ishte besnik, mbajtës i premtimit, i drejtë dhe i sinqertë. Tolerant dhe dorëlirë për njerëzit që kishin nevojë. Me gjithë përkushtimin e tij në dije e shkencë, ai mbeti një tregtar dhe kishte sjellje tepër të mira. Ebu Zehre, kur flet për Ebu Hanifen, thotë se ai kishte katër cilësi të mëdha në raportet me njerëzit në aspektin e tregtisë: 1-I pasur me shpirt, saqë lakmia që i varfëron shpirtrat, nuk e sundoi atë; 2-Ishte jashtëzakonisht i denjë në ruajtjen e amaneteve; 3-Ishte dorëlirë dhe tolerant; 4-Fetar dhe adhurues i madh, saqë agjëronte ditën dhe falej natën. Këto cilësi e bënin atë të veçantë në mesin e tregtarëve.(11) Ishte adhurues i madh ndaj Allahut, lexues i pandashëm i Kuranit. Netët e tij ishin plot namaz, lutje dhe lexim Kurani. Aq shumë falej, saqë njerëzit e quanin "el-vetd-shtyllë", për shkak të qëndrimit të gjatë në namaz. Fqinjët shpeshherë dëgjonin të qarat e tij në namaz. Sufjan ibn Ujejne për të kishte thënë: "Në kohën tonë, në Mekë nuk kishte hyrë dikush me më shumë namaz sesa Ebu Hanife".(12)


I përkushtuar në dije


Kur pa zgjuarsinë dhe mençurinë e rrallë të Ebu Hanifes, Shabiu e këshilloi dhe e nxiti që të merrej me dije dhe t'i ndiqte dijetarët e kohës. Ebu Hanife pranoi këshillën e tij dhe iu përkushtua dijes, gjersa ua kaloi të gjithë bashkëmoshatarëve të tij.(13) Kufa në atë kohë ishte qendër e dijes dhe vendtubim i dijetarëve. Xhamitë ishin të mbushura me tubime të dijes, ku mbanin ligjërata ashabët dhe tabiinët. Ambienti ishte i favorshëm për dije, sepse aty lulëzonin të gjitha fushat e dijes. Kjo e bënte Ebu Hanifen të mos kishte nevojë të largohej nga vendlindja për kërkim të dijes, po megjithatë transmetohet se ai kishte vizituar edhe Basrën dhe Hixhazin. Hixhazin-apo vendet e shenjta i kishte vizituar shpesh, si - për haxh e umre, në kërkim të dijes si nxënës dhe si një mësues i dijes. Kur qe pyetur Ebu Hanife se nga i kishte ardhur jurisprudenca-fikhu, qe përgjigjur: "Unë isha në vendin e dijes dhe jurisprudencës (fikhut), u ula pranë dijetarëve dhe shoqërova pandërprerë njërin nga juristët e shumtë të Kufës, që quhet Hamad, prej tij përfitova shumë".
Ebu Hanife kishte shoqëruar pandërprerë mësuesin e tij, Hamadin. E shoqëroi për tetëmbëdhjetë vjet, deri kur vdiq Hamadi.(14) Në këtë kontekst Ebu Hanife është shprehur: "E kam shoqëruar Hamadin me një shoqërim, sa nuk di që ndokush të ketë shoqëruar ndokënd sikur shoqërimi im. Isha ai që bëja shumë pyetje". Është interesant të përmendet edhe fakti që Ebu Han ifja një herë për shoqërimin e tij me Hamadin, qe shprehur: "E kam shoqëruar, dhe tek ai kam gjetur tërë atë për se ndieja nevojë, gjersa një ditë ai më tha: "O Ebu Hanife, arrite të marrësh nga unë tërë atë që gjendej tek unë nga dituria".
Ebu Hanife, përveç Hamadit, mësues kishte pasur shumë dijetarë të tjerë të dalluar, si Ata ibn ebi Rebah, Sha'biu, Amr ibn Dinar, Katadeh, Nafi', Hisham ibn Urvetu dhe shumë të tjerë. Dijetarët e njohur që kanë shkruar për jetën e Ebu Hanifes, kur tregojnë për mësuesit e tij, japin shifra të mëdha, madje shumica e tyre përmendin faktin se Ebu Hanife kishte pasur 4000 mësues dhe i tregojnë me emra se kush ishin ata mësues e dijetarë të njohur.(15)
Përveç Hamadit, Ebu Hanife, siç cituam sipër, kishte mësuar edhe tek Atai në Mekë. Për këtë Ebu Hanife qe shprehur: "Nuk kam parë jurist më të njohur se Hamad ibn ebi Sulejmani dhe nuk kam parë njeri që ka tubuar në të gjitha shkencat sikurse Ata ibn ebi Rebahu. Disa që kishin mësuar tek Atai kanë thënë: "Ishim tek Atai duke mësuar, disa ishin pas të tjerëve, e kur vinte Ebu Hanife, ai ia lironte vendin dhe e ulte në fillim".(16)


Largpamës dhe vizionar


Pas vdekjes së Hamadit, vendin e tij e zuri nxënësi i tij, Ebu Hanife, dhe zbrazëtirën e tij e plotësoi ky. Thuajse të gjitha transmetimet tregojnë se ai nuk u veçua asnjëherë të kishte tubime të dijes të udhëhequra nga ai, në të gjallë të Hamadit. Vetëm pas vdekjes së Hamadit ai mori udhëheqjen e tubimeve të dijes. Pas vdekjes së Hamadit, djali i tij tentoi të zinte vendin e të atit, por nuk ishte jurist-fekih sikurse i ati, prandaj edhe njerëzit filluan të pakësoheshin, mirëpo, me inkuadrimin e Ebu Hanifes, njerëzit erdhën e u shtuan. Tubimet e tij të dijes, tashmë si mësues e dijetar, i filloi pikërisht në vendin ku mësuesi i tij dikur mbante ligjërata. Kur mori drejtimin e tubimeve të dijes si mësues, pas vdekjes së Hamadit, Ebu Hanife ishte dyzet vjeç, moshë kur njeriu arrin pjekurinë e madhe dhe është i përgatitur maksimalisht.(17)
Gjithnjë, edhe si nxënës edhe si mësues, vërehej zgjuarsia dhe largpamësia e tij. Ishte i fuqishëm në argumente, i prerë në mendime, i shpejtë në përgjigje dhe ishte largpamës e vizionar i madh. Transmetohet se një njeri kishte fshehur mallin e tij në një vend e pastaj e kishte harruar vendin ku kishte fshehur pasurinë dhe një ditë kishte ardhur tek Ebu Hanife dhe ishte ankuar. Ebu Hanife i kishte thënë: "Shko në shtëpi dhe fal namaz nate". Njeriu shkoi dhe veproi ashtu, e kur kishte mbetur çereku i fundit i natës, iu kujtua vendi dhe erdhi tek Ebu Hanife e i tregoi. Atëherë Ebu Hanife i tha: "E kam ditur se djalli nuk do të të linte ta falje (deri në mbarim) namazin, prandaj ta kujtoi vendin (e mallit), e sikur ta plotësoje natën tënde me falënderim ndaj Allahut të Madhëruar, do të ishte shumë më mirë".(18)



___________________________
1) Ka edhe mendime se kishte lindur në vitin 61 h., por shumica e historianëve këtë gjë e shohin si të pamundshme, për faktin se ai kishte vdekur në vitin 150, gjegjësisht në sprovën e Mensurit për ta pranuar ofertën që të ishte gjykatës e që, sipas atij versioni, i bie të kishte 89 ose 90 vjet, që është e pamundshme që në atë moshë t'i paraqitej një kërkesë e tillë.2 Mekkij, Menakib Ebi Hanife, bot.I-rë, pa vit dhe vend botimi, v.1, f. 4-5; Kerderij, Menakib Ebi Hanife, Mexhlis Dairetul Mear if, 1903, f. 4-6; Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, bot. III-të, 1985, Alemul Kutub, Bejrut-Liban, f. 15-16; Ebu Zehre, Ebu Hanife -hajatuhu ve asruhu, arauhu ve fikhuhu-, bot.II-të, Dar el-Fikr el-Arebij, Bejrut-Liban, f.14-15; Hejtemi, el-hajratul Hisan, Matbeatu-s Seadeh, Kairo-Egjipt, pa vit botimi, f.22.3 Ebu Zehre, Ebu Hanife -hajatuhu ve asruhu, arauhu ve fikhuhu-, f.17-18. Thuajse ngjarje të përafërt me këtë transmeton Mekkiu në librin e tij "Menakib ebi Hanife", ku është zhvilluar një bashkëbisedim në mes Atait dhe Hisham ibn Abdulmelikit. Thotë Atai: "Hyra tek Hishami dhe më pyeti: "A ke dijetarë nëpër vende Islame"? "Gjithsesi, o prijës i besimtarëve"-iu përgjigja. "Kush është juristi i Medinës"?-pyeti ai. Iu përgjigja: "Nafiu". Ai më pyeti: "Kush është juristi i Mekës"? "Ata ibn ebi Rebah"-iu përgjigja. Ai më pyeti: "A është i huaj apo arab"? "I huaj"-iu përgjigja unë. "Kush është juristi i Jemenit"?-pyeti ai. "Tavus ibn Kejsan"-iu përgjigja unë. "A është i huaj apo arab"? "I huaj"-iu përgjigja unë. "Kush është juristi i Jema mes"?-pyeti ai. "Jahja ibn Kethir"-iu përgjigja unë. "A është i huaj apo arab"? "I huaj"-iu përgjigja unë. "Kush është juristi i Shamit"?-pyeti ai. "Mekhuli"-iu përgjigja unë. "A është i huaj apo arab"? "I huaj"-iu përgjigja unë. "Kush është juristi i Xhezires arabe"?-pyeti ai. "Mejmun ibn Mehran"-iu përgjigja unë. "A është i huaj apo arab"? "I huaj"-iu përgjigja unë. "Kush është juristi i Horasanit"?-pyeti ai. "Dahak ibn Muzahim"-iu përgjigja unë. "A është i huaj apo arab"? "I huaj"-iu përgjigja unë. "Kush është juristi i Basrës"?-pyeti ai. "Hasen (el-Basriu) dhe ibn Sirini"-iu përgjigja unë. "A janë të huaj apo arabë"? "Të huaj"-u përgjigja unë. "Kush është juristi i Kufës?-pyeti ai. "Ibrahim Nehaiu"-iu përgjigja unë. "A është arab apo i huaj"? "Arab"-iu përgjigja unë. "Gati më doli shpirti (po të mos ishte ky i fundit), kur asnjë prej tyre nuk the që është arab". Mekkij, Menakib Ebi Hanife, f. 8. 4)Alij Tantavi, Dhikrajat, v.8, f.118. 5) Shinkiti, Idaetul Halik min elfadh delilu-s salik ila Muvetta el-Imam el-Malik, darul fediletu, f.108. 6) Sujutiu, Mekkiu dhe Kerderiu, të cilët konsiderohen si njohës të mirë për jetën e Ebu Hanifes, dhe kanë shkruar edhe libra për të, kanë përmendur transmetime se ai kishte takuar më shumë se një ashab. Ata kanë përmendur edhe emra të ashabëve që kishte takuar Ebu Hanife, si p.sh.: Enes ibn Malik, Abdullah ibn el-Harith ibn Xhez'i Ez-zubejdi, Vathileh ibn el-Eska', Aisheh bintu Ixhred, Abdullah ibn ebi Evfa, Amër ibn Harith, Ebu-t Tufejl Amir ibn Vathileh, Sehl ibn Sa'd. Ahmed Seid Havva, El-Medhal ila Med hhebil imam Ebi Hanifeh En-Numan, bot.I-rë, dar el-Endelus el-Hadra, Xhide-Arabia Saudite, 2002, f. 35. 7) Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, f. 18. 8)Sajmerij, Ahbar Ebi Hanife ve Ashabuhu, f. 16-17; 9) Mekkij, Menakib Ebi Hanife, v.1, f. 259. 10) Hamze Neshreti, El-Imamul A'dham Ebu Hanife En Nu'man, El-Mektebetu-l Kajimetu, Kairo-Egjipt, f. 93.


 


Dituria Islame 288


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë filloi trajnimi dyditor me imamë, hatibë dhe muezinë (VIDEO)