Abdurrahman ibnu Aufi ishte pjesëmarrës i luftës së Tebukut, e cila zhvillohej afër kufijve të Shamit. Ai në këtë luftë kishte kontribuuar edhe me pasuri, si shumë ashabë tjerë të Pejgamberit a.s.. Kishte dhënë 200 okë argjend.
Abdurrahman Ibnu Auf ishte njëri nga shokët dhe miqtë e dashur e të respektuar të Pejgamberit a.s.. Abdurrahman Ibnu Auf ishte nga të përgëzuarit me Xhennet dhe njëri nga pasanikët e Mekës, i njohur edhe për solidaritetin që kishte treguar në interes të shtetit mysliman dhe në interes të shtresave të varfra. Jetëshkrimi i tij është një shkollë nga e cila do të përfitojnë për suksesin, arritjet, shërbimin ndaj komunitetit, miqësinë, heroizmin, interesin për edukimin e fëmijëve dhe komunikimin me bashkëshorten. Nëse, hyjmë dhe vështrojmë nga të gjitha aspektet familjen e tij, do të vërejmë se ai ishte një yll ose model për myslimanët në të shkuarën, po edhe për myslimanët sot dhe nesër. Emri i tij i vërtetë ishte Abdu Amr. Ishte vetë Pejgamberi a.s. që ia ndryshoi emrin dhe e thirri Abdurrahman, sepse ishte në traditën e Pejgamberit a.s. që t`i quante të tjerët me emra të mirë. Pejgamberi a.s. u shmangej dhe urrente çdo emër që ishte ogurzi dhe që shprehte pesimizëm. Diçka të tillë Pejgamberi a.s. nuk bëri vetëm me Abdurrahman ibnu Aufin, po me këdo që kishte emër që shprehte dobësi dhe cilësi negative. Një ditë te Pejgamberi a.s. hyri një person të cilin e pyeti: "Si e ke emrin?" Ai iu përgjigj: "Zejdul Hajl (kalë)". Pejgamberi a.s. i tha: "Që tani e tutje do të jeshë Zejdul Hajr (mirësi)".(1) Për ta pranuar Islamin, Abdurrahman ibnu Aufin e kishte bindur Ebu Bekri r.a. dhe kështu qe bërë personi i tetë që kishte pranuar islamin në mekë. Të ndikuar nga Ebu Bekri, i cili ishte njeri i urtë, i ndershëm dhe i ditur, Islamin në fillim të Shpalljes e kishin pranuar edhe Uthman ibnu Affan Emeviu, Zubejr ibni El-Avami, Sa`d bin Ebi Vekasi, Ez Zuhejrani dhe Talha bin Ubejdullah Et-Tejmi.(2)
Kur e kishte pranuar Islamin, Abdurrahman ibnu Aufi ishte vetëm 22 vjeç. Abdurrahman ibnu Auf ishte prej grupit të parë të myslimanëve që kishin emigruar në Abisini. Më vonë emigroi edhe në Medinë, me Muhamedin a.s.. Kur emigroi në Medinë, ai ishte i varfër dhe nuk posedonte asgjë përveç rrobave që kishte veshur. Pas emigrimit të myslimanëve në Medinë, Pejgamberi a.s. i vëllazëroi mekasit dhe medinasit, vëllai i Abdurrahman ibnu Aufit ishte Sad ibnu Rebi. Me ta dërguar në shtëpinë e tij, Sad u ul me Abdurrahmanin dhe i tha: "Unë jam i martuar me dy gra, do ta divorcoj njërën që të martohet me ty. Kam dhe pasuri që do ta ndajmë përgjysmë me ty".(3) Kurse Abdurrahmani iu përgjigj: "Zoti të dhëntë begati në familjen dhe pasuritë e tua. Gjëja e vetme që dua prej teje, është të më kallëzosh tregun". Abdurrahmani u interesua për tregun, sepse kishte edukatë të mirë pune. ai nuk e pranonte përtacinë dhe dembelinë, edhe pse gjithçka i kishte të garantuara nga vëllai i tij në fe, Sad ibnu Rebi. Motoja e tij "Më kallëzo tregun", edhe pse kanë kaluar mbi 1400 vjet, vazhdon të jetë e freskët për të gjithë myslimanët dhe e kujtojnë atë me krenari. Ai ishte rritur dhe e njihte shumë mirë artin e tregut dhe të shitblerjes. Filloi menjëherë të përparonte në tregti dhe për një kohë të shkurtër u bë një nga tregtarët më të mëdhenj në treg e një nga myslimanët më të pasur. Ai ishte mishërim i gjallë i lutjes së Pejgamberit a.s.: "O Zot, më mbro nga dështimi, përtacia…"(4) Pra, Abdurrahmani është një model dhe shembull për çdo të varfër nga myslimanët dhe për çdo të papunë. Ai është simbol i suksesit dhe simbol i luftës kundër varfërisë dhe papunësisë.
Ndërkohë që flasim për Abdurrahman ibnu Aufin, njërin nga dhjetë të përgëzuarit me Xhennet, shumë njerëz ata që nuk dinë gjë tjetër përveç namazit, agjërimit dhe vajtjes në xhami, i imagjinojnë si të varfër, të papunë. Vetëm kështu, sipas tyre, mund ta fitojmë Xhenetin. Një mendim edhe opinion të tillë e rrëzon Abdurrahman ibnu Aufi. Ai sikur përcjell mesazhe edhe për ditët e sotme edhe për myslimanët e sotëm, se besimtari mysliman, edhe kur është i përgëzuar me Xhennet, edhe kur duhet t`i kryejë obligimet fetare, duhet edhe të gjallëroj dhe të punojë dhe jo të kalojë ditën kot pas kryerjes së obligimeve fetare.
Bujaria e Abdurrahman ibnu Aufit
Një ditë, gjersa po e pyeste Pejgamberi a.s.Bilallin për Abdurrahmanin, ai ia kishte behur. Posa erdhi, Pejgamberi a.s. e pyeti: "Ku ishe, o Abdurrahman?" Ai i tha: "O i Dërguari i Allahut! Isha duke i numëruar paratë". Pejgamberi a.s. tha :"O Abdurrahman! Ti do të jesh nga banorët e Xhenetit, por në Xhennet do të hysh këmbadoras". Më pastaj, Pejgamberi a.s. i tregoi se si mund të hynte në Xhennet duke ecur në këmbë. Ai i tha: "Duke i dhënë Allahut hua të bukura".(5) Abdurrahmani f illoi të jepte pasuri për të ndihmuar të varfrit, me qëllim që të hynte në Xhenet këmbë.
Një ditë tjetër, gjersa një karvan prej 700 devesh, i ngarkuar me mallra, pronë e Abdurrahmanit, po arrinte në Medinë, Aishja , gruaja e Pejgamberit a.s, shkoi tek Abdurrahmani dhe ia kujtoi hadithin e Pejgamberit a.s.: "Duke I dhënë Allahut hua të bukur". Me të dëgjuar fjalët e Aishes, Abdurrahmani u mendua dhe tha: "O Aishe, je dëshmitare që ky karvan, me gjithë mallin, është dhuratë për t`u shpenzuar në rrugë të Allahut".(6) Me këtë gjest, mund të themi se Abdurrahmani u bë model dhe shembull për të gjithë të pasurit dhe biznesmenët myslimanë kudo në botë, pra edhe në vendin tonë, se si duhet të ndihmohen shoqëria, myslimanët dhe feja e Allahut xh.sh..
Allahu i Lartëmadhëruar në Kur'an ka thënë: "Vërtet, Allahu qe i kënaqur me besimtarët kur ata, nën hijen e atij druri, të zotoheshin ty…".(El Fet'h,18) Abdurrahman ibnu Aufi po ashtu ishte nga ata që i dhanë besën Muhamedit a.s. nën hijen e pemës dhe sinqeritetin dhe besnikërinë e tij e dëshmoi vetë Allahu xh.sh. në ajetin e mësipërm. Pra, a ka nder më të madh se Zoti të jetë i kënaqur me ty? Të gjithë ne E adhurojmë Zotin me qëllim që të fitojmë kënaqësinë e Tij.
Abdurrahman ibnu Aufi ishte pjesëmarrës i luftës së Tebukut, e cila zhvillohej afër kufijve të Shamit. Ai në këtë luftë kishte kontribuar edhe me pasuri, si shumë ashabë tjerë të Pejgamberit a.s.. Kishte dhënë 200 okë argjend.(7)
Gjatë kohës së betejës, një ditë Pejgamberi a.s., bashkë me Muadh ibnu Xhebelin, kishin dalë për të marrë abdes për t'u falur. Ata të dy ishin vonuar, saqë myslimanët e tjerë qenë frikësuar mos po lindte dielli pa u falur. Pas një debati, f illuan të faleshin pa ardhur Pejgamberi a.s.. Ishte Abdurrahman ibnu Aufi ai që guxoi t'i printe namazit si imam pa ardhur Pejgamberi a.s.. Ndërkohë Pejgamberi a.s. u kthye dhe i gjeti shokët e tij duke u falur, iu bashkua në namaz dhe, pas përfundimit të namazit, Abdurrahmani dha selam, e Pejgamberi a.s. u ngrit për ta vazhduar rekatin e mbetur. Pasi përfundoi namazin edhe Pejgamberi a.s. , Abdurrahman ibnu Aufi iu afrua dhe i kërkoi falje për atë që i kishte ndodhur, por P. a.s. i tha: "ke vepruar mirë, o Abdurrahman".
Të tillë ishin ashabët e Pejgamberit a.s., ata e respektonin atë dhe dinin si ta mbanin ekuilibrin në mes tyre dhe të Dërguarit të Allahut. Ashabët e dinin dhe i respektonin edhe të tjerët; ata ruanin ekuilibrin edhe brenda familjarëve të tyre. Edhe pse ishte i zënë me tregtinë dhe udhëtimet e shumta, po ta vështrojmë dhe analizojmë mirë biografinë e tij, do të shohim se Abdurrahman ibnu Aufi nuk kishte konflikte dhe probleme familjare me gruan dhe fëmijët e tij. Përkundrazi, nga jetëshkrimi i tij kuptojmë se ai i përkushtohej familjes së tij dhe kishte marrëdhënie të shkëlqyera me gruan dhe fëmijët e tij.
Për këso sjelljesh, kundërshtarët e Islamit mahniten kur lexojnë dhe studiojnë jetëshkrimet dhe marrëdhëniet e shokëve të Pejgamberit a.s. me familjet e tyre, sepse,në studimet e tyre të civilizimeve dhe historive të popujve të mëparshëm, ata hasin dallime të thella në mes romakëve që kishin udhëhequr botën, dhe shokëve të Pejgamberit a.s., të cilët kishin shtrirje vetëm në rajonin përreth. Një nga studiuesit dhe mendimtarët e njohur perëndimorë, në librin e tij "Vlerat e përjetshme të Islamit", kishte thënë: "Civilizimi islam bazohet në mesazhet hyjnore, ku sistemi shoqëror bazohet në një familje të fortë dhe të qëndrueshme, ndërkohë që sistemi ekonomik konsiderohet mjet dhe jo qëllim".
Ndërkaq, një shkencëtar tjetër - Gustav Libon, në librin "Qytetërimi arab", ka thënë: "Filozofët arabë dhe myslimanë janë të parët që i mësuan botës pajtueshmërinë në mes lirisë së mendimit dhe praktikimit të fesë".
Në përfundim, mund të konstatojmë se vlerat e fesë sonë të rralla, civilizimi dhe kultura jonë islame, biografia e të parëve tanë të ndershëm, biografia dhe jetëshkrimi i Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s., janë elemente të rëndësishme që duhet të na orientojnë dhe udhëzojnë për rrugën dhe mënyrën e ndërtimit të raporteve tona ndërnjerëzore, të marrëdhënieve me shoqërinë që na rrethon dhe të qëndrimit tonë ndaj Krijuesit të Madhëruar. Janë pikërisht këto që besimtarin e bëjnë të ndihet i lumtur dhe i rehatshëm gjatë jetës së tij.
___________________________
(1) Xhasim Mutava, Të përgëzuarit me Xhennet, Shkup, 2010, f. 171.
(2) Safijurrahman El-Mubarekfuris Er-rahikul Mahtum,1996. f.76.
(3) Xhasim Mutava, Të përgëzuarit me Xhennet, f.171 172.
(4) Po aty, f.173.
(5) Po aty, f.174..
(6) Po aty, f.175.
(7) Safijurrahman El-Mubarekfuris, Ibid f.467
Dituria Islame 259